Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Një ditë në Lezhë dhe në Shëngjin

| E merkure, 22.05.2013, 08:17 PM |


Sejdi BERISHA:

KUFIRI NUK QËNDRON MË NË MES TË TOKËS SIME...!

(Një ditë në Lezhë dhe në Shëngjin - kënaqësi e përcëllim...)

Kishte kohë që kisha planifikuar të shkoj në Lezhë për t’u takuar me letrarët lezhjanë, me të cilët tanimë kemi një bashkëpunim të ndërsjellë dhe kemi forcuar hallkat e krijuese për të ruajtur dhe afirmuar vlerat shpirtërore dhe kulturore kombëtare, duke thelluar punën dhe traditën, duke njohur dhe duke këmbyer përvojat krijuese, të cilat deri vonë në vitet e fundit, pothuaj se ishin fare të shkëputura por edhe të panjohura, e që kështu, padyshim se dobësonin vlerat letrare jo vetëm në Kosovë dhe në krahinën e Tropojës, por edhe më gjerë. Tani, kjo rrjedhë, gjithnjë e më shumë po ndikon në afrimin dhe në afirmimin e vlerave krijuese, në këto pjesë të trojeve shqiptare, por edhe deri tek kryeqyteti i Shqipërisë, te Tirana dhe më gjerë.

_____________

Thellimi i bashkëpunimit kulturor e letrar dhe pesha e historisë së kombit

Ky edhe ishte shkaku, që unë, së bashku me krijuesin nga Gjakova, Tahir Bezhanin dhe me atë nga Bajram Curri, Lulzim Logun, kishim planifikuar që përkundër shumë vizitave të mëparshme, edhe gjatë muajit maj, sivjet ta vizitojmë Lezhën, qytetin e historisë shqiptare, dhe me shkrimtarët e atjeshëm të kuvendojmë e të debatojmë edhe për krijimtarinë, por edhe për bashkëpunimin e ndërsjellë. Sa afrohej dita për të udhëtuar, në mendje më silleshin vërdallë shumë gjëra, duke filluar nga historia e kombit, nga Lezha legjendare, nga Kosova e përvuajtur me decenie, por edhe krenaria e shumë intelektualëve, atdhetarëve dhe trimave të këtyre pjesëve të atdheut, që e ruajtën dhe e madhështuan rrugëtimin e atdheut dhe të njeriut të kësaj ane me krijimtarinë dhe veprat e tyre, i cili rrugëtim i ka karakteristikat dhe veçantitë e shndritshme të karakterit dhe të popullatës së kësaj ane. Të gjitha këto, ma shtonin kërshërinë që edhe kësaj here të udhëtojë me obligimin për të “shkarravitur” siç them unë, diçka, nga ky udhëtim tani i lirshëm dhe plotë madhështi, se kufiri nuk qëndron më në mes të tokës sime, edhe pse, ka edhe disa punë për t’u kryer!

Atë të shtunë, u zgjova shumë më herët, i ngarkuar me rrugëtimin dhe me Lezhën, e me ujin e detit në Shëngjin, të cilat gjëra, kur t’i shprush mirë njeriu, dhjetëra e dhjetëra tema provokojnë për të bërë libra, mbase edhe romane të peshave shpirtërore, të cilat nxjerrin mesazhin e vetëdijesimit më të madh për unitet, për ta dashur më shumë njëri-tjetrin dhe për ta çuar përpara këtë tokë, e cila historikisht, shumë armiqve, çuditërisht gjithmonë u është bërë si halë e madhe në sy. Në orën gjashtë të mëngjesit arrita tek Hotel “Evropa” në Gjakovë, ku duhej të takohesha me poetin, Tahir Bezhani, nga Gjakova dhe me Lulzim Logun nga Bajram Curri, i cili, për shkak të disa obligimeve nuk kishte mundur të na bashkëngjitet, dhe për shkak të mungesës së tij, m’u duk se më ishte shkëputur një pjesë nga zemra e trupi.

