| E diele, 05.05.2013, 12:28 PM |
Kostandini
i Madh nuk ishte serb por paraardhës i shqiptarëve nga Dardania
Skenari
është shkruar sipas romanit “Udhëkryqi i Konstandinit” të autorit serb Dejan
Stojkoviq dhe për këtë
Nga Ndue Dedaj
Sjellje e vakët me historinë e hershme…
Të
shtunën në Tiranë mbahet një konferencë shkencore disi e veçantë mbi historinë.
Ajo i kushtohet një personaliteti të rrallë historik për nga përmasat dhe
rëndësia, siç është Kostandini i Madh, prej viseve iliro-shqiptare të
Dardanisë. Një konferencë për këtë gjeni të njerëzimit mund të mbahet në Romë,
Stamboll, Londër dhe në çdo vend tjetër të ish-perandorisë romake, por ndoshta
pikë së pari ligjerata kushtuar tij iu përket të “parëve” të dheut amë,
shqiptarëve. Konstandini i Madh ishte lindur në Naissus (Nishi i sotëm në
Serbi). Ai ishte themelues i Konstandinopojës, si dhe i Ediktit të Milanos të
vitit 313, kohë kur ky perandor kishte legalizuar Kishën e krishterë në botë.
Ai ngriti pallatin e Shën Pjetrit në Romë, që më vonë do të bëhej selia papnore,
ndaloi dënimin me vdekje në kryq, luftën e gladiatorëve, vendosi të drejtën e
trashëgimisë, nxori dekretin për ndihmë dhe mbrojtje të jetimëve, të varfërve,
vejushave etj. Reformoi rrënjësisht botën në aspektin e besimit dhe luftimit të
dobësive të saj të deriatëhershme. Në vitin 325 perandori legjendar zhvilloi
koncilin e parë ekumenik të Nikeas, ku u formulua doktrina kryesore e fesë, ajo
e Trinisë së Shenjtë. Pushtetin perandorak e ushtroi në një hapësirë të pamatë,
në Britaninë e Madhe, Gali e gjithandej Evropës, duke sunduar për 31 vjet
perandorinë më të madhe të botës, që lidhi perandorinë e Lindjes me atë të
Perëndimit. Konstandini i Madh hodhi themelet e kulturës dhe të qytetërimit
evropian. Mjafon dhe kjo përmbledhje e shkurtër hartuar nga historianët për të
kuptuar lexuesi i thjeshtë madhështinë e kësaj figure dhe atë se pse ai meriton
të jetë “yni”.
Themi
kështu jo për të përfituar nga historia e për t’u mburrur me kreshtat e saj më
të larta, porse fqinjët tanë as në kohë moderne nuk heqin dorë nga përpjekjet
për përvetësimin e disa prej figurave më të shquara të rruzullit që fati ka
dashur të jenë prej dheut tonë. Mjafton të kujtojmë qoftë dhe vetëm sjelljen e
maqedonasve pak vite më parë me Nënë Terezën (Gonxhe Bojaxhiun), që është kaq e
vonë e që letrat e saj të lindjes e pagëzimit i gjejmë dhe sot në kishën
katolike të Prizrenit. Historiani i njohur, Dr. Dom Nikë Ukgjini, jo pa
shqetësim, shkruan: “Të habit propaganda serbe, se kinse Konstandini i Madh
paska qenë serb duke harruar faktin se në kohën e tij dhe të Justinianit të
Madh në Gadishullin Ilirik nuk kishte fare sllavë. Megjithatë, me porosi të
Serbisë, Hollivudi, kohë më parë, ka realizuar një film për Konstandinin e
Madh, ku këtë perandor e trajton si serb. Skenari është shkruar sipas romanit
“Udhëkryqi i Konstandinit” të autorit serb Dejan Stojkoviq dhe për këtë
Kështu do
të na përmbyseshin dhe plot maja të tjera të historisë sonë, ama De Rada u lind
në Itali po nuk ishte italian, Papa Klement Albani u lind në Itali po ishte
arbër dhe mbante zyrtarisht mbiemrin “Albani”. Mid’hat Frashëri u lind në
Stamboll, por ai është ndër të mëdhenjtë e shqiptarëve. Vendlindja e Faik
Konicës sot ndodhet në Greqi, por kush mund ta bëjë grek këtë personalitet të
madh shqiptar?” vijon me argumentet e tij historiani Ukgjini. Polemika e tij,
më tepër se me serbët, që duan ta “birësojnë” Kostandinin e Madh pas afro dy
mijë vjetësh, duket se ka të bëjë me institucionet tona akademike e
universitare të Historisë në Tiranë e Prishtinë, që këtyre punëve t’iu
paraprijnë, jo duke paguar “qimet e kohës” Hollividit për ndonjë film, por me
studime themelore për kolosët e përbotshëm me origjinë ilire, nga trojet
shqiptare; perandorë, papë apo shenjtërorë, si Konstandini i Madh, Justiniani i
Madh, Shën Jeronimi, Shën Niketa, Papa Klementi XI etj. Por dhe për figura të
tjera të shquara mesjetare si Pal Engjëlli, Gjon Gazulli, Gjon Nikollë Kazazi,
Jul Variboba etj. Ashtu siç me kohë mund të ishin mbajtur simpoziume shkencore
akademike mbi Shtetin e Arbërit, Kuvendin e Arbërit etj., dhe e “nxehtë” me
historinë politike
Për të
gjithë ne historia e së kaluarës së largët është e ndritshme nga fleta e parë
tek e fundit, kurse e tashmja në sytë e bashkëkohësve është gri nga mëngjesi në
darkë.
