Mërgata shqiptare ndër shekuj
Roli i Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” dhe
gazetës “Dielli” në njohjen e çështjes shqiptare
Ekskluzive nga Xhylije Ibrahimi
Duke
marrë parasysh kohën dhe rrethanat në të cilat u formua federata pan-shqiptare
“Vatra”, mund të thuhet se ajo dha një kontribut të rëndësishëm në ngritjen e
çështjes shqiptare, jashtë kufijve të Shqipërisë, në përgjithësi e në veçanti,
në Konferencën e Paqes në Paris (1919). Kjo dhe shoqata të tjera kanë luajtur
një rol të rëndësishëm në ngritjen e çështjes shqiptare e sidomos në
sensibilizimin e qarqeve diplomatike perëndimore në lidhje me problemet
shqiptare. Po ashtu, duhet nënvizuar edhe angazhimin e tyre në lidhjen e
marrëdhënieve shqiptaro-amerikane e sidomos përgjatë vitit 1919, për faktin se
1919-ta merret si viti që ndryshoi botën, që ndryshoi bërjen e politikave,
përkatësisht shtrirjen e politikave, që më nuk do të përfshinin vetëm vendet
dhe popujt e mëdhenj, por edhe ato vende të vogla dhe popuj të vegjël, siç
ishte Shqipëria dhe populli shqiptar. Falë angazhimit të Federatës
pan-shqiptare “Vatra” dhe gazetës “Dielli” u lidhën miqësi të reja dhe çështja
shqiptare u bë e njohur edhe përtej oqeaneve. Ky vështrim imi, pos në
literaturën ekzistuese, mbështetet edhe në burimet arkivore të Ministrisë së
Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Historiku i shkurtër i formimit të
shoqatave shqiptare në SHBA
Historiku
i formimit të shoqatave shqiptare fillon nga veprimtaria e emigrantëve
shqiptarë jashtë vendit. Mërgata shqiptare në SHBA filloi të organizohet dhe po
ashtu të organizojë edhe veprimtari patriotike në mbështetje të çështjes
shqiptare. Në fillim të shekullit 20 në
bashkësinë e vogël të emigrantëve shqiptarë në Amerikë filluan të veprojnë
pionierët e rilindjes kulturore shqiptare. Në vitin 1904 vjen në Amerikë Petro
Nini Luarasi, mësues në fshatin Katund dhe pishtar i zjarrtë i arsimimit dhe
shkollimit të shqiptarëve. Pas tij, erdhi Sotir Peci, më 1905, nga Dardha e
Korçës. Ishte i pari që vuri themelet e lëvizjes nacionaliste shqiptare, duke
filluar botimin e gazetës “Kombi” (1906), e para gazetë shqipe në Amerikë. Kjo
gazetë, siç shkruante Sotir Peci “do të përpiqet për përparimin e çështjes
politike dhe për lërimin e gjuhës së vet, t`u ap kurajo dhe ndihmë gjithë
atdhetarëve që përpiqen për këto qëllime...”. Gazeta “Kombi” e ndërpreu botimin
e saj në vitin 1909. Në vitin 1906 u formua shoqëria “Malli i Mëmëdheut”, të
cilin e udhëhiqnin Vani Karameto dhe Vani Vangjeli. Një vit më vonë, shqiptarët
e Bostonit formojnë shoqërinë “Besa-besë”. Zyrtarët e parë të shoqërisë ishin
Fan Noli, Gani Katundi, Angjelo Stefanson, Nini Fani Katundi. Në vitin 1910, në
Amerikë vendoset intelektuali Faik Konica, që së bashku me Fan Nolin, Kristo
Dakon dhe atdhetarë të tjerë, në vitin 1912, formojnë Federatën Pan-shqiptare
“Vatra”, me seli në Boston, që ishte bashkim i disa
shoqatave. Gazeta “Dielli “ u bë organ zyrtar i federatës “Vatra”. Mërgimtarët,
të vetëdijshëm se krahas punës për kafshatën e gojës dhe mbajtjen e familjeve
të tyre, duhej të punonin edhe për çështjen kombëtare, filluan të organizohen
dhe formojnë shoqëritë kulturo-arsimore e patriotike. Kështu në vitin 1906 u
