| E enjte, 25.04.2013, 08:37 PM |
JETA
ËSHTË SI NJË ËNDËRR E BUKUR
-Në vëllimin poetik “Ëndërr” të poetes Drita Lushi, ndesh aromë jete dhe prirje të spikatura per t’i folur jetës dhe kohës me një gjuhë dashurie metaforike-
NGA PËLLUMB GORICA
Duke
lexuar vellime poetike të poetëve, miq të mi, më ngjan se shëtit në lëndina
ndjesish e impresionesh, i mrekulluar nga jehona e shpirtit të poetit dhe e
magjisë së vargjeve. Poezia lexohet, shijohet, recitohet. Për të mund të
flasësh e të shkruash pa fund, mbase dhe me “frikën” se po matesh me të. Ajo
është një magji më vete, me të cilën poeti bën për vete lexuesit.
Të
shkruash mbi poezinë e një poeteshe me vlerë dhe kërkuese, si Drita Lushi,
është kënaqësi. Aq më shumë, kur kjo autore tenton të shprehë sfidën e saj
krijuese, ndryshe nga shumë krijues të tjerë, që, përveç dëshirës dhe retorikës
gri, si lidh asgjë me poezinë. Frymëzim i përmbledhur në vargje në vëllimin
poetik “Ëndërr”. Në tërësi duket sikur poezitë plotësojnë mesazhin që përcjell
titulli, por ajo mbetet e hapur për vazhdimësinë, luftën dhe përjekjen e
rindërtimit të jetës, se poetja e bën hyjnore rrugën prej nga vjen dhe frymën
që ajo u dhuron me rrugën qiellore, me lëvizjen dhe dinamikën e jetës. Yjet
kanë botën e pakuptuar për dhimbjet, gezimet, që fshihen në dritën e ëndrrës,
në murin e shpirtit pa themele. Kjo ëndërr i kapërcen edhe kohet,edhe motet e
gjithçka ne harkun e pafundesive, në bukurine dhe driten e varur ne gershetin e
çastit qiellor te dashurise e poetsha këto dashuri i ben të dukshme. Prej andej
fluturimi është i pastër. Kjo pastërti, në përpjekje për mbijetesë, në kushtet
e botës fizike, është sëndërtuar . Në poezinë e Drita Lushit ndesh aromë jete
dhe prirje të spikatura per t’i folur jetës dhe kohes me një gjuhë dashurie
metaforike.
Në dy
vargje të poezisë së saj “Më ler të të dua” poetja, Drita Lushi, thotë:
“ Nuk vij
si pushtuese, vij si dashuri”. Janë dy vargje shumë domethënëse që shprehin
tërë motivet dhe përcjellin mesazhin kryesor të vëllimit “Ëndërr”. Këto dy
vargje janë një trokitje e këndshme në dyert e zemrave e mendjeve të lexuesve
dhe opinionit të përgjithshëm të tyre. Poetesha Drita Lushi ëndërrbukur,
nëpërmjet fjalës së saj të kristaltë, plot emocion dhe elokuencë , kërkon të
pushtojë gjithçka me dashurinë dhe përkushtimin e saj femëror. Kërkon t’u japë
secilit dashuri e mirënjohje. Poetja e bën dashurinë shpatë dhe pret kokat e
çdo të keqjeje, e bën penë dhe bojë dhe ngre male lavdie, e bën fllad ledhatues
dhe depërton në çdo zagushi njerëzore, e bën këngë dhe hap dyert e çdo zemre
dhe mendjeje të etur për jetë. Rrënjët e vërteta të jetës fillojnë tek dashuria
e vërtetë, ëndrrat që lindin nga dashuria, janë frymëzuese dhe udhërrëfyese për
të ardhmen. Dashuria është gjuha që e kuptojnë të gjithë, është gjuha që e flet
çdo moshë ndaj dhe është e papërballueshme për cdo zemër, ndaj është qindra
herë më pushtuese se çdo pushtues. Sipas poetes, vetëm nëpërmjet dashurisë
thuhen: “Kushedi sa secrete, fjalë të pathëna, puthje të padhëna, urrejtje të
shkuara në pergamene memece”.
