| E diele, 19.05.2013, 07:57 PM |
KOSOVA E
DEMOKRACISË BUTAFORIKE NDËRKOMBËTARE!
Nga Adnan Abrashi
Ende, sot
e kësaj ditë, nuk e kam tërësisht të qartë misionin e vërtetë të ish
Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë UNIMIK. Gjatë gjithë kësaj
periode disavjeçare të edukimit tonë të detyrueshëm “demokratik” nga ana e
tyre, këta “bamirës” të huaj, përveç
veprimeve të dukshme zyrtare të natyrës politike - administrative, në
prapaskenë ushtronin edhe veprime tjera të padukshme. Këtë dyshim të bazuar si
të vërtetë, mund ta dëshmoj fakti se pse
ne në atë kohë në Kosovë, kemi pasur (dhe ende kemi) aktivitetin e papenguar të shumë shërbimeve
sekrete të shteteve të ndryshme të botës. Dhe, jo vetëm të huaj, por edhe disa
“fantom” shërbime të ngjashme partiake vendore, të cilat, pa kurrfarë mbështetje
ligjore dhe kritere morale të veprimit, lirshëm operonin në këto hapësira.
Natyrisht, edhe pse thuaja sekrete, këto të fundit diheshin nga ndërkombëtarët,
por qëllimisht lejohej veprimtaria e tyre. Sigurisht jo rastësisht, sepse
pikërisht në këtë aktivitet të dyshimtë të të tanëve, ata, për shumë politikanë
tanë me autoritet në popull, përpilonin dosje të fshehta, me të cilat, më vonë,
do t’i shantazhonin që të punojnë sipas kallëpeve të tyre.
Gjithsesi,
interesi primar dhe strategjik i të huajve në vendin tonë, në rend të par ka
qenë i fokusuar në drejtim të instalimit të një sistemi të ri qeverisjes sipas
modelit të tyre. Për tu realizuar ky objektiv në terren, ata vepronin në dy
drejtime: paraprakisht në ndryshimin psiko-social të mendësisë ekzistuese të
masave tona të gjera popullore, dhe, nga ana tjetër, përmes ndikimit të
fuqishëm tek politika/bërja e dëgjueshme servile vendore, në drejtim të
krijimit të një baze të re të infrastrukturës ligjore, mbi themelet e së cilës
do të konstituohet kjo demokraci e tyre përparimtare. Kështu që, kur më vonë
vendorët ta merrnin në dorë timon e pushtet/bërjes së plotë, si kontroll i
vazhdueshëm ndaj tyre, do të insistohet vetëm në parimin universale demokratik
të “shtet ligjor” (respektim të ligjit). Pra, jo më mbikëqyrje të
drejtpërdrejtë si deri më tash, por do të aplikohet njëfarë “sundimi përmes
ligjit”, gjegjësisht respektim
rigoroz të “copy - paste” ligjeve të ofruara më parë nga
vetë ta për aprovim. Këtij qëllimit të parë, me dije, apo tërësisht pa dije,
devotshëm i kanë shërbyer disa mediet tona të shkruara dhe elektronike, një
numër i caktuar i (pseudo) intelektual publicist, si, dhe, disa grupacione të
organizuar individësh, formalisht të strukturuara si OJQ (organizata
joqeveritare), të cilët, duke thithur fonde të majme të dedikuara enkas për
këto aktivitete, më shumë vepronin për interesa materiale të disa themeluesve
të tyre, se sa për të përgjithshmen e proklamuar shoqërore. Ndërsa, për
realizimin e qëllimit të tyre të dytë të imponimit të “ligjeve demokratike”,
tashmë veç kishin të formuar një elitë të dëgjueshme politike vendore e cila,
nëpër institucionet tona kinse të pavarura ligjvënëse, pa kurrfarë vërejtjeje i
zbatonin imponimet e tyre normative.
