| E merkure, 08.05.2013, 06:58 PM |
EPO,
SHAKA DONIM TË BËNIM...
tregim
NGA KRISTAQ TURTULLI
Hasim
Guri hyri në banjë duke u kalamendur dhe i verdhë dyllë në fytyrë. Ne e ndiqnim
me sy që nga larg. Pritëm të dilte prej banjës, ai hiç. Dërguam një shok ta
shihte, e gjeti te rrezuar përdhe, i kish rënë të fikët. U lajmërua urgjenca,
Hasimin e nisën në spital dhe për këtë, shkak u bënë ne.
Hasimi
punonte tornitor i normuar, me kategori të dytë, në tornon e vjetër qysh nga
lufta e dytë botërore. Çdo ditë ngrinte male me ashkla e thithte kuintalë me
skorie gjatë tornimit të bishtave, pjesës prerëse, qafave dhe llapave të
detaleve.
Ai
mbulohej si të gjithë ne, fund e krye me pluhurin e skorieve e të gurë smerilove, përsëri mundohej të mbahej pastër.
Duart e nxira i fërkonte me forcë e inat pas çimentos së lavamanëve derisa i
skuqte, mundohej të hiqte skorien që i kish hyrë thellë në pore. Hasim Guri u
martua herët, kur nuk ish as tetëmbëdhjetë vjeç me një çupë prej pazarit të
vjetër të rrugës së samarxhinjve, e kish katër fëmijë të lindur njëri pas
tjetrit.
Ne ishim
pothuajse të një moshe dhe në pushimet e shkurtra hanim së bashku bukë, prapa
frezës së madhe. Hasimi bukën e zezë e
shoqëronte çdo ditë vetëm me tre meny, të mbështjella me gazetë; bukë me gjizë,
me marmelatë, ose vaj kikiriku me sheqer. Siç na u hap, arsyeja ish se si
familje vendosën të kursenin lekë për të blerë televizor. E vështronin Hasimin
me dashamirësi, gati me trishtim, kur germat e zeza të fletës mbështjellëse të
gazetës hynin si milingona në gjizën e pakët, ose në kuqërremtën e marmelatës.
Rroga e tij mujore ish rreth 4000 lekë, kurse
televizorët bardhë e zi me gjithë antenë e kabëll shkonin në kosto deri
në 45 mijë lekë. Sikur hiç mos haje,të mbaje barkun me dorë, të mos paguaje
qiranë, dritën, ujin, drutë e zjarrit, siç dihet në qytetin tonë bën ftohtë e
bie shumë dëborë. Pra duheshin më shumë se njëmbëdhjetë muaj, ti mblidhje kokër
më kokër ato të shkreta të holla. Por kjo ish çereku i së keqes, e keqja më e
madhe ish se televizorët vinin me pakicë, njëlloj si kripa prej Durrësit.
Kërkesat e punëtoreve për televizor ishin të shumta, dhe nëpër reparte
shpërndahej vetën nga një televizor me be.
-Ata
shejtanë më zhgërryhen gjithë ditën nëpër dhera. Tele-ja i mbledh fëmijët në
shtëpi,- ankohej Hasimi, bënte shuk bukën si topth dhe e raste në gojë.
Na
dhimbsej shoku, le të gëzoheshin fëmijët e tij ezmerë, të vegjël, topolakë si
lepurusha. Ndaj kur u bë votimi në repart, votuam të gjithë si një trup i
vetëm, që ai të ish numri një, në krye të listës, për të marrë vërtetimin me
firmë dhe vulë prej zyrës së kuadrit. Mblodhëm lek dhe i bëmë si dhuratë një
komodinë me rimeso are, ku të vendoste televizorin. Disa prej nesh e ndihmuam
të saldonte një tubo të gjatë çeliku, ku të vendoste antenën e të lartë, mbi
çatinë e shtëpisë përdhese. Hasimi gëzohej, fluturonte:
- Lum
unë! Mos të lëntë perëndia pa shokë e miq.
Kur mori
televizorin qau, u ul përdhe me fëmijët dhe ja nguli sytë mizave të
televizorit. Lëvizëm antenën majtas djathtas të zinim ndonjë stacion, më në
fund na hyri Tirana.
-Urra!
-bërtitën së toku, Hasimi, e shoqja dhe fëmijët.
Më vonë
filloi të na tregonte gjithë qejf dhe dëshirë filma me partizanë e ballistë. E
dëgjonim me durim edhe pse i kishim parë me dhjetëra herë.
