| E hene, 15.04.2013, 09:43 PM |
Poetët
përpara pamjes së ylbertë të jetës*
Përsiatje
“Kam edhe unë në shpirt/ një oqean…” V. Ziko
Nga Vangjush Saro
Poezia,
që mbetet dëshira e parë më e madhe e të gjithëve sa shkruajnë, veçmas poezia
lirike, vijon të tërheqë vëmendjen e publikut, sadoqë në këto kohë të
teknologjisë së sofistikuar, vetiu krijohen pragje për shumë arte. Poezia e
vetes, që kur shkruhet bukur bëhet edhe e të tjerëve, i ka fillesat në gjendjen
më intime që mund të konstatohet te krijuesi, për t’u përthyer pastaj në rezen
e të gjithëve; nëse ajo (poezia) e ka ngjizjen e duhur. Mbase kjo shpjegon
‘mbretërimin’ gjatë të saj. Mund të pranëvihet vetëm me pikturën, ku gjithashtu
ka një mëvetësi ekstreme. Gjithsesi, poezia - edhe pse ajo lirike e lëkund disi
këtë që do të themi - ka një raport më të pranueshëm me gjithë sa gjallon
përreth. Çdo grimcë e së përditshmes, çdo pamje e saj, që nga hapi në një
shëtitore, te ndjenja e dashurisë, që nga lektisja pas natyrës te pikëpyetjet
për aspekte të ndryshme të jetës, në poezi rikrijohen përmes çastit meditativ,
që siç e thamë, është shumë intim.
Në kohë
të ndryshme e në autorë të ndryshëm, kjo mëvetësi merr trajtat më të çuditshme.
Esenini e shkroi të fundit lirikë me gjakun e tij, ky i çmendur. Uitmani tregoi
me gisht plagë të rënda të shoqërisë. Edhe te ne, nëse ka një art që ndjek
vijën e tij të zhvillimit, në mënyrën më të qartë, është lirika. Zef Serembeja,
që shkoi disa herë në Amerikë për një të dashur. Ndre Mjeda lirikën e tij e
plazmoi në brenga të kohës. Por shikoni sa me mjështëri e vizaton ai peizazhin:
“Kreske e bre perzie me lisa/ rriten rrotull, me cetine,/ plepa t’but’ e
qiparisa/ mbelojne e veshin at’ ledine.” (Andrra e jetës) Te Lasgush Poradeci,
peizazhi dhe shfrimet e dashurisë, janë ylli i vetëm në qiellin plot probleme të jetës. Këto do t’i konsideronte
më
Në
vështrimin tim, lirika e bukur është një gjë e mbyllur, e përmbyllur, një
krijim që shkrep e kumbon vetëm për pak; por merr përsipër të thotë shumë nga
përjetimet e krijuesit. Ka një lidhje (mbase) të pashpjegueshme midis mendimit
dhe ushtrisë së detajeve që ndërtojnë këtë madhështi të vogël. Lirikat e Ismail
Kadaresë dhe të Dritëro Agollit, përbëjnë pjesën më origjinale dhe më të
pafajme të krijimtarisë së tyre të dikurshme; janë pikërisht të mbylluara dhe
të pacënueshme. (Kinema e vjetër. Mall. Kungulli.) Fatos Arapi, në një nga
vjershat e tij më të bukura, i shkruante së bijës për natyrën ndër pyje dhe për
sharrat...Në një baladë, Dhori Qirjazi, i ngujuar një jetë në një rreth të
largët, rrëfen për një pyll në ato anë; dhe sipas tij, askund s’e gjen gjethe
më të gjelbër. Frederik Reshpja, që i kërkonte aq shumë shpirtit të tij, e
pasuroi lirikën shqiptare me pikëpyetje. Sipas meje, kjo fjalë është
krymetafora. Gjithnjë ka pikëpyetje. Edhe një poet aq i mirë si Ali Podrimja,
nuk arriti t’i shtjellonte dot të gjitha...Ndoshta i këtij mendimi është edhe
Azem Shkreli: “Tash jam diku larg teje, larg vedi/ dhe - ku me dijtë kah
m’tresin/ udhëkryqet e shumta t’jetës?!”
Të gjithë
lirikët bëjnë pyetje. Por një gjë është e pakthyeshme, që ata do të bëjnë çmos
të gjejnë kohën t’i këndojnë me shpirt natyrës, dashurisë, ndjenjave më të
brishta njerëzore. (Ciladoqoftë pamja sa e ngatërruar aq edhe e thjeshtë e
teknologjisë së sotme të komunikimit.) Në rrugëtimet e tyre të ndryshme, poetët
gjejnë mënyrën se si ta shkrehin armën e butë të lirikës; njëherë dhe pastaj
mund të ndihet vetëm kumbimi. Në vjershat më të bukura, lirikët sjellin
përjetimet më interesante nga përvoja vetiake, ndërkohë që, si e thamë, ata i
qëndisin vjershat e tyre nga pikëpamja e formës, i përmbyllin. Kjo gjë është,
si të thuash, ‘betimi’ i lirikëve. Vangjush Ziko. Jorgo Bllaci. Skënder Rusi.
Qazim Shehu.
Parantesë.
