| E diele, 05.05.2013, 04:59 PM |
ADNAN
MEHMETI POET I PËRJETIMIT TË THELLË ARTISTIK DHE SHPIRTËROR
Nga Dr. Besim Muhadri
Shumica e krijuesve letrarë shqiptarë që jetojnë e
punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, afirmimin e tyre e kanë përjetuar
në atdhe, ndërkaq, në me rastin e mërgimit të tyre në këtë vend pasionin e
artit letrar e kanë vazhduar këtu, duke krijuar vepra të rëndësishme për komunitetin
shqiptar, por edhe për letërsinë shqipe në përgjithësi. Mirëpo, ka krijues, të
cilët, për shkaqe të ndryshme, nuk kishin arritur ta zhvillonin talentin e tyre
letrar në atdhe, qoftë për faktin se u larguan nga atdheu në kohën kur
shpërthimet e tyre në këtë fushë nuk kishin ndodhur ende dhe kjo gjë ndodhi më
vonë, apo për shkak të pamundësive të ndryshme për të ndodhur një gjë e tillë
në atdhe.
Adnan Mehmeti është njëri ndër ata poetë shqiptarë, i
cili afirmimin e tij në fushën e letrave do ta përjetojë në mërgim,
përkatësisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I lindur në Kosovën Lindore,
përkatësisht në Letovicë të komunës së Bujanocit, më 1964 dhe i diplomuar për
letërsi dhe gjuhë shqipe në Universitetin e Prishtinës, Adnan Mehmeti me një dorëshkrim me aforizma dhe një
përmbledhje me poezi me vete niset drejt Evropës perëndimore. Zvicra, Austria,
Gjermania, Franca, Holanda dhe Belgjika, ishin shtetet që i frekuentoi për
gjashtë muaj me radhë. Dhe ashtu siç kishte ëndërruar, ashtu edhe u bë: Gjen
punë në Zvicër, si mësues i gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë.
Takimi dhe martesa me gruan e tij, stomatologen nga
Tirana, Vilmën do të hapë një kaptinë të re në jetën e tij. Pas shumë e shumë
dilemave, të jetonte në Shqipëri apo në Zvicër, përfundimisht vendos për të
dytën, pra për vendin e Alpeve.
Në
Kosovë nuk i ishte lejuar të botonte libër, sepse ishte i ndjekur nga regjimi
serbo-sllav, mirëpo këtë gjë do ta bëjë në Tiranë, ku do të botojë librin e tij
të parë, me titull “Bota e mendimeve”, me një parathënie të shkrimtarit të
njohur Ramiz Kelmendi dhe një recension të pedagogut Shefik Osmani.
Në
vitin 1994, në Ëalenstad të kantonit të
St.Gllaenit i lind i vajza Tea.
Pu mbushur një vit i plotë nga lindja e Teas, ai lë Zvicrën dhe vendoset në
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku, në vitin 1996, në shtetin e Teksasit i
lind djali, Andi, vit ky që shënon edhe botimin e vëllimit të parë me poezi me
një parathënie të kritikut dhe profesorit, tash të ndjerë, Adriatik Kallulli.
Arritja
në Amerikë dhe takimi me njerëz eminentë të fushës së letrave dhe të kulturës,
tek Adnani do të ndikojnë për të mirë dhe do t’i ndryshojnë rrënjësisht
labirintet e jetës e të artit letrar në përgjithësi. Takimi me shkrimtarin dhe
intelektualin e shquar, Gjekë Marinaj, që jeton dhe punon profesor në Dallas,
tek Adnani do të lënë padyshim gjurmë. prandaj, në një rast ai deklaron se: “Sikur
te mos kisha emigruar në Amerikë, do të kisha ngelur një nxënës mesatar në
rrafshin e perceptimit të demokracisë së individit. Pas kaq vitesh si qytetar
legal amerikan, kam mësuar dhe jam bindur se ajo është arma ime më e fuqishme
që e përfitova. Me fjalë të tjera, mësova për të respektuar lirinë dhe
opinionin e tjetrit”, do të shprehej në mes tjerash poeti Adnan Mehmeti. Dhe kjo
i ndihmoi atij që të arrinte suksese në shoqërinë amerikane.