Kur
motra, Demirja u bë komuniste dhe pas disa muaj anëtare e byrosë së partisë së
ndërmarrjes, Hasimit iu rit pak qipi. Morri kategorinë e tretë dhe bëri kërkesë
të ikte prej tornos së detaleve të rënda dhe të punonte në tornon e vogël
komode, revolver. Kërkesa iu aprovua menjëherë. Ish e drejta e tij të
ndryshonte tornon dhe procesin e punës. Në pushime mblidheshim si gjithnjë së
bashku pas frezës së madhe dhe hanim bukë. Menyja e Hasimit ndryshoi në cilësi,
u shtua djathi i kripur, por si gjithnjë i mbuluar me milingonat e germave të
fletës mbështjellëse të gazetës. Ngandonjëherë hante gjalpë me reçel kumbulle,
ose me ullinj të vegjël, të zinj si kakërdhi.
Zëri i
Hasimit kish filluar të behej më i sigurt, fliste për rritjen e normave dhe
novatorizëm, me citate te nxjerra nga librat e udhëheqësit të madh. Ne si
gjithnjë e dëgjonim me buzëqeshje mirësie dhe dashamirësi. Hasimi bëri
përparime të dallueshme jo vetëm në njohuritë politike por edhe në shtimin e
popullsisë, me dy kalamaj të tjerë. Ndërsa ne, shokët e tij të repartit mezi
kishim nga njëckë fëmijë. Lindi nevoja e zgjerimit, Hasimi bëri kërkesë në komitet e në parti për
strehim dhe në krye të disa muajve morri hyrje dy dhoma e një kuzhinë në katin
e pestë, në pallatin me kontribut vullnetar. Shumë prej nesh na mbeti hatri,
sepse la pas shumë punëtorë të tjerë që ngryseshin e gdhiheshin me gjithë
familje në banesën që ndërtohej për të futur sa më shumë orë pune. Sidomos Peçi
frezatorit, familja e tij me tre kurorë qenë ngucur në një hyrje të ngushtë
pallati me dy dhoma e një kuzhinë dhe mes kunatave kish plasur sherri. Peçi me
gjithë familjen futi dhjetë mijë orë pune vullnetare në banesën që u ndërtua me
kontribut vullnetar të punëtorëve të uzinës. Prej banesës që ndërtohej vinte
direk në punë, turni i dytë, nuk kish kohë as të ndërronte teshat. Bukën e
hante gllomka- gllomka, por e këtë radhë ngeli me gisht në gojë. I thanë të
duronte, të priste pallatin tjetër që do ndërtohej. Po a prisnin dhe duronin
kunatat, lufta e tretë botërore ish në prag...
-Si ka
mundësi të marrë hyrje dy dhoma dhe një kuzhinë Hasim Guri që nuk futi as një
orë pune në banesën me kontribut vullnetar,- dërguam dhjetëra ankesa në
drejtori.
Por
shokët e drejtorisë na zunë gojën.
Arsyeja e fortë e mos futjes së asnjë orë pune vullnetare në banesë të Hasimit
ish përkujdesja e gjashtë fëmijëve.
- Po
fëmijët tanë a nuk kishin nevojë për përkujdesje, por detyroheshim ti linim
vetëm, për të punuar vullnetarisht në banesë?- u thamë.
Hasimi
urtë e butë dhe tigani plot, përdori një marifet që ne e morën vesh më vonë.
Kur komisionet strehimit të komitetit të qytetit dhe të ndërmarrjes i shkuan në
shtëpi për të parë konkretisht gjendjen aktuale. Ai e kish ngucur dhomën me
faqe muri dhe bufe. Anëtarët e komisioneve lëviznin këlliç nëpër dhomë dhe
godisnin njëri tjetrin me bërryla.
-Po
fëmijët ku i ke? - e pyetën,- në kërkesën për strehim ke thënë se ke gjashtë
fëmijë?
Ai nuk u
ktheu përgjigje, por fërshëlleu dhe fëmijët dolën rrëmujshëm si qenushë që
poshtë krevatit të madh.
-Po këta
ç’duan poshtë krevatit!-u habit komisioni.
-Më thoni
ku ti vë të flenë. Siç e shikoni, nuk kam vend për ta. Gjynah është, më
dhimbsen, i kam evlatër, por s’kam ç’të bëj. Në dhomën ngjitur fle Demirja me
tatën e nënonë. Kuzhina është e përbashkët.