 

Kujtim nga qendra e qytetit të Lezhës, kurse lartë qëndron Kalaja historike e Lezhës

Posa arrita para këtij hoteli, dhe duke e pritur poetin nga Gjakova, e lexoj mbishkrimin “Evropa”, i cili, edhe pse ishte mëngjes, ma provokoi mendjen për historinë dhe qëndrimin e Evropës dikur, karshi tokës së shqiponjave dhe karshi popullit të saj më të vjetër në Ballkan. Por, kjo është përrallë e gjatë, dhe nuk dua ta elaboroj, por, vetëm nëse doni Ju që nga kjo fjali ta thelloni plugun e historisë dhe të komentoni gjërat që nuk duhet harruar...!

U bashkuam edhe me Tahirin, dhe pas “mirëmëngjesi” njëri-tjetrit, u futëm në makinë dhe morëm rrugën për në Prizren. Por, edhe tash, na mungonte miku dhe krijuesi, Lulzim Logu, i cili me mendjen e tij do të na begatonte komentimin e temave gjatë rrugës, dhe jo vetëm kaq.

Duke u përpjekur që të hapim ndonjë bisedë e cila do të na ndihmonte për ta hequr mamurllukun e mëngjesit, s’ka se si ndryshe, por fill e dolën në “terrenin” e kulturës dhe në përpjekjet tona të “vogla” për ta forcuar hallkën e bashkëpunimit në fushën e letërsisë dhe të kulturës, e cila, dorën në zemër, ende na mungon, bile bukur shumë. Dhe kështu, rruga na duket shumë e shkurtë. Po, pra. Sepse, këtë e kishte mundësuar tani edhe Rruga e Kombit, e cila fizikisht dhe shpirtërisht ka lidhur dhe ka forcuar e ofruar tanimë njerëzit, të cilët me decenie ishin djegur e përvëluar me mallin për njëri-tjetrin. Kënaqësi e madhe, a?! Për këtë rrugë e vepër historike, tani me qëllim nuk doja të flisja me kolegun tim, por edhe as nuk do të shkruaj, sepse, ka shumë shkrime, në të cilat tani kjo madhështi qëndron si dritë e diell...

 

Në foto: Viktor Gjikolaj, Vlash Prendi (Krijues dhe studiues nga Kurbini, i cili shërbeu dhe mblodhi pjesë nga Kanuni i Shtjefen Gjeçovit), Tahir Bezhani, Sejdi Berisha, Gjergj Shyti dhe Llesh Prenga 

Ecnim e nxitonim për ta kapur diellin e hershëm edhe në Lezhë, por edhe në plazhin e Shëngjinit. Kënaqësia e shpirtit sa rritej dhe bëhej gjithnjë më e madhe, kur përgjatë rrugës tani hasnim ndërtime të mëdha e bashkëkohore, në ato vende ku dikur kishte vetëm shkurre, njerëz duke lëvizur këmbë apo me ndonjë gomar të ngarkuar me rraqe jete. Dhe shih tash kah të shkon mendja, që në të njëjtën kohë edhe të therë edhe të kënaqet zemra e shpirti, duke iu afruar kështu Lezhës, e pa folur për këtë zhvillim të kësaj ane, i cili ndoshta dikujt i duket i vonshëm, por assesi kjo nuk është e vërtetë. Trafiku dhe makinat e shumta na “nxjerrin” telashe që të jemi më të kujdesshëm në ngasje të makinës.

Në hyrje të Lezhës, dashtë e pa dashtë, të “merr” e të kaplon historia e këtij vendi, dhe pastaj, të përplas gjithandej tokave shqiptare, gjithandej historisë dhe “rrapëllimave” të kalit  e të vringëllimave të shpatës së Skënderbeut. Por, aman, edhe ju tani mos u bezdisni me këtë begati kohe e jete, sepse, atëherë do dali histori e gjatë për të komentuar por edhe për të vënë gjithçka në binarët e duhur. Dhe pikë. Ikim nga kjo temë!

