| E premte, 10.05.2013, 10:27 PM |
SHPALLJA
E “REPUBLIKAVE” NËPËR KATUNDE
NGA KALOSH ÇELIKU
Vite më
parë, në prag të demokracisë, partitë politike shqiptare PPD dhe PDSH u
përpoqën me të gjitha forcat politike e intelektuale, që Tetovën ta bëjnë
kryeqendër kulturore e politike. Kohën e fundit rrugën e tyre e ndjek edhe BDI.
Nuk e kam fjalën që këto parti politike, selitë e veta i kanë në Tetovë, por
për veprimet e tyre “strategjike” - politike kur dalin në foltore me fjalime
“luftarake” përpara popullit. Gabim historik. Publikisht, heqin dorë nga
Shkupi, kryeqendra politike shqiptare e kulturore e rritur nëpër shekuj me ato
vargjet e këngës antologjike popullore shqiptare: “… për çdo vjet e kemi nisur
nga një luftë. / Herë me Krajl e herë me Mbret”.
Fatkeqësisht,
përballë një historie të këtillë legjendare, edhe në Ditën e sotshme shqiptarët
vazhdojnë të shpallin “ kryeqytete e republika” nëpër katunde. “Vëllezërit” nga
një hap i këtillë pakrye i politikanëve tanë “çlirimtarë” për një të Nesërme, u
ranë duarve shuplakë. U lumtë “truri” shqiptarëve! Vërtetë i kemi “vëllezër”
besnik që nga koha e Baba Dovletit duke bërë “politikë madhore” nëpër katunde.
Nëna në këtë kohë moderne, nuk ka gjithaq rëndësi historike. Shkenca e ka
arritur kulminacionin: mund të na pjellë edhe një Nënë. Babën, kryesorja e kemi
përballë oxhakut, në Shtëpi. Pushtuesit shekullor na kanë përçarë dhe na e kanë
prishur Shtëpinë me “vëllavrasje” për pushtet. Armiqtë e Shtetit të
“përbashkët”, le të plasin nga inati! Dorën në zemër, shqiptarët Maqedoninë e
duan më shumë se ne “maqedonasit” si komb pa identitet (Babë e pa Nënë). Dhashtë
Zoti, mbeten gjithë jetën me këto mend në kokë! Ose, siç thotë populli:
Përderisa ka budallenj, do të jetojnë të mençurit. Ditën, kur budallenjt do të
bëhen të mençur, o burra: mblidhni plaçkat dhe ikni nga “politika madhore”.
Vërtetë, jemi popull i ri në Ballkan, të cilin e shpiku ose e shpalli pas lufte
(1945) dhe na e dhuroi si shtet pa merita lufte Shoku Tito, po shqiptarët na
dolën bese. E përkrahën Gruevskin, në vend të përmendores të Shokut Tito në
sheshin “Makedonija”, në Shkup e ngritën Aleksandrin e Madh. Përmëkeq, vazhduan
t’i përkrahin edhe përmendoret e Filipit të Maqedonisë dhe Olimbisë me gra të
tjera antike plot fëmijë në gji, krah për krahu me Skënderbeun dhe Hasan
Prishtinën, në Bit - Pazar.
Problemi
madh historik në këtë Shtet, nuk janë shqiptarët, po ne “maqedonasit”.
Historikisht, ne jemi pjellë artificiale e ulur këmbëkryq në mes të Ballkanit,
që edhe sot e kësaj dite u ngatërrohemi nëpër këmbë shqiptarëve dhe i morëm më
qafë me shekuj. Ama, të rrimë shtrembër në histori, po ta themi të vërtetën siç
e thonë troç shqiptarët e Rekës të Josif Bagerit: pa shqiptarët, ne
“maqedonasit”nuk mund ta mbajmë veten gjallë as edhe një ditë në këtë shtet të
ri “demokratik” në mes të Ballkanit.
Publikisht,
politikanët shqiptar hoqën dorë nga Shkupi, kryeqendra e Shqiptarisë nëpër
shekuj. Qytet, të cilin Perandoria Osmane gjatë gjithë jetës e mbajti pranë
zemrës si kryeqytet i Rumelisë. Jetë politike, kulturore e ekonimike bëri gjatë
luftërave të përgjakshme ballkanike në një sofër me pushtuesit në Ballkan.
Rasti ma kujtoi edhe këngën e vjetër popullore që na e këndonte shpeshë Xha
Deralla ne fëmijëve para porte, kur na vënte pusi në rrugë: “Turku na e shiti
këtë Rumeli/ e ka ble çaj Moskovi Zi, shtatë xhemi me alltan.” Këngë historike,
të cilën shqiptarët, sot gati e kanë harruar dhe nuk e këndojnë më si dikur me
krenari nëpër dasma në odën e burrave. Përkundër politikanëve tanë, që gjithë
forcën politike dhe intelektuale e përqëndruan dhe e “harxhuan” në Tetovë.
