| E hene, 29.04.2013, 09:05 PM |
Debati për arsimin shqip të Kosovës, si shqetësim njerëzor e kombëtar
Nga Nuhi Ismajli
Sistemet
diktatoriale dhe sistemet e rrejshme demokratike nuk i duan debatet. Sistemet
diktatoriale i ndalojnë debatet. Sistemet e rrejshme demokratike veprimet i
bëjnë fshehtazi dhe fshehin nevojën e debatit. Për që të dy këto lloj sistemesh
debati është i rrezikshëm, sepse zbulon e gjykon veprimet çnjerëzore të tyre.
Shoqëritë
e pangritura nuk vërejnë as e kuptojnë nevojën për debat. Shoqëritë e
përparuara tundin çdo gjë përpara se të vendoset për diçka të rëndësishme.
Sistemet
demokratike dhe shoqëritë e përparuara janë në harmoni, ndihmojnë njëra-tjetrën
dhe, që të dyja, ftojnë njëra-tjetrën për një veprim të përbashkët në shërbim
të individit dhe të shoqërisë.
Për
njeriun, debati është shenjë e vetëdijes për të folur, kur duhet folur.
Vetëdija
e njeriut për debat, si dhe nevoja e tij, vjen e zgjohet edhe më tepër
pikërisht në momentet kur debati ndalohet dhe kur fshehet nevoja për debat.
Debati, në rrethanat e një situate të tillë, zakonisht manifestohet e
karakterizohet me polarizime të mëdha interesash e mendimesh, e si debat mjaft
shqetësues, por pikërisht polarizimi i intresave e mendimeve, lidhur me
objektin e debatit, thekson nevojën dhe rëndësinë e zhvillimit të tij.
Në një situatë të ngjashme, si ajo e përmendur më sipër, shoqëria shqiptare, sot, u përfshi, ndër të tjera, edhe nga një debat, për një çështje tejet të rëndësishme, që ka të bëjë me kërkesën turke për ndryshimin e teksteve të arsimit shqip të Kosovës.
Ecuria e ngathët e debatit
Debati
filloi ngadalë, me vështirësi dhe u përfshi edhe nga polarizimet e interesave e
mendimeve të debatuesve.
Fillimisht,
duket se institucionet qeveritare të Kosovës dashtën ta realizonin kërkesën
turke në heshtje, pa zë, për çka edhe krijuan edhe Komisionin, i cili, në
bashkëpunim me palën turke, ka bërë propozimet e tij për ndryshimet e teksteve
të arsimit shqip të Kosovës.
Mjetet e
informimit qenë mjaft të pandjeshme ndaj një problemi të tillë për debat.
Kështu, po të mos ishte press kosova,
ndoshta, as që do të dihej se ç’po ndodhte me objektin e këtij debati. Më tej,
ndonjë gazetë e stacion televiziv i kushtoi rëndësi kësaj çështjeje, kurse
ndonjë aspak.
Kur çështja e kërkesës turke dhe veprimet e qeverisë së Kosovës, për të realizuar atë, u bënë të njohura, zëvendësministri i arsimit të Kosovës, Nehat Mustafa, për të maskuar këto veprime tejet çnjerëzor e antishqiptar dhe për ta paraqitur ndryshimin e teksteve të arsimit shqip, kinse si nevojë qytetare, shkencore etj., paralajmëroi një debat.
Çka zbuloi debati?
Debati
zbuloi tipa të ndryshëm debatuesish dhe anime interesash të ndryshme kombëtare,
fetare, ideologjike etj.
Në një
tip debatuesish veçohen debatuesit e vetëdijshëm e të ditur, të cilët, kërkesën
turke për ndryshimin e teksteve shqipe të arsimit në Kosovë, e quajnë të
paligjshme e të pamoralshme, pasi një shtet tjetër nuk ka të drejtë të ndërhyjë
në punët e arsimit të një shteti tjetër dhe për faktin se kërkon ndryshime të
tilla në arsimin e një populli, të cilat kanë pasoja për identitetin e tij.
Ky tip
debatuesish institucioneve qeveritare të Kosovës ua zë për të madhe përfilljen
e kërkesës turke, tendencën për ndryshimin e teksteve të arsimit shqip të
Kosovës për shkaqe fetare e ideologjike etj., e në funksion të strategjisë
neo-osmane, tendencën për të krijuar e për të imponuar tekste ideologjike në
shkollat shqipe të Kosovës, si dhe pasojat tejet negative të tyre për
identitetin kombëtar shqiptar. Ky tip debatuesish nuk është kundër përsosjeve
shkencore të teksteve të arsimit shqip, por kundër kërkesës turke e ithtarëve
të tyre, qëllimet e të cilëve nuk janë shkencore.
