| E shtune, 11.05.2013, 12:32 PM |
TA DUASH,
TA NDËRTOSH DHE MBROSH TË VËRTETËN!
Parathënia e librit 'Tirania e tranzicionit" të Elida Buçpapajt
Nga Dr. PËRPARIM KABO
E vërteta
ka dishepujt e vet, ka popullin e vet, ka kodet e saj, ka moralin dhe ruajtësit
e saj të përditëshëm. Media dhe mediatarët janë vigjilentët e palodhur të së
vëretës, ata që e duan atë, që e ndërtojnë dhe që e mbrojnë atë. E tillë është
për mua gazetarja Elida (Skënderi) Buçpapaj.
Ky është
më shumë se një postulat, është filozofi ekzistenciale që ndryshe konvertohet
në atë që quhet cila është rruga, cilat janë parimet dhe ku fillon dinjiteti?!
Marëdhënia me të vërtetën është më e vështira, aq sa dëshmori i saj në kryq e
mbylli frymën në tokë duke mos u tërhequr nga thënia e tij: ”Thuajeni të
vëretën që të ndjeheni të lirë!” Binomi e vërteta-liria, janë themeli i
dinjitetit njerëzor dhe sfida e shoqërisë njerëzore në të gjitha kohërat.
Demokracia në udhëtimin e saj kalvar deri sa mbërriti tek sistemi i sotëm i
demokracisë që në qendër ka liritë dhe të drejtat e njeriut, është dashur që në
frymë të saj të ketë treguar kujdes të thellë për të vërtetën dhe lirinë, për
njeriun dhe individin, për autoritetin dhe mizorinë, për shpresën dhe për
vrasjen e jetës, duke mbajtur në gji të vet gjithçka progresive dhe duke u
ndehur e fituar me gjithçka autoritariste dhe antihumane.
Në këtë
hulli kaq të vështirë dhe fisnike ecet edhe në ditët tona, sepse nuk ka një
betejë të fundit që përcakton vijën e gjelbërt përtej së cilës ne themi se jemi
duke mbretëruar në “ruajalitetin” e së vëretës që nuk rrezikohet!
Njeriu
jeton edhe me jehonat e thella të brezave që nuk janë me fizikisht. Ai dhe
institucionet qofshin edhe në ditët e sotëme, nuk janë të imunizuara në
“eternita” si të parrezikuara nga gënjeshtra, fallciteti, imoraliteti apo
informaliteti korruptiv! Një shoqëri e tillë sterile është pjellë e fantazisë
fëminore.
E vërteta
ka dishepujt e vet, ka popullin e vet, ka kodet e saj, ka moralin dhe ruajtësit
e saj të përditëshëm. Media dhe mediatarët janë vigjilentët e palodhur të së
vëretës, ata që e duan atë, që e ndërtojnë dhe që e mbrojnë atë. E tillë është
për mua gazetarja Elida (Skënderi) Buçpapaj.
Një sy
vigjilent që nuk fle! Nje mendje qe punon pa u lodhur, sepse dashuron njeriun
që ushqehet nga e vërteta. Një shpirt kritik që “rebelohet” krenarisht për të
mbrojtur të vërtetat e rëndësishme principiale por edhe ato të voglat e
përditëshme sepse “metri” i saj etik është dinjiteti njerëzor. Tek e lexon
shkrimin e saj në faqet e bardha të jetës por edhe në dritëhijet e ndeshjes së
përditëshme, ke arsye që të kujtosh një thënie të Nënë Terezës, që “në vend që
të mposhtesh nga mërzia, ndiz një dritë të vogël të shpresës!”
E kam
ndjekur Elidën në këto dy dekadat e fundit dhe libri që ajo sjell para lexuesit
është një pjesë e jetës së saj të përditëshme në peshoren e shqetësimit
njerëzor, civil dhe atdhetar, ku shtrirja është sa lokale aq edhe globale, sa
institucionale aq edhe njerëzore, sa e ditës aq edhe anticipuese! Në librin e
saj me publicistikë të përzgjedhur ne marrim në dorë si të thuash një ditar të
pulsit të jetës, të fatit dhe sfidës, të shqetësimit dhe protestës, të
oponencës dhe demaskimit, sepse Elida Buçpapaj jeton me shqetësimin e njeriut
në nevojë, me brengën e lodhjes për fatin e shqiptares si universale, kudo ku
ajo ndodhet; ajo është vigjilente për gjithçka që hidhet në harresën
denigruese, dhe për atë që e pret të ardhmen e shoqërisë shqiptare kudo ku ata
jetojnë si unitet kombëtar por edhe si segmente social dhe kulturor të
bashkësive më të gjëra.
