| E diele, 21.04.2013, 05:01 PM |
”SHQIPNI, QENDRO NË
NALTËSINË E KËSAJ
BETEJE TË MADHE !”
Nga Fritz RADOVANI
Në Token
e Bekueme Shqipni, Atdheun e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, n’ Atë shkamb ku
Shqipja Dykrenare me kthetrat e veta ka shkrue Epopenë ma të lavdishme të
qendresës sa shekullore të Atdhetarizmit Shqiptar dhe të Fesë Katolike,
perballë Gjenocidit osman para vitit 1912 dhe atij sllavokomunist mbas vitit
1944 e deri në vitin 1991, atëherë, kur Bota rrotullohej ndaj një Ylli ndriçues
polak me emnin Karol Vojtila, i njohun si Papë
në Vatikan me emnin e Shenjtë Gjon Pali II, edhe Atdheu i Shqipeve
ndriçohej me lutjet e Tija të vazhdueshme dhe me një perkushtim të veçantë.
Janë uratët e një bashkvuejtësi si na nën zgjedhen e pashpirtë të diktaturës
komuniste. Janë thirrjet e Atij Burri të njohun e trim, i cili do të lanë në
fletët e historisë nen emnin Papa Gjon Pali II, tri fjalë: “Mos keni frikë!”
Ai asht
lé me emnin Karol Jozef Vojtila me 18 Maji 1920 në Wadovicë të Polonisë, dhe
asht shugurue meshtar në nandor të vitit 1946, kur Polonia ishte e pushtueme
nga trupat stalinjane bolshevike të sovjetikëve. Asht zgjedhë Papë në Vatikan
me 16 Tetor 1978, ora 17,15’. Asht autor i mbi 70.000 faqe t’arta dorshkrime.
Vepra e parë e Tij titullohet: “Të kapercejmë pragun e shpresës”... Asht idea e
Tij që e ka shoqnue gjithë jeten...Asht hapi i vendosun me siguri e besim në
Kalvarin e gjithë jetës! Ai hapi një epokë të re per Kishen Katolike Botnore me
tri vizitat e Tija në vitin 1979, me 2 Qershor në Krakov të Polonisë, ku marrin
pjesë në Meshen e Tij të Parë si Papë mbi 2 miljon polakë. Nisë udhtimin me 2
Tetor në ShBA, ku mban një fjalim të randsishem në OKB, “Mbrojtja e të drejtave
të njeriut dhe liria e Fesë” dhe, vizita e tretë në Turqi, me 28 Nanor, ku
takohet me Patriarkun e Konstantinopolit Dimitri I, në Al Fanar, udhtime që
hapin atë Histori të papersëritëshme!
Papa Gjon
Pali II ka rivendosë mardhanje diplomatike me Anglinë, ShBA, Izraelin dhe Organizaten
per Çlirimin e Palestinës. Lidhjet e Tij me Shqipninë janë të veçanta.
Ai ka
provue diktaturen naziste, komuniste, atentatin e Mehmet Ali Agxha, me dt. 13
Maji 1981...dhe ka vizitue mbi 180 shtete të botës...po nuk ka harrue asnjëditë
Shqipninë e Martirizueme nga Gjenocidi sllavokomunist i osmanllinjëve
Koha
provoi gjithnjë se njeriu ma i kërcnuem i shekullit XX ishte Gjon Pali II,
se Ai luftoi totalitarizmin, varfëninë e
Botës së tretë, kerkoi edukimin e arsimimin e fëmijëve të kontinenteve të
shtypuna nga kolonizatorët, Ai punoi në mënyren ma të guximshme per
shpartallimin e Perdes së Hekurt, dhe u angazhue
per transformimin e Europës Lindore komuniste në vende të lira dhe demokratike.
Ai kishte forcë dhe pushtet në politikë pa hy në politikë...luftoi abordin dhe
ishte i premë në qendrimet morale. Në të gjitha takimet me rininë Ai predikoi
rrezikun dhe pasojat e shemtueme të drogës, imoralitetit, korrupsionit dhe
mënyren se si rinia duhet të luftojë per të Drejtat e Njeriut, demokraci e liri
të vertetë.
