| E shtune, 04.05.2013, 04:00 PM |
LETËR NJË TË PANJOHURE
Esse
Nga Resmi Osmani
Zonjë e nderuar,
Përshëndetje. Njohja jonë është virtuale,andaj u
jam drejtuar si një të panjohure. Le të jetë ky letërkëmbim dhe shkëmbim mendimesh, si një urë miqësie e
dy të panjohurve që i bashkon interesi për letërsinë dhe artet.
Më shkruanit se kishit lexuar disa shkrime të miat
në portalet elektronike, përfshi edhe disa fragmente nga romani “Mbretëresha
Olimpia” dhe kishit ndjerë kënaqësi. Faleminderit. Si shumë të tjerë,edhe mua
më vjen mirë kur dikush, që është mik i letrave, shpreh ndonjë konsideratë e
miradi. Më tej Ju donit të dinit diçka më shumë për personin tim dhe pikpamjet
e mia për letërsinë bashkëkohore, mjeshtërinë letrare dhe botimet. Nga kjo
kërkesë u ndjeva ngushtë, vetiu më shkoi mendja te skeçi aq injohur”Doni më për
Belulin”. Hezitova shumë kohë por përfundimisht vendosa tu shkruaj, me shpresë
që të kem mirkuptimin Tuaj dhe të
lexuesit për këtë intervistë me vetveten , e të mos u kujtohet Beluli.
Ajo çka do tu shkruaj, në këtë letër të hapur,
është një rrëfim për vete, pasi nganjëherë e kemi të nevojshme të rrëfehemi,
sepse rrëfimi e shkrin akullin që ftoh zemrën dhe mpin mendimin.
Në 5 maj kam ditlindjen. Mbush shtatëdhjetë e tre
vjeç. Sa shumë do të thotë një i ri, ende janë pak, një i moshuar. Edhe pse një
ditë e zakonshme për shumëkënd, për mua është një ditë që më vë në mendime.
Ditlindja përjetohet në mënyra të ndryshme: Kur festojnë ditlindjen të
vegjlit gëzohen dhe mezi presin që të rriten,të rinjtë nguten të burrërohen, vashat të bëhen nuse,
burrat i trishton mendimi se po plaken dhe pleqtë me falnderim krijuesit që i ka
lënë të jetojnë ende edhe pse ecin në fushë të minuar!
Është një ditë, ku secili kthen vështrimin në të
shkuarën i bën vetes shumë pyetje dhe bën një kqyrje të jetës së mbetur pas.
Pyetja ”A kam qenë i lumtur” më së shumti mbetet pa përgjigje. Si u jetuan këto
vite? Me se u mbushën, ç’farë lamë pas, ç’farë mbeti prej tyre? Përgjigja është
një ekuacion I vështirë e i ndërlikuar për ti dhënë zgjidhje. Në njerën anë të
barazimit vendosen rastet e lumtura e të dobishme, në tjetrën të vështirat e të
palumturat. Në çdonjerën ka kulme por edhe vija horizontale. Në këtë algjebër
të jetës, kur pluset mbisundojnë mbi minuset, e mira mbi të keqen, gëzimi mbi
dëshpërimin, kur ne kemi vënë një tullë në ngrehinën e shoqërisë dhe kemi
mbjellë ca rrënjë pemë në kopshtin e jetës, bindemi se jeta jonë ka qenë e dobishme dhe e jetuar me nder.
* * *
Dy fjalë për vete.
Donit të dinit diçka për personin tim. Kam lindur
më 5 maj 1940 në fshatin Mazrek të
Çamërisë. I mbetur jetim, (Babain e vranë zervistët në shkurt 1945,në Filat)
vetë i pestë, kam patur fëmijëri të vështirë: I pa nginjur,i keqveshur e i
mardhur, më së shumti i zbathur apo me
opinga….Kam dëgjuar të thonë se një femijëri e vështirë, është shkollë e mirë
për një shkrimtar të ardhshëm. Ndoshta. Formimi im professional dhe arsimor i
takon shkencës bujqësore, agronomisë. Në këtë fushë mbaj gradeën doktor i
shkencave dhe Titullin Profesor. Kam punuar shumë vite në ekonomi bujqësore të
rrethit të Beratit si agronom, dhe pas vitit 1976 në Tiranë me detyra drejtuese në administratën e lartë shtetërore
dhe kërkues shkencor e mësimdhënës në
Universitetin Bujqësor. Kam shumë botime e studime në kete veprimtari dhe po tu
besoj vlerësimeve të kolegëve, një emër të mirë midis specialistëve të asaj
fushe. Ca kohë u angazhova edhe në politikë,por u tërhoqa shpejt. Isha
politikan i dështuar.