Në
gjykimin tim personal Elida Buçpapaj në të gjithë “materien” e librit të saj
ravijëzon një arkitekturë solide dhe me densitet, gati si një manual rrëfyes se
si duhet të sillemi me faktin, me ngjarjen, me dukurinë, me realitetin, me
kundërthënien, me informimin, me dizinformimin, me alternativën, me vijat e kithta
të pseudoinformimit që shpërndajnë mjegull dhe iluzion. Në besë të kësaj
sjelljeje ajo nuk shkon të vizitojë disa të vërteta që njihen dhe janë
certifikuar e më tej të na i sjelli të spërkatura me “erëzat” dhe “salcat”
pikante të “guzhinës” politike të protagonistëve të ditës që “bëjnë orgji” me
disa media që vetëm të tilla nuk janë. Elida është besnike e të vërtetës që
godet, që rrezikon, që shpotit, që rrëfen, që këlthet, që proteston, që
paralajmëron dhe që me kurajo civile dhe me peshë “Sizifiane”, akuzon duke vënë
gishtin mbi plagën. Në këtë kuptim ajo është një reportere në frontin e
rrezikut dhe të ndeshjes.
Kjo do të
thotë ta duash të vërtetën si veten dhe ta mbrosh atë jo për veten por për
socialen, për publiken, për humanen, për zhvillimin, për dinjitetin. Në librin
e saj ne ndeshemi me dukuri që kanë ndodhur kohë më parë por nëse arsyetimet e
saj në të shumtën e rasteve kanë qenë parashijonjës dhe paralajmërues, kjo
shpreh se analiza e saj, gjykimi dhe drejtpeshimet paskërkan qenë në ekuilibër
dhe në zemër të ciklonit. Ajo ka folur, ka sjellë mesazhin e saj, si të thuash
“ka folur dhe ka shpëtuar shpirtin e saj” - si thoshin latinët; por se ka dhënë
kontributin si një “dishepulle e së vërtetës” që gjërat të ishin gjykuar dhe
projektuar më mirë në kohën e duhur.
Besnikëria
me të vërtetën është provë karakteri, është kujdes në vijueshmërinë që
verifikon, është syçelësi në përplasje e papritura, dhe gjetje e peshores
historike për gjithëkohësi. Në këtë gjithëgjykim, Elida ka treguar se nuk bën
kompromise me konjunkturën, nuk lyp strehë alibish si kovalishencë të politikës
së ditës dhe “kuajve të rradhës” mprehur në “karrocën e ekzekutivit” në kohën
konkrete. Larg interesave të tilla ajo është e lirë të takojë lirinë, ajo është
e lirë të na sjelli lirinë e informimit pa censurë dhe pa vetëcensurë, ajo
është e lirë të gjykojë me kokën e saj dhe të peshojë me arsyen e saj pa tabu.
Një
mediatare e tillë është e plotësuar me formimin intelektual, dhe adresuar në
mënyrë speciale me kulturën publicistike, ku spikat fjala e gjallë, mendimi
virulent, stili luftarak, forma joshëse, lundrimi me begati i fjalës, dhe
dinamika e shpalosur “katër kanat” ku asgjë nuk fshihet, çdo gjë në dritë të
diellit!
Ndokujt
kjo kurajo dhe shpirt proteste nuk i ka pëlqyer, i ka krijuar bezdi dhe një
lloj urrejtje shpagimi, por se ajo nuk është frikësuar nga sulmet e hapura apo
të “ambalazhuara”, nuk është mikluar nga joshjet shkurajuese që dhurojnë
“puthje jude”, nuk është tronditur në boshtet e saj edhe nga kundërshtimet
arogante që jashtë kostumit zyrtar në pafuqinë e tyre sillen me arrogancën e
(mos)kulturës së rrugës. Si një “skllave” e lirisë e dinjitetit dhe së
vërtetës, ajo ka vijuar punën, duke ndërtuar profilin që ka sot.
Dinjitoze,
e vëmendëshme në çdo grimë të kohës, mbajtëse e rregullt e bilanceve të
ngjarjeve dhe një penë kurajoze që flet me zërin, që di të dëgjoj jehonën e vet
por edhe të kombinohet në koralet serioze që media ka sot.