Në 17
nandor të vitit 1985, Papa Gjon Pali II, i dergoi dy letra personale në takimin
e randsishem të Gjenevës, Ronald Reagan dhe Mihajl Gorbaçov...
Ai erdhi
si Papë me ide, bindje, qellime të kjarta dhe guxim për me i zbatue ata.
Ai ishte
gjenialitet i rregullimit të një Bote të trazueme ku mbet simbol i një Epoke të
Re, me mjetet ma paqsore, ku “Liritë dhe të Drejtat e Njeriut” triumfuen mbi
diktaturat, sepse Papa Gjon Pali II, ishte antikomunist, progresist, iluminist,
humanist, kundershtoi me forcë kapitalizmin e eger, varfninë perballë pasunimit
të pandershem, diskriminimin e njeriut, tue fillue nga muret mbrenda familjes,
u perball me komunizmin dhe e shembi até tue këputë telat me ferra rrethues e
bashkë me ta, tue rrëzue edhe Murin e Berlinit.
Pikërisht
në këte moment historik të shoqnisë njerzore të robnueme të Evropës Lindore,
Vojtila i zbërthen prangat e tiranisë
komuniste me tri fjalë të vetme e të sakta: “NON ABBIATE PAURA !”, “MOS KENI
FRIKË !” sëpse, njeh parimin filozofik të historisë: “Kur një Popullit i ikë
frika, shpejt Atij i vjen LIRIA !” dhe, menjëherë mbas takimit me R.Reagan në
Qershor 1987, Vojtila shpartallon komunizmin me Kristjanizëm... pra, pa
gjakderdhje dhe me paqë, por jo, me paqë nën kamxhik dhe kallashnikov...
Ai erdhi
në Selinë botnore dymijvjeçare të Katoliçizmit tue sjellë me vete sekretin e
madhështisë së Tij, sekret të cilin, askush nuk mujti me e kuptue para Tij:
“Komunizmit totalitar Ai i zbuloi anën shpirtnore të Njeriut”. Suksesi i madh i
Tij qendron në zberthim dypalësh, atë të ndergjegjes së ndrydhun dhe
shpartallim të prangave të tiranisë komuniste.
M.
Gorbaçov ka pohue: “Pa Papen Karol Vojtila, komunizmi nuk do të kishte ra!”
Asnjë nga
takimet historike nuk asht ba në bazat e rraketave, bunkeret, nëndetëset apo
zonat e fluturimeve kozmike por në dhomën e pritjes së Papës Gjon Pali II, në
një tavolinë kuadrate, të lëmutë, të bardhë, të pastër dhe të ndritëshme siç
ishte Ai vetë, ku, mbështetëshin vetëm katër duer... që posa lidheshin
Burrnisht njena me tjetrën tue u shikue drejtë në sy: “Nënshkruenin marrveshje
paqe e dashunije të pakufi për mbarë Njerzimin!”
Ja, pra,
Ky ishte Papa Polak Karol Vojtila, që ndryshoi Historinë e mbarë Botës!
Ra Muri i
Berlinit! Ra sistemi komunist terrorist nderkombtar! Ra perjetë tirania!
U rrëzuen pergjithmonë diktatorët e bashkë me ta edhe “përmendoret” e tyne!
“Historia
endè nuk e ka njohtë até që ka ngja në Shqipni...”
Atë ditë
me 25 Prill 1993, kur Papa Gjon Pali II, po hynte fitimtar në Katedralen e
rindertueme të Shkodres, ditë në të cilen Ai puthi Token Shqiptare, Token e
rijtun me shekuj me gjakun e Shenjtë të mija Martirëve Shqiptarë, e së fundit
të ramë nën shpaten anadollake komuniste e barbare, na dukej e pabesueshme se
jemi tue pa me sy Burrin ma të madh të Shekullit që me doren e Tij, po na
bekonte e po na ringjallte Fenë në zemrat Tona!
Ishte po,
Ai Papë, që në qershorin e vitit 1991, Burrnisht kishte refuzue kerkesen e
tradhëtarit dhe zbatuesit të “Revolucionit Kultural” Ramiz Alia, në vitin 1967
në Shkoder, per me vizitue Vatikanin, me shpresë mashtrimi per me ruejtë postin
e presidentit.