* * *
Përse u përfshiva në letërsi?
Në vitin 2006, nisi për mua faza e dytë e jetës. Më nxorën në pension pleqërie. Për shumëkënd,
dalja në pension përjetohet keq. Por për një intelektual, ka një të mirë të
madhe, pavarësi të plotë personale dhe liri për ta përdorur kohën sipas
dëshirës dhe disa synimeve që i ve vetes. Për dituritë dhe përvojën në fushën e
profesionit tonë, në katandisjen e bujqësisë, nuk kishte më interes. I bëra
vetes pyetjen:
Erdhi koha dhe rasti ta vija veten në provë. Zonja
ime u tregua mirkuptuese, djemtë mosbesues. Për ta isha i vjetër për t’i hyrë
një veprimtarie të re që të tjerët e nisin që në rini. Ndoshta kishin të
drejtë, por nuk u tërhoqa. Tanimë u bënë shtatë vjet që shkruaj e publikoj. Ja
edhe botimet: “Jeta e Bedri Lumanit”biografi e letrarizuar e një mjeshtri dhe
miku,që u prit shumë mirë, për të vijuar më pas me “Kumte nga kohë të largëta”
esse nga kohët homerike dhe bilike,”Bisedë me shokët” portrete të
bashkstudentëve dhe kolegëve të mi, shumë prej tyre u bënë njerëz të shquar;”Lule në gur”,roman,
dhe në vijim: Romanet historikë”Mbretërimi i Pirros së Epirit”, “Aleksandri I
Madh-miti dhe njeriu” dhe “Mbretëresha Olimpia”, një trilogji mbretërore. Në
fushën e kritikës dhe studimeve letrare: ”Bilal Xhaferri, poeti I shpirtërave njerëzore”
dhe “Ëndrrat e ngrira të Enver Kushit”. Në tregime, vëllimi “ Edhe yjet vdesin”
mbi bazën e folklorit çam, për shpirtin çam. Përfundova dhe po e përgatis për
shtyp romanin “Koha e çudirave” një roman bashkëkohor, hiperbolik e grotesk për
paradokset e tranzicionit tonë të pafund dhe mbi tridhjet tregime e novela që
presin edhe ato radhën për botim, por që
të shumtat janë publikuar te “Gazeta Kritika” , “Fjala e lire” dhe
portale të tjera.
* * *
Metoda e punës dhe disa koncepte.
E ndjej veten pak në zor kur më kërkoni mendime për
letërsine, sepse jam një letrar disi i
vonuar që gjithsesi nuk guxoj ta quaj veten shkrimtar,se kjo është fjalë e
madhe, por një njeri që ka dëshirë të shkruajë dhe krijojë, ngaqë e do
letërsinë dhe mendon se ka njëfar prirje për tu përcjellë lexuesve ngjarje nga
përditshmëria dhe historia, ide dhe mendime, të veshura me petkun artistik të
shqipes së bukur. Megjithatë, për moshën dhe përvojën jetësore që kam, pas
shtatë vjet pune në fushën e letrave dhe mbi 1500 faqe botime, të përfshira në
dhjetë tituj librash, pa folur për publicistiken dhe studimet, them me modesti
se më lind e drejta të them diçka nga përvoja dhe gjykimet e mia , sepse çdo
krijues ka përvojën dhe metodën e tij. S’është e thënë që ajo tu shërbejë
plotësisht të tjerëve, por element të veçantë edhe mund tu jenë të dobishme,
ashtu si më ka ndihmuar edhe mua përvoja e të tjerëve.