formua shoqëria “Malli i Mëmëdheut”, nga shqiptarët në Bufallo. Një vit më
vonë, shqiptarët e Bostonit formojnë shoqërinë “Besa-besë”, pastaj “Lidhja” e
shoqëri të tjera. Këtyre organizatave që tubonin mërgimtarë të arsimuar, të
ardhur nga Shqipëria, një vend i vogël, i vuajtur, i copëtuar, vend me shumë
armiq përreth saj, u ra për hise që të informojnë opinionin amerikan se çfarë
po ndodhte përtej oqeanit, atje në Shqipërinë e largët e të mjerë. Dhe për këtë
qëllim, Petro Nini Luarasi, Sotir Peci dhe Theofan Stilian Noli, në vitin 1906
vendosin të nxjerrin gazetën shqipe “Kombi”. Drejtori i saj, Sotir Peci, në
numrin e parë, më 9 qershor 1906, në faqen e parë botonte programin e këtij
“organi të interesave shqiptare që ka për detyrë të parë të mësojë dhe të
botojë lajmet mbi lëvizjet jo vetëm në Shqipëri dhe të atyre vendeve për të
cilat kemi interesa, por edhe gjendjen e atdhetarëve të këtushëm, do të jetë me
pak fjalë lidhje e Amerikës me Shqipërinë”. Më vonë, në vitin 1910, në Amerikë
vendoset edhe intelektuali Faik Konica, që së bashku me Fan Nolin, Kristo Dakon
dhe atdhetarë të tjerë, në vitin 1912, prej 13 shoqërive patriotike formojnë
Federatën Pan-shqiptare “Vatra”, me seli në Boston. Organizimi i federatës
filloi më 24 dhjetor 1911 dhe vazhdoi deri më 28 prill 1912. Brenda dy javësh, u krijua dega e parë të
Bostonit që do të ishte shtylla kryesore e “Vatrës” dhe më pas vazhduan degët e
tjera, duke i shtrirë gati në çdo vend ku kishte shqiptarë. Kështu u krijua
“Vatra” zulmëmadhe që me veprimtarinë e saj shkroi faqet më të ndritura të
historisë shqiptare, që në disa raste u quajt me të drejtë një “qeveri
shqiptare në mërgim”, që e mposhti kryeministrin shovinist grek Venizellos, gjë
që ai e pranoi botërisht. “Vatra” është padyshim emër i veçantë dhe i
respektuar që simbolizon bashkimin e emigracionit shqiptar në Amerikë. Ajo me
historinë e saj njëshekullore i dha dritë e shkëlqim përhapjes së idesë për
bashkimin dhe organizimin e luftës çlirimtare të popullit shqiptar. Janë të
njohura shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, të Stambollit, të Sofjes e të
vendeve tjera ku kanë vepruar kolonitë shqiptare, të cilat kanë dhënë një
kontribut të vlefshëm për çështjen e kombit tonë, por duhet të thuhet se
asnjëra prej tyre nuk pati ndriçimin dhe jetëgjatësinë e Vatrës së Amerikës.
Gazeta “Dielli “ u bë organi zyrtar i federatës “Vatra”. Kjo federatë luan një
rol të rëndësishëm në informimin e qytetarëve amerikanë rreth zhvillimeve në
Shqipëri, rreth vuajtjeve të popullit shqiptar, spastrimeve etnike të viseve të
banuara nga shqiptarët dhe jo vetëm, por edhe të copëtimit të trojeve
shqiptare. Kuvendi i parë i federatës pan-shqiptare “Vatra” u mbajt në Lawrence
dhe Hall Boston, më 14 korrik 1912 me udhëheqës Lambi Kreshpani. Në këtë
kuvend morën pjesë 14 delegatë, ku zyrtarë të qendrës u zgjodhën Faik Konica,
Lambi Cikosi. Delegatëve që shpallën pavarësinë e Shqipërisë, më 1912 në Vlorë,
“Vatra” u dërgon një letër, në të cilën i përgëzon për aktin që kishin
ndërmarrë dhe i lutet mbledhjes së kombit, që të mos krijojë një shtet
oriental, por një shtet krejt evropian, si Norvegjia, Danimarka dhe Belgjika.
