| E hene, 22.04.2013, 06:46 PM |
Rishkrimi i historisë nga turqit dhe Idro Montanelli
Nga Menita Ljarja
Në vitin
1927, në të përkohshmen “DITURIA”, Mit’hat Frashëri në shkrimin me titull “Duke
kënduarë një librë” pohon se pasqyra më e mirë e një populli për të njohur
vetveten është gjykimi i tjetrit. “Të paktë janë relativisht ata që vizitojnë
vendin tonë dhe që zbavitenë me të shënuarë çë shohin dhe çë vërejnë. Nga ana
tjatrë ne kemi nevojë të madhe të dimë çë mejton ay që vjen së largu, riturë
dhe rrojturë në një mjedis të ndryshmë prej t’ënit: çë ide formon për neve dhe
çë përshtypje merr nësh” – shkruan Mit’hat Frashëri.
Për ta mbështetur mendimin e tij, ai i referohet veprës që është shkruar
nga një udhëtar anglez së bashku me të shoqen e tij, të cilët asokohe kanë
vizituar Shqipërinë. Vepra titullohet “The two vagabonds in Albania”, me autorë
Jan Gordon dhe Cara Gordon. Ja si e përshkruajnë ata Tiranën e viteve ’20: “Si
kryeqytet Tirana na bëri përshtypje të dobët. Në fillim na u duk si pazari i
një qyteti oriental, po që ka humbur qytetin”. Të dy udhëtarët, artistë,
shkrimtarë dhe vizatues të mirë, siç i përshkruan Mit’hat Frashëri, çuditeshin
me optimizmin e njerëzve të ndryshëm teksa njerëzit i falënderonin ata pasi
kishin marrë vesh se udhëtarët do të shkruanin vetëm përshtypje të vërteta. Ata
kanë qenë në Shqipëri në vitin 1925 dhe kanë vizituar qytetet si: Tiranën,
Shkodrën, Elbasanin, Përmetin, Gjirokastrën, Këlcyrën, Beratin, Malësinë e
Madhe e të Vogël. Qyteti që iu kishte bërë më shumë përshtypje udhëtarëve
anglezë ishte Gjirokastra. “Nuk besoj të ketë në botë një qytet si
Gjirokastra,” – pohojnë ata.
Disa vite më vonë Shqipërinë e viziton edhe historiani, gazetari i madh
Indro Montanelli. Në librin e tij “Shqipëria një dhe një mijë” mund të lexojmë
një Shqipëri, e cila nuk ndryshon shumë prej asaj të sotmes. “Tirana,
-thotë Montanelli, m’u duk një qytet i tepruar dhe – të më falin miqtë
e mi shqiptarë – i tillë më duket ende. Të kuptohemi, i tepruar vetëm në
kuptimin relativ. Pasi është vënë në rrugën për t’u bërë një kryeqytet
perëndimor, duhet ende të përpiqet me të gjitha forcat për t’ia dalë mbanë…”
sepse nëse lexojmë më në brendi të librit do të gjejmë të shpjeguar dhe arsyen
e varfërimit të Shqipërisë në vlera perëndimore. “Turqia e ngujoi historinë
shqiptare në feudalizëm mesjetar, nga i cili ajo po dilte mundimshëm. Ajo nuk
rregulloi, por shkatërroi”.
Secili popull ecën sipas një sistemi vlerash të trashëguara, mbi të
cilat ndërton të ardhmen e vet. Pyetja që shtrohet është: a jemi ne një popull
i qytetëruar për të kuptuar, mbështetur dhe nënshkruar njëzëri një kauzë në të
mirë të kombit tonë?
Kauza së cilës i referohem është ajo Kundër rishikimit të historisë nën
mbikëqyrjen e autoriteteve turke. Të lejosh ndërhyrjen e huaj në rishikimin e
historisë sonë do të thotë t’i hapësh udhën injorancës dashakeqe dhe të lejosh
që i gjithë sistemi i vlerave kombformues i formimit të historisë sonë të
asimilohet nga frymëzimi i huaj, i cili dëmton dhe fyen si myslimanët dhe të
krishterët shqiptarë, të cilët bashkërisht kanë luftuar për Shqipërinë dhe kanë
krijuar historinë tonë. Ai komb që nuk dëshiron të mbrojë historinë e vet në
emër të së vërtetës dhe përparimit, nuk mund të ketë një të ardhme kah vlerave
të vërteta qytetëruese të familjes së madhe europiane. Kësisoj, siç thotë dhe
Anton Harapi: “Politika s’ka kund themel; qellimi shoqnuer nuk a ma
qellim por mjet i qellimeve tjera, natyrisht jo të para as të përgjithta, por
të dyta e të veçanta”. “Muhamedanizmi i huaj - na e kujton
Mit’hat Frashëri, u jep besnikëve të saj një dinakëri dhe fallshëri që
drejton gjithë punët e tyre.” Në këtë kategori bëjnë pjesë
pseudohistorianët dhe gjithë ajo kategori e shoqërisë shqiptare të cilët nuk e
dëshirojnë të vërtetën dhe nuk dëshirojnë ta mbrojnë atë, sepse të duash të
vërtetën kërkohet sinqeritet, guxim dhe ndërgjegje. “Ndryshimet e historisë
me ekspertë turq përbëjnë një agresion kulturor që godet shtyllën kurrizore të
kombit, ato janë një fyerje e papranueshme për shqiptarët dhe me pasoja për të
ardhmen dhe identitetin e tyre. Të gjithë tashmë e dimë se çdo ndërhyrje në
histori sipas skenarëve të paracaktuar politikë cenon ADN-në e kombit
shqiptar”,- pohon Ismail Kadare.
Tani t’i japim përgjigje një pyetjeje tjetër.
Ku ndodhet sot Shqipëria? Në kryeqytetin e pa qytet, apo në udhën për t’u bërë një kryeqytet perëndimor?