Ai Papë
ishte që porsa mërrijti i dhuroi Qytetit të Shkodres Fuguren e Zojës së
Këshillit të Mirë dhe e vendosi me doren e Tij, tue e bekue Gurin e rindertimit
të Kishës së Zojës brijë Kalasë Rozafat, për të treten herë e shkatrrueme mbas
1967 nga anadollakët. Mesazhi i Tij ishte: “T’i kthehet vendit dhe Popullit
Tuej paqa, një jetë ma e mirë dhe zhvillimi social simbas traditave njerzore e
fetare të kësaj tokë” (26 Prill, Vatikan).
Ky ishte
Polaku Vojtila, që kur Bashkimi Sovjetik kërcënoi Poloninë për lëvizjet
demokratike atje deklaroi: “Nëse një ushtar sovjetik do të shkelin kufinin
polak, unë do të çveshëm si Papë dhe do të shkoj me luftue atje për Lirinë e
Atdheut tim!”
Papa Gjon
Pali II asht njohësi ma i saktë i Shqipnisë robnueme komuniste dhe per këte t’i
referohemi Atij: “Kam ardhë këtu për me ju shpreh nderimin tim Vllazënor edhe
komunitetëve të ndryshme fetare që bashkjetojnë këtu prej shekujsh: Komunitetit
Kristjan Ortodoks dhe Komunitetit Mysliman, të cilëve, u sjellë një
përshëndetje të përzemërt...
Kam ardhë
për me i shfaqë çdo Shqiptari admirim dhe mbështetje në këte fazë delikate të
kalimit historik dhe të të shumë së dishruemes ringjallje shoqnore e
shpirtnore.
Të
dashtun Vllazën e Motra! Sa herë në të kaluemen ju asht dashtë ta mbroni me
forcë identitetin tuej. Me një angazhim të tillë sikur edhe vetë ky shesh na e
kujton u shque Figura e naltë e të Krishtenit Gjergj Kastriotit – Skenderbeut,
i respektuem nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e Popullit
Shqiptar...
Ju keni
vuejtë për Kombin Tuej. Prandej dhe keni të drejtë ta doni kaq shumë. Populli i
juej kaloi një tragjedi me të vërtetë tronditëse nën shtypjen komuniste. Ishte
vërtetë i tmershëm përftyrimi i jetës njerzore nën rregjimet totalitare si ai
që ju keni njohtë, ku njeriut i mohohej një nga të drejtat ma thelbësore: Liria
e shfaqjes së mendimit dhe e besimit të tij si dhe liria e ndërgjegjës. Mohim
ky, që shpesh merrte formën e një shtypjeje të tmershme. A ka gja ma të randë
sësa mbyllja e Tempujve të çdo besimi dhe, a nuk u dënuen me vdekje
priftërijtë, vetëm pse guxuen të ushtronin rritët fetare? A nuk u përsekutuen
besimtarët tue u burgosë ose tue u fye me të gjitha mënyrat?
Në vendin
tuej të vishkulluem mashumëse asnjë vend tjetër nga përsekutimi asht e thjeshtë
me gjetë gjurmët e katakombëve të lashta kristjane dhe t’arenave ku,
dëshmitarët e Krishtit hidheshin me dhunë për me ushqye bishat. Këtu kje një
luftë e ashpër kundër Fesë, simbas një vije dogmatike të një programi shoqnor
dhe politik, i mbështetun nga ideologjia komuniste...
Dukej
sikur mjeti ma i domosdoshëm për me realizue e trumbetue “Parajsën në tokë” kje
tue i mohue njeriut atë forcë që e lidhë me Krishtin, forcë kjo, rreptësisht e
dënueme si një “dobësi e pandershme për njeriun”.
Në të
vërtetë kjo forcë e pame jo me atë sy ishte ma shumë dishka shqetësuese për
ata, ashtu si e treguen faktët. Përsoni njerëzor në të vërtetë me energjinë që
vjen nga Feja, nuk lejon lehtësisht të hidhët në anonimatin kolektiv...