Por Adnani, si tip i zgjuar
dhe shumë i urtë, me një kulturë të lindur, por edhe të zhvilluar, në
respektimin e vlerave të tjetrit, gjeti përkrahje dhe mirëkuptim edhe te
komuniteti shqiptar në Amerikë. Pa dyshim se një përkrahje të madhe gjeti edhe
te krijuesi dhe pedagogu u respektuar nga Shkodra, Gjekë Marinaj, i cili në
vitin 2001 themeloi Shoqatën e parë të shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, e cila
vepron me shumë sukses tash e më shumë së një dekadë, dhe të cilën prej vitit
2009 e udhëheq Adnan Mehmeti.
Adnan Mehmeti, përpos librit
me aforizma “Bota e mendimeve” ka botuar edhe vëllimet me poezi: ”Diellin e kam
futur në xhep”, Tiranë, 2001, “Ikje nga vetmia”, Tiranë, 2004, “Leave dhe donor
open”, Dallas, 2005, “Deti në mes”, Dallas, 2005 si dhe librin publicistik
“Gjekë Marinaj më shumë se poet”, Nju Jork, 2007. në vitin 2011, shtëpia
botuese “ADA” në Tiranë ia botoi vëllimin poetik “Ndajfoljet e vendit”, që
është një libër i sajuar nga krijime poetike të botuara kryesisht nga poezitë e
vëllimeve të botuara më parë. Gjatë kësaj kohe poezia e Adnan Mehmetit është
përkthyer në disa gjuhë, si në anglisht, spanjisht, rumanisht dhe suedisht, ku
edhe është prezantuar në disa antologji poetike. Po ashtu ai është fitues i
disa çmimeve prestigjioze letrare, si çmimi “Pena e artë” marrë nga Shoqata e
Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, pastaj i çmimeve “Pulse” nga The Literatury Magazine of Lamar University-Beaumont,
Teksas dhe i çmimit “Sezai Surroi” në Kosovë, etj.
Ky është në pika të shkurtra profili krijues, por edhe njerëzor i këtij poeti të talentuar, i cili tash e më së dy dekada jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai bashkë bashkëshorten, Vilmën dhe dy fëmijët, Tean dhe Andin jetojnë në Stamford, një qytet shumë i bukur dhe mjaft i qetë i shtetit Connecctticut, në kufi me shtetin dhe qytetin e Nju Jorkut.
Poezi e përjetimit të thellë artistik dhe shpirtëror
Tea,
Andi-
Ju që më lini zgjuar;
Vilma,
Ti që më dhuron dashuri!
Jo rastësisht po i citoi këto
vargje të poetit Adnan Mehmeti dedikuar familjes, dy fëmijëve dhe gruas që
hapin librin gjithëpërfshirës poetik Ndajfoljet
e vendit. Këto vargje shquajnë profilin e krijuesit të përkushtuar ndaj
familjes dhe artit. Njeriu lind për të jetuar e për të jetuar duhet përkushtim,
duhet mund, por edhe dashuri për jetën, punën, familjen, shokët, rrethin,
atdheun. Të gjitha këto virtyte brumosin karakterin njerëzor e krijues të Adnan
Mehmetit, si një njeri shumë i përkushtuar në jetë, në punë dhe në familje.
Fëmijët janë ata që atë e lënë të zgjuar, ndërsa gruaja, ajo që i jep dashuri,
sepse nga dashuria për të, ai ka në jetë dy krijesat më të dashura të qenies së
tij. Po përse e lënë të zgjuar? Kjo gjendje e të qenit zgjuar përherë, kjo
gjendje e mosfjetjes është gjendje
reale e një prindi real të përkushtuar e të shqetësuar për të ardhmen e
fëmijëve që jetojnë e rriten larg atdheut. Në këto rrethana kohore e jetësore
poetit i duhet përkushtim, i duhet angazhim dhe natyrisht edhe shqetësime të
përhershme ndaj zhvillimit të tyre jetësor e profesional. Vargjet e cituara më
lart karakterizojnë dhe portretizojnë profilin njerëzor të poetit, që më pas
përbën edhe profilin krijues të tij. Ato të japin mesazhin e plotë të
poetit-prind dhe bashkëshort i mirë dhe të bëjnë të njohësh më mirë shpirtin e
poetit të mbushur energji dashurie për fëmijët dhe gruan që më pas futet thellë
labirinteve të dashurisë për atdheun dhe njeriun e truallit të tij.
