Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Shehu: Tahir Bezhani - ''Vite Tronditëse''

| E merkure, 08.05.2013, 06:44 PM |


FRESKIA E NJË PROZATORI

Shënime për librin me tregime “Vite Tronditëse” të Tahir Bezhanit.

NGA QAZIM SHEHU

Poeti dhe prozatori Tahir Bezhani, njëherit gazetar dhe gjurmues e studiues i fjalës së mençur popullore, vjen, së fundmi ,me vëllimin me tregime, çfarë mirëfilli e dallon atë si një krijues serioz e të pjekur. Prozatori Bezhani ka marrë shumë nga poeti Bezhani, duke dhënë një botë të pasur të personazheve të veta, endur kjo, me magjinë e rrëfimit , magji që na përcjell një tërësi fatesh njerëzore në rrethana ekzistenciale ose të përjashtimit absolut nga jeta.Kështu titulli bëhet domethënëse, mjaft i trishtuar, kur para syve dalin si në një realizim filmik fati i atyre njerëzve që u ndodhën me pa të drejtë përballë bishës shoviniste dhe u desh një kohë e gjatë të provojnë jetën në rrethna të jashtëzakonshme.Duke e trajtuar këtë dramë sa individuale aq kombëtare, Bezhani e shfaq veten ndër ata të rrallë krijues që orvatet t`u hyjë temave të tilla madhore, për të mos i lënë ato në harresë, e jo vetëm kaq, por edhe për t`i trajtuar ato me nivel.Shumë pak krijues e kanë bërë këtë, e nëse ndonjëri ka tentuar nuk u është shmangur sa duhet fakteve të thata që s`përbëjnë letërsi.Sepse ose e kanë parë së jashtmi, ose ende nuk dinë duke u futur në tema që nuk u ka përkitur për shkak të aftësisë përcjellëse. Lufta e Kosovës sa ishte një luftë heroike aq mbetet edhe një tronditje dramatike , përmasore dhe e thellë, kur njeriu i atij trolli iu desh që shihte si para tij kryheshin krime, para të cilit krimi mesjetar do qe veçse një rekuizite dekorative.Bezhani e ka ngjyer penën në këtë dhimbje të madhe duke qenë dëshmitar dhe vuajtës, duke kaluar vetë në fije të perit. Prandaj subjektet e tij nuk sajohen as mistifikohen, përkundrazi, ato vijnë si copëza të fatit tragjik dhe krijojnë mozaikun e një dhimbjeje të madhe. Bezhani nuk i vë shumë rëndësi subjektit, ngjarjeve, jo se ato nuk kanë rëndësi, po ai më tepër i kushton vëmendje fatit të personazhit, dhe nga këtu kalon në fatin e shoqërisë duke e lënë këtë me nënkuptim.Me një gjuhë të thjeshtë e të ngjeshur, që rrjedh bukur brenda logjikës së jetës, ai shtjellon fijet e narracionit të vet, të praruara këto nga dielli i ndjenjës dhe përjetimi i fortë.Është thënë gjithnjë ajo që duhet dhe nuk pritet të thuhet më tepër se ajo çfarë është thënë e zotëron rëndesën dhe peshën e kumbimit dhe të kuptimit të plotë.Kjo do të thotë se autori i ka shkruar tregimet i nxitur nga ngacmime të forta emocionale, jo për të thënë po për t`u shprehur e nga të shprehuri lind dhe e thëna që troket bindshëm përmes talentit rrëfimtar të autorit.Këtë përshtypje e krijon vetiu dhe sapo gjendesh në paslexim duke u shtyrë drejt një distance për t`u marrë me diçka tjetër, vetiu të merr malli të lexosh këto tregime.Sepse nëpër to buron fati njerëzor, dhimbja, dashuria, në atmosferën e një jete të rënduar, ku edhe besimi për të nuk humbet. Dhimbjes i shtohet dëshira, dëshira rritet përmes optimizmit dhe optimizmi nuk ngrihet mbi një mendim kot, përkundrazi ai del si një kredo shpirtërore e qëndresës.Vetia e çdo prozatori të lindur nuk është sa i zoti është ai për tu dukur interesant,po për të shkruar një prozë interesante dhe të natyrshme. Ai mund të kënaqë veten, po nuk dihet se çfarë shijesh estetike u sjellë të tjerëve,kështu duke lexuar në tregime të aty këtueshme në shtyp, je i detyruar të kapërcesh fraza e fjali se autori e tjerr dhe e çtjerr fjalën dhe zgjat skenat e jetës për t`i errësuar e stilizuar brenda këndesh gjasme moderne. Me Bezhanin nuk ndodh kështu, tregimi i tij lexohet me një frymë, tërheq dhe kalon si rrjedha e ujit në përrua, qetë qetë e bukur.Kjo mënyrë e të shkruarit ku subjekti hetohet në thellësi, duke mos i dhënë shumë rëndësi atij, po çfarë ka shkaktuar ngjarja tek personazhi, është një prosede moderne e shkrimtarit ,i cili e shfaq atë në mënyrën e trajtimit të shpirtit njerëzor.Kemi një individ të vënë në rrethana të ngushtuara dhe që krijojnë një impakt të vështirë jete, kemi një individ që rreket ta kapë jetën edhe kur ajo duket sikur nuk ekziston dhe ka ardhë fundi, përcillet një këngë zogu ë duket sikur del nga fyti i një apokalipsi, po mjafton ta ndjesh pak për të kuptuar se jeta nuk ka mbaruar .Këtë individ do ta shohim sesi merr trajtë përmes përjetimeve të thella edhe pse flet përmes përshkrimit të autorit ,vepron pak, po ndjen shumë.Vepron