| E premte, 17.05.2013, 07:39 PM |
NJË JAVË
E KEQE PËR ADMINISTRATËN OBAMA
Nga Frank Shkreli
Jam i
bindur se Presidenti Barak Obama dhe administrata e tij po presin me ankth
fundjavën. Ishte një javë tepër e
vështirë për ta por edhe për sistemin politik amerikan, pasi presidenti dhe
zyrtarët e tij u përballuan me akuza të ashpëra nga media dhe nga Kongresi në
lidhje me zbulimin se Departmenti i Thesarit, që në të vërtetë është Agjencia
Tatimore, kishte venë në shënjëstër grupe dhe organizata konservatore, të cilat
gjatë dy vjetëve të fundit janë përpjekur të aplikojnë për stausin e
përjashtimit nga taksat. Sipas
njoftimeve, ato iu nënshtruan një kontrolli të imtësishëm duke mos aprovuar
statusin e tyre, ndërsa, sipas gazetës amerikane USA Today, grupet me prirje
liberale që kishin aplikuar gjatë të njëjtës periudhë, u aprovuan pa asnjë problem.
Presidenti Obama, gjatë ditëve të fundit, i ka cilësuar këto veprime të
Agjencisë Tatimore, që media amerikane po i cilëson skandaloze, si të
''patolerueshme dhe të pafalshme.'' Ai
gjithashtu u zotua se punonjës të kësaj agjencie që mund të jenë fajtorë, do të
mbahen përgjegjës, dhe njëherazi bëri thirrje për marrjen e masave që një gjë e
tillë të mos ndodhë kurrë më. Edhe
Prokurori i Përgjithshëm Erik Holder tha se çfarë ka ndodhur në këtë agjenci,
''është sigurisht skandaloze dhe e paranueshme" dhe shtoi se ka urdhëruar
bërjen e hetimeve nga zyra e tij në lidhje me këtë çështje. Ndërkohë, Agjencia Tatimore ka kërkuar
ndjesë për ato që kanë ndodhur dhe presidenti Obama njoftoi dje se si rrjedhim,
kishte pranuar dorëheqjen e drejtorit të përgjithëshëm të kësaj agjencie.
Çështja
tjetër skandaloze me të cilën po përballet këtë javë administrata e Z. Obama
është konfiskimi i të dhënave telefonike nga Ministria e Drejtësisë për një
periudhë prej dy muajsh, të një numëri gazetarësh dhe redaktorësh të agjencisë
së njohur të lajmeve Associated Press (AP).
Megjithë zemërimet e shprehura nga media dhe nga Kongresi për këtë masë,
që ekspertët ligjorë dhe anlalistët e quajnë si të pa precedencë, Prokurori i Përgjithshëm Erik Holder mbrojti të
drejtën e entit që ai drejton -- për
hetimet rreth njoftimit të
agjencisë së lajmeve AP në lidhje me një operacion të agjencisë së fshehtë
amerikane CIA, që kishte parandaluar një operacion terrorist në Jemen. Ai tha se këjo nxjerrje informacioni nga
agjencia e lajmeve AP “ishte tepër, tepër serioze” dhe se informacioni i
nxjerrë nga agjencia AP, sipas tij, "pa ekzagjerim rrezikon popullin
amerikan".
Reagimet
ndajë këtyre veprimeve të administratës Obama, ishin të shpejta dhe të
furishme, nga media, nga Kongresi amerikan dhe nga nga grupe të ndryshme të të
drejtave civile dhe të mbështetës të lirisë së shtypit, nga spektri i majtë dhe
i djathtë.
Vet
agjencia e lajmeve Associated Presss, duke reaguar ndaj konfiskimit të të
dhënave telefonike nga Ministria e Drejtësisë, në një letër të ashpër dërguar
Prokurit të Përgjithshëm Erik Holder, më heret këtë javë, Presidenti i AP, Gary
Pruitt protestoi duke thënë se, ''Nuk mund të ketë asnjë justifikim të mundshëm
për një konfiskim të tillë të të dhënave
të komunikimeve telefonike të agjencisë AP dhe gazetarve të saj. Këto të dhëna telefonike zbulojnë burimet
konfidenciale të gazetarve dhe të operacioneve të agjencisë AP, aktivitete këto
për të cilat qeveria nuk ka asnjë të drejtë të dijë për to. Ne e konsiderojmë këtë masë të Ministrisë së
Drejtësisë si një ndërhyrje serioze në të drejtat konsitucionale të agjencisë
AP, për të mbledhur dhe raportuar lajmet.''
Shoqata e
Gazetave Amerikane, pasi mësoi për konfiskimin e të dhënave telefonike të
agjencissë AP, nga ana e Ministrisë së
Drejtësisë , lëshoi një deklaratë duke
thënë se, “këjo masë shokon ndërgjegjen amerikane dhe shkel lirinë kritike të shtypit që mbrohet
nga Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara “.