Duke parë këtë gjendje
jetësore e krijuese jo rastësisht se në krijimet poetike të Adnan Mehmetit më
së shpeshti hasim tri tema, që në një farë mënyrë përbëjnë edhe boshtin krijues
të tërë poezisë së tij siç janë: Dashuria- vendlindja dhe ëndrra e kthimit në
vendlindje. Ky trinom tematik i poezisë së Adnan Mehmetit është i natyrshëm për
një poet të mërguar e të larguar nga atdheu, që shtegton rrugëve të botës, duke
kërkuar dhe krijuar identitetin e ri, jo njerëzor e kombëtar, por shoqëror, në
një botë të madhe, të mbushur liri, por edhe anakronizma nga më të ndryshmit,
brenda të cilëve fshihet bota e panjohur në të cilën shumë shpejt mund të
zhytesh e të mos dalësh më kurrë. Poeti në këtë botë të re, të cilën e hulumton
e gërmon vazhdimisht për ta njohur,
jeton çdo ditë i mbërthyer nga malli i pashuar dhe dashuria për vendlindjen,
njerëzit e tij të dashur që jetojnë në atdhe, por dhe nga ëndrra e përhershme e
kthimit në atdhe, e cila i troket në mendime dhe e bën që të vuajë
shpirtërisht. Por është edhe dashuria për familjen, fëmijët, gruan dhe njerëzit
e tjerë të tij të dashur, e cila e mban gjallë dhe e mbush optimizëm jetësor
dhe krijues.
Është radha ime
Të nisem.
Pas meje,
Radha e gruas sime
Të niset.
Pas nesh-
Radha e fëmijëve tanë
Të nisen.
Por, nga ne,
Asnjëri nuk niset.
Kjo poezi është shkruar në
Çikago më 29 korrik të vitit 2002. Do të thotë shumë vite më parë. Fjala nisje, pas së cilës fjalë (të lakuar)
poeti vë pikë, e cila tregon një vendim të parealizuar, është një akt i
fillimit të përfundimit, që gjithashtu ka cakun e vet të arritjes. Në këtë rast
poeti aludon në nisjen për kthim në Atdhe, që edhe pse jeton në mendjen e të
gjithëve, nuk ndodh. Nuk ndodh sepse, para të gjithëve, përveç ëndrrës dilemë të kthimit, bashkëjeton edhe diçka
tjetër: Dilema ku të shkojmë. Kjo
poezi përmbyll ciklin poetik Me kuajt e erës
përtej detit.
Ndërkaq vargjet e poezisë Çamëri, toka ime, të zgjojnë asociacionin e një tragjedie të dhimbshme, siç është në këtë rast Çamëria e zbrazur nga njerëzit e saj dhunshëm të detyruar ana e regjimit grek. Poeti atë e quan me epitetet më të dashura dhe më të dhimbshme njëkohësisht si: “Toka ime”, “Ndërgjegjja ime e vrarë” dhe “Shpirt pa qiell dhe varr”. Këto emërtime, përkatësisht figura dhe metafora poetike flasin po ashtu për një realitet të dhimbshëm, të cilin poeti Adnan Mehmeti, në mënyrë poetike i di si ta ndërtojë dhe ta përçojë si porosi tek lexuesit.
Vendlindja dhe ëndrra e kthimit
Tema e vendlindjes në
letërsinë shqipe është e hershme. Ajo ka simbolizuar edhe atdheun, që për një
numër poetësh ka zgjuar asociacionin e mallit për të, për kujtimet e fëmijërisë
dhe dashurisë së parë. Mallin për nënën, për shokët dhe për vitet e ikura, në
një kohë kur jetonin pa brenga. Asaj ata iu kanë qasur në forma të ndryshme më
vonë, duke e shikuar dhe paraqitur në mënyra të ndryshme, nga prizma dhe
këndvështrime të ndryshme kohore dhe hapësinore. Ndonjëri nga poetët temës së
vendlindjes iu qas që në hapat e parë të krijimtarisë së tij, ndonjëri më vonë,
pasi që për të filloi ta zhuriste malli. Poetë të shumtë për vendlindjen
shkruan pasi që rrugët e jetës i detyruan të ishin larg saj. I tillë është edhe
Adnan Mehmeti. I ndodhur larg atdheut dhe vendlindjes së tij, ai filloi të
ndiente mall, ashtu sikurse që një gjë të tillë do ta ndjente për nënën,
shokët, dhe për gjithçka që frymon erë vendlindjeje. Poezitë e Adnan Mehmetit,
të kësaj tematike, janë poezi të mbushura emocione të përziera: dashuri e mall
për rrugët, për fshatin, për shkollën ku mësoi shkronjat e para të alfabetit,
dhe për gjithçka që i thonë vendlindje. Këtë mund ta hasim te poezitë e shkruara
larg atdheut, por edhe me rastin e vizitës së tij vendlindjes. Të tilla janë
poezitë Meditim për Moravën, Me kuajt e erës përtej detit, Zgjedhja e vendlindjes etj., të cilat
ndonëse nuk i kushtohen drejtpërdrejtë vendlindjes, megjithatë kanë të bëjnë me
vendlindjen, me atdheun dhe historinë e tij. Ndërkaq, poezitë që ndërlidhen
drejtpërdrejtë me temën e vendlindjes janë ato të ciklit Vend i perëndive, të botuara në librin Ndajfoljet e vendit si poezitë: Skënderbeu
në Bujanoc, Rikthehem në histori,
Në udhëkryqet e historisë, Shtëpitë në Letovicë, Gardhet e
prishura, Eci me hapa të
shpejtë, por edhe poezi të tjera jashtë këtij cikli, si: Klasa ime e parë, Lëvizje etj.