Në veçanti, Faik Konica iu lutet deputetëve myslimanë që të provojnë atdhesinë
e tyre duke zgjedhur një princ të krishterë, se po të bëjnë ndryshe, do të bëjnë
një lajthim të pa ndreqshëm. Federata pan-shqiptare “Vatra”, përmes gazetës
“Dielli” luajti një rol të rëndësishëm në informimin e qytetarëve amerikanë
rreth zhvillimeve në Shqipëri, rreth vuajtjeve të popullit shqiptar,
spastrimeve etnike të viseve të banuara nga shqiptarët dhe jo vetëm, por edhe
të copëtimit të trojeve shqiptare si dhe në njohjen e çështjes shqiptare në
përgjithësi. Gazeta “Dielli” që botohej nga federata “Vatra” kishte programin e
vetë, që për kryefjalë kishte fjalët “Shqipëria për Shqiptarët”. Menaxher i
parë i gazetës “Dielli” ishte George Konda (Gjo Leka). Në mars 1909, Faik
Konica u propozua që të thirret si drejtor i gazetës “Dielli” dhe më 9 tetor
1909, Konica arrin në Boston prej Londrës. Më 22 tetor,
“Dielli” del nën drejtimin e Faik Konicës. Në përvjetorin e parë të
daljes së gazetës “Dielli”, në Turqi ndalohet hyrja kësaj gazete, për të
filluar pastaj më 20 qershor 1910, me dy emra, “Dielli dhe Flamuri”. Emri i
dytë iu shtua me qëllim që të hyjë lirisht në imperatorinë turke. Dhe pas një
viti, kur Turqia hoqi ndalimin e hyrjes, gazeta mbeti vetëm me emrin e saj
“Dielli”. Pos shkrimeve, mërgimtarët
shqiptarë organizuan edhe mitingje të ndryshme në qytete të ndryshme të
Amerikës.
“Vatra” organizoi mitingjet
shqiptare
Mitingu i
parë pan-shqiptar u mbajt më 13 maj 1910 në Boston, për të kundërshtuar
masakrat turke kundër popullit shqiptar. Më 27 prill 1913 u mbajt mitingu “për
të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë”. Mijëra shqiptare protestuan
“grabitjet që i bëri Shqipërisë Konferenca e Ambasadorëve duke i falur Serbisë
viset më të mira të Shqipërisë në veri dhe Greqisë në jug”. Nga ky miting i
dërgohet rezolutë udhëheqësit të Konferencës së Ambasadorëve, Edward Grey, ku
theksohej se “30,000 shqiptarë u përfaqësuan në mitingun e madh të mbajtur në Boston, kundër copëtimit të Shqipërisë
midis fqinjëve”. Udhëheqës i mitingut ishte Kristo Dako, ndërsa folësja
kryesore ishte zonjusha Parasqevi Qiriazi. Më 17 maj 1914, në Boston u mbajt
një miting tjetër, sërish nën organizimin e “Vatra”, ku morën pjesë qindra
shqiptarë, të cilët protestuan barbarizmat greke në Shqipërinë e Jugut. Më 23
qershor 1915, po ashtu u mbajt një miting i madh “për të mbrojtur kufijtë e
Shqipërisë”. Konferenca e Paqes, punimet i filloi më 19 janar 1919. Pretendimet
e fqinjëve të Shqipërisë ndaj saj dhe territorit të saj kishin filluar shumë më
herët, andaj edhe gjatë punës së konferencës, çështja shqiptare vihej në
diskutim ngushtë e lidhur me çështjen e grekëve, italianëve e po ashtu edhe me
çështjen serbe. Delegacioni shqiptar, që në fillim të Konferencës së Paqes në Paris hasi në vështirësi dhe u gjend
përballë kërcënimeve të integritetit tokësor shqiptar, të cilat vinin nga
çarqet zyrtare të Greqisë. Po ashtu, faktorë të tjerë e kushtëzonin situatën jo të favorshme
të delegacionit shqiptar. Qeveria e përkohshme nuk ishte e njohur nga fuqitë
evropiane, kështu që Shqipëria nuk mund të përfaqësohej zyrtarisht në
konferencë dhe pamundësia e kontaktit direkt në konferencë nuk mund të
kompensohej me asgjë. Përveç kësaj, pjesëmarrësit e konferencës nuk dinin se kë
ta merrnin për përfaqësues të vërtet dhe serioz, delegacionin e qeverisë së
përkohshme, apo Esat Pashën, që u paraqit në emër të njëfarë qeverie që e
