| E shtune, 18.05.2013, 10:36 AM |
“Talk show është fytyra e moderatorit”
“Ylli
i vërtetë në një program talk show nuk është i ftuari, por vetë moderatori”.
Kështu shprehet gazetari Elvin Luku, pjesëmarrës në konferencë “Java e Shkencës
2013”, që është mbajtur ditët e fundit në Prishtinë. Z.Luku, kandidat për
doktorant në Shkollën Doktorale në Universitetin e Tiranës, referoi një temë
mbi talk show-n, ku prek nga afër disa prej emisioneve më në zë aktualisht në
tregun mendiatik shqiptar. Ai thotë se në programet talk show në Shqipëri
mungon pjesa e spektaklit, ndërsa moderatorët janë të fokusuar vetëm në
intervistën klasike me të ftuarin. Sa i takon publikut, gazetari shpjegon se në
Shqipëri ai shihet si dekor, ndërsa në talk show-t e huaj audienca në studio
është një nga komponentët kryesor të spektaklit të falës. Studiuesi i ri u ndal
edhe në raportin mes televizionit dhe kulturës dhe rolit të medias vizive në
edukimin e shoqërisë.
Intervistë me gazetarin Elvin Luku
Në një vëzhgim të shpejtë që i kemi bërë temave pjesëmarrëse në
konferencen “Java e Shkencës 2013”, që është mbajtur në Prishtinë, vumë re se
punimi juaj fokusohej mbi gjininë talk show në televizion. Pse kjo zgjedhje?
Cili është sipas jush raporti mes televizionit dhe kulturës?
Zgjedhja
ka të bëjë, pikësëpari, me studimet e mia të thelluara në fushën e mediave të
komunikimit masiv. Siç jeni në dijeni, unë ndjek studimet në Shkollën Doktorale
në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit, në Universitetin e Tiranës, me
një temë të pa qëmtuar më parë nga studiuesit: Talk show në Shqipëri.
Raporti
mes kulturës dhe televizionit? Unë do të thoja se televizioni është media që
nëse arrin ta përdorësh siç duhet, mund të ketë impaktin më efikas në përhapjen
e kulturës, me një shpejtësi të jashtëzakonshme. E them këtë me siguri dhe
bindje të plotë, për disa arësye kryesore:
Së pari, televizioni është një media, që falë një antene të mirë parabolike, të
mundëson shtrirjen e sinjalit nga Jugu në Veri dhe Lindje-Perëndim. Kjo do të
thotë se mesazhi i dhënë nga qëndra shkon në kohë reale në miliona shtëpi
njëherësh.
Së dyti, në konceptin e McLuhan, të cilin unë e mbështes plotësisht,
televizioni është një “media e ftohtë" që do të thotë se ai është
gjithëpërfshirës. Mesazhi televiziv i drejtohet të gjitha shtresave duke
filluar që nga intelektualët e deri te ata individë që kanë një formim më të
ulët kulturor. Kjo do të thotë se ndryshe nga libri, i cili kërkon më shumë
impenjim, televizionin arrijnë ta shohin të gjithë. Kjo media ka vetinë që nuk
përjashton askënd, përkundrazi, i përfshin të gjithë në gjirin e saj.
E treta është se statistikisht në nivel kombëtar, televizioni është ende media
me audiencen më të lartë.
Megjithatë, duhet patur kujdes me “gjigandin e ndrojtur”, siç e quan McLuhan televizionin sepse një keqmenaxhim i tij, në vend që të përhapë kulturën mund të krijojë probleme të mëdha.
Çfarë doni të thoni me këtë?
Me këtë nënkuptoj se televizionet kombetare psh., të cilat menaxhojnë spektrin e frekuencave që është pasuri kombëtare, duhet të arrijnë balancën mes televizionit si biznes dhe televizionit si media që përfaqëson interesin publik. Si arrihet kjo? Fillimisht ato duhet të jenë, ashtu sikurse përcakton ligji: Shoqëri anonime.
Pse, nuk janë të tilla?
Me
letra ato figurojnë, por në realitetin mediatik shqiptar unë dyshoj se janë të
tilla. Televizionet janë të përqëndruar në pak duar. Këtu, gjykoj unë, burojnë
problemet në median vizive Shqiptare. Duke qënë të tilla, pronarët i përdorin
televizionet ose si mburojë e bizneseve të tjera që zotërojnë, ose për të bërë
presione mbi qeverinë për interesa të ngushta financiare. Dhe e gjithë kjo
“luftë” shitet në emër të interesit publik.
