| E marte, 16.04.2013, 07:35 PM |
SHPRESË
PËR REFORMIMIN E IMIGRACIONIT NË AMERIKË
Nga Frank Shkreli
Çështja e
imigracionit këtu në Shtetet e Bashkuara ka qenë dhe vazhdon të jetë një
çështje që shkakton debate dhe mos marrveshje ndër më të ashpërat, jo vetëm gjatë fushatave elektorale në nivel
federal, shtetëror dhe vendor, por edhe në jetën e përditshme anë e mbanë
Amerikës. Nuk është fjala për imigrantët që vinë këtu legalisht, por për ata që
hyjnë në këtë vend ilegalisht dhe qendrojnë këtu me vite, dekada dhe ndoshta
për gjithmonë si të tillë -- duke shkelur ligjet e imigracionit të këtij
vendi. Llogaritet se tani për tani, në
Shtetet e Bashkuara mund të jetojnë rreth 11 milionë imigrantë ilegalë, megjithse
numëri i vërtetë është vështirë të përcaktohet. Shumica e tyre hyjnë në këtë vend nga
Meksika, por imigrantë ilegalë në Amerikë ka pothuaj nga çdo kënd i botës,
përfshirë edhe shumë shqiptarë.
Megjithëse, kryesisht për arsye të
krizës ekonomike, hyrja pa leje e
imigrantëve, sidomos nga Meksika, është ngadalësuar në mënyrë të dukshme dhe
sipas disa burimeve mund të jetë në nivelin më të ulët në 40-vjetë, problemi i
imigracionit ilegal vazhdon të mbizotëroj diskursin politik dhe ekonomik të
këtij vendi.
Muajtë e
fundit, në Uashington është venë re një ndërmarrje serioze nga senatorë të dy
partive politike -- demokratë dhe republikanë -- për të zgjidhur, atë që është
cilësuar si çështja e imigracionit ilegal, nismë e cila siç duket do të arrijë
kulmin këtë javë, si çështja numër një
në agjendën e Kongresit. I
ashtuquajturi "Grupi i të Tetëve" i Senatit amerikan dhe grupi i 6
ligjvënse të Dhomës së Përfaqsuesve, për disa javë tani janë takuar privatisht,
me shpresë për të arritur një marrveshje në vija të përgjithshme, për një
çështje që ka përçarë politikën dhe vendin për vite me radhë, për të mos thënë
për dekada, ndërsa në të njëjtën
periudhë janë bërë edhe përpjekje për të gjetur mënyra për zgjidhjen e këtij
problemi që të jetë e pranueshme për të dy palët, duke arritur një marrëveshje
për një plan të gjithëanëshëm reformash të sistemit të imigracionit të Shteteve
të Bashkuara të Amerikës.
Ndër
propozimet e para për të reformuar sistemin ishte ai i Senatori republikan Xhon
Mekejn dhe i të ndjerit ish-Senatorit
demokrat Eduard Kenedi, të cilët kishin
hedhur propozimin e parë pothuaj dhjetë vjetë më parë, për një projekt ligj që
do të konsiderohej si një kompromis.
Sipas këtij propozimi, republikanët ishin të kënaqur me marrjen e masave më të forta përgjatë kufirit
me Meksikën -- gjë për të cilën kanë këmbëngulur vazhdimisht – me qëllim për të
ndaluar hyrjen në masë dhe të pa kontrolluar të imigrantëve ilegalë -- dhe demokratët do kënaqeshin me miratimin
e një procesi, në bazë të të cilit, më shumë se 11-milionë imigrantëve ilegalë
do tu mundësohej e drejta për tu bërë banues të përhershëm të këtij vendi. Plani Mekejn-Kenedi pat siguruar edhe
përkrahjen e ish-presidentit Xhorxh Bush, por nuk mori përkrahjen e nevojshme
në Kongresin amerikan. Gjatë fushatës
për president, katër vjetë më parë, Barak Obama premtoi reforma të gjithanshme
të imigracionit, por gjatë katë vjetëve të kaluara nuk tregoi ndonjë interesim
të madh për këtë çështje. Ndërsa në
fillim të mandatit dytë, Presidenti Obama ka thënë se reforma e
imigracionit është një prej prioriteteve të tija kryesore, duke shprehur
besimin e tij se do të arrihet një konsensus në Kongres.
Komisioni
i ligjeve i Senatit amerikan ka caktuar të Mërkurën e kësaj jave si ditën që
senatorët e këtij komisioni do të dëgjojnë dëshmi mbi planin e Senatit, përfshirë edhe propozimin për të legalizuar
miliona imigrantë ilegalë që tani jetojnë në këtë vend, por sipas lajmeve, një
gjë e tillë mund të ndodhë vetëm pasi imigrantët ilegalë të kenë kaluar nepër
një proces tepër rigoroz kontrolli individual, pasi të kenë kapërcyer pengesa
të shumëta, dhe duke përfshirë edhe nevojën për të mësuar anglishten dhe për të
pasur një vend pune.