kishte formuar vetë. Në Shqipëri, grupet atdhetare brenda dhe jashtë vendit u
bashkuan për të thirrur një kongres me përfaqësues nga të gjitha krahinat e
vendit, që të formonin një qeveri kombëtare, e cila do të përfaqësonte vendin
në Konferencën e Parisit. Ky kongres u mbajt në Durrës, më 25 dhjetor 1918, nën
kryesimin e Mehmet Konicës. Delegatët e kongresit, të mbështetur në parimin e
“vetëvendosjes” dhe sidomos në vendimet e Konferencës së Ambasadorëve, të vitit
1913, që patën njohur Shqipërinë si vend të pavarur dhe sovran, kërkuan heqjen
e mundësinë për “qeverinë” e Esat Pashë Toptanit që të paraqitej si
përfaqësuese e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar. Kongresi, po ashtu, caktoi
përbërjen e delegacionit që do të përfaqësonte Shqipërinë në Konferencën e
Paqes. Përveç kryeministrit, i cili do të kryesonte delegacionin, si anëtarë të
tij do të ishin edhe ministri i Punëve të Jashtme Mehmet Konica, imzot Luigj
Bumçi, dr Mihal Turtulli dhe Mithat Frashëri. Delegacioni hasi në vështirësi
dhe u gjend përballë kërcënimeve të integritetit tokësor shqiptar, të cilat
vinin nga çarqet zyrtare të Greqisë. Shqiptarët mbështetën shumë shpresa tek
Konferenca e Paqes dhe sidomos tek presidenti Uillson.
Roli i mërgatës shqiptare
Në një
takim me Nolin, presidenti Uilson e kishte siguruar atë se do ta ndihmonte
Shqipërinë. Po ashtu, ish-presidenti Rusvelt
dukej se ishte jashtëzakonisht i informuar për Shqipërinë. Dr Mihail Turtulli
dhe Faik Konica kërkuan nga presidenti Uilson që të hidhte poshtë kërkesat e
padrejta greke ndaj territoreve shqiptare. Këta atdhetarë të Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare u përpoqën të bindnin presidentin e SHBA-ve se Greqia, përmes
propagandës së vet të paskrupullt, përpiqej që shqiptarët ortodoks të
Shqipërisë së Jugut t`i paraqiste si helenë. Dr. Mihail Turtulli, delegat i
shoqatës Pan-Shqiptare dhe anëtar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, në letrën
dërguar Presidentit të SHBA-ve në Uashington, kërkon mbrojtjen e të drejtave të
shqiptarëve nga fqinjët që donin të copëtonin Shqipërinë. Kryesisë së
Konferencës së Paqes i drejtoheshin shqiptarët përmes telegrameve nga të gjitha
qytetet e Shqipërisë dhe jashtë saj, siç ishte rasti me përfaqësuesit e
popullsisë së Beratit, të cilët kërkonin nga Konferenca zbatimin e parimeve të
drejtësisë, shpallur nga Presidenti Uillson dhe po ashtu kërkonin që të
merreshin në konsideratë kërkesat e popullit shqiptar. Të rinjtë shqiptar të Epirit të Veriut i dërguan telegram T.
Pashës në Paris për të ngritur zërin pranë Konferencës së Paqes për
aneksimin e Epirit të Veriut një Shqipërie të lirë. Po ashtu përfaqësuesit e diasporës i
dërguan Paqes së Versajës shumë memorandume në mbrojtje të çështjes shqiptare.
Kronologjia e memorandumeve nis me memorandumin e 28 tetorit
1918, sjellë nga Mihajl Tortulli. Çarls Eriksoni, anëtar i komisionit të
formuar nga “Vatra”, i cili kishte jetuar në Shqipëri në vitet 1914-1916 e që e
njihte mjaft mirë problemin shqiptar, i informoi anëtarët e komisionit për tërë
çështjen shqiptare, duke hedhur poshtë pretendimet greke se okupimi i hershëm
nga ushtritë e Austrisë, Serbisë, Italisë, Francës dhe Greqisë, gjatë Luftës së
Parë Botërore nuk i lejoi Shqipërisë të paraqitej si shtet sovran në anën e
Antantës. Eriksoni kërkoi që delegacioni i SHBA-ve të propozonte në Konferencën
e Paqes në Paris që të formohej një komision
neutral, të cilin do ta përbënin dy amerikanë, dy italianë dhe dy shqiptarë.
