Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Rezart Palluqi: Shkencëtarin e pickojnë bletët

| E diele, 05.05.2013, 12:56 PM |


Shkencëtarin e pickojnë bletët për vdekje!

Nga Rezart Palluqi

Shkencëtari, shpikësi i lojërave të dhunshme elektronike e qorton vajzën e tij të vetme të mos besojë tek dashuria.

-Ajo është e dëmshme. Ajo të lëndon, të verbon. Të mban të lidhur si litari anijen në mol!

Shkencëtari, i theu të gjitha vazot e luleve që kishte vendosur në komodinat dhe tavolinat e shtëpisë. Ai shkoi deri aty, saqë vendosi ta shesë shtëpinë me kopështin plot e për plot me trëndafilë, karafilë e zambakë dhe të shpërngulej në një apartament. Këtë vendim e mori i shtyrë nga dashuria e madhe që vajza e tij shprehte çdo ditë ndaj kopështit. Ajo këpuste lule, i merrte atyre erë gjatë, saqë ndonjëherë petalet e tyre i ngjisnin në vrimën e hundës të bukur të vogël.

Dhe shkencëtari, që ditë e natë mendonte vetëm e vetëm për lojërat e tij elektronike, kryesisht të ngarkuara me beteja lufte, i trembej kopshtit.

“Ky kopësht i mallkuar do ma largojë vajzën, do ma infektojë me virusin natyror. Vajza ime duhet infektuar me virusin elektronik. Dhe kur të ketë ndodhur kjo, ajo duhet të zhvillojë beteja të panumërta. Çdo lojë duhet testuar. Po nuk ndodhi kjo ato nuk shitën. Dhe po nuk u shitën, dëmtohet emri im i madh si shkencëtar. Kjo nuk duhet të ndodhë”- u betua shkencëtari për të satën herë.

Për tia çrrënjosur vajzës virusin natyror-siç e quante ai- ai shpiku një lojë të re elektronike, ku disa ushtarë shtinin me mitralozë mbi një kopësht të madh të mbushur me lule të llojeve të ndryshme. Ushtarët i shkulnin lulet me mllef, i vërtitnin në ajër, dhe kur shihnin bletët të vrundullonin dhe zukatnin të zemëruara mbas luleve, i qëllonin ato me breshëri plumbash. Dhe siç ndodh në filmat elektronikë, bletët e vrara rrëzoheshin të vrara si kokrrat e ullirit kur i tund era.

Në vazhdim ushtarët urinonin mbi petalet e fishkur të luleve.

E gjithë kjo lojë duhet të mbillte një neveri të madhe në zemrën e vajzës. Mllefi i luleve duhej zëvendësuar me dashurinë e lojrave elektronike.

-Si të duket loja? A po argëtohesh ndopak?

Vajza e bukur, gjashtëmbëdhjetëvjeçare, pohonte po, me zemër të vrarë.

Ajo shtinte me mitraloz ndaj ushtrisë kundërshtare. Çdo vrasje e përjetonte me të tërë forcën e trupit. Shkencëtari, tek shihte nofullat e saj të tendosenin fort, kënaqej me gjithë shpirt.

-Më duket se ia arrita. Vajza po ndërton imunitet kundra-natyror- vuri ai në dijeni punëdhësin e tij, i cili e pyeste vazhdimisht rreth rezultatit të lojërave të tij të reja.

Vajza, në të kundërtën, vazhdonte të ëndërronte për ish kopshtin me të dashurin e saj midis trëndafilëve shumëngjyrësh.

Fillimisht ajo u përpoq ta strukë këtë sekret thellë në shpirt.

-Po ta marrë vesh im atë më piu e zeza- i tha ajo në mirbesim të dashurit të saj, të cilin babai e kishte ndaluar rreptësisht ta takojë.

-Vazhdo të ëndërrosh. Lëri bletët të vizitojnë. Përfytyroji ato si pjesë e dashurisë toné- i dha ai kurajë.

Ëndrrat e saj të forta ndërruan botë. Ato u shpërngulën nga bota e gjumit dhe u shfaqën para syve të saj. Ajo pa disa bletë të zukatnin para ekranit të saj dhe një flutur të fluturonte krejt e qetë në prehrin e saj.

Për një gjë , ajo nuk ishte e sigurtë, dhe kjo i kallte tmerrin: A mos janë këto bletët dhe fluturat që ushtarët e mi në lojën elektronike vrasin? Po, po, është shpirti i tyre, dhe duan të hakmerren ndaj meje ose ushtarëve të mi-  këto fjalë i fërfëlliti me zë të përcëlluar nga keqardhja dhe frika për ndëshkim.