Tani, Lezha më duket e ngrohtë, e afërt, si shpirt e zemër, sepse, atje do të na presin poetët, krijuesit dhe intelektualët, Si, Viktor Gjikolaj, Azem Baliaj, Gjergj Shyti e shumë të tjerë. Dhe ashtu doli. Posa morën drejtimin kah Pallati i Kulturës, Biblioteka e Qytetit dhe shtatorja e At Gjergj Fishtës, në rreze dielli, nga larg i shohim të buzëqeshur, e cila buzëqeshje ishte shprehje e mirëseardhjes, ishte shprehje e dashurisë vëllazërore, por ishte edhe shprehje e etjes për të këmbyer mendime e përvoja nga letërsia, nga kultura, e pse të mos flasim edhe për historinë, e cila përmes krijimtarisë letrare edhe na imponohet.

Ulemi në një kafiteri, e cila, tavolinat dhe karriget i kishte “shpërndarë” nëpër gjelbërimin që ishte përreth. Pimë nga një kafe e dikush edhe nga një raki, dhe kuptohet, hapim debat zemre e shpirti për krijimtari. Para se ta shtrojmë bisedën, unë dhe Tahiri nxorëm disa ekzemplar të veprave që sapo i kemi botuar dhe ua dhuruam. Unë ua dhurova librin “Përtej shkrimit”, kurse Tahiri, librin me tregime, “Vite tronditëse”. Tani, kjo edhe ndoshta ishte shkas që t’i pyes se çfarë ka të re në “taborrin” e krijimtarisë së tyre. E pyes krijuesin Gjergj Shyti, i cili është e drejtor i Bibliotekës së qytetit, se çfarë ka nëpër duar. Ai me atë ëmbëlsinë e shpirtit dhe të fjalës që ka, më përgjigjet se është duke e përfunduar një libër që mendonte t’ia “vuloste” titullin “Fundi i legjendave”. Më intrigoi ky titull, dhe menjëherë e përgëzova duke i sugjeruar edhe fundin e librit, që pastaj, Gjergji me buzëqeshje nxori lapsin dhe shënoi diçka në një fletë të bardhë!

Gjatë bisedave, si edhe herëve tjera, Viktor Gjikolaj nga relakson duke recituar vargje, qoftë nga opusi i vetë, por edhe nga krijuesit tjerë, sepse, këtë dhunti e ka, të cilën ne nuk e kemi, por edhe pakkush mund ta ketë nga krijuesit përgjithësisht. Tani, kishim në plan që ta “shijojmë” pak edhe plazhin e Shëngjinit por edhe ujin e detit shqiptar. Për të mos e zgjatur, pas takimit më krijuesit lezhjanë, në mesin e të cilëve kësaj radhe mungonte, Azem Baliaj, një njeri spirituoz, e afërt, mik dhe shok shpirti, por edhe një talent i pashoq në fushën e aktrimit dhe të humorit. Para lamtumirës, bëmë edhe një foto kujtimi.

Dolëm në plazh për të “grabitur” edhe pak rreze, jod e madhështi të detit shqiptar

Ikëm për në Shëngjin, me etjen për t’u takuar edhe me këtë njeri “shkurtalaq” e me shpirt të madh e të palodhur(me Azem Baliajn). Në Shëngjin, tani u akomoduam në Hotel “Rafaelo”. Na pëlqeu, sepse ishte afër plazhit dhe ishte i rrethuar me gjelbërim, me palma e me drunj tjerë, që e madhështonin pamjen e bregdetit.  Nuk ishte keq, edhe pse, ende nevojitet edhe shumë për të bërë për ta ngritur cilësinë dhe kulturën e hotelerisë dhe të turizmit në këtë pjesë të Shqipërisë.

Pas akomodimit, pimë nga një kafe dhe “zbritem” në rërën e plazhit duke e shijuar këtë bukuri të rrallë, e cila tani është e rrethuar dhe e madhëruar me godina e hotele bashkëkohore që do ta bëjnë turizmin dhe ekonominë shqiptare. Kah do që “shpërndanim” shikimin, çdo gjë frymonte shqip, çdo gjë kishte aromën shqip, gjë e cila ma forconte zemrën e mendjen, ma ushqente çdo pjesë të trupi dhe çdo qelizë të gjakut.

