| E hene, 20.05.2013, 09:21 PM |
KOSOVA
SHËNON JAVËN E TOLERANCËS
Nga Frank Shkreli
Ministria
e Jashtme e Republikës së Kosovës në portalin e saj njofton se nga 20-26 Maj,
në Kosovë zhvillon punimet Java e Tolerancës dhe Pajtimit. Takimet në Prishtinë, përfshijnë një numër
evenimentesh ku do të marrin pjesë përfaqsues komunitetesh dhe udhëheqës nga
mbarë bota me qëllim për të zhvilluar një dialog pozitiv dhe të hapur midis
tyre. Në njoftimin e Ministrisë së
Jashtme të Kosovës thuhet se në takimet e Prishtinës, këtë javë, do të marrin
pjesë më shumë se 300 mysafirë nga pothuaj 50 shtete nga pesë kontinente. Thuhet gjithashtu se respekti dhe mirëkuptimi
midis komuniteteve është një përparësi e rëndësishme për Kosovën, sidomos
kur të merret parasyshë historia e viteve të fundit.
Objektivi
i konferencës ndërkombëtare, sipas organizuesve që përfshijnë, ndër të tjera --Ministrinë e Jashtme të
Kosovës, Fondacionin Tony Blair, Fondin e OKB-së për Zhvillim dhe Këshillin Britanik të
Kosovës – është që ti kontribojë dialogut botëror ndër-fetar dhe të
ndihmojë drejtë pajtimit mbrenda Kosovës
dhe në rajonin e Ballkanit, duke venë në dukje se feja është diçka që mund të
shërbejë si një fuqi bashkuese dhe jo përçarëse.Në emër të Kuvendit të Kosovës,
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri
deklaroi se, “Ne, si parlament, me interesim të veçantë po i presim takimet e
shumta që do të shënojnë vlerat tradicionale të tolerancës të popullit
paqëdashës të Kosovës’’ dhe shtoi se, “Java e
Tolerancës” do të bashkojë
liderë botërorë në Kosovë, duke konfirmuar dëshirën tonë për të dhënë
një kontribut për paqën dhe pajtimin global.”
Në emër
të qeverisë së Kosovës, Zëvendësministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës,
Petrit Selimi në një deklaratë u shpreh se mirëpret, “liderët ndërkombëtarë fetarë dhe vizitorët
të cilët do të në bashkohen që të shohin nga afër se Kosova është laike për nga
karakteri i saj, dhe se ka një respekt të madh për diversitetin dhe
dialogun.” Zevendës ministri i jashtëm i Kosovës shtoi duke thënë se, “Shumica e njerëzve anembanë botës dinë për
luftën e Kosovës. Por ata nuk e dinë se
komunitetet fetare kanë jetuar këtu së bashku në paqë për shumë breza me
radhë. Trashëgimia jonë kulturore ka
marrë formë nga ky diversitet, i cili përfshinë edhe myslimanët, katolikët,
ortodoksët dhe hebrenjtë. Xhamitë dhe
kishat mund gjenden pranë njëra tjetrës në shumë qytete tona. Jemi të angazhuar për dialog ndërfetar dhe
për respekt për të gjithë”, deklaroi zyrtari i lartë i Kosovës, para fillimit
të Javës së Tolerancës në Kosovë.
I
përndershmi Donald Reeves nga organizata bamirëse e Britanisë së Madhe “Soul of
Europe”, (Shpirti i Europës) dhe njëkohësisht edhe koordinuesi i Javës së
Tolerancës në Kosovë, tha se organizata e tij, “është krenare që mbështetë
këtë takim unik botëror në Kosovë”, që
sipas tij, “ do të jetë i një rëndësie të veçantë për debatin bashkëkohor mbi
fenë dhe tolerancën. Jemi shumë të
kënaqur që po punojmë së bashku me institucionet e Kosovës për të mundësuar një
debat të tillë progresiv mbi këto tema”,
shtoi ai. Sipas Donald Reeves,
organizata “Soul of Europe”, e themeluar në vitin 2000 përpiqet që në misjonin
e saj të realizojë fjalët e Nelson Mandelës, i cili ka thënë se, “Paqëja nuk
arrihet duke folur me miqët e tu: është e nevojshme që të bëjshë paqë me
armiqtë e tu”.
Gjatë
Javës së Tolerancës, Prishtina do të
marrë Gurin e Paqës, duke iu bashkuar kështu grupit të
qyteteve që në të kaluarën kanë
nderuar viktimat e luftës, me hapësirën
kushtuar atyre, dhe me urime për një botë më paqësore, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës. Ky gjest simbolik është përcjellur nga
njerëzit e Hiroshimës së Japonisë në të gjithë globin. Sipas njoftimit të Ministrisë së jashtme të
Kosovës, Guri i Paqës do të vendoset në Muzeun Kombëtar të Kosovës
me pjesmarrjen e Presidentes
Atifete Jahjaga, zëvendësministrit të
Kulturës, Hajdin Abazi, dhe kryetarit të
Prishtinës, Isa Mustafa.