Një tip
debatuesish e përbëjnë injorantët, edhe me tituj të lartë shkencorë, të cilët,
në intervistat e ndryshme, dëshmohen se nuk përcjellin rrjedhat shoqërore, nuk
janë të njoftuar me kërkesën turke, as gatishmërinë e qeveritarëve të Kosovës e
ithtarëve të tyre për të bërë ndryshime tejet të dëmshme në arsimin shqip të
Kosovës. Ky tip debatuesish, në formë të intervistave, dëshmon se nuk njeh mirë
periudhën e sundimit turk mbi shqiptarët, kurse kërkesën turke, për ndryshimn e
teksteve të arsimit shqip të Kosovës, gabimisht e kupton si kërkesë për
përsosje shkencore të tyre!
Një tip
debatuesish shquhet për qëndrimin e tij të theksuar proturk, neo-osman dhe
antishqiptar.
Të tillët
debatues, duke u mbështetur në lloj-lloj teorishë e “parimesh”, arsyetojnë
kërkesën turke dhe kërkojnë ndryshimin e teksteve të arsimit shqip të Kosovës
për shkaqe fetare, ideologjike e të tjera, por që këto i paraqesin si kërkesa
për ndryshime shkencore të teksteve e për arsye njerëzore!
Tekstet
tona, sipas këtyre debatuesve, janë përplotë të meta. Historianët tanë janë të
paaftë për të bërë tekste me vlerë.
Kërkesa
turke, sipas këtyre debatuesve, është e drejtë! Historianët turq janë të aftë
dhe mund të na “ndihmojnë” t’i “korrigjojmë” tekstet tona! “E kaluara jonë e
ndritshme e parajsore, si edhe e ardhmja, është e lidhur me turqit”! - klithin ata, për të shtuar pastaj: “Ne kemi
pjesë në trashëgiminë e rëndësishme atomane”! etj. , etj.
Pikërisht në kuadër të kësaj hapësire, më të panjerëzishme e më antishqiptare, bën pjesë edhe deklarimi zyrtar i qeveritarëve të Kosovës, sipas të cilëve, nuk po bëhen ndryshime, po veç korrigjime (!), sipas kërkesave të Këshillit të Evropës, që kërkon të heqet nga tekstet gjuha e urrejtjes. D.m.th., ndryshimet, sipas këtyre, bëhen për arsye njerëzore! Pra, shih absurdin: për arsye njerëzore njeriu nuk u dashka ta urrejë pushtuesin dhe robërinë! Për arsye njerëzore shqiptarët nuk duhet ta urrejnë pushtuesin e dikurshëm turk dhe duhet ta harrojnë të kaluarën e tyre, bashkë me fatkeqësinë e paraardhësve të pushtuar nga turqit! D.m.th. për fajin e pushtuesit, dhe për hir të atij që sot identifikohet më të, shqiptari duhet ta fshijë të kaluarën e tij dhe duhet të mësohet të mos ndjejë urrejtje ndaj së keqes, pushtimit e robërisë!
Çka nuk zbuloi debati?
Gjer më
tash, debati nuk është marrë dhe nuk ka ndriçuar disa çështje.
P.sh. nuk
është diskutuar statusi, qëndrueshmëria morale e njerëzore e Komisionit të
formuar nga Ministria e Arsimit, si një komision i formuar në bazë të një
kërkese tejet jonjerëzore e antishqiptare dhe jo nga një palë e tretë, e
paanshme dhe e arsyeshme, si dhe e drejta dhe arsyeja morale e tij për të
kontrolluar veprat e të tjerëve.
Së dyti,
nuk është diskutuar cila është kompetenca profesionale, shkencore e Komisionit
të formuar nga MAK, për të vlerësuar tekstet e arsimit, të krijuara nga të
tjerët, kur ai, thuhet, përbëhet nga një historian, një gjeograf, një albanolog
dhe nga një studiues muzike. Pra, shtrohet pyetja: një historian i vetëm, madje
i nivelit të Sh. Raçës, a mund të “korrigjojë” tekstet e të tjerëve? A është një
individ i vetëm komision dhe i një autoriteti të tillë sa t’i korrigjojë të
tjerët?!
Lidhur me
punën e Komisionit përmendet çështja e “korrigjimit” të teksteve të historisë,
po nuk përmendet kërkesa dhe angazhimi për “korrigjimin“ edhe te teksteve të lëndëve
të tjera, me rëndësi për identitetin shqiptar, siç e tregon përbërja e
Komisionit. Pra, nuk është debatuar çështja se çka p.sh. do të “korrigjojë”
Hysen Matoshi në letërsinë dhe gjuhën shqipe, si do ta zbusë ai, në ato fusha,
gjuhën e urrejtjes (shqiptare) kundër pushtuesit turk, e cila është shtresuar
nga qindra kriues shqiptarë, që nga momenti i pushtimit turk e deri më sot?!