Poezia si kërkim i rrënjëve të lashtësisë
Në ndërdijen e poetit
vendlindja dhe atdheu janë futur thellë dhe janë të pandashme. Vendlindja
përben atdheun dhe atdheu vendlindjen. Edhe kur shkruan për nënën, për gjyshin,
babanë, motrat dhe të dashurit e tjerë të tij, ai kujton vendlindjen, sepse që
të gjithë janë pjesë e saj. Pjesë e kujtimeve, përjetimeve dhe e dashurisë së
përbashkët për tokën, arat, livadhet, rrugët, shtëpitë e fshatit, ëndrrat dhe
për historinë që i zgjon krenarinë. Madje, poeti, duke i kënduar Moravës, lumi
që pafundësisht përshkon vendlindjen e tij, nuk nguron ta quajë atë dëshmitari i fundit i gjallë, që ruan
dhe i rrëfen historinë dhe kujtimet e të kaluarës, legjendën e martesës së
mbretit Agron, kalimin e Skënderbeut nëpër të pas betejës së Nishit dhe ardhjes
së tij në Shqipëri në nëntorin e vitit 1443, luftërat e trimëritë e Idriz
Seferit etj.
Për poetin vendlindja ka
kuptimin e ruajtjes së përhershme të identitetit kombëtar dhe familjar. Ai kur
u këndon arbëreshëve të shpërngulur gjashtëqind vjet më parë nga trungu i
atdheut, ua përkujton që dashurinë dhe kujtimin për atdheun ta dërgojnë dhe ta
murosin në atdhe, në mënyrë që ajo të ruhet e virgjër:
Merreni dashurinë
Çojeni përtej detit
Për ta murosur në vendlindje
Nuk do të vonohet shumë për trupin tim.
Te Skënderbeu në Bujanoc, aty ku fillon kujtesa e historisë dhe ku u
bashkuan shpatat e mburojës së Arbërisë, poeti i kthehet historisë së dëgjuar
në formë legjende. Mirëpo kjo i kujton atij krenarinë dhe lavdinë e dikurshme,
në qytetin që mbetet si kujtesë historike dhe kombëtare dhe ku ekziston bujaria
e banorëve të tij të cilët asnjëherë nuk flasin gjuhën e ikjes.
Poezia e Adnan Mehmetit e kësaj tematike, është poezi e kërkimit të rrënjëve të lashta të emrit dhe e ruajtjes së identitetit kombëtar. Ajo të kujton një poet të mbushur frymëzim e mall atdheu. Poezinë e kësaj tematikë, ashtu sikurse edhe pjesën dërrmuese të poezive të tjera Adnan Mehmeti e shkruan nga distanca dhe i pushtuar nga malli dhe mërzia, mirëpo një pjesë të tyre e shkruan edhe nga afër, për çka tregojnë edhe datat dhe vendi i shkrimit të tyre i evidentuar në fund të çdo krijimi. Kjo të kujton situatat emocionale të poetit.