Zhdukja e
së vjetrës dhe krijimi i mënyre së re të sjelljes dhe të menduarit ndryshe në
një shoqëri të caktuar, nga bartësit e saj gjithsesi kërkon durim, shumë mund,
sakrifica, e, mbi të gjitha - para, andaj, varësisht nga përkushtimi i bërë në
këtë drejtim, rezultati përfundimtar patjetër duhet të jetë pozitiv. Pas gjithë
kësaj ndërmarrje voluminoze, për arkitektët e padukshëm të këtij projekti,
sigurisht se nuk do të mjaftoj vetëm suksesi i arritur në sferat e sipërcekura.
por, ata, do të tentojnë që në këtë projekt ambicioz, ta instalojnë edhe
mekanizma aktiv mbrojtës. Pra, paralelisht proceseve të reja ekonomike dhe
shoqërore – politike, gjithsesi duhet krijuar një klasë të caktuar elitare të
njerëzve të pasur në atë shoqëri, të cilët, më vonë, përmes angazhimit të tyre
politik/bërës në pushtet, me konsekuencë dhe përkushtim maksimal do t’i ruajnë
këto vlere. D.m.th. duke ruajtur shtetin e porsakrijuar shoqëror - politik
demokratik, ata, njëkohësisht do ta ruan edhe pasurinë e tyre të madhe (pronën
private) të garantuar si vlerë e pacenueshme në atë sistem.
Kjo
kategori e pasur gardiane e demokracisë së mirëfilltë, në shtetet e prejardhjes
perëndimore, kurrë nuk ka përjetuar tjetërsim të kapitalit të tyre privat, siç
ka ndodhur, ta zëmë, në shumë shtetet e botës më parë me rregullim shoqëror -
politik socialist (kryesisht të Lindjes). Për ta themeluar një elitë të tillë
të pasur shoqërore - politike si klasë edhe tek këto shtete të reja post
komuniste, krijuesit nën hije të rendi të ri botëror, bartësve idealist të
këtyre ndryshimeve, qëllimisht iu toleronin (besa - besa edhe vetë inicionin),
korrupsionin dhe përvetësimin e paligjshëm të pronave të mëparshme shtetërore
dhe shoqërore.
A nuk
kemi pasur, ngjashëm, një proces të tillë edhe tek ne në Kosovë?
A nuk
tregon kjo qartë se pse e kemi Kosovën sot ende një shtet të brishtë me
korrupsionin më të lartë në rajon?! Një shtet me procesin më të dyshimtë të
privatizimit të pronës shoqërore dhe shtetërore!? Një shtet, me elitën e vetë
politike në pushtet e cila është pasuruar aq shpejtë dhe e cila, pa pasur fije
morali për interesin e përgjithshëm shtetëror dhe kombëtar, aq dëgjueshëm i
zbaton të gjitha urdhëratë e ndërkombëtarëve...pse, pse, pse...?
Në fund,
le të jetë ky një mundësi orientuese e gjetjes së përgjigjes eventuale për të
gjithë ata që sot e kësaj dite ende nuk e kanë të qartë se, në krahasim me atë
të viteve para1999, pse sot morali i ynë i përgjithshëm shoqëror është
katandisur në këtë gjendje ku çdo gjë udhëhiqet nga gënjeshtrat dhe mashtrimet.
Kudo dhe në çdo hap gënjehet dhe vetëm gënjehet. Gënjejnë më të mëdhenjtë dhe
më të nderuarit, gënjejnë kryetarët dhe ministrat e tyre, forumet më të larta
politike dhe klerikët...Gënjehet në deklarata dhe proklamata, në televizion,
radio dhe gazeta... Si duket, gënjeshtra na është bërë si art i të jetuarit dhe
si një ves që e ka përfshirë çdo pore të jetës sonë, që nga familja, politika,
e deri tek tregtia, që nga sporti, e deri tek kultura, që nga ideologjia, e
gjer tek zbavitja.
Krejt në
fund, edhe përpos të gjitha të theksuarave si më lartë, të dua edhe kështu si
je, Kosova ime e dashur, sepse fuqishëm besoj në atë ligj universal të natyrës
se çdo nisëm sado e mirë apo e keqe më parë, gjithsesi e ka dikur edhe fundin e
vet....