Kam nderim dhe e vlerësoj krijimtarinë e
shkrimtarëve dhe poetëve. Tërmonë i kam parë si magjistarë të fjalëve, si
vizionarë, pse jo edhe pak si profetë. Dinë të shohin te dukuritë natyrore e
shoqërore e të jetës njerëzore atë që është e veçantë, kanë dhuntinë të
zbulojnë te e zakonshmja të pazakonshmen, te e parëndësishmja, të rëndësishmen,
janë të aftë të gjejnë të bukurën edhe atje ku të tjerët nuk e shohin. Kqyrin
thellë shpirtin dhe mendjen njerëzore, psikologjinë dhe filozofinë, ato forca
morale e humane, apo të errëta e demoniake, që venë në lëvizje veprimin, që e
bëjnë njeriun të vuajë apo të gëzojë, të lumtur apo fatkeq, me besim te jeta
apo zhgënjimin prej saj. I japin lexuesit anët e fshehta dhe misterin e qënies
dhe të jetës, të atyre forcave që shtyjnë përpara jetën dhe shoqërinë,
mundësinë e të parit të dukurive dhe kundërshtive të jetës në këndvështrimin
artistik, të dritësuar dhe e bëjnë të mendojë
për të nxjerrë mësime dhe përfundime,
që shpesh u ndryshojnë jetën. Për mua, kjo është forca e artit të
vërtetë. Lumë kush e arrin.
Komunitetin e shkrimtarëve dhe poetëve i bashkon
dëshira e përbashkët e të bërit letërsi.Por jemi kaq të ngjashëm dhe po kaq të
ndryshëm,ngaqë vijmë nga krahina e mjedise të ndryshme, secili ka
individualitetin e tij,cilsi dhe veçori që e bëjnë të dallohet, përvoja
jetësore të ndryshme,pse jo edhe formime e studime të ndryshme arsimore e kulturore,
parapëlqime për metoda dhe rryma të
ndryshme letrare e artistike. Gjithë këto e të tjera, e bëjnë krijimtarinë të
jetë mjeshtëri e larmishme dhe të veçantë, qoftë në aspektin tematik por edhe
atë stilistik dhe ideor. Kopshti i letërsisë kësisoj nuk njeh dimër dhe
mbushet me lule, ku secila ka bukurinë dhe hijeshinë e saj. Në këtë kopsht
gjithkush mund të gjejë dhe zgjedhë për
buqetën e vet letrare atë që i pëlqen.
* * *
Pasi të kem zgjedhur subjektin dhe rrjedhën e
ngjarjes apo ngjarjeve, mbi bazën e një përfytyrimi të qartë për atë që do të
bëj,
Kur shkruaj, nuk e heq nga mendja lexuesin, pyes
veten si do ta vlerësojë ai, do ta pëlqejë vallë? Përpiqem të mos e lodh, të
shkruaj pak e të them shumë, përndryshe, ai do ta lerë mënjanë librin tim,
ashtu siç bëj edhe unë apo të tjerë kur një libër nuk na tërheq. Këtë do ta
quaja në mos dështim, një fatkeqësi për një krijues.
Thjeshtësia e të shkruarit, për mua është më e
vështirë për tu arritur, ngaqë ajo vjen pas një pervoje të gjatë krijuese dhe
përsosjes së mjeshtërisë artistike, cilësi e “ustallarëve”. Le të kujtojmë këtu
“Plakun dhe Detin” të Hemingueit, apo poezitë e kohëve të vona të Dritëroit: sa
thjesht, sa bukur, sa qart, sa ëmbëlsisht, aq sa mrekullohem kur i lexoj, mund
të rendit këtu edhe Xhevahir Spahiun,Fatos Arapin, Ndoc Gjetjen ,Frederik
Rreshpjen e të tjerë. Parapëlqej realizmin, por në varësi nga subjektet, nuk
përjashtohen edhe notat romantike e lirike, në disa raste edhe pak surealiste
si te “Vdekja e nëpunësit” dhe “El Toro”. Është një mundësi lirshmërie pa qenë
i detyruar të mbetesh brenda formave të ngurta. Sido qoftë, çdo rrymë dhe
drejtim letrar, ka të drejtën e vet të qytetarisë në shkrimtari dhe është
element i larmisë artistike.