Nëpërmjet
detajeve të zgjedhura me kujdes, si “dy buzë që takohen”, flokët e dashurisë që
hallakaten mbi gjokse të ndezura”, “trokitje pranverore “, që lajmërojnë
përtëritje, poetja Drita Lushi e ndjen veten të rilindur në “planetet e
dashurisë.” Aq shumë ëndërron dhe dashuron kjo poete, saqë, e dehur në lumturi,
noton në detin e mirësisë tërë pasion dhe ndjenjë dhe pastaj shpërthen në
ekstazë: “Unë jam e lumtur dhe qesh qesh me lumturinë time , sepse është imja
“.
Drita
Lushi jep mesazhin e madh se kur njeriu ka zemër, ka ëndrra, dhe, kur ka
ëndrra, ka dëshirë për jetë,dhe, kur ke dëshirë për jetë, sfidon gjithçka. Ajo
dënon me finesën femërore shpirtligësinë, xhelozinë, zilinë e mërinë, ngritur
pa shkak kur shkruan : “Mos qep zilinë me lumturinë time”. Poetja është krenare
dhe triumfuese, ëndërrimtare dhe e lumtur ,sepse dashurinë e kërkon me ngulm
dhe sinqeritet aty ku është , bëhet fluide dhe është në gjendje të bjerë në
dashuri edhe me diellin:“Kaluan vite e me diellin në dashuri rash, me shkelje
sysh e buzëqeshje të arta”
Është kjo
arsyeja që ajo hap çdo “valixhe shprese”, nuk bëhet “lodër e fatit” e kërkon e
ndërton “dashuri tokësore” dhe është në gjendje të mbjellë kudo ëndrra të
bukura, ashtu siç është e gatshme të ngrejë dallgë edhe në “pikën e lotit”:
“Harrove ç’më the: Sonte unë dhe ti do mbanim natën zgjuar”.
Ajo, në
një mënyrë të pathënë asnjëherë, gërmon me mall në vitet e vogëlisë dhe do të
tipizojë bukur fëmijërinë e saj :“Një mollë e kuqe në gjysmëhënë kafshuar
harruar në një lisharse buzë detit më thirri me emër të shkoja drejt saj.” Ajo
kërkon të përjetësojë dashurinë e vërtetë për gjithçka, për njeriun e zemrës,
për shokët e miqtë, për prindërit e saj, për jetën që gjallon, për bukurinë që
triumfon. Me fjalë të thjeshta, ajo i ngre lapidar brenda qenies së saj babait
të paharruar : “Kështu ndërtoj një lapidar brenda qenies sime. Një lapidar
mbrujtur me kujtime mall e lotë”.
Kjo poete është gjithmonë në lëvizje, në zhvillim, në vrap pas këngës dhe ëndrrës, pas dritës dhe ajrit, rri gjithmonë zgjuar, duke iu shkëputur nga krahët gjumit të besdisshëm. Ajo rend të kapë një ëndërr, të takojë të bukërën, t’i thurë kurora asaj. E përsëri ngutet, kërkon, lufton, mbledh ëndërra dashurie, sfidon kundërshtitë. Ajo ngutet. Për ku?. Pasi bën pre të zemrës së saj çdo gjë të bukur e njerëzore, ajo ndalet pak të pushojë nën përkëdheljet e prindërve apo puthjet e të dashurit Përgjigja nënkuptohet : Të prekë ëndrrat e shpresat e të jetoje në lavdinë e së ardhmes. “Ngutem të nis ditën e gjumit t’i zbuloj jorganin. Ngutem të përqafoj diellin e t’i marr rrezen e parë. Ngutem, ngutem shumë të jem njeri.” Ajo, në ecjen e saj, ka sigurinë e moshës dhe të mendjes , ndaj ajo thith agime pranverore dhe cdo gjë të bukur, të mirë, të dashur, i thotë me zemër të hapur :Mirëmëngjes! “Unë jam zgjuar në një blertësi dite, vetja nuk më tradhtoi, as unë atë. Mirëmëngjes, zgjim i ëndërruar! Mirëmëngjes!