Sado të përpiqemi për klasifikime e përshtatje, poetët, krijuesit e mirë
përgjithësisht, nuk e njohin reshtin, nuk rrinë dot gjatë atje ku i ka lënë
përjetimi më i fundit; magjia e krijimit, e krijimit të poezisë sidomos, i
thërret në sprova të tjera. Dhe kështu, kur ti mendon se po lexon diçka të
thjeshtë, poeti shkon e degdiset në atë humbellen e paparashikueshme e plot
enigma dhe që i thonë dashuri; dhe ngec atje i gjithi. Kështu derdhet
nganjëherë me të gjitha ndijesitë e saj më të mira Rajmonda Moisiu. I qaset
dendur kësaj teme edhe Pandeli Koçi (Sazan Goliku), duke iu mbajtur viteve
mjaltin e dëfrimit. Gjithaq Pano Taçi, me gjithë vuajtjet e tij. Kurse Jeton
Kelmendi e stërhollon ndjenjën në një përpjekje për ta nxjerrë nga formula e
ditës: “Një çik’ më vonë do të dal në gurrin e fjalës/ për ty do të dal dhe
unë/ do të të pres gjatë/ me të gjitha shkuarjet/ me të gjitha ardhjet”.
Dashuria
përherë mbetet stina më e pëlqyer e shumë poetëve. Por ka prej tyre që nuk
rrinë gjatë në këtë fat, dalin shpejt nga kjo gjendje, fluturojnë në hapësira
më të gjera, i drejtohen temave universale, e lodhin veten me pyetje pa fund,
madje edhe kur ndërtojnë restrospektiva, i peshojnë gjërat me mundim, përpiqen
të shpjegojnë edhe ato dukuri që janë krejt të izoluara e që, ndonjëherë, as
filozofët nuk iu qasen. Kjo ngasje vjen si rezultat i një kërkimi të pareshtur
në akord me shkollat e poezisë, që ashtu si disa drurë, herë mbeten vetëm me
degët e tyre, herë çelin lule e harlisen pa asnjëlloj rregullsie e në një
përjashtimi të lodhshme. Mimoza Ahmeti. Fatmir Terziu. “Kjo ditë nuk është
konkluzion. Shallin/ Gri ka hedhur supeve buzëmbrëmja/ E tejdukshme si vetë
muzika/ Por e prushtë në thirrjen shlodhëse/ Si zëri që shkelmon nga brenda/
Një filozofi e panjohur... loti/ Rrjedh në kanapenë tënde plot vjollca.”
Kur
duhet, lirikët e vizatojnë pamjen me pak fjalë dhe me metaforat më bindëse; por
shpesh ata i lejojnë vetes pandehma pa fund. Lirikët janë të paparashikueshëm.
Bardhyl Londo. Din Mehmeti. Petraq Risto. “Një kukuvajkë e fisme me kostum
festiv nxjerrë nga sepetet e natës/ erdhi dhe më tha: jam ajo./ Ajo s’mund të
jesh nuk mban veshur mëndafsh me yje lotësh spërkatur/ Kukuvajka tha prapë: jam
ajo./ Ajo s’mund të jesh se ajo është e ikur, madje në botën përtej/ ku Hëna
është thjesht një kafkë e braktisur dhe yjet - ca djem budallenj./ Jam ajo: tha
prapë kukavajka/ dhe sillej vërtitej si për të thënë - pas tymit vjen flaka./ E
fisme, e brishtë me pamje prej gace gati në xixëllim/ ajo kukuvajkë fantazmë
prej flake s’e di në sjell gaz, a vallë sjell mallkim./ Ashtu lozonjare në
teatër dritareje vërtitej në artin sublim/ Si mund t’i besoja një grusht
kukuvajkeje se ishte thjesht fati im?...”
Dhe tani,
disa fraza mes kllapash, që - shpresoj - të mos i pëngjajnë një arne. Rëndom
kur flitet për poezinë, harrohen llojet e saj; fabula, edhe pse formalisht nuk
reshtohet si e tillë, është një nga llojet (më të pafajshme) që kritikët dhe
shkruesit përgjithësisht (bëjnë sikur) e harrojnë. Ajo sjell në vetëdijen tonë
gjëra që jo gjithmonë kemi dëshirë t’i themi haptazi e në mënyrë vulgare.
Fabula, edhe pse rëndom e do një subjekt, një gjetje, në vetvete është tepër
intime, ajo jep e merr me mendësinë lirike. Është njëlloj trilli, sulet atje ku
s’të shkon mendja, përqesh dhe vuan. Nga ana tjetër, ashtu si një lirikë e
sosur, edhe fabula duhet të jetë e mbyllur, e përmbyllur. Gjethi që fryn ndihet
kur fabula shkrep art të vërtetë. Ferit Lamaj. Gjikë Kurtiqi. Agim Bajrami. Iljaz
Bobaj. Etj. (Mbase dikush tjetër do të përmendte te kjo ‘etj.’ edhe autorin e
këtyre radhëve.)
Nëse ka
diçka që i bën të çuditshëm poetët, lirikët veçmas, është sjellja çapraz ndaj
jetës. Një reze që i cek sadopak, të gjithë. Në harmoni me të, është padurimi.
Poezia mund të shkarkojë në një çast të vetëm një orë të saj, por edhe një
javë, një vit, gjithë jetën. “Sa shumë yje,/ si mikrobe në ajër.” Janë vargje
të Jevtushenkos.
....................................................................
*
Ilustrimi i këtyre radhëve me vargje të disa poetëve të njohur, nuk nënkupton
aspak që (ata) janë të vetmit (lirikë) të spikatur.