| E diele, 28.04.2013, 05:03 PM |
GAZETA TË VJETRA SHQIPTARE (2)
“Dielli” është cilësuar si dekani
i shtypit shqiptar sepse, që kur lindi e vazhdimisht, është vënë në shërbim të
popullit shqiptar, duke predikuar “ungjillin” e kombësisë së tij.
Nga Baki Ymeri
Shqiptarët
kanë patur gjithmonë apostuj në Shqipëri dhe diasporë. Jeronim de Rada, Nikolla
Naço, Faik Konica, Josif Bageri, Mithat Frashëri, (Lumo Skendo), Visar Dodani,
Ilo Mitkë Qafëzezi, Omer Nishani, Dhimitër Berati, Gjergj Bubani, ishin disa
nga veteranët e shtypit të shtypur shqiptar. “Janë mjaft me interes gazetat e
vjetra shqiptare që janë botuar brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe shpresojmë se
autori i këtij shkrimi (B. Y.) do t i publikojë artikujt e gazetave të vjetra
/pjesë-pjesë/ në mediumet elektronike, sepse janë shumë shkrime të panjohura
për publikun”, thekson me fjalë identike në kuadrin e një komenti, znj. Edibe,
në Gazeta Kritika. Po këtë mendim e shprehin edhe lexuesit e panumërt të Zemrës
Shqiptare dhe Bota sot në kuadrin e disa komenteve të ngarkuara me energji
pozitive. Numri i gazetave të shtypura është i panumërt. Për to kanë shkruar me
admirim: Vehbi Bala, Ismet Dërmaku, Xhelku Maksuti, Sabile Basha etj. Për një
kronologji të mirëfilltë shkencore, që nga botimi i gazetës së parë shqipe, për
momentin nuk kemi kohë, por kjo nuk don të thotë se nuk kemi kohë për t’i
prezantuar disa sosh, duke i dhënë prioritet atdheut, nderit, dinjitetit dhe
dimensionit të tyre kombëtar.
Qëllimi
elementar është ta mbajmë gjallë dashurinë ndërshqiptare si një dhuratë e
bekuar e Zotit. Sipas Muharem Dezhgiut, “Gjatë gjithë historisë së vet
100-vjeçare (1909-2009) gazeta “Dielli” realizoi një mision historik në shërbim
të kombit shqiptar. Mund të thuhet me bindje të plotë se historia e “Diellit” është
ajo e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Qysh prej themelimit të shtetit shqiptar
“Dielli” ka përjetësuar në faqet e veta fatet e kombit. Duke luftuar me çdo
mjet (me memorandume, me protesta, me shkrime, me të holla) “Dielli” shkëlqeu
në mbrojtje të kufijve etnikë të kombit shqiptar. Ai e ngriti zërin kundër
rreziqeve që i kërcënoheshin ekzistencës së shqiptarëve si komb e si shtet.
“Dielli”, si shprehëse e mendimit dhe e veprimtarisë së “Vatrës”, e lartësoi
atë si vatër të shqiptarizmës. Me plot të drejtë “Dielli” është cilësuar si
dekani i shtypit shqiptar sepse, që kur lindi e vazhdimisht, është vënë në
shërbim të popullit shqiptar, duke predikuar “ungjillin” e kombësisë së tij.”
Sipas Karl Gurakuqit, “Vatra” dhe “Dielli” përbëjnë për shqiptarët një simbolikë
të fuqishme. Ata zgjuan tek shqiptarët idenë e zjarrit e të dritës që do
nënkuptonte flakë patriotizmi dhe rreze kulture…”Vatra” na mësoi me dashtë
Atdhenë. Manastiri çeli rrugën e zhvillimit sistematik të letrave (germave)
tona. Këto dy institute (“Vatra” dhe “Kongresi i Manastirit”) na mësuan se kur
shqiptari bashkëpunon me shqiptarin, nuk del gjë që t’ua ngatërrojë lamshat që
t’ua pengojë rrugën”.
