| E shtune, 25.05.2013, 10:47 AM |
Elhaida Dani, një shkodrane finaliste në “The Voice Of Italy”
Elhaida Dani, uragani vokal që përmbyti të gjithë barrierat e anatemës, ylli që “vërbon” me shkëlqimin e vet
Nga
Albert Vataj
Ajo është
tashmë në finale. Për të flitet, pëlqime dhe komente pafund në rrjetet sociale.
Emri dhe fama e saj kapërthejnë majat. Ajo është shqiptare. Më shumë se si e
tillë ajo mban mbi vete të drejtën e përfaqësimit të Shkodrës, djepit të
kulturës që s’resht së përkunduri talente dhe ambicje artistike që ngulmojnë vetëm sfida.
Edhe një
hap dhe zëri dhe interpretimi i saj do të ngrenë urën e ngjitjes në apogje.
Eshtë e vetmja shqiptare që ka mundur të ngjisë aq lart talentin dhe të drejtën
e të qenit konkurues në një botë, e cila nuk ka nguruar asnjëherën të na shohë
vëngër dhe të na trajtojë si “delja e zezë” e tufës. Elhaida Dani, shkodrania
20-vjeçare padyshim është në qendër të vemëndjes, në fokusin e botës shqiptare,
është ylli përnga i cili kemi hedhur vështrimin të gjithë.
Elhaida
Dani di vetëm të shkëlqejë, vezullimi i saj si ai i një yllë shpërtheu teksa
interpretoi përkrah Cocciante-s dhe konkurrentit tjetër, Mattia Lever, një
këngë të Minas. Me kodin nr. 2 Elhaida këndoi këngën ”I believe I can fly”. Në
videon prezantuese para se të interpretonte, këngëtarja kujtoi interpretimin e
një jave më parë ku i gjithë publiku u ngrit në këmbë “Kur pashë publikun që
ishte ngritur i gjithi në këmbë fillova të qaj”, tha ajo. Më pas këngëtarja i
tha mentorit të saj Cocciante se këta muaj e kishin bërë më të fortë e të
kishte më shumë besim në aftësitë e saj. Juria e vlerësoi interpretimin e saj.
“Ajo është një këngëtare që krijon atmosferë. Ajo nuk është vetëm një këngëtare
e mirë, por dhe një interpretuese e zonja”, tha Noemi. Në momentin e
përzgjedhjes së një prej dy konkurrentëve të skuadrës së tij, Elhaidës apo
Mattia-s, Cocciante e shkroi në letër të përzgjedhurin e tij për në finale.
Emri i shkruar nga Cocciante ishte Elhaida Dani. Këngëtarja shqiptare ka marrë
dhe votat e publikut duke kaluar kështu si finaliste e “The Voice of Italia” .
“Ishte një zgjedhje e momentit, megjithëse gjithnjë kam menduar se Elhaida ka
diçka magjike kur këndon. Mattia është ende i ri dhe me talent, dhe e ka rrugën
e karrierës përpara”, tha Cocciante.
Asnjë
superlativë, kompliment, vlerësim sipëror nuk është kursyer për atë që vazhdon
të trajtohet në mediat shqiptare, por kryesisht ato italiane si “Voice” i “The
Voice Of Italy”. Publiku italian është magjepsur nga zëri, uragani vokal i
shkodranes, Elhaida Dani. Performanca e saj, siguria në skenë dhe
profesionalizmi, mbeten jo vetëm garancitë e rrugëtimit të deritashëm të saj në
“The Voice Of Italy”, por dallohen dukshëm si premisë për trofeun e këti
superspektakli. Mentori i saj, i madhi i muzikës italiane, Riccardo Cocciante,
nuk e fsheh synimin që ka për ta çuar në finale këtë fenomen të këtij
evenimenti. Të qenit shqiptar në një përballje titanësh në skenën italiane,
duket se nuk e ka zbehur aspak shkëlqimin gjithnjë e më të fuqishëm të këtij
ylli të skenës. Ajo është Elhaida dhe vjen nga Shqipëria. Ajo ka një endërr dhe
do ta ndjek rrugën e realizimit.
Rrugëtimi
i saj deri në finalen e “The Voice Of Italy”, kurrsesi nuk është një rastësi.
Ajo është një këngëtare e talentuar dhe një fituese e lindur. Ka studiuar piano
që në moshën 6-vjecare në shkollën ‘Prenkë Jakova’ në Shkodër. Ka marrë pjesë
në talent–show “
Vitit
2011 ishte shumë i suksesshëm për të. Në gusht të këtij viti, ajo ishte një nga
konkurrentët e Suncane Skale, ku fitoi çmimin për artisten më te mirë të re. Ne
23-24 shtator ajo ishte pjesë e Festivalit Zlaten Kesten në Petriç, Bullgari ku
u zgjodh "Best Singer". Në vitin 2009 ka regjistruar këngën e saj të
parë “Si asnjëherë”, por konkurrimi i saj në festivale fillon në Kënga Magjike
2008 ku këndoi "Fjala E Fundit" dhe më pas në vitin 2011, në
festivalin e këngës në RTSH. Ajo këndoi "Mijëra Vjet" dhe u nderua me
çmimin "Melodia më e mirë". Viti 2012 është një vit i paharruar për
Elhaiden pasi publikoi albumin e saj të parë dhe më pas në Top-Fest u shpall
fituese e çmimit të madh me këngën “S'je më”.