Shkruaj thuajse përditë, nga pak, dy orë paradite e
po aqë pasdite. Asnjëherë natën. Gur-gur, bëhet mur dhe fjalë-fjalë bëhet
libri. Kur lodhem apo më le durimi, e nderpres, por gjithmonë aty ku e di sesi
do të vazhdojë. Nderkohë, një shetitje në natyrë, ku meditimi është i
pranishëm. Të nesërmen e kaloj edhe një herë atë që kam shkruar, bëj
rregullime, heq ose shtoj, pastaj nis vazhdimin. Të shkruarit pëditë nuk është
rutinë,si të pirët e kafes apo të ngrënat e vakteve, pasi të shkruarit kërkon
mobilizimin e tërë intelektit, diturisë psikologjisë , filozofisë dhe arsenalin
e mjeteve artistike, për të arritur te prodhimi letrar. Si i tillë është i
zorshëm dhe i lodhshëm.
Dua të ve në dukje se liria dhe pakufizimi i
subjekteve, pa çensurë, është arritje e madhe. Por letërsinë e konsideroj një
art fisnik, dhe nuk më pëlqen që të ndotet me gjuhë vulgare, tema banale dhe
skena natyraliste, sensuale e pornografike, nga ato që populli i quan
lapërdhira. Të joshësh lexuesin me të tillë letërsi, është e gabueshme, si
ta ushqesh me ushqime të helmuara. Nuk ka pse të pasqyrohen ato që nënkuptohen,
shkrimtari ska pse i thotë të gjitha. Për këtë, mendoj se duhet të ketë një
vetpërmbajtje, që gjithsesi nuk është autoçensurë.
* * *
Nuk ngutem të botoj. Erza Paundi, në s’gaboj, ka
thënë se një dorëshkrim në sirtar s’është si një kalë në grazhd! I shoh dhe i
shoh përsëri, heq ose shtoj deri sa të
bindem se gjithëçka është mirë, dhe është mirë, kur, siç thotë Floberi,
pasi e lexoj pyes veten: Vërtet unë e kam shkruar këtë? Ose kur ngjarje dhe
episode më emocionojnë si ti kasha përjetuar vetë. Më ka ndodhur disa herë: kur
vritet Ptolemeu në romanin për Pirron, në tregimin “Kthimi I Dorinës”, “Lulet e
Kajsisë” dhe “I braktisuri”e ”Plaga e shpirtit”, jam ndjerë i tronditur. Për
mua,si dhe për shumë të tjerë(Kam parasysh një intervistë të Puntorie Zybës),
të shkruarit është një punë e rëndë, si punë skllavi, që të thith shumë energji
aq sa shpesh veten e ndjen bosh dhe duhet pushuar që siç thotë Heminguej, pusi
i shterrur të mbushet sërish me ujë të freskët. Lind pyetja, kur qënka kështu,
përse shkruan(apo shkruajmë)? Ky është misteri i letërsisë, që zor i jepet
përgjigje e besueshme.
Sado që krijimi është puna më vetiake në botë dhe
shkrimtari një njeri i vetmuar në punën e tij, e ndiej nevojën që ta ndaj atë
me shokë e me miq. Dikur,shkrimtarët organizonin mbrëmje leximi me miqt e tyre,
tani na ka mbetur postimi me E-Mail, por të pakët janë ata, që të thonë atë që
mendojnë, më së shumti thonë fjalë lavdëruese,
ndoshta nga që s’duan të prishin qejf, apo në rastin më të keq nuk kanë
kohë ti lexojnë dhe s’dinë se çfarë të thonë. Por unë i di disa dobësi të miat, siç janë fluturimet lirike, teprimi me
peisazhin dhe natyrën, dëshira për ti zbukuruar gjërat më shumë ngase duhet,
njëfar ngathtesie ne dialogët etj. që
janë shprehi të rishtarëve. Përpiqem që ti shmang për të arritur te ajo proza e
vërtetë,solide, monolite, pa lajle lule, që me pak fjalë thotë shumë e që është
shenjë e pjekurisë artistike. A ja kam
arritur? Nuk mund ta them, fjala i takon lexuesit dhe kritikës.Arritja e së
mirës dhe së bukurës është një proces i vazhdueshëm,le të kujtojmë thënien e
latinëve “Ars longa,vita brevis”(Jeta është e shkurtër dhe arti i
pafund),megjithatë çdo brez krijuesish sjell risitë e tij. Nga një herë, për
vlerësimin e një libri, mjaftojnë edhe pak fjalë. Gjenerali Jani Lufi që jeton
në Rusi, i shkroi mikut të tij Shpendi Topollaj: “Të lutem,jepini të fala z.