Njoftohet
gjithashtu se Kryeminisitri Hashim Thaçi do të inaugurojë Monumentin e Holokaustit në vendin ku ndodhej dikurë sinagoga hebreje
e fundit në Prishtinë, vend i cili do të shëndërrohet në një rikujtim të
përhershëm i pranisë së rëndësishme të komunitetit të vogël hebraik të
Kosovës. Kosova gjithashtu do të ndajë
me të pjesëmarrësit ndërkombëtarë kodin
shqiptar të Besës ose “të nderit”, në bazë të të cilit shqiptarët shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë
Botërore.
Në fund
të javës, takimi i dhjetë jubilar i
Grupit të Mëngjesit të Lutjeve të Evropës Juglindore (Lutja Kombëtare e
Mëngjesit) do të organizohet në Prishtinë nga Kuvendi i Kosovës, nga 24-26 Maj,
në të cilin gjithashtu do të marrin pjesë
udhëheqsit e Kosovës, Presidentja Atifete Jahjaga, Kryeministri Hashim
Thaçi dhe udhëheqsi i opozitës, Isa Mustafa.
Konferenca
ndërfetare e cila do të zhvillohet në Pejë, nga 24-26 maj, -- si pjesë e Javës
së Tolerancës -- do të jetë gjithashtu
një forum i rëndësishëm për debat dhe dialog kritik për çështjet ndërfetare në
Kosovë. Ministri i Jashtëm Hoxhaj, së bashku me organizatat ekumenike
nga Kosova dhe Britania e Madhe, do të presin
mysafirët, duke përfshirë edhe udhëheqsit e komuniteteve fetare dhe
ekspertë nga 42 shtete, të cilët pritet të bisedojnë mbi çështjet e dialogut
ndërfetar në Evropë dhe në botë.
Toleranca
dhe pajtimi janë të rëndësishme për
paqën në botë por edhe për yhvillimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të
barabartë për të gjithë dhe pa dallim. Njerzit nga natyra nuk janë tolerantë ndaj
personave që janë ndryshe , qoftë nga pikëpamja etnike, racore ose fetare. Por
për fat të mirë, gjatë gjithë historisë së njerëzimit, bota ka pasur individë
me karkater dhe të dedikuar ndaj realizimit të drejtësisë dhe barazisë. Edhe organizuesit e Javës së Tolerancës në
Kosovë, përfshirë edhe institucionet shtetërore dhe qeveritare të Kosovës, janë
një frymëzim për të gjithë, por nënvijon edhe faktin se shqiptarët gjithmonë
gjatë historisë nuk kanë okupuar as nuk kanë sulmuar popujt me të cilët kanë
jetuar në Ballkan, përkundrazi, shqiptarët siç ve në dukje edhe gatishmëria e
tyre për të mbajtur në Kosovë një eveniment të tillë, tregon se ata nuk janë
diskriminues në baza fetare dhe etnike dhe se janë tolerantë ndaj kulturave dhe
kombësive të ndryshme që jetojnë me ta ose në periferi. Për të gjithë duhet të jetë e qartë se
toleranca dhe pajtimi, jo vetëm në nivel ndërkombëtar, por edhe në nivel
politik e fetar kombëtar, rezulton në
një shoqëri më të drejtë, më të paqë dhe më të barbartë.
Nelson
Mandela, një njeri i diskriminuar dhe i abuzuar dhe i cili me dekada u burgos
nga regjimi racist i Afrikës së Jugut, dhe i cili më vonë u bë president i atij
vendi, në autobiografinë e tij, “Udha e Gjatë drejtë Lirisë”, thotë se, “askush
nga natyra nuk lind të urrej të tjetrin për arsye të ngjyrës së lëkurës, për
arsye etnike ose fetare. Njerzit mësojnë
të urrejnë të tjerët, dhe nëqoftse ata mësojnë të urrejnë të tjerët që janë
ndryshe nga ata, atëherë ata mund të mësohen të dashurojnë, sepse dashuria
është më e natyrshme për zemrën e
njeriut se sa urrejta.”
Java e Tolerancës në Kosovë që filloi dje punimet në Prishtinë, është një fillim i mirë, jo vetëm për ti treguar botës tolerancën e shqiptarve, madje edhe ndaj atyre që nuk janë treguar tolerantë ndaj tyre, por është njëkohsisht edhe një ngjarje me rëndësi për të avancuar kauzën e drejtësisë, dialogut ndërkombëtar dhe zhvilimit rajonal. Për këtë ndërmarrje, qeveria dhe shteti i Kosovës si dhe sponsorizuesit, meritojnë falenderimet e të gjithëve.