Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Tahir Bezhani - ''Vite tronditëse''

| E shtune, 04.05.2013, 03:55 PM |


R e c e n s i o n

PROZA TREGIMTARE SI TRONDITJE DHE DËSHMI KOHE...

(Tahir Bezhani:“Vite tronditëse”-tregime, botoi Klubi i Shkrimtarëve “Gjon Nikollë Kazazi”-Gjakovë, 2013)

Nga Sejdi BERISHA

Ky libër që do të promovohet me  10 maj 2013 në kuadër të Mitingut të 49-të të Poezisë në Gjakovë, i cili, tanimë një gjysmë shekulli u rrit dhe u bë simbol i vlerave shpirtërore, kulturore dhe i letrave jo vetëm përbrenda kombit dhe atdheut, është një prozë karakteristike dhe e thurur thjeshtë e me mesazh të veçantë.

Pra, edhe me librin me tregime, “Vite tronditëse”, Tahir Bezhani, lirisht mund të themi se ka dëshmuar se është njëri prej krijuesve më karakteristik të Gjakovës, duke na bindur se shkrimi dhe ndijimi letrar nuk njeh profesion, por as kufij të mendjes, sepse, shpirti dhe mendja e detyrojnë njeriun, e njeriun, vargu e shkrimi, për t’i dhënë dritë rrugëtimit jetësor, e kështu edhe periudhave historike të kombit dhe të atdheut.

Kur krijuesi është edhe dëshmitar i vuajtjeve dhe i ndrydhjeve shpirtërore të njeriut

Ky letrar, edhe pse në detyrë tjetër, mbase specifike krahasuar me prozën, vargun dhe poezinë, ai, si me dhënie bese e premtimi, iu përkushtua krijimtarisë letrare dhe vargut poetik, të cilat, bashkë janë më specifike. Sepse, Bezhani, gjatë punës, ka parë por edhe ka qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i ndrydhjes dhe i vuajtjeve të njeriut të kësaj toke, dëshmitar i maltretimeve dhe i shtypjeve nga më të ndryshmet dhe më çnjerëzoret. Për këtë, edhe krijimtaria e tij sikur i ngjanë rrugëtimit të trenit nëpër binarët e dhembjes, të vuajtjeve dhe të derdhjeve historike, të cilat, jo rrallë i ka bartë rrapëllima e kompozicioneve të vagonëve të ngarkuar e stërngarkuar me kallëzime e rrëfime që gjithnjë djegin e përcëllojnë.

Por, ky rrugëtim, gjithsesi është edhe krenar, sepse, ka lënë gjurmë, me të cilën e ka provokuar gjakun e njeriut të këtij vendi, e ka mbërthyer atë dhe mendjen e tij nëpër kujtesa e nëpër fletë të pashkruara historie, që sot, gradualisht po u hedhin dritë krijuesit në të gjitha fushat kulturore, shkencore dhe historike.

Pra, pasqyra më e mirë e tërë kësaj, është edhe libri më i ri me tregime i Tahir Bezhanit, “Vite tronditëse”, i cili, katërcepërisht reflekton pikërisht tronditjet e popullit gjatë shumë muajve, viteve dhe decenieve. Ky libër, më duhet të them se është më i veçantë, dhe si i tillë, edhe dhembjen e ndijimin e bën më me peshë, ngase, autori e ka pasur fatin të jetë dëshmitar i këtyre krajatave dhe i padrejtësive, mbase edhe i vuajtjeve dhe i torturave nëpër burgje. Dhe tjetra. Sepse, që në vegjëli, kufiri i dhunës i vënë në tokën e shqipeve, një pjesë të familjes së tij e la në anën e Kosovës, kurse pjesën tjetër, matanë kufirit, në tokën e ndaluar.

