| E marte, 21.05.2013, 09:05 PM |
ISHTE 35 VJEÇ... KUR E
PUSHKATUEN…
Nga Fritz RADOVANI
Don Marin
Shkurti, ka lé në vitin 1933 në fshatin Samrish, fshat kufitar në breg të lumit
Buna, jo larg qytetit të Shkodres. Shkollën 7 vjeçare e ka krye në Dajç ku,
famullitar ishte Don Kolec Prennushi. Mbas vitit 1950, kur vdes Don Koleci, në
Dajç vjen famullitar Don Dedë Malaj, tek i cili Marini paraqet dëshirën me u ba
meshtar. Ai thonte: “...Kur isha fëmijë, tue pa figurën e priftit tonë Don
Kolecit, kur vdiq Ai mue më thirri një za: Marin, katundet janë pa prift!
Menjëherë ato ditë shkova tek Don Deda dhe i tregova dëshirën time dhe vëndimin
që kisha marrë. Ai më tha: Edhe pse ndoshta mund të burgosin dhe të torturojnë
si Don Kolecin dhe Meshtarët tjerë, mos u tremb! Forca e Krishtit asht ma e madhe
se e djallit, të lumtë!...”
Kështu,
Ky djalë fshatar mori rrugën e vështirë e plot rreziqe tue mësue me një vullnet
të hekurt nga mësuesi i Tij Don Deda, mësimet e nevojshme teologjike dhe
filozofike. Duhet vue në dukje se Marini nga mësuesi i vet mori edhe cilësitë
morale e burrnore që Don Dedës, nuk i mungonin. Në vitin 1958 Marini detyrohet
me ndërpre studimet sëpse aso kohe mësuesi i Tij arrestohet dhe mbas pak
muejsh, me 10 maji të vitit 1959 Don Dedë Malaj pushkatohet.
Sigurisht,
qendrimi burrnor e fisnik i Don Dedës në gjyqin e zhvilluem në kinema
“Republika” të Shkodres, ngjallë ata virtyte që për meshtarin e rij janë të
domosdoshme. Guximi, vendosmënia, qendresa dhe mbi të gjitha pathyeshmënia
kundrejt torturave dhe masakrave të sigurimit shtetit komunist ndaj Don Dedës,
formojnë tek Marini, atë karakter meshtarak që pa pikë frike Ky pranon salvimin
për Fenë dhe Atdheun e djegun e të bamë zhari...
Në vitin
1961, në muejn dhjetor, Marini shugurohet meshtar nga duert e Imzot Ernesto
Çobës dhe, me 8 dhjetor të po atij viti Don Marin Shkurti, thotë Meshën e Parë
në Katedrale të Shkodres. Shkon me sherbye si meshtar në famullinë e Mësuesit
të vet, në Dajç të Bregut të Bunës dhe mbas pak vitesh shkon në fshatin Stajka.
Ishte një meshtar model në ata fshatra ku ushtroi veprimin fetar e laik,
jetonte në mes të njerëzve të varfën kooperativistë, si ma i varfni...
Asht i
papritueshëm e korrekt në shërbimet ndaj fshatarëve, të cilët punonin gjithë
ditët e vitit për 30 lekë të vjetra në ditë, nder kooperativa për me mujtë me
mbajtë frymen gjallë.
Për asnjë
shërbim fetar Don Marini nuk kërkonte shpërblim, por kujtohet edhe sot nga
fshatarët e atyne krahinave, vetëm për ndihmat që Ai u jepte të tjerëve.
Plot mbas
6 vjetësh si meshtar, në shkurt të vitit 1967, Ai me të gjithë Popullin
Shqiptar asht në epiqendren tronditëse të “Revolucionit Ideologjik e Kultural”,
të shpallun pa pikë turpi nga anadollaku Enver Hoxha. Asht pikërisht ai
“Revolucion” që vetë shpiksit dhe zbatuesit e tij, sot mundohen mos me e kujtue
se si u zhvillue në Shqipninë e vogël evropjane, po edhe kanë harrue jo vetem
Ata që janë pushkatue, po edhe Trimin që guxoi me e kundershtue Gjenocidin e
bamë kunder Klerit Katolik Shqiptar, simbolin tjetër të pathyeshëm dhe të
përjetshëm, që me dy faqe fletorje me kuadrate të shkrueme me dorën e Tij të
shugurueme, At Pjetër Meshkalla, pat
guximin me u thanë diktatorve: “Ju jeni inkuizitor të shek. XX-të!”
Don
Marini nuk ndërpret vëprimet fetare edhe pse ata ndalohën me ligjë nga shteti
komunist. Pagëzon, rrëfen, kunorzon, vojon të sëmurë dhe vazhdon shërbimet
fetare në fshatrat ku Ai kishte sherbye. Sigurimi i kudondodhun fillon me e
gjurmue dhe survejue. Sinjalizohët se mund ta arrestojnë për vëprimet fetare që
Don Marini nuk i kishte ndërpre. Me datën 14 nandor 1968 Ai arratiset në
Jugosllavi, bashkë me të gjithë vllaznit e familjet e tyne të përbame me 17
vetë, tue pre lumin Buna përballë shtëpisë ku kishte lindë në Samrish.