Ajo besonte në ringjalljen e shpirtit. Mamaja e saj, adhuruese e madhe e Krishtit i fliste shpesh për botën e përtejme.. Donte t’i kërkonte mamasë ndihmë, por ajo nuk jetonte me të. Ishte ndarë nga babai para dy vitesh. Gjyqi kishte vendosur që me mamanë të jetonin vëllai dhe motra e saj e madhe. Ndërsa, ajo, me vëllanë e vogël jetonin me babanë, shkencëtarin e madh të lojrave elektronike luftarake.

Po sikur të vijë babai e t’i gjej bletët dhe fluturën në dhomën e pritjes?  Rendi të hapë dritaren, me shpresën se ato do largohen.Por kjo nuk dha rezultat. Bletët u nervozuan pak nga lëvizjet e duarve të saj nervoze, të cilat për pak sa nuk i rrokën ato në ajër.

Babai e kontrollonte kohëzgjatjen e lojrave të saj ditore, dhe sot ajo, qysh kur u shfaqën bletët, ndaloi të luante. Prej babait ajo duhej të luante tetë orë në ditë, dhe sot kjo kohë-luajtje nuk do realizohej, aq më tepër që sot, ajo po testonte një lojë të re elektronike.

Vajza mendoi t’i dëbonte ato duke vërtitur në ajër peshqirin e dushit, por bletët u arratisën në qelqet e kuq të llampës së ndricimit. Njëra prej tyre e pickoi në krahun e djathtë. Vajza zuri së qari me të madhe. Papritur ndjeu një urrejtje kafshërore ndaj bletëve. Një forcë burrërore i pushtoi trupin. Rendi drejt sirtarit ku babai i saj ruante një pistoletë. Shpresoi ta gjente aty. Kur dalloi metalin e saj të zi, me grykën me dy vrima, si vrimat e hundës së saj, u qetësua pak.

Babai, ose shkencetari si gjithnjë, hynte me hap balerine në shtëpi. E bënte këtë më shumë për të vrojtuar fshehurazi nëse vajza po luan apo jo. Edhe sot pra, u fut në shtëpi si hije.

Kur pa vajzën ulëriu, pjesërisht i tmerruar nga pistoleta, tashmë e zotëruar nga duart e vajzës, pjesërisht nga bletët të cilat iu sulën drejt fytyrës së tij. Vajzës iu fanit papritur një luzmë bletësh e cila po drejtohej drejt saj duke zukatur frikshëm. Dy javët e kaluara i ishte feksur po kjo luzmë bletësh të hamullonte në dhomën e saj të punës. Por atëherë fanitja zgjati vetëm disa sekonda.

Prandaj dhe nuk e mori seriozisht, dhe ia veshi këtë lajthitje përfytyruese  pagjumësisë së saj.

-Ule pistoletën! Mos u tremb. Është vetëm një grerëz. Do e dëbojmë bashkë. Nuk të bën gjë! Ule pistoletën- e urdhëroi shkencëtari i trembur vajzën.

Por ajo nuk i dëgjoi fjalët e tij, sepse zukatjet e bletëve zëzëlluan më fuqishëm në veshët e saj. Ajo e zbrazi pistoletën drejt luzmës së bletëve. Kishte përshtypjen se pistoleta që mbante ne duar, ishte një ndër dhjetra mitralozët që ajo përdorte në lojërat elektronike, të cilët rrafshonin me tokën dhjetra ushtarë.

Ushtarët e vdekur ajo i njihte vetëm nëpërmjet lojrave elektronikë.

Pikërisht mbas bletëve qëndronte babai i saj, shkencëtar, i cli u plandos përdhe si një shtyllë elektrike kur e godet cikloni oqeanik.

Për babanë e përgjakur në dysheme vajza nuk u terrorizua aspak sepse ai, pra shkencetari, i pati thënë, se ushtarët e plagosur ringjallen. Eshte lojë dhe asgjë më tepër!

Vajza e tmerruar më shumë nga bletët, sesa babai i plagosur përdhe, braktisi apartamentin pa e flakur tutje pistoletën.  E mbante atë të drejtuar në qiell, nga frika se mos e sulmonte përsëri ndonjë hordhi insketesh e zemëruar.

Vetëm kur mbërriti në shtëpinë e të dashurit të saj të ndaluar, të cilin e gjeti në kopështin e tij, të shtrirë përbri trëndafilit të tulatur pak nga dielli përvëlues i drekës, ajo e lëshoi pistoletën e gjakosur përdhe. Atëherë pa se bletët dhe fluturat nuk janë të rrezikshme, sepse ato vërtiteshin plot gaz përreth trupit të dashurit të saj të squllur nga djersa. U shtri pa bërë zhurmë, përbri tij, pa e vënë ujin në zjarr, nëse bletët apo grerëzat do ta pickonin.

Holandë, prill 2013