Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ramiz Selimi: Papunësia - rrënja e problemeve

| E marte, 07.05.2013, 08:05 PM |


Politika e parimit të tre Majmunëve!

Papunësia është rrënja e të gjitha problemeve

Shkruan Ramiz Selimi

Politika e tanishme i përshtatet shumë politik-bërjes së tre majmunëve, ata vizitojnë vende të ndryshme për të mos shikuar asgjë, janë aq të vëmendshëm në alternativa dhe sugjerime, sa që nuk dëgjojnë asgjë,  e sidomos flasin aq shumë në mediet të ndryshme, për të mos thonë asgjë.

Mohimi më i madh dhe më serioz të papunësuarve po u bëhet pikërisht nga politika. Deklaratat e tilla si ne kemi zhvillim, ne kemi punësim, ne kemi prosperitet, janë grushti më i rënd që u jepet këtyre njerëzve, duke i ikur realitetit të vërtet . Të gjitha statistikat tregojnë shumë qartë se numri i të punësuarve akoma nuk i ka arrit shifrat e viteve 80-ta, kur kësaj i shtohet statistika e dytë se afër 500 mijë qytetarë presin me një këmbë mundësinë e shpërnguljes nga trojet e veta në një vend të zhvilluar dhe kur 10000 persona në vit largohen nga vendlindja për shkak të kushteve të rënda ekonomike,  atëherë kjo gjendje mund të konsiderohet si një gjendje shumë alarmante e që është në kundërshtim me deklaratat politike dhe që kërkon një qasje tjetër ndaj këtij problemi.

Papunësia  në kohën dhe vitet e fundit shumë njerëz po i bënë të ndjeshëm ndaj sloganeve të ndryshme si politike ashtu edhe fetare, duke i futur ata edhe në drejtime të padëshiruara. Është  plotësisht i padiskutueshëm se mungesa  e vendeve të punës është  shqetësimi kryesor i të gjithë qytetarëve të shtetit të ri. Ky shqetësim mund të nxisë dukuri tjera që mund të çrregullojnë komplet funksionimin e shtetit, nëse nuk ndërmerren hapa urgjent për zbutjen e saj. Papunësia është gjithashtu një terren i rrezikshëm për ekstremizmet e llojeve të ndryshme si nacionale ashtu edhe tjerat.

Organizata të ndryshme ekstremiste sidomos ato nga lindja duke shfrytëzuar ketë gjendje, po gjejnë hapësira të mjaftueshme për të zhvilluar aktivitetet e tyre, e që në realitet  këto organizata po i mbjellin problemet për të ardhmen, të cilat do të na sjellin kokë-dhembje dhe probleme të panevojshme.  Këto hapësira po u lejon vetë qeveria, që në një të ardhme të afërt do të jetë e detyruar ti luftojë ato. Aty ku varfëria është e madhe gjasat për demonstrime dhe shprehjen e pa kënaqësisë  janë shumë të vogla, popullata kur është shumë e lodhur financiarisht nuk mund të përballojë daljen në rrugë, por ajo është e detyruar të ju bashkëngjitet grupeve, elementeve tjera ekstremiste  për të mbijetuar.

Padituria është alfa dhe omega e të këqijave!

Pse Ministria e arsimit nuk është e shqetësuar për numrin enorm të madh të studentëve, ku do ti punësojë ata? Pse nuk ka strategji të qartë për studim? Normal në shtetet demokratike secilit student duhet ti garantohet me ligj një vend pune! A e kanë studentët në Kosovë vendin e punës të garantuar, apo ndoshta po prodhojmë të “diplomuar” për ti dërguar në mërgim ? Në ketë pyetje me një siguri të plot mund të themi se nuk është qëllimi i nxjerrjes së një kuadri  të mirë kualifikuar, por largimi i trurit nga rruga që mund të prodhonin trazira, futjen e tyre në studime,  kështu ata zgjatin jetën e tyre politike. Deri me tani kjo strategji ju ka funksionuar mjaft mirë dhe nuk ka arsye për ta ndryshuar. Kemi pasur raste kur kemi dëgjuar politikën të shprehët:”  Më mirë është të kemi shumë të diplomuar dhe në rast nevoje nëse nuk u ofrojmë një vend pune  ata mund të punojnë edhe punë fizike”, këto fjalë janë naive dhe të pavlera, sepse shteti ka sistem, administratë  dhe hierarki që plotësohet me persona nga drejtime të caktuara, teprica sjellë urrejtje dhe pasiguri. Kjo duhet të respektohet dhe të plotësohet me persona adekuat. Ata që përfundojnë studimet duhet të kenë patjetër një vend pune! Të pranojmë student sipas strategjisë zhvillimore dhe asnjë me shumë, tjerët të orientohen në profesione të ndryshme tepër të nevojshme për shoqërinë kosovare.