Pas plebishitit do t`i propozohej Lidhjes së Kombeve një zgjidhje e drejtë e
vijës kufitare midis Serbisë, Shqipërisë dhe Greqisë. Konstantin Çekrezi dhe
Kristo Dako paraqitën historikisht çështjen shqiptare, duke ofruar fakte të
pamohueshme rreth zgjidhjes së drejtë të vijës kufitare midis Shqipërisë dhe
Greqisë. Gjatë muajit prill, Konferenca e Paqes në Paris, filloi të shqyrtonte Traktatin e
Paqes me Austrinë dhe Hungarinë, të përfshira në Traktatin e fshehtë të
Londrës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nuk ishin të lidhura me këtë
traktat, i dërguan një memorandum Qeverisë së Romës, në prill të vitit 1919, me
të cilin i njihnin Italisë të drejtën e zotërimit të disa ishujve në veri të
Detit Adriatik dhe të Vlorës, ndërsa Rjeka (Fiume) parashihej të shpallej qytet
i “lirë” dhe të shndërrohej në port ndërkombëtar. Ky memorandum iu dorëzua
Qeverisë Romës, përkundër faktit që mërgata shqiptare në SHBA, në një letër
dërguar në janar 1919, sekretarit të Punëve të Jashtme të SHBA-ve, Robert
Lensingut, informonte se shoqëria Pan-Shqiptare “Vatra” kishte miratuar
rezolutën në të cilën kërkohej që SHBA-të të angazhohen në rrafsh ndërkombëtar
që të sigurohet pavarësia dhe sovraniteti i Shqipërisë, duke propozuar plebishitin
për territoret ndaj të cilave ushqenin aspirata shtetet fqinje. Federata
Pan-Shqiptare, më datën 4.01.1919, në Boston, në mbledhje të jashtëzakonshme
kishte miratuar rezolutën, me të cilën i bëhej thirrje SHBA-ve të merrej me
vendosjen përsëri të sovranitetit shqiptar, nën garantimin e bashkësisë
ndërkombëtare. Me këtë rezolutë, ata kërkojnë që të gjitha territoret ku
popullsia shqiptare është shumicë dhe në territoret e diskutueshme, të
zhvillohet referendum, por kjo duhet të bëhet pas ardhjes së trupave amerikane,
në mënyrë që të popullsisë t`i jepet “mundësia të shprehet lirshëm”. Mehmet
Konica, dr Adhamilli dhe profesor Xhorxh Heroni kishin iniciuar çështjen e një
protektorati amerikan mbi Shqipërinë. Heroni, nëpërmjet përfaqësisë amerikane
diplomatike në Zvicër i kishte dërguar Uilsonit të gjithë dokumentacionin që
kishte të bënte me këtë çështje. Fan Noli, kryetari i atëhershëm i “Vatrës”
ishte për një ndihmë amerikane, por ishte i mendimit se protektorati italian,
si çdo protektorat tjetër, përfshirë këtu dhe atë amerikan, paraqiste rrezik
për paqen në Ballkan. Noli e sheh zgjidhjen në krijimin e një komisioni
amerikan që do të përcaktohej nga qeveria e SHBA-së, detyra e të cilit do të
ishte të ndihmonte shqiptarët në krijimin e shtetit, ku çdo shqiptar do të
ndihej i kënaqur.
Thirrjet e shqiptarëve për ndihmë
nga Amerika
Ai mendon
se fakti që Amerika nuk ka interesa të vetat në këtë rajon, është garancia më e
mirë që fuqitë evropiane nuk do të kundërshtojnë atë dhe kështu do të
mënjanohen makinacionet politike, që vazhdimisht prishin qetësinë në Ballkan.
