| E premte, 19.04.2013, 07:39 PM |
Mes Thatcher-it dhe Che-së
megjithë Chavez-in!
Nga Elvi Sidheri
Këto ditë
u zhvillua me ceremonitë më të larta të parashikuara nga ligji britanik, funerali
madhështor i “Zonjës së hekurt”, thënë ndryshe Margaret Thatcher.
Gjer këtu
jemi në rregull.
Vdiq
zonja e madhe që pati qeverisur për më tepër se dhjetë vjet Mbretërinë e
Bashkuar dhe autoritetet e atij vendi i dedikuan kujtimit të saj të tërë
respektin e merituar për një jetë të kaluar përmbi kreshtën e valës së
politikës britanike dhe asaj botërore.
Padyshim
dhe nuk kishte si të qe ndryshe në Britani, që është një vend i lirë ku secili
ka të drejtën ligjore të shprehi mendimet dhe kundërshtitë e veta, pati dhe ka
edhe nga ata (jo të pakët do pranuar), që “Iron Lady-n” nuk e deshën në jetë
dhe aq më shumë gjetën rastin t’a nëmnin e t’a përçmonin tani si të vdekur (kur
s’ka kush t’u përgjigjet).
Por ajo
që mua më bëri përshtypje, ishte një si tip bishti i fëlliqur i debatit lidhur
me figurën e saj, që na arriti deri në Shqipëri.
Se mbetëm
ne t’a përcaktojmë kush ka qenë dhe çfarë ka bërë e nuk ka bërë Thatcher, jo
për gjë!
Por në
fakt, e pranoj që edhe ky pohim i imi, nuk qëndron edhe aq, sepse lartësia e
emrit të saj, ka tejkaluar Britaninë prej kohësh dhe ka prekur edhe cepat më të
largët të botës tonë, ashtu siç edhe globalizimi i sotshëm dhe kontakti i
shpejtë i lajmit, influencës dhe veprës së njerëzve të mëdhenj, kap kënde
përherë e më distantë.
Prandaj
për Thatcher-in, flasin ose thënë më drejtë, përdorin gojën, edhe shumë nga ata
do të duhej të vinin gjuhën në punë ekskluzivisht për figura si Mao, Kimi, Che-ja
ose Chavez-i.
Ja para ca
muajsh, s’kaloi shumë qëkur na la shëndenë edhe Lider Maximo i
Venezuelës...”nuestro querido y amadisimo”, pra i shtrenjti dhe shumë i dashuri
ynë, udhëheqësi Hugo Chavez.
Vdiq
tjetri, luftoi me sëmundjen e pashërueshme dhe shkoi në botën tjetër teksa tërë
opinioni botëror duhet pranuar se aty e kishte mendjen derisa ai dha shpirt.
Pra
Chavez-i, një njeri i akuzuar fort si gjysëm-diktator, me prirje të theksuara
uzurpuese të pushtetit në vendin e tij, persekutues i opozitës, mik me regjimin
totalitar komunist kuban, me satrapë europianë si Lukashenko bjellorus e
diktatorë të mirëfilltë si Ahmadinexhadi, ai pra gjithësesi në grahmat e fundit,
pati respektin botëror ndaj kushteve të vështira njerëzore nëpër të cilat po
kalonte dhe bashkë me vendin e tij u la i qetë, deri kur mbaruan ceremonialet e
rastit lidhur me varrimin e tij.
Vijmë në
ditët tona tek kujtimi i zonjës Thatcher dhe të plas gjithandej, aq më tepër në
Shqipëri, anti-thaçerzimi i vonuar nja tridhjet vjet të paktën.
Sepse të
jesh anti-thaçerist, do të thotë të jesh akoma me trutë në vitet tetëdhjetë, mundësisht
të jesh ose minator apo sindikalist anglez a skocez a uellsian që po të heqin
nga puna si pasojë e qeverisjes konservatore të Thatcher-it dhe si rrjedhojë ti
o njeri, të jesh ngritur me forcë kundër saj edhe ideve e frymës që ajo grua
përfaqëson.