Debati i
deritashëm nuk ka analizuar domethënien e thënies së ministrit të arsimit, Ramë
Bujës, se tekstet e arsimit shqip nuk do të ndryshohen, po, siç thotë ai, vetëm
“do të korrigjohen”! Pra, askush nuk e analizoi këtë pohim absurd të minisitrit
të arsimit, që pohon se tekstet nuk do të ndryshohen, kurse në anën tjetër
thotë se ato do të korrigjohen! Dhe, çfarë “korrigjimi” do të bëhet? A është
korrigjimi, sipas kërkesës turke, ndryshim dhe ndryshimi i tillë i
panjerëzishëm, antishqiptar dhe i papranueshëm?!
Gjithashtu,
debati nuk është marrë aq me çështjen e peshës së ndryshimeve te teksteve të
arsimit shqip të Kosovës, të propozuara nga Komisioni, sipas kërkesës turke,
paqëndrueshmërinë shkencore e morale dhe peshën e ndryshimeve të teksteve të
arsimit shqip të Kosovës e pasojat e tij për bastardimin e shkollës shqipe dhe
identitetit shqiptar.
Kështu,
nuk është thënë troç se propozimi i Komisioni, që të fshihet nga librat e
historisë: “Osmanët vranë shumë shqiptarë”, bën një gënjeshtër të madhe dhe
këtë gënjeshtër Komisioni do ta fus në tekstet e arsimit shqip të Kosovës!
Dihet se
pushtuesit turq vranë shumë shqiptarë. Vrasjet u bënë në mënyra nga më të
ndryshmet dhe qenia shqiptare u dëmtua tmerrësisht nga pushtuesi i egër turk,
si përmes vrasjes së burrave, rrëmbimit të fëmijëve e grave për t’i bërë
skllevër, detyrimi për të braktisur atdheun etj.
Po
kështu, nuk është thënë troç se Komisioni bën një gënjeshtër të madhe dhe këtë
gënjeshtë të madhe do ta fusë në tekstet e arsimit shqip të Kosovës, kur nga
tekstet do të heqë fjalët dhunë e vrasje
dhe të përdorë në vend të tyre fjalët pushtim
e burgosje!
E vërteta
është se pushtuesi turk ushtroi dhunë të shfrenuar mbi shqiptarët, vrau shumë
njerëz, burgosi, internoi etj. Pushtuesit turq ishin aq barbarë, sa edhe
eshtrat e shqiptarëve i nxirrnin nga varri! Prandaj, për të paraqitur gjithë
realitetin e pushtimit e robërisë turke mbi shqiptarët, nuk mjaftojnë vetëm
fjalët pushtim, vrasje, dhunë e burgosje,
po duhet përdorur edhe fjalë të tjera.
Komisionit
nuk i është thënë troç se me propozimin e tij do ta fshehë të vërtetën për
gjendjen e rëndë të arsimit shqip, në rrethanat e robërisë turke, kur thuhet se
shkolla shqipe “pengesa kishte si nga pushteti osman ashtu edhe nga kisha
ortodokse greke”. Shkolla shqipe kishte pengesa edhe nga ana greke, por
pushteti kryesor ishe pushteti turk dhe lejen për shkolla e jipte pushteti
turk. Pushteti turk mbyllte shkollat shqipe, siç e mbylli edhe atë për të cilën
e dha lejen. Pushtuesi turk i frikësohej arsimimit kombëtar të shqiptarëve,
prandaj tek më 1887 dha një leje për një shkollë fillore shqipe, ndërkaq me
qindra shkolla turke, greke, bullgare e serbe kishte në trojet shqiptare!
Komisioni, siç shihet, do ta fusë në tekstet e arsimit shqip të Kosovës edhe
gënjeshtrën e tij të madhe lidhur me gjendjen e arsimit të shqiptarëve në kohën
e pushtimit turk!
Etj. Etj.
Kështu, sipas propozimeve të Komisionit për ndryshimin e teksteve të arsimit shqip të Kosovës, sipas kërkesës turke, shqiptarët e Kosovës do të kenë tekste, të cilat mund t’iu përshtaten arsimtarëve dhe nxënësve budallenj, që nuk mendojnë fare, por kurrë atyre që janë në gjendje të mendojnë dhe të mësojnë në mënyrë kritike.