Kur them parimin e politik-bërjes së tre majmunëve për politikanët tanë, ka të bëjë me paditurinë nepotizmin , korrupsionin dhe neglizhencën e tyre. Padituria është alfa dhe omega e të gjitha të këqijave që kemi, e gjithë situatës që kemi. Është mese normale për njerëzit e paditur që vendin e punës ta shohin si mbijetesë dhe jo si vend shërbim të kolektivit, por kur kështu veprojnë politikanët vaj halli për atë shtet. Një ndalim tek politikanët për të parë, se a jemi në rrugë të drejtë duke shkuar? Se a janë këta njerëz të paditur? Na vendosin në një pozitë tejet dyshuese. Shumica e politik-bërësve në Kosovë janë të padijshëm, një pjesë e tyre janë lakmues dhe përfitimet i kanë në zemër.

Si është e mundur që një politikan i ditur të flet për zhvillim ekonomik, duke pasur personalisht disa vende pune, me një papunësi të lart? Politikani i ditur vendoset në shërbim të kolektivit kurse politikani idiot mbush gjepin e vet! Si është e mundur që ai njëkohësisht të jetë Ministër, Profesor, Menaxher, Jurist etj, duke kryer të gjitha profesionet në nivel? Jo, popull i dashur, ata nuk kanë kualitet në asnjë drejtim, janë shumë të dobët në politik, janë profesor shumë të dobët, janë menaxher të dobët dhe këta janë shkaktarë apo pengues të zhvillimeve pozitive, prandaj jemi në situatën ekonomike që kemi. Kualitetet e tyre janë përfitimet personale në dëm të shumicës duke u marr kafshatën e gojës të varfërve.  Pikërisht personat që mbajnë disa vende pune, më shumë i përngjajnë majmunëve se sa racës njerëzore, duke ditur numrin e të papunësuarve që kemi. Fatkeqësia më e madhe është se pjesa më e madhe edhe e opozitës është e të njëjtit nivel. 

Në futboll e dallojmë diferencën në kualitet, pse në politik Jo? 

Si është e mundur që një zëvendëskryeministri të paguaj afër gjysmë milioni euro në vit për këshilltarët, kur ministria që drejton ai asnjë rezultat pozitiv nuk e ka? Si është e mundur që projekte e tenderë të ndryshëm ju ofrohen atyre njerëzve që nuk e kanë idenë e zhvillimit?  Sa darka, e sa dreka, sa udhëtime të panevojshme ndërmarrin, cili politikan e qanë kokën për hapjen e një vendi të punës, duke heqë dorë vullnetarisht nga “honoraret”.  Përgjigjja! Asnjë!

Lidhjet vendimtare në debatet politike dhe ato publike duhet të përqendrohen për të reduktuar papunësinë, për të sanksionuar me ligj personat me shumë vende pune. Të fillohet menjëherë në uljen e shpenzimeve qeveritare, ligjet e thjeshta tatimore. Të kombinohen urgjentisht pozitat vendet e punës me përgjegjësi me student të lindur, të rritur dhe të shkolluar në perëndim.

Pse në futboll mund e dallojmë diferencën në kualitet? Si do të dukej një Xherdan Shaqiri në formacion të Prishtinës apo Besës së Pejës? Me siguri do ta dëshironin ekipet e përmendura, sikur ti kishin mundësit financiare, por një ditë duhet të ngjitemi në cilësi, për këtë ju duhen personat e mirë kualifikuar.  Nëse politika është e shkruar në letër, kualiteti nuk ka dallim nga futbolli. Ky krahasim duhet vetëm të paramendohet për të arrit  në përfundim se po ashtu kualitativ si Xherdani janë studentët nga perëndimi, them prapë “të lindur të rritur, të shkolluar” atje, në krahasim me politikanët kosovar. Qeveria dhe opozita për të ngrit kualitetin e vet duhet të investojnë dhe të hulumtojnë talentet politik në mërgim sepse ata janë shpëtimi i shtetit të Kosovës. Këta persona janë të paket për momentin, por që kanë një vlerë ari,  angazhimi i tyre do ta ngrit Kosovën në të gjitha nivelet.