Komisioni
doli kokulur, i menduar. Komunistja dhe anëtarja e byrosë Demire Guri nuk
ankohet, vajzë në moshë dhe fle në një dhomë me prindërit...
Por na
mërziti e trishtoi të gjithëve dënimi i papritur me dy vjet internim të
axhustatorit Ermal Malija për shkak të Demires Gurit, motrës së Hasimit. Flitet
se Demirja nuk është e aspak e kënaqur me këtë vendim. Prandaj kërkoi që
drejtësia e çështjes të shkojë në procedim për gjyq me burgim. Dosja e
dokumentove me akuzat e procedimit për gjyq të Ermal Malijës u hodhën në gjykatën
e rrethit.
Me Ermal
Malijën kaçurrel dhe delikat si vajzë,
Demirja u dashurua kur ndiqnin së
bashku kursin një vjeçar në Tiranë. Me lekët që i dërgonte familja, Ermali e
mbante Demiren me gjithë të mirat, hanin në krye të javës paste me krem në
pesëmbëdhjetë katëshi. Ajo ish goxha copë, ezmere me kripë, topolake
rrumbullake, gjoks mbushur, me sytë e mëdhenj, të zinj si ullinj. E zjarrtë e vrullshme, e papërballueshme.
Ermali i qetë, i avashëm e donte me shpirt ezmeren me kripë. Ajo i sillte
mendjen vërdallë, i vinte flakën.
Një
mbasdite e ftoi në shtëpi dhe e njohu me prindërit e familjen e tij. Demirja si
vajzë e thjeshtë e pazarit të vjetër, u ndje disi bosh, u habit me kamjen,
hijerëndësinë e shtëpisë, veshjeve të mureve e orendive të gdhendura. Ermali
kish familje qytetare me traditë.
Prindërit
e Ermalit e pëlqyen Demiren dhe e këshilluan të mos e zgjaste, vajza është
delikate, të dyve mosha po ju shkon prandaj duhej të fejoheni. Çuditërisht ajo
si ktheu përgjigje ofertës për fejesë dhe kohët e fundit tregohej e përhumbur
dhe indiferente me të.
Demirja
si komuniste e përkushtuar, la redifikën e sheshtë, e caktuan me detyrën e
magazinieres në magazinën e pajisjeve dhe veglave të ndërrimit. Ajo s’kish shumë kohë të merrej gjepura.
Përgjegjësia mbi të gjitha, studionte materiet dhe plenumet, vonohej e gjora,
lodhej. Mbledhjet e gjata të partisë i hanin shpirtin, shumë materiale e
buletine qenë për të konspektuar dhe zbatuar. E zinte mesnata dhe shpesh herë
flinte e dërmuar në zyrën e partisë së bashku me Rehat dhe kockëmadhin,
sekretarin e byrosë së uzinës. U përfol se një natë Demirja u gjend
aksidentalisht e zhveshur, mbërthyer
keqas me Rehat kockëmadhin, në mes shkresave dhe buletineve, por askush nuk e
besoi. Nuk e bënte Demirja atë punë.
-Në daç
më besoni në daç jo,por unë e pashë me sytë e mi Demiren ashtu, të mos e
them...të zhveshur, me këmbë përpjetë. Sikur më tha tavani i uzinës mbi
kokë,-na pëshpëriti Ermali i ligështuar, kur pinin kafe në qoshe të mensës dhe
me lot në sy shtoi:- E doja Demiren me shpirt, por ajo tregohej indiferente,
prandaj e përgjoja nga dritaret.
-Je i
sigurt që e pe me atë?- E pyetëm.
-Nuk ka
rëndësi,- u përgjigj.
Ne
vështruam njëri tjetrin dhe mblodhëm supet. Bëhej shaka e fjalë me Demiren
dhe Rehat
kockëmadhin. E ëma e Ermalit u sëmur rëndë, shtëpia e madhe kish nevojë
përkujdesje dhe Ermalit po i ikte mosha, u fejua me axhustatorin Ruke.
Fejesa e
Ermalit me axhustatoren Ruke e tërboi Demiren. Kafshoi buzën e plotë dhe
nënqeshi me të keq. Nuk e dinte teveqeli që ajo ish lart dhe ai poshtë. Në
duart e saj gjendeshin çelësat e magazinës, donte s’donte ai do përplasej me
të. Prandaj filloi ta përgjonte me sy e shihte sikur do ta hante. Filloi ta
provokonte, ta sillte vërdallë duke e lënë të priste përpara dritares së
ngushtë të magazinës. I jepte lima të vjetra dhe detale të konsumuara. Ajo
kënaqej kur e shihte Ermalin e urtë të skuqej, të nevrikosej, të cilit po
fillonte ti venitej buzëqeshja. Në krye të disa minutave, Ermali kthehej në
vendin e punës kokëvarur, i murrëtyer.