Resmi Osmanit,libri i tij për Pirron është i mrekullueshëm si veprë
letrare,ushtarake dhe historike.” Kur më bëjnë vrejtje, i mbaj parasysh,
reflektoj dhe bëj rregullimet përkatëse. Kur është i nevojshëm, ilaçi duhet
pirë edhe po qe i hidhur.
Nuk ka pse të mos e them. Kur e jap për botim
librin, mezi pres sa të dalë në dritë,
dhe kur e marr në dorë i gëzohem si të ishte një fëmijë i sapolindur dhe ngutem
t’ua dhuroj shokëve dhe miqve. Ajo që pritet pas kësaj, është si një provim,
duhet ta thotë lexuesi e kemi kaluar klasën apo jo.Të tilla emocione përsëriten për çdo libër të ri. Them që nuk
jam ndonjë përjashtim, kjo u ndodh të gjithëve.
*
* *
Poeti lind poet,dhe përsoset rrugës, ndërsa
prozatori vetformësohet. Nuk ka shkollë për shkrimtar, por mësuesit nuk
mungojnë. Edhe unë, si shumë të tjerë kam mësuesit e mi, janë rilindasit, Naimi
, De Rada, Çajupi, nga letërsia bashkëkohore Agolli e Kadareja, shkrimtarët e
mëdhenj botërorë: Homeri dhe Eskili, Shekspiri, Tolstoi,Turgenievi,Çehovi, Paustovskij,
Dikensi, Mopasani, Floberi, Mark Tueni, Heminguej, Remarku,Tomas Mani, Cvajgu,
Jashar Qemali,Markesi, Kortasari etj. etj. Për fjalën shqipe, përkthyesit e
mrekullueshëm Dhimitër Pasko,Vedat Kokona,Enver Fico,Noli, Robert Shvarci etj.
I vlerësoj, por në krijimet e mia nuk i imitoj, përpiqem(edhe pse shprehje e
shpërdoruar) të jem vet-vetja.
Lexoj me kujdes edhe krijimtarinë në prozë që
publikohet në portalet elektronike,tregimet e Fiqri Shahinllarit,të Përparim
Hysit, Istref Haxhillarit, Thani Naqos, Kristaq Turtullit, prozën e Fatmir
Terziut etj. Dhe mundohem të gjej të veçantat stilistike,kompozicionale
gjuhësore, që i bëjnë të dallueshëm e me individualitet, çka më ndihmon të
reflektoj se çfarë duhet të përmirësoj
në krijimtarinë time. Ne duhet të mësojmë edhe nga njeri-tjetri.
Kështu janë gjërat: pak talent e shumë punë. Gjithmonë
kam patur përkrah time shoqe,që ka qënë këshilltare,lexuesja e parë e shkrimeve
dhe redaktore e qortuese letrare.Ishim një skuadër.Mjerisht ajo u nda nga jeta,
e re para katër muajsh. Sapo kishte hyrë në 63 vjeçe. Boshllëkun që la,ashtu si
më kanë këshilluar miqtë, mundohem ta mbush me punë, kujtimi i Saj është në çdo
fjalë që hedh në letër.