Tjetër punë është ajo se, edhe “vëllezërve” u pëlqente ta propogandonin Tetovën
si kryeqendër politike e kulturore të
shqiptarëve. Qëllim i tyre tendecioz edhe sot e kësaj dite dihet, të cilin një
ditë e vëretoi edhe koha në “Shtetin e përbashkët”.
Historikisht,
kurrë Tetova s’ka qenë, as është dhe as nuk do të bëhet kryeqendër politike,
kulturore e Shqiptarisë. E dini pse?! Jo, nuk e dini. Shkaku se, vite me radhë
e mbytë bërlloku i vet politik para dere, që nga koha e Turqisë. Vërtetë, Fadil
Sulejmani me shokë këtij qyteti i dhuroi Universitetin e parë shqiptar mes
gërshërve politike shoveniste sllave, po nuk ia vodhën “zanatin” e të bërit
Shtet. Luftën për pushtet e rrëmbyen vetë si politikanë me diploma të shkollave
komuniste. “Vëllezërit” me ndërkombëtarët na e dhanë edhe një tjetër universitet
(UEJL), për ta ngulfatur këtë vatër të dijes në emër të “bashkëjetesës”
(foshnjë që lindi e vdekur, sipas Fërçkovskit), siç u përpoqë më herët me
Fkultetin Pedagogjik në Shkup PPD -ja ta shuajë zjarrin, po xixa që hidhet në
kashtë: një ditë ndizet edhe pa dëshirën e “vëllezërve” përkarshi Diellit me
rreze. Përsëri, fituan shqiptarët, shkaku fajit të politikës teknefese ditore,
u bëmë me tre universitete shqiptare. Inatin mund t’ia kesh dikujt, por kurrë
nuk mund t’ia hash rriskun e fatin të cilin ia ka shkruar vetë me dorë Zoti.
Punë tjetër është ajo se, “patriotët kuqezi” shqiptar kur dalin në foltore para
popullit në Tetovë, dehen me çaj rusi dhe flasin jerm me orë të tëra para të
pranishmëve: “Nëse Tirana dhe Prishtina nuk kanë forca politike të bëhen
kryeqendra të Shqiptarisë, ne do ta bëjmë Tetovën kryeqytet të Shqiptarisë”?!
Demagogji e pashoqe politike me tru shtatë pash thellë strukur në palarenë
politike, rrëzë Sharrit Plak. Shqiptaria nuk mbrohet vetëm në Tetovë. Hurdhë e
cektë patriotike, në të cilën pas darke këndojnë në kor bretkosat dhe e mbysin
veten politikanët e sotshëm të “vëllazërim-bashkimit”. Dorën në zemër, pas
shumë vështirësive politike me ndihmën e “vëllezërve” e fituam një “Teutë
ilire”, si kryetare të komunës shqiptare, por kjo sot është shumë pak për ta
shpallur Tetovën heroike si kryeqendër të Shqipërisë Etnike.
Shkurt
dhe shqip: Tetova me këtë kapacitet politik, kulturor e ekonomik, kurrë nuk
mund të bëhet kryeqytet i Shqiptarisë, përpara Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit!
Përmëtepër, pas Luftës së 2001 - shit, siç nuk u bë “Tanusha - republikë”,
sipas aventurave të disa kalorësve të arratisur “analistë” në mjetet e
informacionit me në krye një komandant lufte. Amani, nëse nuk keni të thoni e
shkruani diçka të mençur në këtë kohë rreziku, atëherë së paku heshtni para
ngjarjeve historike, mos bluani krunde te Mulliri i Arapit! Punë tjetër është
ajo se, disa partizanë të dalldisur dhe “vetëbegenisur” nëpër çajtore të partive politike “gju më gju me popullin”,
flasin nateditë jerm kur dalin symëshelë në foltore. Orë të tëra harrohen nëpër
përvjetore politike e kulturore, mezi i lexojnë fletoret e hallvaxhinjve duke
vazhduar të flasin përmendësh marrëzira politike. Gjumin e rëndë dimëror,
përpiqen t’ia vazhdojnë këtij populli heroik e të përvuajtur nëpër shekuj me
përralla të “pranverave arabe” në mes të Shkupit. Mjaftë. më me veprime të
nënkryeme teknefese nëpër livadhe e Bit - Pazar, rrëzë Kalasë Dardane! Vorba me
shekuj vlon në zjarr pranë dromaxhakut me kokë gjarpëri në oxhak që nga koha
Ilire. Tymin mbi çati e përcjellë në qiell mes mjegullave. Edhe, kohën e fundit
ka filluar të derdhet grosha mbi shpuzë. Mirë do të ishte në këtë kohë të
rrezikshme (rrëshqitshme politike në akull), politikanët e harxhuar shqiptar,
thirrin forcat e shëndosha patriotike dhe të kthehen krah për krahu në Katund,
t’i kalojnë të lumtur ditët e fundit të pleqërisë në gjirin familjar.
Populli
shqiptar, sot nuk ka nevojë për demagogji të shekullit. Marrëzira politike dhe
fetare. Shpallje të “kryeqyteteve” të Shqiptarisë. Dhe, “republikave” nëpër
katunde…