Pra, hapësira publike e përpunuar në konceptin e profesorit të Shkollës së Franfurtit Jurgen Habermas, ndryshon me evoluhimin e infrastrukturës teknologjike, por, për fat të keq, ajo është e kontrolluar nga ato individë që drejtojnë mediat. Ky është një shqetësim dhe për demokracitë perëndimore, por, më së shumti, në vendet me demokraci hibride si Shqipëria.
Thatë pak më parë se nëse televizioni përdoret si duhet mund të ketë impakt efikas në përhapjen e kulturës. A ka ndonjë formulë për këtë?
Unë
nuk para kam qef të flas për formula, megjithëse ju mund të keni të drejtë. Por
para se të vimë këtu, unë do të thoja, se çdo media ka gjuhën e vet. Alfabeti i
televizionit sigurisht që është imazhi dhe pastaj fjala.
Kur
flas për televizionin si një media e kulturës apo edukimit, nuk nënkuptoj
termin klasik të saj. Të jemi të qartë, televizioni nuk mund të kryejë as rolin
e shkollës, as të librit, as të mësuesit etj., sepse në momentin që merr
përsipër role të tilla mbingarkohet me informacion dhe humbet audience. Dhe nuk
ka më shikueshmëri, sepse media vizive nuk po fet me alfabetin e vet, por me
atë të mediave të tjera. Fundja, kujt i duhet një televizion që nuk ka
shikueshmëri?
Askujt!
Prandaj
vimë në pikën ku televizioni vërtet nuk mund të kryejë rolin e shkollës, të
librit etj., por mund të vijë në ndihmën e të tyre, duke përdorur gjuhën e vet.
Si? Po vjen permes kronikave cilësinë e niveit të shkollimit, universietet
publike e private, të shërbimeve shëndetësore, të cmimeve të këtyre shërbimeve,
të librit, të mjedisit, pra të atyre problemeve
që qytetari i prek çdo ditë.
Me
kolegët e mi gazetar unë vazhdimisht diskutoj se si e ka braktisur media
klasike qytetarin për politikën dhe interesat financiare, pra për propagandë.
Siç e dini dhe ju, në konceptin e mendimtarit të madh bashkëkohor Çomski,
“propagandë” do të thotë “mbrojtja e pushtetit ekonomik të korporatës ndaj
demokracisë”.
Jam i mendimit se në Shqipëri, ashtu siç ndodhi dhe në botë, sistemi i mediave gjeneraliste ka rënë. Vetëm një pjesë e vogël e televizioneve të tilla si BBC, CNN, Al Xhazira, FOX etj., me baza të forta ekonomike dhe strukturore kanë arritur të mbijetjnë disi. I bashkohem mendimit të Prof.Artan Fugës se mediat në Shqipëri duhet t’i mëshojnë më shumë lajmit lokal, pra kthimin e medias në rolin e saj të zakonshëm, që është interesi publik.
Tema juaj: “Përqasje teorike mbi talk show-n: Rasti Shqiptar”, u prit me interes në “Javën e Shkencës” të mbajtur në Kosovë. A mund të thoni shkurtimisht dhe për publikun tone se çfarë të reje sollët në këtë punim?
Së
pari, më vjen mirë që ju përdorët termin “publiku jonë”, që do të thotë se ju
jeni të ndërgjegjshëm se tashmë nuk ka më një publik masiv që ju dëgjon, lexon
e shikon, por një audience të fragmentarizuar.
Për
të kaluar te pyetja juaj, dua të sqaroj se në punimin “Përqasje teorike mbi
talk show-n: Rasti Shqiptar” nuk do të gjeni një përkufizm rreth tak show-t,
sepse nuk ka një të tillë. Studimi evidenton katër gjinitë klasike të
“spektaklit të fjalës” dhe karakteristikat që bashkojnë këto lloj formatesh.
Talk
show është një program që trajton tema të lira dhe mënyra sesi ia përciell ato
publikut varet pikësëpari nga moderatori. Natyrshëm, kemi ardhur te
karakteristika e kryesore e talk show-t, program ky që përfaqësohet me një
imazh të vetëm, që është fytyra e drejtuesit të emisionit.