Çarls Telford Erikson së bashku me Mehmet Konicën përgatiti një memorandum të
cilin ia dërgoi Konferencës së Paqes. Memorandumi mban titullin “Gjashtë arsye
për të cilat Amerika duhet të bëhet mandator ndaj Shqipërisë”. Arsyeja e parë
ishte fakti që Amerika hyri në luftë për synime morale. Arsyeja tjetër është se
Amerika, duke pranuar mandatin, do të kryente obligimin e Konferencës së Paqes
për mbrojtjen e të drejtave të kombeve dhe për vendosjen e kufijve mbi baza
etnike. Eriksoni mendonte se Amerika e kishte për detyrë të pranojë thirrjen e
shqiptarëve, të cilët kërkonin ndihmë, njëlloj sikurse kapitenin i anijes që e
ka për detyrë t`i përgjigjet sinjalit S.O.S. dhe t`i ofrojë ndihmë anijes që po
mbytet. Më tutje, Eriksoni nënvizon në memorandum, se detyra e Amerikës është
që të mbetet në Evropë dhe të ndihmojë në çlirimin e popullit shqiptar dhe t`i
ndihmojë atij të ngrihet dhe “me bekimin e gjithë botës të vendos harmoni dhe
marrëdhënie të fqinjësisë së mirë në Ballkan”. Delegacioni shqiptar, më 7 mars
1919 kishte paraqitur kërkesën zyrtare për përcaktimin e SHBA-së si mandator të
Shqipërisë. Në fillim të prillit të vitit 1919, çështja e mandatit të Italisë
mbi Shqipërinë dhe çështja e sovranitetit të saj të plotë mbi Vlorën, bëhen
aktuale. Në delegacionin shqiptar lindin kontradikta lidhur me trajtimin e
mëtejshëm të Italisë. Turhan Pashën, i cili ishte për një zgjidhje kompromisi
me Italinë e zëvendëson në postin e kryetarit të delegacionit ipeshkvi Luigj
Bumçi. Delegacioni shqiptar dërgon në Konferencën e Paqes edhe një letër të
nënshkruar nga Mehmet Konica, Mihal Turtulli dhe Mit`hat Frashëri. Në këtë
letër, këta japin arsyet pse Italia nuk mund të jetë mandator i Shqipërisë. Po
ashtu theksojnë se vetëm Amerika disponon autoritetin moral të nevojshëm për
realizimin e një mandati mbi Shqipërinë dhe më tutje theksojnë se, në rast
kundërshtimi të SHBA-së, të përcaktohet një forcë tjetër si mandator, që pas
arsyeve të dhëna pse Italia nuk duhet të ishte mandator, lë të nënkuptohet se
ata kishin parasysh një mandat francez apo anglez. Kjo kërkesë u vonua për 14
ditë. Kolonitë e emigrantëve shqiptarë në Rumani, Turqi dhe Amerikë, po ashtu i
dërguan presidentit Uilson një peticion ku kërkonin nga ai që të pranonte një
mandat amerikan mbi Shqipërinë, “në mënyrë që ta udhëheq atë në rrugën e
progresit dhe të qytetërimit, në mënyrë që ajo të bëhej faktor i rregullit dhe
i paqes në Ballkan”. Kryetari i Partisë Kombëtare Shqiptare dhe aktivisti i
njohur i emigracionit shqiptar në Amerikë, Kristo Dako kërkoi nga Uilsoni që ta
anulojë vendimin e tij për aneksimin e Vlorës Italisë, duke argumentuar se ky
vendim është në kundërshtim të hapur me parimin “Ballkani – popujve të
Ballkanit”. Delegacioni i kolonive shqiptare nga Turqia, Rumania dhe Amerika,
me një letër drejtuar presidentit Uilson, shprehin “keqardhjen e thellë” për
vendimin e tij lidhur me Vlorën, duke i kujtuar se ky vendim ishte në
kundërshtim me parimet e tij të shpallura më herët e sidomos pas fjalimit të
mbajtur 23.04.1919 para popullit italian, në të cilin u deklarua për të drejtat
e popujve të vegjël. Emigrantët shqiptarë në Amerikë, përmes revistës “The