Të gjitha
krahasimet zënë fill nga Heroi ynë Kombëtar. Për Enver Hoxhën qe thënë “burri
më i madh i historisë pas Skënderbeut”. Vetëm pak kohë më parë Ahmet Zogu është
qasur me Skënderbeun, gjë që e lakmonte dhe ai vetë në kohën e mbretërimit të
tij. Por t’i lëmë paraardhësit tanë shkëlqimtarë në kohën dhe veten e tyre, pa
i përdorur e keqpërdorur. Figurat e tyre prej europianësh nuk mund t’i
ndihmojnë ca të sotëm të politikës për t’u dukur si ata, burrat në zë të historisë.
Të bën përshtypje se ndajmë të njëjtin vlerësim për Sami Frashërin, Pashko
Vasën e Sulejman Vokshin, por jo dhe për Fan Nolin, Anton Arapin etj., thjesht
se këta u përzien me politikën e kohës. Me historinë e shekullit XX ka sjellje
e qëndrime të kundërta politike. E majta duket se ka më për zemër figurat
revolucionare, të dala prej “internacionale do të jetë bota e re”, kurse e
djathta figurat që janë të lidhura me traditën shqiptare konservatore. Disa të
ideologjizuar të së majtës nuk e qasin Ernest Koliqin, përpos se si shkrimtar
modern të talentuar, me mendimin se ai iu shërbeu fashistëve. As që dëshiron
kjo kategori ta vërë në spikamë faktin se Koliqi kreu një nga aktet më të mëdha
kombëtare, shtrirjen e arsimit për herë të parë në Shqipëri e Kosovë, duke
dërguar atje 200 mësues të njohur. Po në cilësinë e ministrit të Arsimit ai
pati bërë shumë punë albanologjike pioniere, si vazhdimin e botimit të korpusit
“Visaret e Kombit” etj.
Ky
personalitet i fuqishëm i letrave do t’iu linte trashëgimi shqiptarëve dhe një
tjetër edicion botues, nga emigracioni politik ku gjendej në Itali, revistën e
mirënjohur “Shejzat.” Ashtu si e djathta, që nuk ka ndonjë disponim ndaj
figurash të së majtës liberale demokratike, si Sejfulla Malëshova, që i bën
nder kulturës shqiptare, paçka bindjeve politike që kishte, çka nuk e shpëtoi
as nga persekutimi prej vetë së majtës, asaj radikale. Nganjëherë nuk është
lehtë të gjendet akordi mes studiuesve të bindjeve të ndryshme politike për
figura që vërtet nuk mund të anashkalohen, si Lef Nosi etj. Këndvështrimi
ideologjik vazhdon dhe për figurat më të vona të kulturës që i qenë “dorëzuar”
politikës. Dëgjon ndonjë mendimtar të sotëm të botës akademike të lakojë
oreçast Rilindjen, si një devizë për të sotmen, dhe nuk thotë një fjalë për tre
liderët e kohës së re, Ibrahim Rugova, Ukshin Hoti etj. me peshë në jetën
politike të Kosovës e trojeve shqiptare, ku pa droje mund të thuhet se ishin
ata që ua sollën rilindjen shqiptarëve atje. Paragjykimet e historisë, prej
politikës, nuk kanë të sosur. Rrallë figurë me rëndësi ka mbetur pa u
“shkundur”. Veçse sa më shumë që ky popull dhe brezat e rinj t’i ikin
kontekstit ideologjik në qasjen ndaj historisë, aq më fort do të marrin
shkëlqim ngjarjet dhe veprat kombëtare, figurat historike, pavarësisht
rrethanave kur vepruan e kaheve politike që patën.
(Zgjodhi
nga Bota sot për Zemrën Shqiptare: Baki Ymeri. Titulli në origjinal, Kostandini
i madh këto ditë në Tiranë)