Gjeografia
e këtj zëri është globale. Lëvizet në Shqipëri në meridianet dhe paralelelet
gati kapilare të shoqërisë shqiptare. Në institucionet, partitë, aleancat,
intrigat dhe poshtërsitë, në fitoret reale dhe arritjet e atdheut. Zgjerohte
kjo gjeografi në Kosovë, dhe kudo ku janë shqiptarët. Elida është në Bruksel,
në Strasburg, në Hagë apo në Paris, në Londër apo në New York, në Beograd apo
Athinë, ajo është kudo me syrin e saj vigjilent ku globi përpiqet të çajë me
kalimin e vështirësive drejt së ardhmes dhe paqes. Është atje ku institucionet
ndërkomëbëtare rrahin mendimet, përballin versionet, dhe ndeshen pro dhe kundër
në sitsteme ku” gijotina” e vetos ndal rrjedhat historike! Ky puls shqetësimi
dhe ky kujdes qelibar e shembullor, e ka bërë punën e përditëshme të gazetares
Elida Buçpapa një arkiv të çmuar të historisë së dy-tre dekadave të fundit. Në
këtë këndëvështrim librin që kemi në duar dhe që do ta kemi si një alamanak në
gjithëkohësin e pasme, do duhet ta çmojmë edhe si një lloj biografie të
historisë sonë Brenda asaj 100 vjeçare të Shqipërisë si shtet i pavarur!
Vlerësoj
tek Elida edhe kuptimin mbi kujtesën historike. Ajo e kombinon atë me qëndrimin
kritik ndaj adresës historike. Elida është kundër amnezisë historike, jo në
udhë dhe frymëzim të shpagimit për kalvarin e saj dhe të familjes gjatë
rregjimit komunist! Kurrsesi jo në atë kahje! Ajo ka një bindje të thellë
civile dhe formim intelektual që e mbajnë larg dallgëve të tilla turbullonjëse.
Për
Elidën të mos harrosh do të thotë të njohësh rrethanat, subjektet, individët,
protagonistët, xhelatët, spiunët, mashtruesit, “shumëfytyrësit” të cilët nuk
kanë humbur, por se kanë ndryshuar kostumet dhe llojin e humorit. Nga ai i ziu
tek ai rozi, nga ai gri tek ai laramani! Në këtë gjendje ajo nuk e fsheh
neverinë e përligjur. E mbron me forcë të drejtën sepse ndryshe ne jemi në gënjeshtër
të plotë me veten, me demokracinë, me të ardhmen.
Në lirinë
e gjykimit secili ka në posedim të plotë veten dhe përjetimet e tij. Edhe kur
të lexojë librin është i lirë të thotë me këtë jam në një mendje, me këtë nuk
jam dakord, kjo më duket e motivuar, kjo nuk më bind.
Vetëm
kështu jemi në ujërat e rrjedhave plurale dhe të diversitetit. Argument i
autores është udhërëfyes, argumentet tanë janë komplementarë. Ne jemi të lirë
të gjykojmë me mendjen tonë, por nëse jemi në sinergji me mesazhet që përcjell
autorja Elida Buçpapaj, qoftë edhe si ndryshim qëndrimi dhe argument, edhe në
këtë rast ne jemi në demokracinë e mendimit, të barabartë si të ndryshëm. Këtë
kontrastim ia kemi për mirënjohje autores Elida Buçpapa dhe librit të saj.
* * *
Të
sjellësh një libër në jetë është ngjarje për autorin/autoren. Në të gjen
shqetësimin dhe jetën e saj në puls të shqetësimit qytetar dhe intelektual.
Bashkë me
të ne si lexues marrim me vete edhe një pjesë të vet autorit që si peng
respekti dhe miqësie na vjen për të nyjëzuar lidhjen reciproke.
Për ata
që e kanë njohur me kohë Elidën (ky është rasti im) janë në gjendje të
thellojnë miqësinë përmes prurjeve të reja të ndërsjellta dhe miqësi të tilla
vjetrohen si vera. Për ata që njohjen e kanë të kohëfundit ky libër është një
shans më shumë për komunikim që thellojnë njohjen sepse kështu bëhet e mundur
që të bashkohen kontributet.
Për
lexuesin që e takon autoren për here të parë, është e thjeshtë, nga dita që ai
merr në dorë librin e saj ka mundësinë që të zgjerojë njohjen për problematikën
e rrokur dhe të celebrojë një miqësi të re, sepse Elida është një personalitet
mendjehapur, që i shton humanizmit nga humanizmi i saj bujar. Nga sot ne kemi
një libër më shumë në qarkullim, pra një doracak më shumë në udhëtimin që për
fatin tonë të mirë është i përbashkët.
Libri dhe
shqetësimi i Elida Buçpapajt e ka brënda natyrshëm edhe këtë shqetësim apo
mesazh, si do të jetë udhëtimi ynë i ardhshëm, le të mendojmë që sot në mënyrë
që nesër të mos themi të zënë në përgjegjësinë e fajit të mosveprimit, përse
nuk e bëmë dje këtë gjë!
Të faleminderit Elida!