Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Poezi nga Bledi Budo

| E marte, 07.05.2013, 06:19 PM |


Bledi Budo

 

 

Në sofrën e 13 Majit

 

Histori që mori rrugën arratisur

rilindi si mit nga mitra e tokës mëmë,

sot kemi mbrritur në kohët moderne

një gjurmë të re pranë dijes, ta lëmë.

 

Tempull i diturisë para një bashkësie

të gjithë me shënime "Ndal" e "Stop"

lidhje që injorancën përditë lufton

rreth një sofre shtruar, mbledhur si sot.

 

U çuat si xixëllonja një natë pranvere

në emër të ndriçimit, alpe përshkoni,

drejt qiellit të pastër, me hënë e yje

ju s'ndaleni, por lart fluturoni.

 

 

Lules së frikësuar

 

Ti moj lule që mbërdhin

në moçale je e zënë,

nuk e di se si ke shkuar

s'e kuptoj kush të ka shpënë.

 

Lule e vetmuar

që lëngon se nuk sheh diell,

nuk e di se kush në faj

shpirtin ty ta ka përzier.

 

Lule e lëndinës

ç'ngjyra që ke brenda

do të çelësh, do rilindësh

sapo të hyjë pranvera.

 

 

Agim

 

Agim,

për të kryer ndarjen

midis errësirës e dritës,

vetëdijes e llampës së shkëlqyer.

Gjithësisë e asgjësisë,

dëshirës e kërkesës.

Së keqes, së mirës.

 

 

Kujdestar i orëve

 

Ndez cigaren e kujtoj,

për të shkuarën e largët,

se si të tashmen, e takon

por që prapë mbetet e mangët.

 

E pyes veten, vallë përse,

ku paskish ngecur akrepi,

ai i gjati, ai i holli,

 

ai i hajrit, pra ku mbeti?