Sigurimi
i shtetit bie në marrveshje si gjithmonë me UDB jugosllave dhe, mbas tri ditësh
me 17 nandor 1968, Don Marinin bashkë me 17 pjestarët e familjes e këthejnë në
Shqipni, dhe ia dorzojnë sigurimit shtetit. Torturohen mizorisht të gjithë
paperjashtim. Don Marini në dosjen e Tij ngulë kambë me shfajsue një nuse të
vllaut, e cila ishte shtatzanë, se gjoja, ajo nuk ka ditë asgja për vëprimet e
burrave të familjes, sigurisht për mos me rezikue jetën e saj dhe të bebes. Një
mjek i maternitetit të Shkodres kërkon që me këte grue të ndërpriten hetimet,
po hetuesi vazhdon punën e tij. Ajo dënohët me 10 vjet heqje lirije dhe lindë
fëmijë në burg.
Me datën
5 mars 1969, trupi gjykues i përbamë nga kryetar Jorgo Dhroso dhe anëtarë
Xhemal Gramshi dhe Gita Baci, me prokuror Kostaq Shandro, hapin gjyqin në fshat
kundër “armikut të Popullit dhe trathtarit të atdheut” Don Marin Shkurti, si
dhe 17 anëtarëve të familjes së Tij. Dosja mbyllet me vendimin e pushkatimit të
Don Marinit dhe me dënimet e randa mbi 20 vjetë për katër vëllaznit e Tij.
Pjesa ma e madhe e familjes dënohet mbi 10 vjet burg e punë të detyrueme në
kampet e punës dhe të shfarosjes komuniste. Vendimi i dënimit me vdekje i Don
Marinit nuk u ndryshue as nga gjykata e naltë, as nga Kuvendi Popullor.
Don
Marini në dosje tregon se arësyeja e arratisjes së Tij, ishte frika e
arrestimit dhe pasojat që do ti sillte familjes së vet, kryesisht vllazenëve...
Ai nuk ka as veprimtari spijunazhi dhe as sherbime në favor të shteteve të
huaja. Në tri ditët e mbajtuna në Jugosllavi, Ai nuk asht pyet nga askush dhe
as nuk ka dhanë as informata me karakter fetar, ushtarak apo spijunazhi...
Qendrimi
i Tij në zhvillimin e hetuesisë dhe gjyqit asht shumë burrnorë.
Ma poshtë
shënohet: “Unë vëndosa me u ba prift dhe jam i lumtun që po vdes për Fenë e
Krishtit! Mësimet që kam marrë nga Don Deda, për mue janë kenë aq të mëdhaja,
sa e tham pa frikë, Ai më ka mësue me vdekë ashtu si ka vdekë Ai vetë...
Ju
mendoni se me këte “Revolucion” do të fitoni mbi Fenë tonë katolike, por mos
harroni, se gjaku i jonë që derdhet tash dymijë vjet rrëkajë ndër thëmelët e
Kishave, Ai prap do ti rindertojë këto Kisha që ju po i prishni!...”
Me daten
1 Prill 1969, me urdhen nr. 620, të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme në
Tiranë, ekzekutohet me pushkatim, kur ende nuk ishte as 36 vjeç...
Në fjalën
e fundit Ai tha: “Ju jeni tue më pushkatue vetëm se unë jam prift, mbasi unë
jam i pafajshëm! Rrnoftë Feja e Krishtit! Rrnoftë Shqipnia!”.
Fjala e
fundit asht një dëshmi e pakundërshtueshme e Tij, e cila, tregon burrninë me ua
përplasë për surrat padrejtësinë diktatorëve anadollakë dhe pasuesëve të tij.
Ai demaskon rendin e tyne të flligtë e terrorist si dhe pasuesit besnikë të
tyne në shërbimet antiatdhetare.
Ai vdes për Atdhé, sëpse asht rruga e zgjedhun prej vetë Don Marinit, asht rruga e sigurtë që e naltëson në Elterin e Martirëve të pavdekshëm të Shqipnisë së Martirizueme...
Don Marin
Shkurti, asht nxanës i Don Dedë Malaj, mbas pushkatimit të Tij, vazhdon
studimet me Don Pjeter Gruden, shugurohet nga Imzot Ernesto Çoba...të gjithë të
masakruem nga diktatura anadollake e E. Hoxhës dhe Ramiz Alisë, gjatë
Gjenocidit komunist.
Ja pra,
me fakte se katili fanatik Enver Hoxha, me pasuesit e vet tradhëtarë nuk i
vriste klerikët katolik vetëm për kulturën që Ata kishin, por për té, duhej
masakrue, torturue dhe zhdukë çdo Njeri i veshun me veladon dhe zhgun që i
sherbente Fesë Katolike.
Don Marin Shkurti mbetët ndër Ata Martirë të Kishës Katolike dhe Heroike Shqiptare të masakrueme, sëpse kur, anë e kand qytetit të Shkodres, tue fillue në Zallin e Kirit, Stom Golem, Bardhej, kodra të Rrencit e deri në fushën e liqenit të Shkodres, ku Don Marini kishte vorrin e Mësuesit të vet, nuk kishte një pëllambë tokë pa një gropë ku kalbej një klerik... E megjithate, Ai vendosë në shembullin e Tyne, në moshen 35 vjeçare me vdekë Hero i Atdheut dhe i Fesë.