-Nuk e
lënë të shkretin njeri të punojë rehat,- mërmërite.
Çfarë
njeriu ish, i kërkonte ti jepte limë që ti bënte punë, ajo bënte sikur i
ndërronte i jepte një më të keqe me dhembë të konsumuar, të papërdorshme. Disa
herë se nga gjente materiale të dëmtuara, ia bënte Ermalit në ngarkim që ti
dëmshpërblinte. Ermali lodhej, djersinte, dërmohej dhe se realizonte normën.
Ditë me radhë punonte me orë të zgjatuara. U ankua tek Arifi hundë qimja,
përgjegjësi i repartit. Arifi e dëgjoi me indiferentizëm dhe nuk i ktheu
përgjigje.
Demirja
vazhdonte avazin vonohej qëllimisht, e përgjonte pas rafteve, çfarë do thoshte
qullaci, ish i dashuri i saj në inat dhe sipër.
-Demire,
më thuaj deri kur do vazhdosh kështu? - e pyeti ai një ditë.
-Derisa
ti a bësh puf. Kujton se të fal kaq lehtë. Nuk e ke njohur akoma Demiren ti.
Por mos u mërzit, do ta njohësh, - tha dhe qeshi me të keq:- Pse kaq lehtë
është të lësh një komuniste dërdënge si unë e të fejohesh me Rukien qurrashe me
pesë lek bythë.
- Demire,
për vitet që i kaluam së bashku, letë mbetemi miq,- i tha Ermali.
-Mike me
ty, ha, ç’na the!- nënqeshi me sarkazëm Demirja.
Ermali si
ktheu përgjigje, me vështirësi gëlltiti inatin. Demirja po bëhej gjithnjë e më
e padurueshme. Nxiste të tjerët ta ngacmonin, ta fyenin. Të fejuarën e tij
Rukien e bënë disa herë për të qarë. Ajo i tha:
-Të bëjmë
çmos të ikim prej uzine, po mos, të ndahemi.
Ermali
kafshoi buzën dhe heshti, mundohej të realizonte normën. Bëri kërkesë të
shkonte të punonte në kavaçanë, nuk e dëgjoi kush. Bisedoi me disa të njohur ta
ndihmonin të punësohej në ndonjë ndërmarrje tjetër. Nëna vazhdonte të ish e
sëmurë, Rukia ankohej. Ermalit po i shpërthente koka. Pas një ditë të gjatë të
mundimshme, me varavingo. Shkonte në magazinë të ndërronte pajisjet gjente atje
provokime, sarkazma. Në repart punonte me nerva të tendosura, lodhje, djersë
dhe asgjë. Më në fund Demirja e kapi fluturimthi pëshpërimën e nervozuar të
Ermalit:
-Më plase
shpirtin... jevgë e ndyrë.
-Çfarë
the, hë, çfarë the, pa thuaje ta dëgjoj dhe një herë,- iu shkreh ajo e tërbuar.
Sytë i flakërinin prej kënaqësisë së keqe dhe urrejtjes.
-S’të
thashë gjë,- u mbroj Ermali i hutuar.
-Më the
jevgë e ndyrë, më fyeve. E di ti mor pusht se i madhi fare i partisë dhe i
popullit, ka pirë sisë prej jevgës,-bërtiti Demirja dhe vuri alarmin.
-Nuk të
thashë ashtu..,- mbrohej Ermali, - të thashë, më plase shpirtin, por nuk ma nxë
goja ta them atë fjalë.
- Hë ç’je
një ti, ç’je një ti, gjarpër i fshehur nën pëlhurë. Fyhet për racizëm bija e
partisë, kur i madhi e thotë me krenari, prej jevgës kam pirë sisë,- i thanë.
Ermali
vazhdonte të mbrohej:
-Më
vdekshin të gjithë të shtëpisë që nuk i thashë ashtu. Më nxirrni një të thotë
që e dëgjoi.
-Të
dëgjoi ajo, vetë. Të besojmë betimet e shpëlara, helmin, poshtërsinë tënde apo
ndershmërinë, përkushtimin komunist të anëtares së byrosë, - thanë.
