| E enjte, 25.04.2013, 08:17 PM |
Koleksioni
i fotografive të Maks Lambercit në Tropojë më 1916
Nga Gjon Neçaj
TROPOJË- Pjesa dërrmuese e fotografive shqiptare të
koleksionit të Maks Lambercit u realizua gjatë udhëtimit të tij në verë të
vitit 1916, kryesisht në Shqipërinë
veriore.. Janë fotografi të peizazheve të
veriut, të fshatrave dhe
ndërtesave të tyre në mes të Luftës së Parë Botërore. Në pranverë të vitit 1916,
Komisioni për Ballkanin i Akademisë
Perandorake të Shkencave në Vjenë dha detyrën që të merrte pjesë në një
ekspeditë ballkanike të organizuar nga Akademia Perandorake e Shkencave në
bashkëpunim me Ministrinë Perandorake të Arsimit dhe të Pedagogjisë dhe me
Zyrën e Thesarit Perandorak, me qëllim
kryerjen e hulumtimeve gjuhësore dhe folklorike në Shqipëri. Maks Lamberc u
nisa nga Vjena më 19 maj 1916 bashkë me
historianin e artit dhe epigrafistin e ekspeditës.
Në
kujtimet e tij Lambrec, përkthyer me mjeshtëri nga Robert Elsie, shkruan : “U
nisëm nga Shkodra në fillim të korrikut
dhe kaluam luginën e Kirit përmes Drishtit dhe Prekalit për në krahinën e
Shoshit. Mark Lulashi nga Shoshi na shërbeu si udhërrëfyes dhe doli se ishte
njohës i mirë i dialektit të Shoshit. Ky dialekt karakterizohet nga shqiptimi i
q si ç dhe i gj si x. Shënova gjithashtu disa këngë në dialektin e Shoshit. Nga
Qafa e Gurakuqit, rruga na çoi përmes Shoshit
poshtë në luginën e lumit të Shalës, prej ku, duke lënë Abatin majtas, u ngjitëm për në qafën e Agrit, e cila është kufiri midis Shalës dhe Merturit.
Prej këndej, u ngjitëm përmbi Palç për
në Kotec dhe arritëm në luginën e Drinit para Kotecit. Udhëtimi na kishte
ofruar pamje të mrekullueshme që nga Drishti e më tej, me male të larta e hijerëndë, me pamje të paqme të luginës në Shosh dhe
peizazhe të errëta të Shalës, por pasi
hymë në luginën e Drinit, i cili
gjarpëron prej këtu nëpërmjet maleve të Merturit, u mahnitëm nga peizazhet vërtet të
mrekullueshme. Nga Koteci në Drin u ngjitëm për në Rajë, vendbanimi i fundit në Mertur. Kjo famulli, ku Patër Gjoni banon në vetmi, ndodhet aty ku Valbona derdhet në Drin. Më
lart në luginën e Valbonës banon fisi mysliman Krasniqi, i cili nuk e meriton aspak namin e keq që ka
si popull armiqësor dhe i egër. Në Gegëhysen u njoha me disa pleq krasniqas dhe
vura re se janë njerëz të mençur që dinë të shijojnë një barcaletë të mirë dhe
prapëseprapë janë myslimanë me mjaft dinjitet. Dialekti i tyre i përket grupit
të Gjakovës. U ndava nga tre bashkudhëtarët e mi në luginën e Valbonës, të cilët vazhduan në drejtim verilindor, kurse unë u nisa në drejtimin jugor, duke u kthyer në Rajë në hyrjen e luginës. Aty
takova Beqir Ndoun dhe Kolë Markun të cilët u treguan të gatshëm të më
informonin për dialektin e tyre në kufirin me Merturin ku, në një qetësi malore të përsosur, Valbona e ëmbël, e mbushur me peshq, derdhet në Drin, dhe fiset Krasniqi, Gashi dhe Thaqi puqen me Merturin. Kalova
Valbonën poshtë Rajës dhe pastaj kalova Drinin me një pirogë të dyfishtë
jashtëzakonisht primitive”.
Kështu
shkruan Lambrec në kujtimet e tij 97
vjet më pare për Tropojën, kujtime të cilat së bashku me fotot kanë vlera të
pazevendësueshme histroike, duke patur parasysh se aktualisht në Tropojë nuk
ndodhet asnjë objekt muzeal për historinë e kësaj treve.