Besoj
se i keni parë emisione të tilla në SHBA, si: Late show with David Letterman,
Tonight show with Jay Leno, Larry King Live!, Real Time with Bill Maher, The
Daly show with John Stewart. Që në titull vihet re emri i drejtuesit të
emisionit. Pse? Sepse talk show është një punë grupi e producetëve, regjizorit,
kameramanëve, teknikëve, të ftuarve, publikut, bandës muzikore, etj., që
punojnë dhe vihen në funksion të figurës së moderatorit, i cili duhet të dalë
në formën më të mirë të mundshme.
Nëse
në Shqipëri thuhet se emisionin e bën i ftuari, në SHBA, aty ku ka lindur ky
lloj formati prej 60-vjetësh tashmë thuhet, se “ylli i vërtetë nuk është i
ftuari por vetë moderatori”.
Element
tjetër i rëndësishëm është biseda në studio, pra mënyra se si serviret ky
produkt në shtëpitë e shikuesve. Programet talk show janë produkte që
karakterizohen nga ajo që quhet “ndërgjegje e dyfishtë”, një bisedë shumë
intime që konsumohet në studio, por njëherësh masive sepse u drejtohet një
audience të gjerë. Këtu hyn sërish në lojë mjeshtëria e moderatorit, i cili
“ecën lehtësisht, hap pas hapi, në ‘shpirtin’ e të ftuarit duke eksploruar
intimitetin e tij”…
Shpesh herë emisionet talk show të krijojnë përshtypjen se janë programe që ndodhin aty për aty, dhe se moderatorët krijojnë shumë hapësirë për ngjarjet e rastësishme.
Në fakt, a janë të tillë?
Sigurisht
që jo. Një “mall” kaq me vlerë sa është një program talk show, i cili gjeneron
të ardhura të jashtëzakonshme nuk mund të lihet në mëshirë të fatit. E thotë
mjaft bukur Arian Çani, se televizioni është një hipokrizi e madhe sepse shet
si spontane diçka që është e përgatitur në detaje. Madje, unë do të shtoja se
sa më e rastësishme të duket biseda në studio, aq më shumë kohë e punë i ëshë
dashur moderatorit e regjizorit për ta shitur si të tillë.
Në
vitin 1986, në një nga puntatat në talk show-n amerikan Late Show with David
Letterman,ishte i ftuar komediani Richard Pryor. Nga studimet e këtij
episodi të suksesshëm rezultoi se Letterman kishte përgatitur me kujdes rreth
80% të diskutimit që u zhvillua në studio, përfshi këtu edhe batutat. Këtë
metodë pune Letterman e kishte huazuar nga i ashtëquajturi “mbreti” i talk
show-t, Johnny Carson, i cili gjatë karrierës së tij 30-vjeçare në programin The
Tonight show, nuk e kishte vënë asnjëherë në diskutim nivelin e
shikueshmërisë në rradhët e emisioneve të gjinisë së tij.
Parapërgatitja në emisionet talk show është themelore për jetëgjatësnë në treg. Përndryshe, publiku të zhduk sa hap e mbyll sytë, me një të shtypur të butonit.
A ka talk show të mirëfilltë në Shqipëri?
Sigurisht,
që po. Nëse më lejoni t’iu përmend disa, janë: Zonë e Lirë, A Show,
E diela Shqiptare, E Diell, Top Show, By Pass show, Opinion, Top Story, Jame
Vu, Natën Vonë, Zip, Wake Up etj...
Këto janë disa programe që më vijnë ndërmed aktualisht, por nuk do të thotë se janë më të mirët. Ka mes tyre problemet të shumta, në varësi të formatit.
Mund të na thoni disa prej problemeve që shikoni?
Po,
sigurisht. Por do të ndalesha shkurtimisht në disa pika:
Së pari do të thoja se në Shqipëri ka me shumicë talk show politikë. Pra, një
mbingopje me këtë lloj formati dhe duket sikur ato përditë përsërisin vetveten.
Së dyti, në total do të thoja se në pjesën më të madhe të programeve mungon
totalisht elementi i show-t. Këtu talk show-t janë përqëndruar në intervistën
klasike, duke harruar se shikuesi kërkon dhe pak çlodhje dhe humor.
Së treti, mungon totalisht pjesëmarrja e audiences. Këtu publiku, në pjesën më të madhe të rasteve shihet si dekor, për të zbukuruar skenën. Ndërkohë në programet jashtë, veçanërisht në talk show-t e ditës me pjesëmarrje të audiences, publiku është aktor.
Po talk show-t në Kosovë si ju duken?
Fatkeqësisht, nuk i kam studiuar. Nuk di të them… Besoj do t’i studiojë në një kohë të mëvonshme.