Ëndrra e kthimit dhe ndërlidhja me ëndrrën arbëreshe
Se ëndrra e kthimit në atdhe nuk është një ëndërr e re, por qindravjeçare, një ëndërr e përjetshme, e shkruar edhe para Adnan Mehmetit, por që do të shkruhet e do të trajtohet sa herë që njeriu do të jetojë larg atdheut, vendit ku është lindur e rritur. Largimi nga atdheu dhe të jetuarit larg tij, larg njerëzve të tij, larg kujtimeve të fëmijërisë e rinisë e mundon dhe e stërmundon poetin. Kjo i zgjon ndjenjën e të shkruarit poezi me këtë tematikë e madje të asociojë edhe me subjekte të tjera, siç janë arbëreshët, e larguar qindra vjet nga atdheu i tyre, por tek të cilët jetoi përherë ëndrra e kthimit në atdhe. Se është kështu, këtë e tregon më së miri poezia Ylli Afërditë dhe arbëreshët. Poeti e shkruan këtë poezi në Durrës, në korrik të vitit 2004. Qëndrimi në plazhin e bukur të Durrësit dhe shikimi në detin e paanë të Adriatikut ia kujton Arbëreshët dhe ëndrra e pashuar e kthimit. Poeti, i ndodhur para kësaj situate shpirtërore dhe duke njohur mirë këtë ëndërr, shkruan këtë poezi, që është një ndër poezitë e tij më të mira të kësaj natyre. Imagjinata poetike e poetit përmes Yllit Afërditë, si një yll përkujtues dhe orientues, tash e gjashtëqind vjet kalon detin dhe zbret në pëllëmbët e duarve të arbëreshëve dhe pas çdo largimi ua shkel syrin atyre me premtimin se prapë do të vij, sheh simbolikën e ëndrrës së parealizuar të kthimit në atdhe të arbëreshëve, e cila tek ta mbeti si një ëndërr e përhershme. Por, përmes kësaj ai jep edhe simbolikën e një ëndrre e cila e mbajti të zgjuar përherë ndjenjën atdhetare dhe atë të ruajtjes së identitetit kombëtar. Kjo asocion edhe me ndjenjën e poetit të mërguar larg atdheut që bashkë me anëtarët e tjerë të familjes projektojnë çdo ditë ëndrrën e kthimit në atdhe. Të kësaj natyre janë edhe poezitë Deti dhe poeti, kushtuar poetit Zef Serembe, pastaj poezia Çamëri, toka ime dhe Në largimin nga aeroporti i Prishtinës. Te poezia Deti dhe poeti, autori gjen ngjashmëri në mes vetes dhe poetit të Rilindjes. Që të dy në kërkim të një dashurie: Atdheun.
Poezi e ndriçimit të enigmave shpirtërore
Poezia e Adnan Mehmetit, është
një poezi mirë e konceptuar dhe me një mesazh të qartë. Një poezi me një gjuhë
të zgjedhur dhe shprehje koncize, ku
poeti me pak vargje, arrin të thotë shumë. Kjo poezisë së tij ia shton vlerat,
duke e bërë atë një poezi të meditimit dhe të frymëzimit, por edhe të
konceptimit dhe të përçimit të mesazhit artistik në kohë të caktuar dhe tek
subjekti i caktuar. Duke qenë një poet që jeton larg atdheut, por edhe një poet
me talent, të cilin ka arritur ta zhvillojë në vazhdimësi, Adnan Mehmeti është
shumë i kujdesshëm që para lexuesit të servojë një poezi të brumosur nga një figuracion
i pasur stilistik me një mbizotërim të dukshëm të metaforës, krahasimit,
epitetit etj.
I vetëdijshëm për misionin e
poezisë, por duke pasur gjithnjë parasysh rrjedhat historike nëpër të cilat ka
kaluar dhe po kalon populli i tij në fokus të krijimtarisë së vet poetike ai vë
kaluarën, që e shikon nga perspektiva e të sotmes dhe e të ardhmes. Këtë e
forcon përmes krijimeve të shumta, të cilat për temë kanë të kaluarën e
lavdishme por edhe përmes kushtimeve që ai ua bën figurave të shquara të
historisë sonë kombëtare, duke filluar që nga lashtësia ilire e deri te lufta e
fundit e UÇPMB-së. Të kësaj natyre, janë poezitë: Mbretëresha para vdekjes, Anijet
ilire, Betimi i ushtarëve ilirë, Besnikëria apo froni, Premtimi i Skënderbeut, Lutje, Dy trimat, Fanari kombëtar,
Udhë e mbarë Konstandin, Me Nolin në Boston, Malli që djeg, kushtuar dëshmorit të kombit i rënë në luftën e
Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Ridvan Qazimit, shok
klase i poetit.
