Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fazli Maloku: Për ku je nisur Kosovë?!

| E marte, 14.05.2013, 09:10 PM |


Hej, Kosova ime e dashur, për ku je nisur?!

Nga Fazli Maloku - Pishtinë

Gjendja e qytetarëve shqiptarë edhe pas 13 vitesh pas luftës mbetet me shumë halle, për të mos thënë, është bërë e padurueshme. Skamja dhe varfëria i ka pëfshirë shumicën e qytetarëve shqiptarë të Kosovës. Papunësia sa vjen e rritet. Rinia nuk sheh përspektivën e saj as në të ardhmën e largët dhe të rinjt tanë mezi presin ta gjejnë ndonjë shteg për të ikur jasht vendit. Nuk funksionon po thuaj as një pore e shtetit ashtu si duhet, dhe lirisht mund të thuhet se dora e pushtetit për ta përmirsuar jetën e qytetarëve nuk hetohet. Të gjitha institucionet e shtetit të Kosovës kanë rënë në gjumin e ariut! Pushtetarët e Hashim Thaçit se qajnë kokën fare për këtë katandisje që e ka kapluar Kosovën. Ata, pra pushtetarët, e kanë vetëm një hall, si ta mbajnë pushtetin edhe më tutje për ta trashur ende pasurinë e tyre përsonale, familjare dhe të miqëve e të dashamirëve të tyre. Ata vetëm mendojnë se si të jetojnë në këtë parajsë sa më gjatë që është e mundur. Nuk është në rrugë të mbarë arsimi, boshti i shoqërisë. Ka rënë cilësia, edukata dhe disiplina në shkallën më të ultë në të gjitha nivelet që nga parashkollorja e deri në univerzitet. Notat dhe diplomat ose blihen me para ose me ndërmjetësime bile edhe me kërcënime, siq do të shkruante ditë më heret z. Behxhet Shala:"ose gullashin ose kallashin". Nxënësit më të mirë mbesin rrugëve pa u regjistruar sepse vendet zihen me të padishmit, por që kanë njoftësi!

Një gjendje e tillë e mjerueshme mbretëron edhe në shëndetësi, sidomos në spitalet dhe ambulancat shtetërore. Mjerë ai që sëmuret dhe ia mësyn doktorit. Po si qendron situata në gjykata, aty ku qytetari do të duhej ta kishte mbështetjen se do ta gjej drejtësinë dhe aty do ta zgjidhë problemin?! Gjykatat dhe policia veprojnë me forcë vetëm ndaj atyre shqiptarëve që në një mënyrë ua prishin qetësinë dhe rehatinë qeveritarëve! I shtyrë nga kjo gjendje e papërshkruar, sot qytetari shqiptar e ka humbur besimin tek te gjitha institucionet e shtetit, bile edhe tek se cili pushtetar. Morali i  shoqërisë shqiptare sot është në shkallën më të ultë.

Organizmat e Evropës që veprojnë në Kosovë: Unmiku, Euleksi, dhe Kfori i kanë shtirë veshtë në lesh dhe nuk bëzajnë fare dhe sipas të gjitha gjasave edhe atyre po ju konvenon kjo gjendje e katandisur në Kosovë për të cilën gjendje kontribuan edhe vet.

Në se deri dje qytetari shqiptar i Kosovës ishte zhveshur nga të gjitha të drejtat elementare: siguria për të qenë gjallë, mos siguria për ushqim e veshmbathje, mungesa e të drejtës për tu shprehur, liria e fjalës, liria e lëvizjes... e gjitha kjo nga pushtetarët okupatorë serbianë, sot këtë e përjetojnë nga pushtetarët shqipfolës, e që vetën e quajnë shqiptarë!

Sot Kosova është i vetmi vend në Ballkan dhe në Evropë pa të drejtën e vizave, që do të iu mundësonte qytetarëve shqiptarë kontaktet me botën e civilizuar! Shqiptarët e Kosovës edhe më tutje presin me javë e muaj para dyerve të ambasadave të sheteve të Evropës ,për të siguruar një vizë, për ti vizituar familjarët në gurbet. Dhe në të shumtën e rasteve jo vetëm që nuk marrin vizën, por edhe plaçkiten ma para të majme.Është pamje e mjerueshme, kur sheh rreshtat e gjatë të shqiptarëve të të gjitha moshave, duke pritur në shi e borë, para dyerëve të ambasadave të shteteve të Europës.

Pleqt e mençur na thoshin: " edhe toka qanë-loton kur nuk ka kush i del zot". Sot, jo vetëm qytetarët shqiptarë, por edhe toka e Kosovës loton për zot shtëpie! Shteti serbian edhe më tutje qëndron ulur këmbëkryq në Kosovë. Jo vetëm që na ka pushtuar ekonomikisht, por struktura ushtarake, policore, agjentë të zbulimeve të sherbimeve sekrete, jestarë të MUP-it serbianë e shalojnë atin në gjithë territorin e Kosovës duke i sherbyer me përkushtim vendit të vet. Policia e Bajram Rexhepit-Bajram shkretit, edhe kur arreston ndonjërin prej tyre për të bërë fasadë, se këtu ekziston shteti i Kosovës, është e detyruar që të nesërmen ti lirojë, bile policët që kanë bërë arrestimin e tyre shkarkohen nga detyra!!

E po, nga kjo dhëmbje shpirtërore që ndiej sot për ty Kosova ime e dashur, vetëm mund të klithi me sa zë që kam:

Hej, për ku je nisur, Kosova ime e dashur?!

(13 maj 2013)