Ne vitin
2013, Elhaida Dani merr pjesë në “The Voice Of Italy” dhe këngëtarja me zërin
potent bëri një audicion të jashtëzakonshëm duke çuar në këmbë publikun dhe 4
tranjerët: Riccardo Cocciante, Raffaella Carrà, Piero Pelù dhe Noemi. Ajo
kishte zgjedhur këngën "Mama Knows Best" të këngëtares Jessie J, të
shkruar nga Jessica Cornish dhe Ashton Thomas. Kënga kërkonte një zë të forte
dhe me ekstension vokal dhe performanca e Elhaidës mori komplimenta nga të
gjithë tranjeret. Piero Pelù e pyeti nëse emri i saj ishte "uragan",
por këngëtarja u përgjigj: "Quhem Elhaida dhe vij nga Shqipëria". Në
mes të "betejës" së tranjerëve se kush ta merrte në skuader Elhaidën,
u fol për herë të parë për një kandidaturë për fitoren e këtij programi të zhvilluar
për herë të parë në Itali dhe të transmetuar në RaiDue. Elhaida vendosi të
shkojë në skuadrën e këngëtarit Riccardo Cocciante.
Në daljen
e dytë, vajza nga Shkodra çuditi organizatorët e programit, të cilët e quajtën
si sfidë ndërkombëtare mes saj dhe këngëtares italo-amerikane, Franceska
Belenis. Beteja e tyre u konsiderua si një “luftë” mes dy tigrash, që nxori
fitimtare shqiptaren Dani.
Ajo ka
kaluar me sukses një tjetër fazë. Elhaida 20-vjeçare u pëlqye shumë në daljen e
tretë me performancën e këngës “All by myself”, duke vazhduar garën më tej.
Raffaella Carà tha se do donte që të fitonte një nga këngëtarët e saj, por
duhet të jemi realist, duke lënë të kuptoheshe se fitorja e këtij programi i
takon Elhaidës. Pas perfomancës, publiku italian vendosi çuditërisht për
16-vjeçarin Matia, ndërsa Cocciante zgjodhi Elhaidën për të kaluar në fazën
pasardhëse. Në paraqitjen e katërt në “The Voice Of Italy” ishte e paevitueshme
të këndohej një këngë në italisht, prandaj Elhaida dhe Riccardo Cocciante
zgjodhën “Nessun Dolore” nga Lucio Battisti, por të kënduar me sukses edhe nga
Giorgia në albumin e saj të parë në vitin 1994. Elhaida ishte perfekte si
gjithmonë dhe në pjesën e dytë të këngës arriti të shpalosë gjithë vlerat e saj
interpretuese dhe vokale. Votimi i publikut pritej me emocion edhe nga
Cocciante dhe kur dëgjoi emrin e Elhaidës, na bëri të kuptojmë se është Elhaida
“arma” që Cocciante ka për në natën finale dhe për të fituar këtë kompeticion.
Një
triumf i vërtetë mund të konsiderohet performanca dhe pritja që i bëri publiku
këngës "Adagio", që Elhaida këndoi në javën para gjysëmfinales. U
emocionua shumë tranieri i saj Riccardo Cocciante dhe vetë Elhaida shpërtheu në
lotë pas interpretimit. Ajo ishte e përzgjedhura e publikut, duke siguruar
kështu vendin në gjysëmfinale.
Nëse deri
tani Elhaida Dani, këngëtarja shqiptare që po konkuron në edicionin e “The
Voice of Italy”, është konsideruar shumë e talentuar, tani e tutje ajo kapërceu
këtë përcaktim dhe po konsiderohet mahnitëse.
Në
vazhdën e sfidës, ajo këndoi “Adagio” të Lara Fabian, një këngë tëpër e
vështirë, por që arriti ta interpretojë në mënyrë të madhërishme. Mes lotëve
ajo përfundoi interpretimin e saj, që emocionoi jurinë e me sa duket edhe
publikun. Pasi rrëmbeu vlerësimin e jurisë me talentin e saj, po fiton zemrat e
telespektatorëve, mijëra prej të cilëve e televotuan.
Këngëtarja
Noemi, anëtare e jurisë, tha se kjo është një teknikë e lartë në shërbim të një
emocioni të madh, ndërsa Raffaella Carra e akuzoi, me shaka, se ka thyer
abazhurët me fuqinë e zërit.
Brënda
pak minutave qindra komente e lëvdata për 20-vjeçaren me origjinë nga Shkodra,
e cila vetëm një vit më parë ka fituar “Top Fest” në Top Channel, me këngën
“S’je më”.
Tanimë, për Elhaidën duket se nuk ka më kufij e pengesa, zëri dhe talenti i saj sonte hynë në çdo shtëpi e zemër. Deri në natën finale, na mbetet vetëm të lutemi për Elhaidën dhe pë gjithkën që ndjek me ngulm ëndrrën, atë prekje magjike të suksesit.