Por ka
edhe një mundësi të dytë në fakt se desh harrova.
Një
anti-thaçerist, mund të jetë (duke pasur gjithmonë parasysh të qënit e
domosdoshëm në vitet tetëdhjetë)...dikush nga Argjentina, ndonjë pjesëtar i
Juntës së përgjakshme ushtarake të atjeshme për shembull, i cili pas aventurës
idiote të përpjekjes së dështuar për pushtimin e ishujve gati të pabanuar
Falkland-Malvinas (me dymijë banorë dhe shumë më tepër dele e shkëmbinj), ka
ngrënë ndonjë shqelm në pasme nga britanikët gjatë asaj fushate dhe e ka mërinë
të lartë kundër Thatcher-it, kryeministres britanike.
Ajo që do
theksuar sido që të jetë, është se nga vitet tetëdhjetë pra, shumë ujë ka
rrjedhur nën ura dhe gjërat kanë ecur dhe shpesh kanë ndryshuar.
Zonja
Thatcher nuk është më në pushtet në Londër prej 23 vjetësh, komunizmi në Lindje
si dhe diktatura ushtarake në Argjentinë është rrëzuar prej kohësh (si pasojë
direkte e humbjes së forcave argjentinase përballë atyre britanike në ishujt
Falkland dhe revoltës popullore pas atij turpi kombëtar).
Minierat
e shumta të thëngjillit janë mbyllur s’mbahet mend që kur në Britani, ashtu siç
edhe sindikatat e majta, në atë mbretëri s’i pyet kush dhe nuk i ngatërrohen më
nëpër këmbë shtetit siç bënin kur ende kishin mbështetjen e punëtorëve të
sektoreve të rëndësishëm të cilëve qeveria konservatore u vuri drynin njëherë e
mirë.
Por
urrejtja primitive për Zonjën e Hekurt, në qarqet e majta, ka mbetur e njëjta
si përherë dhe ajo e tejkalon disafish edhe ndjenjën ndoshta të arsyetuar armiqësore
ndaj Thatcher-it që mund të kenë akoma sot e kësaj dite, minatorët e dikurshëm
skocezë ose punëtorët e ish-industrisë së rëndë britanike, të cilët politika e
saj anti-sindikale i la të papunë dikur.
Dëgjova
Gorbaçovin dhe nuk është se foli keq tjetri, ish-armiku pra për këtë grua e
cila së bashku me ish-presidentin e ndjerë amerikan Reagan, i bënë gropën
përfundimatare ngrehinës së zezë sovjetike dhe hijes së errët që komunizmi prej
aty i gjeneruar qysh në vitet njëzetë pas revolucionit të kuq, përhapte si helm
nëpër planetin tonë.
Por jo, të
majtës sonë nuk i dalin njëmijë andrallat e veta, as sa e sa problemet e vendit
tonë të cilin po rreken t’a qeverisin një ditë, por do të shkojë të na gremiset
tek zonja Thatcher.
Unë vetë
si i djathtë, zonjës Thatcher i njoh disa merita, në lidhje me efektet e
politikës së saj të jashtme gjithmonë, sepse punët e brendshme të Britanisë, qytetarët
e asaj mbretërie i njohin më mirë se kushdo tjetër.
Por
gjithashtu duhet të pranoj, se edhe si shkak i luftës së saj të pakompromis me
krahun intransigjent të sindikatave të majta angleze me peshë të madhe tek
Partia Laburiste, u bë e mundur që si rrjedhojë e një rilindje të detyruar mbi
hirin e së majtës së vjetër britanike të shkelur nga doktrina thaçeriane, të
dilte në skenë edhe “New Labour-i” i përfaqësuar nga një figurë e madhe për
Britaninë, po aq sa edhe për neve popullin shqiptar, pra Tony Blair.