Gazeta Nju Jork Tajms tha në një editorial kritik ndaj administratës
Obama, se “Këto taktika nuk do të na
frikësojnë ne as agjencinë AP, por mund të frikësojnë burimet dhe kontaktet
konfidenciale mbrenda në qeveri, të cilat janë ablsolutisht jetike për median,
për të raportuar mbi punët e qeverisë.”
Gazeta
USA Today në editorialin e saj mbi këtë çështje thotë se, “është e vërtetë se
qeveria ka përgjegjësinë për të mbrojtur sigurimin kombëtar, por këjo
përgjegjësi ka kufi dhe rasti i agjencisë AP është i tepruar.
Këjo administratë ka nevojë të mendojë gjatë e mirë në lidhje me
abuzimin e pushtetit.”
Ndërsa
gazeta Uashington Post, e njohur për vijën e saj liberale dhe normalisht përkrahse e politikës së
Presidentit Obama, në një koment kritik në lidhje me abuzimet në Agjencinë
amerikane të Tatimeve -- kundër grupeve
të djathta konservatore -- u shpreh se,
“Gur themeli i parimeve të demokracisë amerikane është se pushteti i qeverisë nuk duhet të
përdoret kurrë për qëllime partiake.’’
Kongresi
ka njoftuar se në ditët dhe javët e ardhëshme, një e treta e komisioneve të
Dhomës së Përfaqsuesve dhe të Senatit, do të mbajnë séanca në lidhje me këto
çështje. Kongresistët, si republikanë
ashtu edhe demokratë, janë të zemëruar dhe po kërkojnë shpjegime për ato që kanë
ndodhur, dhe njëkohsisht i bëjnë thirrje
administratës së Presidentit Obama që të ndëshkojë fajtorët dhe të sigurojë
marrjen e masave të menjëhershme që
aktivitete të tilla nuk do të përsëritën
më. Udhëheqsi i republikanëve në Dhomën
e Deputetve, John Boehner tha dje gjatë një konferencë shtypi se, “Pyetja ime
nuk është se kush do të japë dorëheqjen”, pyetja ime”, shtoi ai, “ është se
kush do të ndëshkohet me burg, për këtë.”
Në lidhje me abuzimet në Agjencinë Tatimore, Kongresisti Boehner tha se,
“Për këtë lloj abuzimi ne kemi ligjet” dhe është e nevojshme, tha ai, të dimë
se cilët janë personat që abuzuan dhe nëse ata shkelën ligjin.
Edhe
udhëheqsi i demokratëve në Senat dhe përkrahës i flakët i administratës Obama,
Senatori Harry Reid iu bashkua kritikave
të kolegëve të tij në Kongres, ndaj Ministrisë së Drejtësisë për
konfiskimin e të dhënave telefonike të agjencisë AP, duke thënë se, “e kam
shumë të vështirë të mbroj atë që ka bërë Ministria e Drejtësisë. “Është e pafalshme. Nuk ka asgjë që mund të justifikojë një gjë
të tillë”, tha udhëheqsi demokrat i
Senatit.
Këjo javë
ishte me të vërtetë shumë e keqe për
presidentin Barak Obama dhe për administratën e tij, sigurisht java më e
vështirë e mandatit të tij deri tani.
Por vera mund të jetë edhe më e vështirë dhe më e nxehtë politikisht në
Uashington. Megjithëse siç duket administrata Obama ia shkaktoi vetvetes këto probleme – republikanët me zi kanë
pritur për një moment të tillë, duke njoftuar menjëherë mbajtjen e një numëri
seancash në Kongres për të zbuluar të vërtetën, jo vetëm për këto dy çështje, por edhe për sulmin
terrorist në Bengazi të Libisë, shtatorin e vitit që kaloi, ku mbetën të vrarë katër diplomatë amerikanë,
përfshirë edhe ambasadorin Christopher
Stevens, pasi kohët e fundit kanë dalur në shesh informacione të reja që nuk
përputhen me shpjegimet fillestare të administratës së Presidentit Obama në
lidhje me atë sulm.
Për të gjitha këto, Kongresi dhe populli amerikan duhet të kërkojnë nga Presidenti Obama dhe administrata e tij të vërtetën, si dhe pushimin nga puna ose ndëshkimin me burg të atyre që mund të kenë shkelur ligjin dhe Kushtetutën amerikane. Amandamenti i parë i kushtetutës amerikane që, ndër të tjera, garanton lirinë e shtypit, është aty dhe i pari ndër amandamentet e tjera për një arsye. Baballarët e këtij kombi dhe hartuesit e kushtetutës amerikane e kishin paraparë rëndësinë e tij. Populli amerikan ka të drejtën dhe meriton të mësojë të vërtetën për të gjitha këto abuzime nga qeveria e tij, ose përfaqsues të saj.