“Dielli”
është organ i shqiptarëve kombëtarë që kërkojnë një Mbretëri Shqiptare të Lirë.
Para nesh kemi numrin 10, tetor, 1919, me 4 faqe të formatit të madh, dhe me
artikuj në gjuhën shqipe dhe angleze. Ndër to shquhen “Gjermanët fshehin topat
e mëdhenj”, “Ukranianët u goditnë me rusët”, “Shqipëria dhe imperialisma” e
autorit Loni Kristo që thot: “Pozita jonë si një shtet i Evropës nuk favorizon
imperializmën, dhe dashuria jonë për atdhenë do t’i prishë pllanet dhe ëndërrat
e bukura të mirëdashësve tanë. Po nuk duhet të flemë se rastet janë ashtu siç
na i do dëshira e zemrës. Duhet të zgjojmë popullin. T’i tregojmë që duhet të
ruhet dhe të jetë i ndrojtur në marrëdhëniet e tij tregtare me të huajtë.
Nëqoftëse ndodhet në shtrëngim për para, mallin e tij duhet t’i shesë një
Shqiptari dhe kurrë ndonjë herë një të huaji, qoftë se i jep më tepër para...
Në mos ngjaftë kjo, qeveria e huaj do të hynjë në punërat tona të brendshme
kurdoherë që do të ngjitet nonjë nga subjektet e saj: kështu do të jemi një
shtet me nam independent, po në fakt nën kontrollin e një shteti tjatër,
sikundër është Greqia sot nën kontrollin e FrankoInglizëve (...). Këta zotërinj
do t’i bëjnë një të keqe të madhe Shqipërisë me veprën e tyre antipatriotike,
se me këtë mënyrë do të shtojnë shpresat e imperialistëve, po do të fitojnë
sigurisht urrejtjen e të gjithë Shqiptarëve dhe mallkimin e të gjithë bijve të
tyre. Shqipëria ka shkuar nëpoër tërë zhvillimet e pacënuara dhe këtë rradhë do
të dalë si dielli pas shiut, e shkëlyqer dhe e bukur që të trashëgohet prej
bijve të saj që s’e harrojnë nga çdo çip i botës an’e mbanë që të ndodhen.”
Mendimet e Loni Kristos janë aktuale sot e kësaj dite, kur disa politikanë tanë me biografi ateiste, rrëshqasin si thiu në akull. Pse? Sepse në vend të fabrikave, për të përfituar vota politike, janë duke e mbushur Kosovën dhe Shqipërinë me faltore islamike për inkurajimin e fanatizmit fetar. Në faqet e “Diellit” pasojnë artikuj tjerë si “Teqetë kombëtare” (Mihal Grameno), “Edukata e Qytetarëve dhe Qëllimi i Shkollave Publike Amerikane”, “Mesha Peshkopale në Philadelphia”, lajme të shkurta, si “Meshë (shqiptare) në Boston”, “Një lutje këndonjësve të Diellit”, “Tiketa vapërësh për atdhe”, “Ndihni dhe përkrahni Kryekishën Kombëtare “Shën Gjergji”, “Kisha Orthodokse Shqiptare “Fjetja e Shën Marisë”. Pason “Libraria e Diellit” me vepra si: Abetare Toskërisht, Abetare Gegënisht, Ëndërr e Vërtetë (Spiridon Ilo), Dëshirat e Zemrës (Spiridon Ilo), Kalendari i Shoqërisë “Dija”, Cili është Ay (Carmen Sylva), Dëshira e Vërtetë e Shqiptarëve (përkth. Kristo Floqi), Kalendari Populli Nacionalist, Barbaritë Greke (K. P. Tomori), Psherëtima (Kasem Daut), Libra Ushtëriake (Akif I, Përmeti), Fjalor Inglisht-Shqip (Dennis Kambury), Othello (Wiliam Shakespeare), Skenderbeu i Longfellow-it, Imzot Fan S. Noli, Kalendari i Vatrës, Libra e Shërbesave të Shenjta, etj.