E nuk
besoj se tani unë ka nevojë që t’i shpjegoj kujt se çfarë do të thotë emri i
Tony Blair për shqiptarët, për Kosovën, për sulmet e NATO-s mbi regjimin
serbomadh të Beogradit etj.
Pra po
thoja vetëm se qoftë edhe si një pasojë e paqëllimshme indirekte e politikës së
sukseshme të djathtë konservatore të zonjës Thatcher dhe e shkatërrimit të
themeleve sindikaliste të së majtës britanike, më vonë si një reagim normal
ndaj këtyre dy fenomeneve thellësisht të ndërlidhur njëri me tjetrin, ndodhi
edhe shfaqja në skenë e një rruge tjetër të moderuar të së majtës së qendrës, asaj
të zotit Blair, një lideri karizmatik, i cili bëri shumë për Britaninë e tij, botën,
por edhe më tepër për ne shqiptarët.
Padyshim
që pas zonjës Thatcher, Tony Blair është kryeministri më me staturë shtetari që
britanikët kanë pasur mbas Winston Churchill-it dikur.
Blair-i
ngriti dhe njëherë në këmbë ekonominë britanike, ringjalli politikat e
suksesshme sociale për të tëra shtresat e shoqërisë britanike dhe po ashtu ai
njeri qëndroi me një rol vendimtar në krah të Bill Clinton-it, para, gjatë dhe
pas fushatës së NATO-s kundër serbëve në Kosovë.
Dhe sipas
mendimit tim të paktën, zoti Blair dhe filozofia e tij politike, nuk do të kishin
lindur dot, po të mos kishte qenë më parë në pushtet Margaret Thatcher-i.
Përveç
këtij efekti jo totalisht të drejtpërdrejtë të ekzistencës, pushtetit dhe
politikës së zonjës Thatcher, unë sidoqoftë, nuk kam sesi të mos i njoh asaj
meritën e pamohueshme dhe të jashtëzakonshme për kontributin e saj në
shkatërrimin e perandorisë komuniste sovjetike.
Dora e
fortë thaçeriane në Europë dhe administrata largpamëse e presidentit Reagan në
Washington, qenë padyshim autorët e rrënimit të sistemit totalitar sovjetik dhe
bashkë me të edhe të gjithë regjimeve kukulla të rusëve ose satelitëve dhe
bijëve të tyre, si enveristët tanë të 1941-shit.
Gara e
çmendur e armatimeve e nisur nga filozofia e presidentit Reagan, e njohur si
“Star Wars” (prej titullit të filmit hollivudian), pra lufta e yjeve, i tërhoqi
sovjetikët për hunde në një kompeticion modernizimi të sistemeve luftarake, i
cili nuk mund të përballohej financiarisht nga ekonomia e tyre e gjunjëzuar dhe
e dështuar socialiste e centralizuar, prapambetur, shtetërore dhe kolektiviste.
Armët e
sovjetikëve nuk kishin prapa krahëve, shtytjen e pafrenueshme të ekonomisë
amerikane e cila nën udhëheqjen e presidentit Reagan, lulëzoi sërish, ndaj dhe
rënia e afërt e perandorisë së kuqe, ishte e pashmangshme.
E vërtetë
është që shteti ynë popullor socialist, qe kështjellë e komunizmës e cila
qëndronte e pamposhtur majë shkëmbit tonë të vetmuar (si dhia në majë të
shkrepit, ku askush s’e çan as lehtësisht kokën për të), pasi regjimi tek ne
ishte vetëizoluar dhe i pati denoncuar me rradhë si tradhëtarë të idealeve më
të larta leninisto-staliniste që nga vetë sovjetikët e gjer tek shokët kinezë
dhe prindërit e partisë sonë komuniste, jugosllavët titistë të cilët nëpërmjet
emisarëve Mugosha, Tempo dhe Popoviç, patën themeluar PKSH-në njëherë e një kohë.