- Ajo
mund të thotë ç’të dojë,- protestoi Ermali, - unë e kam dashur, e njoha me
familjen.
-Tani pse
se do?
-Ashtu
është puna, u fejova me Rukien.
-Imoral.
Do ta shohim këtë punë, do nxjerrim plot dëshmitarë,- i thanë.
Që atë
minutë u ul paneli dhe u provokua mbledhja e zgjeruar e repartit.
-Sigurisht
Ermali bëri shaka,- foli ultas Peçi.
-Shakaja
është shaka,- foli po ultas një tjetër prej nesh.
-Mjaft.
Shaka moj krushkë, ai është hakmarrës. Nuk është shaka të nxjerrësh prej goje
atë vrer. Fyerja ndaj kuadrit të partisë mund të quhet veprim i rëndë ndoshta
dhe armiqësor.
-Një
fjalë goje është thjesht shaka,- ngulmuam ne.
-Heshtni.
Këtu tek ju ekziston shoqëri e sëmurë,- na u shkrehën të deleguarit dhe
mbledhja u mbyll.
Pas disa
orësh i zhvillua mbledhja e byrosë së partisë. Paraprakisht Ermali u pezullua
nga puna. Pritej dita e nesërme të kthehej prej Tirane sekretar Rehati. Çështja
duhet të shqyrtohej në bazë të buletineve më të fundit dhe të merrej vendimi
përkatës.
-Thuaj të
drejtën, i the jevgë,- i pëshpëriti Ermalit një prej neve.
-Nuk i thashë
bre, ju betohem. Por e sikur ti thosha keq nuk do bëja,- foli me ankim Ermali
dhe doli kokulur prej uzinës.
Ndëshkimi
i Ermalit për një fjalë goje na la shije të hidhur dhe peng në shpirt. E kur
mblidheshin si zakonisht pas frezës së madhe të hanim bukë, nuk na shijonte
ushqimi, e ndjenim rëndesën e ndëshkimit dhe mungesën e buzagazit të çiltër të
Ermalit. Dënimi i tij la pasoja në familje, i shkaktoi krizë në zemër të atit
dhe acarimin e sëmundjes nënës.
Hasimi
vërtitën sytë sa andej këndej dhe ka filluar ti shmanget ngrënies me ne. Shkon
poshtë në mensë, ulet në një tavolinë me mekanikët e remontit dhe ha groshë me
pilaf orizi. Pëshpëritet se mund të fillojë punë në remont.
Ai nuk
ish budalla të mos e kuptonte ftohtësinë tonë. Ne e linim të lëvizte butësisht
në ujërat e tij, e nuk na ngrohte më. Por nuk mund ti mbrehnim qetë me
Demiren, nepërkën e keqe, ajo të kafshon
prapa veshit kur se ke mendjen. Fyerja që i ndodhi asaj prej një punëtori
arrogant e të pandërgjegjshëm e ngriti në përgjegjësi, u bë zëvendës sekretare
byroje uzine dhe anëtare plenumi rrethi.
Punonim
turn i dytë kur Peçi uli panelin dhe bërtiti me sa zë që kish në kokë:
-Shokëni,
me trishtim e dhembje po ju vë në dijeni, për një fjalë goje Ermalin e dënuan
me burg.
Ndërpremë
punën një copë herë dhe varën kokat të mërzitur. Hasim Gurit nuk i bëri
përshtypje dhe as e prishi terezinë. Priti pa lëvizur prej vendit derisa u
ngrit paneli e vazhdoi të punonte në tornon e vogël revolver dhe të
vërshëllente lehtë nën buzë. Drejtoria e ndërmarrjes i kish dhënë fletën të
merrte frigorifer. Numrat për të blerë frigoriferë i caktonte zyra e kuadrit.
Peçi
frezatori, rënkonte, pështynte dhe nuk i bënin duart për punë. Ndezi dhe shoi
disa cigare radhazi. Pa ditur ç’të bënte dhe ku ta nxirrte inatin shkoi në
tornon e Hasimit. Vendosi bërrylin mbi motor. I nguli sytë e mëdhenj të zinj
dhe qëndroi në copë herë përpara tij si statujë. Thithi cigaren fort dhe nxori
tymin me vrull, duke ia hedhur Hasimit në fytyrë, i cili u ndje bosh, gëlltiti
së bashku me pështymën fërshëllimën. Duart iu mpinë, theu dy thika, dhe lëvizi
kokërdhokët e syve si idiot. Peçi nuk fliste, gjurmonte lëvizjet e tjetrit pa
ja ndarë shikimin.
