Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elida Buçpapaj: Kolovajza e kohës

| E diele, 05.05.2013, 12:00 PM |


KOLOVAJZA E KOHËS

 

ELIDA BUÇPAPAJ

 

Fytyra prej vitesh

flokët prej pritjesh

duart prej gishtash

gishtat prej prekjesh

prekjet prej djegiesh

djegiet prej zjarri

zjarri prej malli

malli prej kurmi

kurmi prej dehjesh

dehja prej verës

verës së trupit

trupit e shpirtit

 

trupit prej hiri

shpirtit prej filli

fillit të frikës

frikës prej ikjes

ikjes shtegtare

të dritës drejt territ

të territ prej ferri

 

të së djeshmes prej letre

copka-copka grisur

pa dashje e dëshirë

në ekstazë, pa mëshirë

prej kohës diktatore

përpirëse e orëve

e orëve të dritës

në infinitin e zbritjes

e zbritjes dhe ngjitjes

të asgjësë dhe gjithçkasë

që e kemi në duar

dhe na lë pakuptuar….

 

na lë por nuk ikën

e shtangemi prej njohjes

prej njohjes së paditur

që e kemi patur aq ngjitur

se koha shkrumbohet

në krematorin e fikjes

me ardhje, me kthime

me ikje e çikje…

 

MOS MË DIL MË PËRPARA SYSH

mos më dil më përpara sysh
në rrugën time
virtuale
apo
reale
sepse
janë ca faza
kur njeriu
bëhet si sfungjeri i ngopur
dhe nuk e toleron më
pafytyrësinë

dhe pas kësaj
prit furtunë
jo furtunë në gotë
por furtunë
si shuplakë në fytyrë
me 200 kilometra në orë
furtunë që të merr
me vete
si rreckë
ashtu si je
fëlliqësirë

sepse gota
është mbushur
dhe ka kohë që derdhet lumë
e lumi tash është bërë det

mos më dil më përpara sysh
tani prit
vetëm
tolerancë zero
prej pafytyrësisë tënde
verdhacuke
nga overdoza
e ligësisë

tani mos prit
që t'i ngre kështjellë durimit
duke ulëritur me zorrët e barkut
e po lëre, varja
kaloje edhe kësaj here
bëj sikur nuk e vë re
ki mëshirë për mjerimin
shiko sa për të qarë hallin është
bërë shkretia
sa nuk i hyn në sy asgjë
dhe shpirtin e ka të boshatisur
si kuti cironkash
në kazanin e mbetjeve
urbane

mos më dil më përpara sysh
ta them në emrin tim
e në emrin e të shumtëve
që i ke gërdisur
dhe kur u del
përpara
gjëja e parë mbyllin sytë
sa të kesh thyer qafën
gjëja e dytë
mbajnë frymën
që të mos i ndotësh
ajrin
me pisllëkun tënd
fytyrë miu

gjëja e tretë
nuk të durojnë më
s'ka më kurtuazi
hipokrite
mirësjellje
bajate
sensi i masës
është tejkaluar
durimi
është bërë kryengritës

tani prit atë që i ke gatuar vetes
në guzhinën e pisllëkut
të të derdhet mbi ty
e ti gjej vrimë ku të futesh...
vrimë miu
ashtu sa një grimë
që nuk të sheh
dot asnjë shpirt njeriu

shko në fundin e botës
shko në djall
shko në theqafje
në fund të fundit
shko ku të duash
veç mos më dil më përpara sysh