Adriatic Review” e gjykuan ashpër vendimin e Uilsonit. Ata vënin në pikëpyetje
seriozitetin e parimeve të shpallura të Uilsonit. Në artikullin “Çështja e
Vlorës”, në maj 1919, të po kësaj reviste, ndër të tjera thuhej “A mund të
harrohet se Vlora është qyteti ku më 28 nëntor 1012 u shpall Pavarësia e
Shqipërisë”. Pas njoftimit nga shtypi se konferenca ka ndërmend që t`i jap një
mandat Italisë mbi Shqipërinë, mandat që kundërshtohej nga populli shqiptar,
delegatët e kolonive shqiptare kërkojnë që Shqipëria të vihet nën udhëheqjen e
SHBA-së, në hapat e para të jetës së saj. Edhe përkundër të gjitha këtyre
kërkesave, kundërshtimeve dhe peticioneve, presidenti Uilson ishte kundër
përfshirjes së Amerikës në problemin tejet të ngatërruar shqiptar. Megjithatë,
ai mendonte se mandati i ndonjë shteti të huaj mbi Shqipërinë, është zgjidhje e
vetme e problemit të Shqipërisë. “Çështja e Adriatikut”, ngjalli diskutime të
ashpra e të gjata. Kjo çështje, jo vetëm që e ndërlikoi problemin shqiptar, por
ndikoi që delegacioni shqiptar të përçahet dhe ndahet në dy grupe. Grupi i
parë, me të cilin u bashkuan edhe përfaqësuesit e mërgatës shqiptare nga SHBA,
kërkonte që çështja shqiptare të zgjidhej duke u mbështetur në politikën
anglo-saksone (SHBA-Anglia-Franca), ndërsa grupi i dytë, të cilit i printe
Turhan Pasha, mendonte se çështja shqiptare mund të zgjidhej me angazhimin e
Italisë. Përfaqësuesit e grupit të parë, që vepronin nën ndikimin e Mërgatës
Shqiptare të Amerikës, ishin të bindur se Qeveria e Uashingtonit do të
angazhohej me seriozitet rreth çështjes shqiptare, pasi që SHBA-të nuk kishin
ndonjë interes të veçantë në Ballkan. Më 9 dhjetor 1919, përfaqësuesit e
Anglisë, Francës dhe SHBA-së i dorëzuan qeverisë italiane një memorandum, në të
cilin, në këmbim për autonominë e Rjekës, të cilën Italia e kërkonte me
këmbëngulje dhe heqjen dorë nga disa kërkesa në bregdetin lindor të Adriatikut,
i ofrohej sovraniteti mbi Vlorën dhe mandati ndaj Shqipërisë. Bazuar në këtë
memorandum, kufiri midis Shqipërisë dhe Mbretërisë SKS do të ishte kufiri i
vendosur në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, viti 1913, ndërsa caktimi i
kufirit midis Shqipërisë dhe Greqisë kënaqte kërkesat e Qeverisë së Athinës.
Çështja e Korçës mbetej të zgjidhej në një konferencë të ardhshme. Nënshkruesit
e këtij memorandumi deklaroheshin për pavarësinë e Shqipërisë, por për këtë
asaj i duhej ndihmë dhe sipas mendimit të tyre, Italia ishte mandatori më i
natyrshëm, prandaj i jepej e drejta të pushtonte Shqipërinë për dy vjet dhe
pastaj i tërë territori, me përjashtim të Vlorës, duhej të çmilitarizohej dhe
të mbetej krejtësisht i pavarur. Me këtë memorandum, Italia nuk ishte e
kënaqur, ashtu sikurse as Jugosllavia. Më 14 janar 1920, Llojd Xhorxhi Klemanso
dhe Niti, në mungesë të Polkut, përfaqësuesit të SHBA-së, arritën një
marrëveshje sipas së cilës Shqipëria ndahej ndërmjet Greqisë, Jugosllavisë dhe
Italisë. Sipas kësaj marrëveshja, tërë Istria dhe Rjeka i mbetej Italisë dhe
për këtë Jugosllavia protestoi, duke u deklaruar për pavarësinë e Shqipërisë,
me qëllim që t`i mbajë sa më larg italianët nga bregdeti lindor i Adriatikut.