-Përse më
shikon ashtu,- i bëri i bezdisur Hasimi, - hiqu tutje.
-More
Hasim, mos je i sëmurë,- ia futi kot Peçi. Ngaqë nuk mund ti thoshte, zdërrja
jot motër mori në qafë një të pafajshëm..
-Unë i sëmurë!
Më lër të punoj Peçi dhe mos më çukullit veshët. Nga e kupton ti që jam i
sëmurë?
-Në
fytyrë, tregon shumë i zbehtë. Ja, duart të dridhen, i theve dy thika.
-I theva
se më shikoje, e më hodhe ti tymin e duhanit,- u grind Hasimi.
-More
lëri ato, shiko veten se s’je mirë,- vazhdoi të tijën Peçi:- Sigurimi teknik
nuk e lejon një të sëmurë të punojë në torno. Mund të na bësh ndonjë të pabërë,
të thyesh ndonjë dorë a këmbë. Kush do përkujdeset pastaj për ata gjashtë
kalamaj.
-Më lër
rehat, jam shumë mirë dhe mos mi përmend mua kalamajtë,- foli zë dridhur
Hasimi.
- Si të
duash, vëri veshin merakut të shokut,- i tha Peçi dhe u largua.
Kaq ish
puna. Peçi na tregoi shakanë që bëri me Hasimin. Punës e normës ja bëmë naftën,
vendosëm ta vazhdonin shakanë deri në përfundim të turnit të dytë. Njëri pas
tjetrin i shkonin Hasimit në torno dhe gjoja të preokupuar i thoshin se ishte
shumë i verdhë, me siguri nuk duhej të ndjehej mirë.
-Jam
ezmer, e pak i verdhë prej vetiu, -pëshpëriti Hasimi dhe na vështroi me dyshim,
mos dallonte pas makinerive ndonjë qeshje të fshehur. Ne nuk qeshnim a mund të
qeshej me shëndetin e shokut.
-I verdhë
prej vetiu dhe kur je i zbehtë për arsye se je i sëmurë, nuk janë e njëjta gjë,
- i thamë.
- Ju
besoni që jam vërtet i sëmurë, apo bëni shaka?
-Shaka.
Ç’thua bre Hasim, bëhet me sëmundjen shaka.
-Epo dhe
bëhet, kur nuk je i sëmurë..,- mërmëriti Hasimi.
Fytyrat
tona ishin serioze lidhur me shëndetin e shokut, kolegut.
-Hasim,
more i gjorë, mos e lër shëndetin pas dore, ke një rreth me kalamaj.
Iku njëri
nga ne, shkoi Shpresa gjoks madhe që punonte në kopjatriçe:
-Hasim të
keqen motra, më dukesh i tretur, sa të është këputur syri, në djall të vejë
puna, qetësohu. Ulu mbi këtë pajisje. Prit të fërkoj në shpatullat.
Hasimi u
ul në bisht.
-Nuk dua,
largohu,- pëshpëriti.
-Hë se të
vjen mirë ty kur të fërkoj unë,- ia bëri Shpresa dhe i ngjeshi gjoksin në
shpinë dhe shtoi:- se jemi të dy prej një fare de...
-Jo,jo
nuk dua, ik- ia bëri zëmekur Hasimi dhe mblodh sa një grusht.
-Po të
duash të sjellim një gotë ujë dhe aspirinë,- i tha një tjetër nga ne.
- Hej, sa
bela e madhe është kur sëmuret shoku.
Ai na
vështronte dhe nuk fliste. Aty pari kaloi Rita normistja, flokëthinjur, grua e
vjetër e në moshë. Me të nuk e kishim bërë bisedë e ajo nuk dinte gjë. Hasimi e
thirri Ritën.
-Moj Ritë
si thua, jam vërtet i verdhë?
-Si limua
je,- i tha Rita,- bjeri vetes prapa Hasim, nuk bëhet shaka me shëndetin.
Hasimi e
besoi, thuhej se kohët e fundit ajo e kish të trashur muhabetin me Demiren.
-Ore me
tërë mend e keni. Sikur po ndjej një siklet të rëndë këtu në gjoks,- mërmëriti
Hasimi. E sakaq iu këput vërtet syri. Iku duke u kalamendur drejt banjës dhe i
ra të fikët në pllakat e lagështa e të pista.
Na hyri
frika. Epo, shaka donin të bënin, pas gjithë atij rrëmeti...