pak se është i detyruar të mendojë për t`i shpëtuar asaj të keqe të madhe që e ka pllakosur. Tregime të tilla si “Fshikuj ikjesh”, apo “Takim në Rinas “e përcjellin mirë këtë dramë, pa harruar edhe tregimin e parë “Te dardha”, një tregim antologjik me fuqi përshkrimi të thellë e mjaft mbresëlënës.I këtij niveli është edhe tregimi “Viti tronditës”, i cili me të drejtë që mund të mbajë kurorën e tregimeve më të mira të shkruara kohët e fundit për shtypje n dhe represionin e pashembullt të regjimit policor serb.Veçori e tregimtarisë së Bezhanit është se ajo në pamje të parë duket e shtrirë dhe ec në një linjë, po në të vërtetë po të hetohet thellë këndet e shikimit ecin hapen e gjenerojnë ide e mbartin reflekse kuptimorë përmes jetës dhe shpirtit njerëzor.Do veçoja tregimin “Rilindja e një dashurie”.Dashuria, koha në shtrirjen e saj të gjatë, fati, ndarja ,sërish rinjohja dhe rifillimi i dashurisë, e mbartin shtratin për të ndërtuar një sagë të vërtetë si në baladat tona popullore. Përshkrimet e autorit u ngjajnë rrjedhave të buta në një bar të njomë mbi të cilin sapo kaloi një flakë përvëluese, e, mbi të gjitha ai u shmanget me kujdes skenave natyraliste, duke i dhënë te nënkuptuara ato përmes përcaktimit realist përmes poetikës së shpirtit njerëzor. Ç`trishtim e brengë e madhe përhapet në atmosferën e këtij tregimi, diçka që ndihet e duket sikur nuk thuhet po shprehet. Si një zhbirues i shpirtit njerëzor, ai e sjell atë gjithnë në thyerje fatesh, të cilat thurin dramën e madhe të këtij shpirti. Kur lexon këtë shkrim të vjen keq për protagonistët , po mbetet e fort si në një himn pa bujë forca e madhe e dashurisë, forcë e cila i ngjan një poeme të pambarimtë të shpirtit njerëzor.Tregime të tilla japin rrjedhën e një jete plot pasion të pashuar në luftë me gërryerjen e natyrshme të viteve, ato deri diku u ngjajnë tregimeve të Cvajgut me potencën e ndjenjës dhe përqasjen e fakteve në hullinë e filozofisë së jetës. Janë një poemë e shpirtit njerëzor, e atij shpirtit që buron fuqishëm si një veti e krijesës, ngjizur me mallin e pashuar të jetës.Këtu përzhet e s`mund të ndahet freskia e jetës me dramacitetin,forca e ndjenjës me dobësinë, madhështia me të thjeshtën, e gjithçka përcillet thjesht pa të papritura të mëdha ashtu siç ndodh rëndom në jetë.Një tregimtari e tillë është veti e rrëfimtarëve të talentuar që kanë një përvojë jetësore të madhe dhe lëndën e marrin nga jeta e dinë ta kthejnë në trajtë artistike.Si një bashkëbisedues me traditën autori krijon një ndërvartësi të saj me të sotmen, në tregimin “Pse Xhela na thotë dajë”.Duket se u flet kohrave përmes humanzmit të burrave të mirë.Është një dialog i mrekullueshëm intensiv.Teknika rrëfimore e Bezhanit synon në dhënien e jetës përmes përjetimit duke e sjellë subjektin në kufij të jetës së zakonshme, dhe personazhet janë njerëz të zakonshëm që mbartin ndjenja të thella dashurore dhe humane duke përjetuar çaste të jashtëzakonshme.Kjo teknikë e dallon atë në një spikamë trancedentale duke sjellë veçorinë e një krijuesi që lexohet me ëndje dhe kënaqësi.Rrëfimi i shtrirë, horizontal,pa kapërcime dhe rikthime, nuk i përjashton vështrimet e kthyera në kohë dhe sondën e fantazisë së autorit për të arritur tek ndjenjat më të holla e situatat më të pritshme. Mbylljet e tregimeve vijnë natyrshëm as me fund të papritur dh as me me befasira të çuditshme, përkundrazi, ato vinë në voli shumë të natyrshme ,sepse zgjidhjet ndjekin logjikën e jetës duke krijuar një befasi të këndshme. Kështu tregimi shtrihet në rrafshe të theksimit realist , po që mbushet me një frymë poetike dhe ngjishet brenda një dramaciteti të hollë ku përvijohet dhe vuan qenia njerëzore. Fraza e thjeshtë pa komplikime duhet të vazhdojë ashtu siç ajo vazhdon , në një rrjedhë të subtilitetit dhe mbart mesazhe të jetës së gjallë, të jetës që frymon dhe ngazëllehet në shpresa duke përjashtuar fatin e keq, ndonëse ai u troket në derë personazheve dhe ata janë të detyruar ta mbartin atë si gur Sizifi.Do të thosha, se me këtë libër, Tahir Bezhani, shënon një kuotë të re cilësore në ngjitjen e vet drejt artit të prozës, profilizon portretin e një krijuesi serioz në artin e rrëfimtarisë dhe di të ndërtojë strukturën e një tregimi të vetin larg çdo përngjasimi apo mode, dhe kjo është e rëndësishme për të mbetur origjinal, i dallueshëm dhe këmbëngulës në artin e shkrimit.Proza e tij, siç e cekëm më lart, përbëhet nga inde muskuloze të jetës, nga fije të një narracioni autentik, mbështjellë me poetikën e butë të shpirtit njerëzor.