Konflikti ndërmjet Italisë dhe Jugosllavisë zgjidhet me marrëveshjen e
Rafallos, nënshkruar në nëntor 1920, nga e cila Shqipëria, falë ndërhyrjes së
presidentit Uilson ishte e përjashtuar. SHBA reagoi ashpër ndaj kësaj përpjekje
të fuqive evropiane për ta zgjidhur çështjen e Adriatikut në mungesë të
përfaqësuesit amerikan. Presidenti Uilson, në deklaratën e tij thotë se
“Memorandumi i 9 dhjetorit, në një masë të madhe shprehet për bashkimin e
shtetit shqiptar, kurse marrëveshja e datës 14.01.1920 e ndan popullin
shqiptar, me gjithë protestat e tij të ashpra, ndërmjet tre shteteve të huaja”.
Klemanso dhe Llojd Xhorxhi, kësaj deklarate të Uilsonit iu kishin përgjigjur me
arsyetimin se janë bërë përpjekje maksimale që të kënaqën interesat e të gjitha
palëve dhe se detajet për të drejtat e Jugosllavisë, Greqisë dhe Italisë në
Shqipëri nuk kishin përfunduar. Sidoqoftë, ata do të kishin parasysh interesat
e ardhshme të popullit shqiptar. Në Konferencën e Parisit, presidenti Uilson,
së bashku me delegacionin amerikan pati ndikim vendimtar në zgjidhjen e
çështjes së Shqipërisë, në kuptimin që me qëndrimin e tij pengoi zgjidhje të
parakohshme, të cilat në kushtet e asaj kohe, do të ishin me siguri në dëm të
Shqipërisë. Me këtë shtyrje u mundësua që kjo çështje t`i paraqitet Lidhjes së
Kombeve dhe Konferencës së Ambasadorëve në Paris, në momentin kur Shqipëria tashmë
ishte bërë anëtare me të drejta të plota e Lidhjes së Kombeve dhe rrethanat
ndërkombëtare ofruan zgjidhje dhe perspektivë tjetër për Shqipëri. Rol të
rëndësishëm në sensibilizimin e popullit amerikan si dhe diplomacisë amerikane
për çështjen e Shqipërisë luajti mërgata shqiptare, e cila, lirisht mund të
themi se ishte lidhja e parë shqiptaro-amerikane. Mërgimtarët shqiptarë, krahas
punës që bënin për mbajtjen e familjeve të tyre, punuan edhe për çështjen
kombëtare, duke u organizuar dhe formuar shoqëri kulturo-arsimore e patriotike.
Në Amerikë, në mesin e mërgimtarëve, vendoset edhe intelektuali Faik Konica, që
së bashku me Fan Nolin, Kristo Dakon dhe atdhetarë të tjerë, në vitin 1912
formojnë Federatën Pan-shqiptare “Vatra”, me seli në Boston, që ishte një
bashkim i 13 shoqërive patriotike. “Vatra” bëri një punë të madhe në informimin
e qytetarëve amerikanë rreth zhvillimeve në Shqipëri, rreth vuajtjeve të
popullit shqiptar, spastrimeve etnike të viseve të banuara nga shqiptarët dhe
për çdo çështje tjetër në lidhje me shqiptarët dhe trojet shqiptare. Në
Konferencën e Paqes në Paris, qëndron në faktin se Presidenti
Uilson pengoi jetësimin e Traktatit të fshehtë të Londrës, të vitit 1915, i
cili nënkuptonte eliminimin e Shqipërisë. Presidenti Uillson dhe delegacioni
amerikan, me vendimet e tyre në këtë Konferencë penguan fuqitë evropiane të
realizojnë propozimet mbi zgjidhjen e problemeve të Ballkanit, të paraqitura
nga shtete fqinje të Shqipërisë, propozime këto që dosido çonin në copëtimin e
trojeve shqiptare. Kjo e arritur në këtë konferencë, ishte rezultat i punës së
anëtarëve të federatës “Vatra” dhe shqiptarëve të Amerikës, në përgjithësi, të
cilët luajtën rol vendimtar në ndihmën dhe konsolidimin e shtetit shqiptar
gjatë periudhës nga Kongresi i Lushnjës, më 31 janar 1920, deri te njohja de
jure e Shqipërisë nga Qeveria e SHBA-së, më 28 gusht 1922.