| E premte, 17.05.2013, 08:14 PM |
SHEMBULLI
I TRAFIKIMIT TË NARD NDOKËS, SHENJË E DEGRADIMIT TË SISTEMIT POLITIK
NGA ELIDA BUÇPAPAJ
Demokracia
në Shqipëri është duke përjetuar traumën më të thellë. Atë të trafikimit të
deputetëve, i cili është kthyer në gangrenë për sistemin politik.
Trafiku i
deputetëve, kalimi sa majtas-djathtas, i të njëjtave fytyra, me qëllimin e
vetëm për të uzurpuar pushtet paraqet sot fenomenin më negativ, ku amoraliteti
i politikës është kthyer në modë, duke rënë në veshin e shurdhër të mediave dhe
shoqërisë civile. Dhe përbën një dramë të madhe fakti që zëri kritik luftohet
me të gjitha mjetet, dhe ata gazetarë të paktë që guxojnë të kritikojnë,
sulmohen nga skalionet e zagarëve të militantëve si „tradhtarë“ të idealeve të
partisë të Sali Berishës apo si „të shitur“ tek opozita apo të ashtuquajturit
kundërshtarë. Them të ashtuquajtur, sepse sot ata janë armiq për vdekje midis
tyre, nesër janë aleatë të përbetuar. Shembulli tipik është Sali Berisha-Arben
Imami, Berisha-Meta, Rama-Meta tj.
Trafikimi
i deputetëve ka goditur në zemër standardet, vlerat dhe parimet e demokracisë,
sepse mbajtja e pushtetit apo marrja e pushtetit është kthyer në paranojë, duke
rrezikuar stabilitetin e vendit.
Nëse
mediat do të operonin me mjete të ndershme, plagët kishin shans të kuroheshin.
Ndërsa kur mediat operojnë me mjete të pista, kur tregojnë atë që kanë interes
të tregojnë dhe fshehin atë që kanë interes të fshehin, duke e privuar opinionin publik nga e
vërteta, dhe duke e dirigjuar opinionin publik atje ku duan ata, si duan ata
dhe për kë duan ata, atëhere vendi jonë po rrezikon të kthehet në një shtet
rogue, të paaftë për të qeverisur bazuar në shtetin e së drejtës, ku tre
pushtetet duhet të ushtrojnë në mënyrë të pavarur detyrimet kushtetuese,
sikundër edhe pushteti i katërt, që duhet të jetë barrikadë në mbrojtje të
demokracisë.
Fati i
gjithçkaje është në dorën e njëshit dhe interesave të tij. Deputetët hyjnë e
dalin nga listat si të jenë dele. Dalin pa zhurmë dhe futen pa zhurmë.
Nuk ka
garë, nuk ka meritokraci, ka trafik dhe memecëri. Nuk po marr këtu të diskutoj
rastin e Kastriot Islamit, siç po e diskutojnë disa, të mbetur jashtë listave
sot, si „Kaçi i zi“. Profili i Kastriot Islamit si politikan ka ndryshuar, ka
qënë konsekuent në kritikat e tij për hir të interesave madhore të vendit. Do
të ishte e ndershme që Islami të krijonte parti të tijën të majtë, se sa të
ndryshonte kravatën nga të kuqe në blu, por ky është stili.
Do të
fokusohem tek Nard Ndoka, jo si person, por si një prototip i deputetit të
trafikuar.
Si
kryetar i Partisë Demokristiane, Nard Ndokës në zgjedhjet e 23 qershorit, i
është dhuruar karrikja e deputetit, pasi është i katërti në listën e PD në
Shkodër.
Në të
largmen e afërme, në protestën e „puçit“ të 21 janarit 2011, ishte i rreshtuar
me puçistat ose thënë ndryshe ishte njëri prej puçistave.
Nard
Ndoka, po ashtu, është nga më agresivët që nuk i ka ndalur akuzat dhe sulmet
kundër Nr.2 të PD, zonjës Topalli. Jo më larg se 17 tetori 2011, Nard Ndoka e
quante Topallin publikisht « kone e përkëdhelur e Berishës që shpesh krijon
tensione“. E akuzoi edhe për vjedhje
votash më 2009, por pas numërimit doli se kishte dy-tri vota më shumë nga sa
duhej. Tani Jozefina Topallit do t’i duhet të dalë në fushatë me Nard Ndokën.
Situatë shumë bizare.
Në faqen
zyrtare në Facebook të Partisë Demokristiane, ku Nard Ndoka ka vendosur deri
fotot më të fundit nga takimi i djeshëm tek Top Story i Sokol Ballës, po të
hedhësh një sy kurioz dhe të zbrezësh në 19 marsin e 2012, do të shohësh
publikimin e një interviste të kryetarit të saj që mban datën 19 mars 2012, ku
Nard Ndoka e akuzon Berishën se „e ka shndrruar Partinë Demokratike në kazermë
ku individët trajtohen si merecenarë".
Por nuk
kalojnë as 11 ditë, dhe më 30 mars 2012, Partia Demokristiane e Nard Ndokës
publikon po në faqen e saj zyrtare në Facebook se“ PDK po shqyrton ofertat e
bashkimit me PD“.
Më tutje
shohim mbërritjen e „ofertës“, goxha të majme, ku më 1 tetor 2012, Nard Ndoka
emërohet zvministër i brëndshëm nga kryeministri i Shqipërisë! Dhe para disa
ditësh iu fut Jozefina Topallit në listat e Shkodrës! Tani shtypi rozë i
Tiranës po thotë se zonja Topalli nuk po e përmend më emrin e Berishës nëpër
mitingje! Po si t’ja përmendë! Ajo ka ba « hara kiri » politik për të!
Ju pyes,
ju njerëz të nderuar, a ka moral këtu? Kush e ka tradhtuar Sali Berishën dhe
PD: ne apo vetë ai, ka tradhtuar veten e tij dhe PD dhe shpresat tona, që e
mbështetëm për njëzet vjet, sepse besuam që e djathta shqiptare do të kishte
rolin kryesor, edhe në ndërtimin e shtetit ligjor, edhe për të krijuar një
klasë politike me standarde Perëndimore!
Nard
Ndoka s’ka lidhje me asnjë standard perëndimor, veç me trafikun, i cili mund
t’i kthehet Berishës në një bumerang me efekt të menjëhershëm, kur të gjithë të
listuarit e importuar nga PS dhe pseudoaleancat e tij, të rikthehen nga ardhën.
Për një « ofertë » më të mirë! Diçka e ngjashme me Ilir Metën, por jo tre muaj
para zgjedhjeve, si veproi kryetari i LSI, por disa ditë a javë pas 23
qershorit! Dhe pastaj Berisha do t’i kërkojë llogari vetvetes se si ia shiti
shpirtin Nard Ndokës!
Zhgënjim
i Berishës ndaj Nard Ndokës, gjithësesi do të jetë i vogël, po të krahasohet me
zhgënjimin tonë 20 vjeçar! Sa të marrë paskemi qënë !
Po
gjithësesi tani na janë hapur sytë!
Më mirë vonë se kurrë!