| E marte, 14.05.2013, 09:05 PM |
BASHKIMI
KOMBËTAR
Nga Dibran Demaku
Vite më
parë në një gazetë të njohur gjermane ishte botuar një karikaturë. Në atë
karikaturë bëhej fjalë për ribashkimin e kombit dhe të shtetit gjerman. Në atë
karikatur, karikaturisti apo autori i
saj kishte paraqitur dy gjerman në një kafe duke pirë. Njëri nga ata ishte i
Gjermanisë perendimore, ndërkaq tjetri i Gjermanisë lindore. Ai i Gjermanisë
lindore i gëzuar dhe i entuziazmuar që më në fund ishin të lirë dhe të bashkuar
në një shtet ishte shprehur: Gëzuar vëllai im! Ja arritëm që të jemi një vend
dhe një komb i bashkuar! Ai i Gjermanisë perendimore ia kishte kthyer: Edhe ne gjithashtu! Karikatur në fjalë donte
të thoshte se edhepse kombi dhe shteti gjerman ishte bashkuar fizikisht, shpirtërisht ata ernde qëndronin larg njëri
tjetrit. Shpirtërisht ata sikur e refuzonin atë bashkim. Dhe ndarja e shtetit
dhe kombit gjerman nuk ishte aq e gjatë ta zëmë si ndarja e kombit dhe shtetit
shqiptar. Kështu ishte para shumë vitesh, atëherë kur kishin kaluar vetëm pak vite nga
ribashkimi i kombit dhe shtetit gjerman e thuajse kështu është edhe tash kur
kanë kaluar më se dy decenie nga ai ribashkim. Ribashkimin e kombit dhe shtetit
gjerman edhe tash e refuzojnë disa nga qytetarët gjerman të gjermanisë
perendimore (natyrisht vetëm në bisedat e tyre private). Dhe i tërë refuzimi i
tyre ka të bëj për shkaqe ekonomike, sepse sipas tyre ribashkimi i kombit dhe
shtetit gjerman i ka varfëruar qytetarët e ish gjermanisë perendimore, ndërkaq i ka favorizuar ata të gjermanisë
lindore. . .
Vizavi me
karikaturën gjermane, një fenomen që
sikur nuk e pranon bashkimin kombëtar të shqiptarëve, të trumbetuar aq shumë kohët e fundit nga
individ dhe parti të ndryshme politike, u paraqit në një nga televizionet shqiptare. U
paraqit me një titull që domosdo të kujtonte atë karikaturën gjermane. Në atë
titull të atij lajmi televiziv shkruhej dhe thuhej: Sot u bë promovimi i filmit
atistik shqiptaro-kosovar…dhe pastaj përmendej titulli i filmit. A nuk tregon
vet ky titull për ndasinë e thellë që mbretëron brenda kombit sdhqiptar?!
Ndasinë fizike dhe shpirtërore!Përse u dha ai lajm kulturor me atë titull dhe
kujt ju desh ai?! A nuk do të mjaftonte të thuhej: U bë promovimi i filmit më të ri artistik shqiptar! Dhe jo vetëm kaq: Në vazhdim të lajmit thuhej se në atë film lujanë artistë shqiptar
dhe kosovar!(sic). Sikur ta shihte një i huaj atë lajm do fitonte bindjen se
ekzistueka një komb shqiptar dhe një komb kosovar?!. . .
Përvec mediumeve
të ndryshme, që me vetëdije apo pa të, i mëshojnë fenomenit të vazhdimit të ndarjes
dhe jo bashkimit shqiptaro-shqiptar (nuk dua ta shkruaj atë formën e urryer
shqiptaro-kosovar, sepse nëse e shkruaj
do të thotë se e pranoj atë ndarje të thellë dhe me këte në mënyrë automatike
sikur e miratoj dhe e pranoj termin e kombit kosovar!), atë term që do ta ndeshësh kudo edhe nëpër
fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë, por
edhe të Kosovës: Si je more kosovar?!
Çfarë kemi andej nga Kosova dhe ju kosovarët?! Si venë punët me ju kosovarët?!
Sikur kosovarët të ishin të një kombi krejt tjetër! Në anën tjetër nëpër
fshatrat dhe qytetet e Kosovës do të dëgjosh: E kam takuar sot n jë shqiptar nga Shqipëria?!
Filani ishte martuar me një shqiptare nga Shqipëria?! Në filan qytetin e
Kosovës po mbahet një koncert me këngëtar shqiptar nga Shqipëria etj, etj…
Dhe jo
vetëm kaq: Në një debat televiziv, në
një nga televizionet shqiptare, një
analist i njohur kur flitej për kosovën dhe qytetarët e saj do të thoshte: Kosovarët në ish Jugosllavi e kanë perdorur
gjuhën serbe si gjuhë të tyre?! Ata gjatë asaj kohe nuk e kanë folur gjuhën
shqipe?! Dhe të pranishmit në atë debat nuk do të reagonin fare për ato thënie
të pamenduara të analistit të njohur?( nëse mund të quhet i tillë). Dhe kur një
analist nxjerr nga goja konstatime të tilla, atëherë çfarë mund të presësh nga qytetarët e
rëndomtë?!
Bashkimi
kombëtar nuk bëhet me fjalime dhe me deklarata boshe! Dhe as nëpër mitingje dhe
promovime politike! Bashkimi kombëtar së pari duhet të bëhet alfa dhe omega në
shpirtin e qytetarëve shqiptar andej dhe këtej kufirit. Dhe tek pastaj i vie
radha politikës. Përndryshe, nëse ndodh
ai bashkim në një formë tjetër atëherë edhe për shqiptarët do të vlente ajo
karikatura gjermane.