Por ky
regjim gjakatar, që Shqipërinë e la për 45 vjet, aq mbrapa sa nuk po e marrim
veten dot as sot, nuk do të kishte rënë kurrë, sikur të mos kishte qenë për
politikat e ashpra anti-komuniste të Reagan-it dhe Thatcher-it, të cilat e çuan
drejt humnerës ekonomike Bashkimin Sovjetik, rrëzuan murin e Berlinit, Perden e
Hekurt dhe shkaktuan edhe revolucionin anti-Çaushesku në Rumani.
S’ka
dyshim që ato skena lufte qytetare mes popullit dhe “Securitate-s” filoregjim, në
rrugët e Rumanisë të cilat i kujtoj edhe unë si fëmijë, që përfunduan me
pushkatimin “live” në TV të diktatorit dhe të shoqes, u futën tartakutin edhe
merhumëve të shumtë të byrosë së Partisë tonë në Tiranë kur do i kenë parë edhe
ata.
Lëvizja e
dhjetorit 90-të, erdhi si pasojë pikërisht e kësaj frike në palcë që e zuri
regjimin edhe tek ne dhe ndoshta një revolucion i vërtetë nuk ndodhi për të
njëjtën arsye, sepse regjimi komunist kishte tmerr mos përsëritej me rrjedhoja
shumë më të rënda për ta, ajo që kishin parë në Rumani, prandaj pushteti brenda
dy vjetësh kaloi pa shumë gjak në duart e opozitës së parë demokratike.
Pra edhe
në këtë rast, pesha historike e zonjës Thatcher dhe e vendimeve të saj politike,
i dhanë efektet edhe në një vend të vogël si ky i yni.
Ndërsa
shkërmoqej ana komuniste-totalitare e botës, edhe ajo njollë e vockël e kuqe, që
përbëhej nga Shqipëria, nuk mund t’i shmangej dot rënies së rreshtit të
dominove që kishte nisur në Moskë.
Këto dy
gjëra unë ia njoh zonjës Thatcher përsa i përket lidhjes së saj indirekte me
vendin dhe popullin tim.
Por ashtu
siç unë këto dy aspekte asaj ia njoh si merita, të tjerë shqiptarë, mund t’ia
shohin si të meta, si të këqija, por përse jo edhe si krime.
Kush para
një muaji qante Chavez-in dhe sot përçmon Thatcher-in, kush nëm presidentin
Bush edhe pa adhuruar aq shumë as Obamën (doli më shtetar i denjë e i
përgjegjshëm sesa i majtë militant edhe ai në sytë e tyre), kush himnizon ende
mirë Leninin, por edhe një dështak historik si Che Guevara-n, nuk ka asnjë
mënyrë sesi të mendojë apo flasi mirë për Margaret Thatcher-in.
Kjo siç i
thonë frëngjit “ça va sans dire”, pra në shqip do i binte, që gjithçka
nënkuptohet vetë në këtë rast!
Problemi
i këtyre njerëzve, i celulave të reja moderne të partisë, është dhe mbetet, që
rrota e historisë idhujt e tyre i ka vënë vazhdimisht nga krahu i humbësve dhe
i të dështuarve, kurse zonjën Thatcher nga krahu tjetër, pra i atyre që botën e
kanë bërë më të mirë e të jetueshme, duke i nxjerrë njëherë e përgjithmonë nga
skena edhe mbeturinat e fundme të filozofisë leniniste.
Të
krenohesh sot me gjysëm regjimin majtisto-bananesh të Chavez-it të ndjerë dhe
pasuesit të tij Maduro, që vetëm këto ditët e fundit pasi vodhën zgjedhjet në
atë vend, i përgjakën rrugët ku pati vërshuar pala opozitare venezueliane, është
një turp i vërtetë.
Karakasi,
kryeqyteti i atij vendi, është nga qytetet më të varfëra dhe më të dhunshme e
të pasigurta të planetit, popullsia jeton në skamje dhe ndihmat aq të
trumbetuara të regjimit, apo i ashtëquajturi sistem i ndarjes së merituar të
fitimeve nga burimet e pamata të naftës, në realitet u jepen vetëm mbështetësve
të regjimit dhe aq, sepse kushdo nuk votonte për Chavez-in apo tani për Maduron,
shihet dhe trajtohet si armik.