Edhe në
të kaluarën, në Kongresin amerikan janë
paraqitur propozime të ndryshme për të reformuar ligjet mbi imigracionin, por
sivjet duket se ekziston mundësia më reale për të ndërmarrë reformat e
nevojshme, pasi sipas një sondazhi të kohëve të fundit, 64 për qind e
amerikanëve janë në favor për t’u dhënë shtetësinë imigrantëve ilegalë. Antarët e Kongresit zakonisht tentojnë të
marrin vendime në përputhje me përkrahjen dërmuese publike të çështjeve që
konsiderohen nga ligjvënsit amerikanë, siç është reforma e imigracionit. Si
rrjedhim, një numër kongresistësh, përfshirë edhe Senatorin republikan Xhon
Mekejn shprehen optimistë se ky mund të jetë viti që, më në fund, sjellë
reformat e nevojshme në sistemin amerikan të imigracionit. Këjo sepse, edhe Presidenti Obama ka shprehur
gatishmërinë e tij duke thënë se është i vendosur që të bëjë ç'është e mundur
për të siguruar miratimin e reformave nga Kongresi.
Megjithëse
propozimet e reja pritet të kundërshtohen nga konservatorët të cilët janë
kundër legalizimit të statusit për imigrantët pa dokumenta, edhe pala
republikane duket gjithashtu e vendosur për të bërë diçka për të përshpjetuar
reformën mbi imigracionin, pasi nuk dëshiron të konsiderohet si partia që është
kundër imigrantëve. Senatori Marco
Rubio, kryenegociatori republikan për të reformuar ligjet e imigracionit, nga
prindër të ardhur nga Kuba dhe njëkohësisht
kandidat i mundshëm për president në vitin 2016 -- ndërsa ishte ftuar
nga tre programet e tre rrjeteve televizive kryesore të së djelës për të
diskutuar problemin e imigracionit -- tha në programin "Meet the Press",
të TV-NBC se ligjet që kemi tani, "nuk janë të mira për askënd....
statuskuoja është e tmerrshme për Amerikën", shtoi ai. Duke folur për propozimin e ri për imigracionin, që përkrahet si nga republikanët ashtu edhe
nga demokratët, Senatori Marco Rubio iu përgjigj intervistuesit se, ai nuk po e
bën gjithë këtë përpjekje për të reformuar sistemin e imigracionit në Amerikë,
për qëllime politike. Ai tha se,
"Unë jam Senator. Unë nuk paguhem
vetëm për të mbajtur fjalime. Unë
paguhem për të zgjidhur problemet", me të cilat përballohet vendi.
Siç
duket, në një përpjekje për të zbutur kundërshtimin nga konservatorët të cilët
janë kundër një amnistie për imigrantët ilegalë, Senatori Rubio tha gjithashtu
në një program tjetër televiziv (Fox News) se propozimet e reja për të
reformuar sistemin e imigracionit nuk
janë amnisti, duke shtuar se në të vërtetë, propozimet e reja e bëjnë më të
vështirë që një immigrant illegal të fitojë statusin legal, në krahasim me
procesin dhe ligjet ekzistuese.
Pritet që
grupi i 8 senatorëve demokratë e republikanë, të cilët për disa muaj tani
kanë punuar për arritjen e një marrveshjeje për reformimin e sistemit të
imigracionit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të njoftojnë hollësitë e
propozimeve të tyre të Martën. Media
amerikane thotë se propozimet e reja për reformimin e imigracionit përfshijnë
edhe rritjen e numërit të imigrantëve që vinë në këtë vend në mënyrë
ligjore. Tani, Shtetet e Bashkuara
pranojnë 1 milion imigrantë në vit me dokumenta, më shumë se çdo vend tjetër në
botë. Sipas propozimeve të reja pritet
që ky numër të rritet me pesë për qind, sipas gazetës Los Anxheles Tajms.
Pasi të
njoftohen këtë javë hollësitë e
propozimeve të reja nga grupi i 8 senatorëve nga të dy partitë, mbetet për tu
parë nëse ata do të mund të bindin shumicën e Senatit dhe të Dhomës së
Përfaqsuesve, si edhe grupe interesash të ndryshme, se pas shumë vitesh dhe
propozimesh të shumëta, më në fund ka
ardhur koha për një reformë të gjithanshëme të ligjeve amerikane mbi
imigracionin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Miratimi i ligjeve të reja është kritik
gjithashtu edhe për fatin e qindra, për
të mos thënë mijëra shqiptarëve dhe familjeve të tyre që mund të gjënden në
këtë vend pa dokumentat e nevojshëm për një qendrim legal në Shtetet e
Bashkuara.