* * *
Lexova para do kohësh tek “Fjala e lire” deklarimin
e një poeti se ai shkruante për qejf të vet dhe nuk donte të dinte për fjalët e
të tjerëve. Nuk mund të jem I një mendimi me të. Kjo mund të ndodhë kur shkruan
vërtet për kënaqësinë vetiake dhe ato që shkruan I mban në sirtar,por kur
boton,ato bëhen objekt leximi e
vlerësimi dhe krijuesi nuk mund ti shmanget gjykimit të lexuesit, për mirë apo
për keq. Dashur apo padashur, krijuesi është i angazhuar. Vetë misioni i artit
është iluminist. Këtë angazhim e pranoj me bindje. Kur shkrova “Trilogjine
mbretërore” , që më hëngri katër vjet dhe një punë të madhe hulumtuese të të
dhënave historike, për të qenë i vërtetë dhe i besueshëm, si nxitje ishin
lehjet e vorioepirotëve dhe kryetarit të bashkisë së Himarës për gjoja
përkatësinë etnike greke dhe orekset megaliideste për ta quajtur tokë greke
gjithë jugun e vendit tonë deri në Shkumbin! Po kaqë intriguese ishte edhe
sherrnaja greko-maqedonase, për emërin dhe trashëgiminë historike të atij vendi
midis sllavo-maqedonasve dhe shovenëve grekë. Të dy palët pretendojnë
përkatësinë historike të trojeve që nuk kanë qenë të tyret. Jam i bindur se ne duhet ti njohim mirë
rrënjët tona, të dimë nga vimë, të vlerësojmë e lartësojmë figurat tona
historike, që kanë lënë gjurmë të pashlyera në historinë mesdhetare, që shekujt
nuk i kanë lënë në hrresë, me figura të tilla çdo komb krenohet që i ka pjesë
të historisë dhe identitetit të tij kombëtar. Këta heronj, duke
fallcifikuar historinë, përpiqen ti bëjnë të vetët kombe të tjerë: Pirron e
lakmojnë grekët, Skënderbeun sllavët dhe grekët. Ndryshe nga historia, letërsia i paraqet
faktet dhe ngjarjet, dinamikën dhe madhështinë e tyre me bukurinë e artit, duke
nxitur përfytyrimin e lexuesit që ti përjetojë ato emocionalisht. Për këtë
trilogji, kam marrë urime nga lexuesit dhe pohimin se ata kishin mësuar aty
shumë gjëra që nuk i kishin ditur. Edhe në novelat dhe prozën e shkurtër,
subjektet dhe trajtimi ideo emocional i fateve të njerëzve nga shtresa të
ndryshme shoqërore, është një angazhim human për fatet njerzore dhe mbajtja e
një qëndrimi të shprehur apo të nënkuptuar kundër prapësive të jetës dhe
shkaqeve që i sjellin ato. Synoj të mirën dhe të drejtën.Dhe ky është
angazhim.
* * *
Le të kthehemi te poezia. Shkruhet shumë poezi
lirike, meditative, erotike etj. kryesisht nga të rinj e të reja, në trojet
shqiptare dhe në emigracion. Vetë rinia është poezi, por edhe nga mjeshtër të
hershëm të vargëzimit, që mjerisht janë në emigracion. E pëlqej shumë poezinë, kur është e shkruar
mirë, me ndjenjë e sinqeritet, art e talent, thjesht e bukur, pa ndërlikime
manieriste dhe e sinqertë e pa poza. Më ngjall emocione. Vetë nuk kam shkruar
dhe nuk besoj të shkruaj poezi, por kam një parim: Proza e “vdes” poezinë,
ndërsa poezia e “ngjall” prozën, dhe kam futur nëpër prozat e mia faqe të
tëra me prozë poetike si te tregimi”Edhe Yjet vdesin”, “Trëndafili I gjakut”,
“Lulebora” etj. Poetët për mua janë magjistarët e fjalës. Në studimin për të
madhin Bilal Xhaferrin,kam vënë në dukje se poezia është diçka e vetvetishme,
që nuk e kërkon, ajo vjen vetë, si një bekim, kudo që të ndodhesh, si ndijim,si
përjetim, si diçka shpirtërore, subjektive por jo abstrakte dhe hermetike.
Hermetizmi e mbyll poezinë në kafaz, i pret krahet e se le të fluturojë. Qofsha
I gabuar, por poemat dhe poezitë e gjata, që shkruhen tani, duken si jashtë
kohe, lexuesi i sotëm, i angazhuar e
nervoz nga shumçka e jetës së mbrapshtë, humb durimin dhe e ka të vështirë t’i lexojë. Poezisë i jep
bukuri mendimi, që vishet me stolinë e fjalës, me metafora të gjetura e
krahasime brilante, ritmi i brendshëm dhe rimat, mundësisht në pak strofa apo
rreshta, ku mendimi sintetizohet me fjalën. Shëmbulli më i mirë gjendet në
poezitë lirike të folklorit tonë të pasur e të bukur deri në përsosmëri. Shpesh
ato më japin më shumë kënaqësi sesa disa poezi mesatare apo prozaike të botuara
në shtypin elektronik. Poetët kanë edhe një përparësi tjetër, ata lexohen më
shumë sesa prozatorët(proza do angazhim kohor dhe durim) dhe bëhen më shpejt të
njohur.Natyrisht,është një gjë e mirë për ta.