Dhe, kështu u rrit autori i këtij libri, me etjen për nënën dhe me mungesën e shijen e dashurisë së saj, me etjen dhe mallin për më të dashurit e vetë. Andaj, Tahir Bezhani, tërë historikun e ecjeve dhe të vuajtjeve personale, e derdhë dhe e shkrinë në vargje dhe në rrëfime tregimtare, por edhe i përjetëson të gjitha ato llahtari, të gjitha ato ëndrra e kujtime, të cilat, edhe pse kufiri i hekurt ndalonte çdo gjë, njerëzit i shndërronin në pamundësi, dhe hapnin rrugë të papara, shtigjet i shndërronin në rrugë takimesh dhe arritjesh, ndërsa, shkëmbinjtë dhe thepat që pushtonin lartësitë, merrnin nën mbrojtje njeriun e etur për gjakun e vetë, për të shpërthyer kufirin e për t’u shmallë disa orë apo net me më të dashurit. Kjo dëshirë e pathyer, e pa rrënuar dhe këmbëngulëse, sikur dëshmonte edhe për një vi çyçare të armikut, që, edhe atëherë kur ka ekzistuar, nuk ekzistonte.

“Kufiri i mallkuar”, i cili gjithnjë i ngjante rrëfimit dhe shikimit të pa arritshëm kah atdheu...!

Këtë e thash, sepse, temën e tillë pothuaj se, edhe pse në mënyra të ndryshme, e hasim në dhjetë tregimet e përjetësuar në librin “Vite tronditëse” të këtij autori.

Edhe pse, nëse e shprushim veprën dhe jetën e Tahir Bezhanit, libri na del si një autobiografi. Megjithatë, pasqyrimi i ngjarjeve, edhe përpara, por edhe gjatë luftës në Kosovë, reflekton fatin e përgjithshëm të një pjese të kombit, mbase, pse jo, edhe të pjesës tjetër në Shqipëri. Prandaj, këtu edhe qëndron pesha dhe vlera krijuese e autorit, i cili, në mënyrën dhe formën më të thjeshtë, por, sinqertë i përshkruan përplasjet e veta shpirtërore, mbase edhe të personazheve përbrenda tregimeve, të cilat reflektojnë tronditjet e popullit.

Dhe, shkurt. Të gjitha tregimet e kanë një bërthamë. Bërthamën e fatit dhe të qëndresës së njeriut, duke filluar nga rrjedhat më të hershme historike, nga marrëdhëniet shoqërore, pozita sociale dhe ekonomike, por edhe momentet kur vuajtjet, njeriu i zbut dhe i gërsheton me dashuri, me lumturi dhe krenari.

Dhe krejt në fund. Këtë shkrim dua ta përmbylli duke i thënë disa fjalë për tregimin “Kufiri i mallkuar”, i cili gjithnjë i ngjante shikimit të pa arritshëm kah atdheu. I cili shikim, sikur ta imponon fatomorgamën, dhe këtë tokën mëmë e shndërronte në shkretëtirë dhe në mendje hidhërimin për mospajtimin me të pashpresën. Sepse, populli dhe lumi, gjithmonë vetë i hapin rrugët. Dhe, ja dëshmia. Autori thotë: “Rruga e Kombit-bashkimi i kombit. Tani, nuk derdhen lot malli...”!

Kurse tani, sot, unë them, se ne jemi ata që lëvizim drejtë apo shtrembët. Nëse gabojmë, gjithçka do të na mallkojë.

Kujtoj se me tërë këtë që thash, si metaforë, puthiten tri vargje nga libri më i ri i Lulzim Logut “Pikë mbi i’...”: “Eh, moj nënë/Sa dhëmb frika/E dashurisë!...”.

Libri me tregime, “Vite tronditëse” i Tahir Bezhanit, i cili është  i trembëdhjeti me radhë, i këtij krijuesi, begaton letrat dhe vlerat letrare si në Malësinë e Gjakovës, ashtu edhe në Kosovë dhe në të gjitha trojet mbarëshqiptare.