Kjo që nuk po e them pa shkas, e ka domethënien dhe mesazhin e vetë. Këtë, secili duhet dijë mirë e mirë...!

Tash, sikur dita iku si të mos kishte qenë. Në mbrëmje, zëmë vend në një prej tavolinave të restorantit në lulishte. Pastaj, nuk vonon dhe kompletohet orkestra muzikore, e cila do t’i argëtojë mysafirët, të cilët në këtë muaj ende janë të paktë.

Tash ishte kënaqësi, sepse u krijua një atmosferë e rrallë intime. Më dukej se kishte kohë që njihemi të gjithë me njëri-tjetrin. Gjatë “derdhjes” së mysafirëve në lulishten e restorantit, poeti Tahir Bezhani, por edhe unë, edhe pse jemi vetëm “pakëz” të shtyrë në moshë, i komentonim bukuritë e vashave dhe të femrave që kthenin këtu apo që “defilonin” andejpari. E tërë kjo, përveç që ma “provokonte” syrin asllan, më intrigonte edhe për një gjë tjetër; se dikur para disa deceniesh, nuk ke mundur hasësh në bukurinë dhe lirinë e femrës për ta ndërtuar dhe jetuar jetën e saj. Edhe kjo është çështje për komentim,... apo jo...!

Pamje e një prej komplekseve hoteliere e turistike në plazhin e Shëngjinit

Edhe në mbrëmje, ikën koha si të mos ishte. Sepse, nuk mungonte as kënga dhe as vallja. Po, çfarë kënaqësie ishte kjo: këndoheshin këngë nga të gjitha viset, hidhej vallja edhe tropojane, edhe vallja veleshtare, edhe vallja krutane... Çfarë kënaqësie... dhe, diku në orët e vona, duke u hedhur në valle e vërej mikun dhe njeriun e kulturës që na kishte munguar në Lezhë. Ai ishte, Azem Baliaj. A pse ishte mik yni, apo pse dinte aq bukur ta madhështonte atmosferën, më dukej se i tërë ishte valle, por edhe këngë. Njëherë deshëm që t’ia “lëshojmë” një zë, por unë nuk lash sepse ishte shumë vonë, por edhe ia prishnim disponimin dhe harmoninë e “programit” këngës dhe valleve...

Iku edhe kjo natë. Bëmë një sy gjumë të lezetshëm. Herët në mëngjes, Tahiri zgjohet për të bërë xhiro buzë detit, kurse unë dola në tarracë dhe veneroja bukuritë e Shëngjinit. E shikoja dhe e futja në fokusin e syrit dhe të mendjes çdo gjë,... gjithçka që ishte e mundur...! S’kam çfarë të bëj... I tillë jam... Ndoshta, medet, pse jam i tillë,... ndoshta edhe jo!

 

Pjesë e bukurive të Hotelit “Rafaelo”

Pas mëngjesit, dalim në plazh për të “grabitur” edhe pak rreze, jod e madhështi të detit shqiptar. Dhe, gjatë tërë kësaj kohe, të mos harroj, Lulzim Logu ishte edhe temë por edhe mungesë që nga grishte... Por, jeta e ka kështu. Asnjëherë nuk mund të plotësohen të gjitha dëshirat dhe as qejfet! Dhe, duke biseduar në këtë temë, por edhe duke komentuar gjëra tjera, e duke mos na ikur nga syri edhe bukuria e femrës shqiptare, befas pranë nesh “mbihet” miku ynë, Azem Baliaj së bashku me një mik të tij, të cilin e kisha takuar edhe njëherë ose dy më përpara.