* * *
Ankoheni me
të drejtë për botimin e librave tuaja. E kush nuk ankohet?
Shkrimtarët dhe poetët e pasviteve 90-të,janë
ndodhur në kushte të vështira për
botimin,shpërndarjen dhe promovimin e krijimtarisë së tyre. Janë mbi 9o-të
shtëpi botuese,por asnjera nuk merr përsipër përgjegjësi dhe rreziqe që të
botojë krijimet e shkrimtarëve dhe poetëve me shpenzimet e veta, përveç disa
autorëve të pakët e të afirmuar. Autori duhet të paguajë. Kur më në fund e
arrin këtë mundësi,shtëpia botuese i jep librat dhe ai të bëjë çtë dojë me to!
Nuk ka shpërndarje, librat nga kryeqyteti nuk shkojnë në rrethe, dhe çështë më
keq, as në bibliotekat e rretheve. Dikasteri përkatës nuk jep fonde. Autorët,
marrin librat në çanta dhe si varfanjakë e lutes, shkojnë librari pas librarie
, ku i shohin shtrembër dhe ku me zor u pranojnë nga pesë copë. Edhe ato, i
vendosin në stivën e librave pa mundur ti gjejnë dot më se ku i kanë vënë!
Çmimi i librave është i shtrenjtë( dy–tri here
çmimin e kostos). Ata që kanë dëshirë të lexojnë, nuk kanë mundësi t’i
blejnë, ndërsa ata që kanë mundësi ti blejnë, nuk kanë dëshirë të lexojnë! Ky
është paradoksi I kohës.
Në jetën intelektuale dhe kulturore,natyrisht ne
nuk pretendojmë që dielli të rrotullohet rreth nesh, por të zemë aq vend sa na
takon në atë hapsirë.
Shkrimtarët dhe artistët nuk kanë një shtëpi ku të
mblidhen e të bëjnë diskutime krijuese. Ajo që kishin(dhe nuk ditën ta mbanin)
ishte vërtet e bukur, dhe shteti e mori për vete, por e mori dhe nuk dha asgjë
në këmbim. Lidhja e Shkrimtarëve është inekzistente, fiktive. Shkrimtarët nuk
janë të organizuar në shkallë kombëtare, nuk kanë organe, gazetë apo revista
letrare ku të botojnë krijimtarine. Është një detyrim i dikasterit përkatës,
por shteti ynë është i lirë në miell e i shtrenjtë në krunde.
Thuajse mungon kritika profesioniste. Ata pak
kritikë të njohur, pasi kanë marrë titujt e gradat, tashmë japin ato orët e
mësimit në fakultete dhe heshtin. Mesa duket nuk kanë më interes, se edhe
shkrimet nuk paguhen, e pse të lodhen, nga dashuria për artin?
Më keq s’ka si bëhet.
Kam qenë dhe jam i mendimit se shkrimtarët dhye
artistët duhet të vetorganizohen, ashtu siç kanë bërë në disa qytete, pa pritur të bien kocka nga qielli.
Jemi me fat që funksionojnë portalet elektronike,
pa to nuk e di se çfarë do të bëhej dhe si do ta bënin të njohur krijimtarinë e
tyre gjithë komuniteti i shkrimtarëve dhe poetëve. Ndaj z.F.Terziu, A. Nuro,
poseduesit e portaleve “Kritika” ,”Kosovari media”, “Zemra shqiptare” dhe të
tjerët, meritojnë nderim të veçantë.
Tashmë kemi një ministër shkrimtar, ku t’a
dish, ndoshta ai kujtohet për hallet e kolegëve të vet. Le të shpresojmë.
Miqësisht,
Resmi Osmani
Tiranë,më 03.05. 2013