Çfarë
është Kuba e dimë të gjithë.
Kanë
muzikë të këndshëme, kërcim jashtëzakonisht sensual, gra të bukura, arkitekturë
të pasur koloniale spanjolle, plazhe të mrekullueshme dhe një regjim totalitar
komunist gati 55 vjeçar në kurriz kubanët.
Pra ata u
japin makinave të viteve gjashtëdhjetë, s’kanë drita, kanë një infrastrukturë
të shkatërruar, nivel ekonomik mizerabël, i fusin akoma në burg për një fjalë
goje (si ne dikur), kanë të burgosur politikë dhe një Lider Maximo me mjekër të
gjatë të pavdekshëm i cili qëkur nisi të sëmuret, ia la pushtetin “popullor” të
vëllait si të ishte mbret me të drejtë trashëgimie nga kjo anë.
Të mos
harrojmë edhe Korenë Veriore që këto ditë po i hakërrehet botës së tërë duke
deklamuar kërcënueshëm se do i shqepi në rraketa balisitke me koka bërthamore
koreanët imperialistë të jugut, japonezët e amerikanët e këqinj.
Në Kore
të Veriut, anti-thaçeristët tanë shqiptarë, mund të gjejnë një më një, apo për
t’a thënë me gjuhë të para viteve 90-të...”zë më zë” shumë aspekte të jetës
shqiptare nën monizëm.
E pamë të
gjithë kur vdiq Kim i rradhës aty para ca kohësh, se ç’i zuri të ngratët
koreanë të veriut, ç’u çorrën gjer në ngjirje, ç’i shkulën flokët, ç’u
zhgërryen në tokë nga marria, ç’qanë e vuajtën në të njëjtën vijë siç patëm
bërë neve në 85-ën kur na la udhëheqësi i madh, shoku Enver.
Ndër të
tjera edhe në Kore të Veriut, s’kanë ç’të hanë, por armë kanë sa të duash.
Edhe aty
vdesin për të bërë parada debile si ato të 1 Majit tek ne e po ashtu edhe ata
vishen të tërë njëlloj siç bënim neve pas revolucionit kinez dhe më vonë kur
s’kishim më as copa për të qepur rroba.
Por duke
gjykuar nga reagimet anti-thaçeriane të këtyre ditëve dhe qaravitjet pro-Chavez
të para ca kohëve, tabloja bëhet më e qartë.
Ka nga
ata që edhe duke mos qenë pensionistë nostalgjikë të partisë dhe Enverit, sërish
anarkizmin ose majtizmin e tyre të skajshëm, e kanalizojnë nëpërmjet sulmit dhe
baltosjes së figurave eminente si ajo e zonjës Thatcher dhe njëkohësisht
lavdeve e ndjekjes së shembullit të Chavez-it, Castro-s, Che-së apo pse jo vetë
Leninit.
Pasi të
kem kujtuar edhe njëherë fundin e palavdishëm të figurës më të dashur jo vetëm
për anti-thaçerianët e anëve tona, por edhe për shumë komunistë të herët apo të
vonë në botë, pra të Che Guevara-s, i cili mbas revolucionit kuban, përfundoi i
pajetë në një tentativë komike revolucioni në Bolivi, ku e kapën dhe e vranë, ndërsa
të shumtë janë ata që thonë se ishte vetë Fideli ai që e shiti për t’a hequr
qafe si rival...po e mbyll me një frazë të presidentit Reagan, aktuale përherë
kur flitet për komunizmën.
Ai
citohet të jetë shprehur kështu:”Komunizmi është një tjetër kapitull i trishtë
dhe bizarr në historinë njerëzore, faqet e fundit të të cilit akoma tani po
shkruhen”!
Një faqe
e tillë e turpshme u shkrua së fundi edhe në Shqipëri nga anti-thaçerianët
anarkisto-leninisto-Chavez-istë modernë.