Duke qenë një poezi e një
niveli të kënaqshëm artistik, ajo në vazhdimësi është imponuar si e tillë,
qoftë tek lexuesit, qoftë edhe tek kritika letrar. Siç kemi vërejtur, poezia e
Adnan Mehmetit, që nga botimi i vëllimit të parë, ka përjetuar vlerësime
pozitive. I pari ndër ata që shkruan për poezinë e Adnan Mehmetit është kritiku
dhe njohësi i mirë i poezisë, Adriatik Kallulli, i cili tek poezia e Adnan
Mehmetit sheh talentin por edhe zhvillimin gradual dhe të sigurt. Mirëpo
kritiku tek poezia e Adnan Mehmetit sheh edhe premisa të tjera, elemente që ia
shtojnë vlerat e saj dhe e bëjnë atë një poezi të një niveli të qëndrueshëm
poetik. Po ashtu gjatë botimeve të mëvonshme pasuan edhe vlerësimet e tjera, që
flasin për një poet me premisa të dukshme poetike dhe artistike.
“Metonimia e numrave dhe simbolika
e tyre në poezinë e Adnan Mehmetit nuk është vetëm një arsye grafike e
perceptuar si e tillë, por metafizika dhe filozofia e këtyre figurave është një
ndërtesë që nuk perceptohet jashtë konvertimit, por brenda sigurimit të plotë
të fjalës”, vlerëson kritiku dhe studiuesi, Fatmir Terziu
Ndërkaq, krijuesi dhe
përkthyesi nga Rumania, Baki Ymeri Adnan Mehmetin do ta vlerësojë si një poet
që “dëshmon një fantazi inteligjente, duke zgjedhur kategori të qarta në fushën
e shpirtit” dhe si një poet të shkëlqyer, “vargu i të cilit ka peshë, forcë,
ide, maturi dhe një shprehje të brishtë e të fuqishme, në të njëjtën kohë”.
Ndërkaq, poezia e Adnan
Mehmetit do të çmohet dhe do të vlerësohet edhe nga kolegët e tij poetë, të
cilët jetojnë dhe veprojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si Pal Ndrecaj,
Gjeto Turmalaj, Iliriana Sulkuqi, Ramiz Gjini etj.
“Ajo që mbetet në mendje në
formë mbrese e kujtimi më të gjatë, apo si një cytës integrues për meditim pas
leximit të poezisë së Adnan Mehmetit, do të shkruajë Pal Ndrecaj, është niveli
i shkëlqyeshëm i reagimit emocional, të cilin reagim lexuesi e përjeton në disa
forma: Si vetëdije për elementet qenësore të domosdoshme për funksionimin e një
sistemi vlerash në kushtet dhe rrethanat e tendencave të dehumanizimit të jetës
dhe si rezistim përballë këtyre tendencave, i cili mundohet që lexuesit t’i
ofrojë edhe alternativën tjetër”.
Poeti Gjeto Turmalaj poezinë e
Adnan Mehmetit e cilëson si një metaforë të gjallë e të shkruar nga dora e një
talenti të vendosur, ndërsa vargun poetik të këtij poeti e sheh si një varg të shkruar më mjaft finesë dhe sharm
poetik.
Ndërkaq,
poetja Iliriana Sulkuqi, sintagmën poetike Ndajfoljet
e vendit e cilëson si një monolog që lëviz brenda instinktit shpirtëror të
autorit, duke e kuptuar njëherësh edhe si dialog në lidhje me personazhin
frymor, të cilit i kushton poezinë. “Me “Ndajfoljet e vendit”, thotë Sulkuqi,
autori ka marrë përsipër të tregojë lëvizjet e tij në kohë e hapësirë, duke
pasur si numërues vendndodhjen dhe si emërues dashurinë. Kjo metaforë poetike e
Adanan Mehmetit nuk është vetëm hapësirë historike dhe gjeografike, por është
ndërkohë edhe hapësirë e pakufi përkushtimi për secilin që poeti ka takuar në
udhët e jetës së tij, si një maratonomak i tipit të tij”..
Shkrimtari
dhe miku i poetit, Ramiz Gjini e cilëson atë si një poet të formuar dhe një
vëzhgues mjaft i hollë i realitetit, i cili ka një frikë, që konsiston në
përpjekjet e tij të vazhdueshme për të gërmuar brenda shpirtit njerëzor, për të
ndriçuar thellë atyre skutave të fshehta ku struken e fshihen enigmat e kësaj
bote.
I tillë është Adnani: Poet dhe gërmues brenda shpirtit njerëzor, gjithmonë në përpjekje të ndriçimit të enigmave shpirtërore që janë futur thellë labirinteve të jetës e të historisë...