Shumë na u bë qejfi. Ishte respekt, sepse, tani na kishte kërkuar për t’u takuar dhe përshëndetur. Edhe kësaj radhe, humori i tij nuk mungoi. Na qerasi me nga një pije freskuese, dhe iku me punë tij... por mua ma dhuroi një libër q        ë e mbante në dorë. Kështu, u “shkurtua” koha dhe erdhi momenti kur unë bëra ca foto për kujtim, pastaj, u kthyem në recepcion të hotelit për ta bërë pagesën. Duke i dëshiruar punë të mbarë në sezonin e sivjetmë turistik, recepsionistes ia dhurova tri vepra të mia që i kisha marrë me vete. Veprën, “Kaq shumë vetmi”, “Fjalë e pathënë” dhe “Vargje të këputura”. Ndoshta do t’i lexojë dikush...!

 

Lavashi dhe kultura evropiane...!

 

U nisëm për në Kosovë, por gjatë qëndrimit në parking, makina ishte bërë me pluhur dhe kthyem tek një lavash për ta pastruar. Na priten disa çuna të moshës shumë të re, por mirë e pastruan makinën, gjersa ne biseduam me pronarin e lavasherisë, i cili, siç tha, kishte punuar disa vite në perëndim. Por, nuk më la përshtypje se kishte “marrë” diçka nga kultura evropiane. Nuk kishte fjalë miradije për shtetin dhe as atdheun e vetë. Bile, nuk na “la” që të japim opinionin tonë edhe për kushtet e akomodimit në hotele. Sipas tij, po u dashka që mysafirët vetë ta pastrojnë dhomën apo apartmanin ku akomodohen... Nuk e zgjata, por u përpoqa t’i them se ashtu nuk zhvillohet turizmi. I thash kështu, sepse, edhe vetë e kishte ndërmend që brenda dy-tri ditësh ta vendoste një kamion-shitore mu në plazh të Shëngjinit... Por, ndoshta do të kalojë edhe do kohë që ai, e ndoshta edhe shumë të tjerë të kompletohen me kulturë për zhvillimin e turizmit të mirëfilltë mbase edhe të zhvillimit të gjithëmbarshëm të vendit... Pastrimin e makinës e paguam treqind lekë, ose, njëqind më shumë se që ishte çmimi... Tahiri, si ngushëllim për këtë, nuk pati se çfarë të bëjë, pos që tha: e humbi një myshteri ky njeri...! Edhe kjo nuk është e parëndësishme, por vazhduam rrugëtimin për në Kosovë.

Gjatë rrugës i “përsheshëm” shumë tema. Biseduam për peshën e Mitingut Tradicional të Poezisë në Gjakovë, që mbahet tani e afro gjysmë shekulli, biseduam edhe për Takimet Tradicionale Letrare “Azem Shkreli” që mbahen sivjet për të njëmbëdhjetën herë në Pejë. Biseduam për nevojën e formave të reja  të organizimit dhe për më shumë përkushtim profesional për organizimin e këtyre manifestimeve kulturore dhe letrare. Dhe, duke biseduar kështu, sa qelë e mbyll sytë arritëm në Gjakovë.

Tash me Tahirin u përshëndetëm ngrohtësisht, kurse unë vazhdova rrugën për në Pejë. Në të arritur në qytetin e Haxhi Zekës, të traditës dhe të madhështisë së vlerave shpirtërore dhe kulturore, mu dha që t’i shkruaj edhe këto vargje, që hiq nuk kam ide se a kanë peshë e vlerë, apo jo, por mu duke se e kompletojnë ose mirë e rrumbullakojnë këtë shkrim: “Pikërisht tani u ktheva nga Lezha/Atje histori/Histori e gjatë.../Në Shëngjin uji i ngrohtë/Në plazh gjuha shqip/ Tani/Pikërisht në Kosovë u ktheva/Pak i skuqur e pak nervoz/Pak nga dielli i përcëlluar/...Tash në tavolinën time/Te “Nositi”/Po, po/Te “Nositi”/Digjem e këndoj/Nuk di as vetë/Se kush e kupton/Këtë kallëzim bizar/...Në tavolinë/Rri gota me ujë/Kurse unë/Me shikim përpiqem të freskohem/E, kujtesa më rri mbi kokë/Duke qeshur me mua.../Apo me tjetërkënd...”!

Kështu ishte një ditë në Lezhë dhe në Shëngjin - kënaqësi e përcëllim...!