Ajo që ka
ngja në Shqipni të dashtun Vllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e
njerëzimit. Asht e vërtetë se edhe në Përandorinë Romake janë ba përndjekje të
ashpra ndaj të Krishtenëve, por atëherë ishte fjala për shtet i cili në emën të
një feje, asaj pagane, luftonte ata që mbështetshin Ungjillin e Krishtit. Kurse
këtu, shteti asht përpjekë me shue çdo shprehje fetare në emën të një ateizmi
radikal, të mbështetun në një sistem universal dhe përgjithësues. E gjithë kjo
ndodhte në një kohë kur askush nuk mund të ndërhynte për me mbrojtë dinjitetin
e njerëzve që u ishte mohue gjithshka, tue i çveshë deri nga ma “njerzoria”,
liria e tyne...
Drama e
Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Evropian dhe
asht e domosdoshme që Evropa mos t’ Ju harrojë!
Dhe në
fakt ky duhët të jetë pikësynimi sot, me këthye shpejt fletën tue mos harrue
atë që ka ekzistue për me shikue përpara. Pikëpamje kjo, që në një prizem
vështrimi asht e drejtë e, madje, e domosdoshme, por me një kusht, që me mbetë
gjithmonë në kujtesën tonë ajo që ngjau në të kaluemen. Në të vërtetë ky asht
kusht i domosdoshëm për mos me u rikëthye tek të njajtat gabime të përlotuna
dhe, asht shtegu ma i mirë për një proçes pajtimi të vërtetë. Por, kjo liri
besimi fetar të cilën Ju, ma në fund po e shijoni, nuk asht vetëm një dhuratë e
çmueshme e Zotit për ata që kanë hirin e Fesë, por asht një dhuratë për të
gjithë, sëpse ajo, asht thëmeli i garancisë për çdo shprehje tjetër të lirisë.
Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë cep të Shenjtë dhe të
padhunueshëm që asht ndërgjegja, ku, kenja njerëzore takohët me Krijuesin dhe
fiton ndërgjegje të plotë të dinjitetit të vet.
Nga një
liri e tillë, e trajtueme ashtu siç duhët, nuk ka përshka ti trembemi asnjë
shrregullimi njerzor. Besimi i çiltër në Té nuk i përçanë njerëzit por përkundrazi,
i bashkon me gjithë veçantitë e tyne. Si na e mëson edhe Feja, nëse kemi një
Krijues të perbashkët që të gjithë jemi Vllazën. Kështu, që Feja, asht një
kështjellë mbrojtëse kundër totalitarizmit dhe një kontribut vëndimtar për një
vllaznim human.
Liria e vërtetë fetare i shpëton ngacmimëve të
intolerancës dhe të sektarizmit, dhe ofron mënyra dialogu të respektueshëm dhe
konstruktiv...
Shqipni,
qendro në naltësinë e kësaj beteje të madhe!
Rruga që
do të bash nuk asht aq e lehtë. Endè ka plagë të pambylluna. E kaluemja lé të
shërbejë si mësim por kurrë mos të të shtyjë në hakmarrje mëllefesh. Tashti
asht koha për me shkue me besim drejt së ardhmës. E madhe asht detyra që të
pret për të cilën tashma e ké fillue punën më një zell të lavdrueshëm. Në
përpjekjen për rimëkamjen ekonomike asht e domosdoshme që të gjithëve t’ u
garantohët puna e, ajo që asht ma esenciale për me jetue me dinjitet, lé ti
bashkohët edhe vullneti për t’ a konsolidue demokracinë tuej të ré.
Kjo nuk
arrihët pa çmue si duhët disa vlera thelbësore tue fillue sëpari nga dinjiteti
i jetës njerëzore. “Një demokraci pa vlera, -kam shkrue n’ Encilklikën
Centesimus Annus-mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapun
ose të fshehtë, si po na e tregon edhe historia... ” (25 Prill 1993, Në sheshin
Skenderbeu, Tiranë).
Dhe unë, po persëris: “Historia endè nuk e ka njohtë até që ka ngja në Shqipni... Drama e Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon interesin e mbarë Kontinentit Evropjan!..