| E diele, 14.04.2013, 05:05 PM |
NJË
THËNIE ME DOMETHËNIE E MESIÇIT
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ
"Marrëveshja
për Konfederatën Jugosllave do të jetë e mundshme vetëm nëse serbët i pranojnë
tri gjëra: Se janë më pak se kinezët, se nuk kanë territor më të madh se
Bashkimi Sovjetik, dhe se
Kjo është
thënie e Stipe Mesiçit, e shqiptuar në dhjetor të vitit 1990, të cilën e kam
shënuar saktësisht atëherë dhe e sjell këtu fjalë për fjalë, gërmë për gërmë,
pikë për pikë e presje për presje. Para se të kem zgjeruar vetë thënien e Mesiçit,
do kthyer në zhvillimet e mëvonshme të derisotme.
Stipe
Mesiç në atë kohë ishte nënpresident dhe pak ditë më vonë do të fillonte
detyrën e presidentit të Jugosllavisë, i fundit para shpërbërjes së federatës.
Më herët ai kishte qenë gjyqtar, kryetar bashkie, nënkryetar i parlamentit
krotat, kryeministër i Kroacisë. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, në Kroacinë e
pavarur do të ishte kryetar i parlamentit, kryetar i Partisë së Kroacisë së
Pavarur, më vonë Partisë së Popullit. Pas vdekjes së Tuxhmanit do të ishte dy
mandate (10 vjet) president i Kroacisë, duke qenë gjatë gjithë kohës në krye të
sondazheve si politikani më popullor i Kroacisë.
Domethënia
kuptimplotë e thënies së Mesiçit, saktësia e përkufizimit që Mesiçi ia bën
nacionalizmit serb, mjerisht u provua dhe u vërtetua në gjithë periudhën e
mëvonshme deri në çastin kur unë jam duke i hedhur këto radhë.
Mesiç i
thoshte fjalët e mësipërme në përgjigje të interesimit të gazetarëve nëse ishte
e mundur që Jugosllavia të mbijetonte duke u shndërruar në konfederatë, pra në
një bashkim të republikave të pavarura, një projekt ky që tashmë tingëllonte
vetëm si nostalgji utopistësh të sëmurë.
Qysh në
vitet e fundit të jetës të Titos ishte pranuar botërisht se Jugosllavia ishte
brejtur në themel nga përplasja mes nacionalizmit serb dhe nacionalizmave
republikane. Në kundërpërgjigje të nacionalizmit serb pranohej se ishte
ngjallur nacionalizmi sidomos në udhëheqjet e republikave, në elitat e tyre, në
intelektualët dhe në masën e rinisë. Kur Mesiç e shqiptonte thënien e
lartshënuar, Millosheviçi kishte rreth dy vjet në krye të Serbisë, ia kishte
hequr në mars 1989 autonominë Kosovës, duke prishur përfundimisht baraspeshat e
konfederatës të krijuara nga Tito. Revanshi nacionalist serb me në krye
Millosheviçin ndaj pjesëtarëve të tjerë të federatës kishte nisur pikërisht në
Gazimestan më 28 qershor 1989, në shënimin e 600 vjetorit të humbjes së Betejës
së Kosovës përballë Osmanëve, me pjesëmarrjen e 1 milion serbëve. Aty kishte
lindur edhe sllogani i hedhur nga Millosheviçi se ku ka serbë i thonë Serbi,
aty kishte filluar maratona e trenave plot nacionalistë serbë nëpër gjithë
territorin e federatës, kishte filluar mbushja e stadiumeve, e shesheve me
tubime nga ato që mund të jenë parë vetëm tek fashistët e Musolinit dhe
nazistët e Hitlerit në fund të viteve 1920 dhe në fillim të viteve 1930.
E pra,
çdo logjikë normale, do të thoshte se orekset e nacionalizmit serb, duke pasur
nën zotërimin e tyre një hapësirë sa rreth 40% e sipërfaqes së Jugosllavisë, do
të ndiheshin të kënaqura.
Mbretëria
Serbe, më vonë Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, pastaj Mbretëria Jugosllave e,
në fund, Republika Federative Jugosllave, siç provoi koha, ishte një
gjeopolitikë e sajuar, ishte një krijesë artificiale e Evropës së Vjetër, në
trysninë dhe për hatrin e Rusisë. Kjo miniperandori do të ushqente idenë e
Serbisë së Madhe dhe nacionalizmin përkatës, me orekse të pangopshme. Kjo do të
sillte dukurinë famëkeqe të "ballkanizimit", do të sillte
serbocentrizmin në trajtimin e rajonit nga ana e Evropës dhe bashkisë
ndërkombëtare, pra vënien e interesave serbe në qendër të vëmendjes në dem të
interesave të fqinjëve të tyre, madje duke i flijuar këto interesa.
E arnuar
si mos më keq nga pjesë të mbetura të Perandorisë Austro-Hungareze, qytetarët e
të cilës e ndienin evropianë, si dhe me pjesë të mbetura të Perandorisë
Otomane, sajesa artificiale e krijuar nga dy Frankenshtajnë - Evropa e Vjetër
dhe Rusia, do të ishte një koniunkturë dyshekullore në duart e serbëve, e
financuar nga Lindja dhe Perëndimi. Edhe në periudhën e Titos, serbët arrinin
të mbajnë në duart e tyre forcat e armatosura, pra ushtrinë, policinë,
shërbimet inteligjente. Në fund të viteve 1980 ata kishin në duart e tyre
makinerinë jugosllave të luftës, një nga më të shtrenjtat e kohës. Kjo makineri
pothuaj gjatë gjithë viteve 1990 do të përdorej kundër kombeve fqinje -
kryesisht kundër kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve.
Kroatët -
12 shekuj katolikë, ndër ta Mesiçi, e ndienin dhe e ndiejnë veten evropianë dhe
vendin e tyre Evropë gjatë gjithë kohës, aq sa serbët - 11 shekuj ortodoksë e
ndienin dhe e ndiejnë veten shumë më afër rusëve dhe Rusisë. Kjo kundërthënie kaq e pazgjidhshme do të
ishte në qendër të shpërbërjes përfundimtare të federatës së mbisunduar nga
serbët. Pamundësia për marrëveshje me serbët do të ishte dhe do të jetë në
qendër të destabilitetit që ende vazhdon në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Natyrisht,
nacionalizmi më i fuqishëm, i përftuar si pasojë e drejtpërdrejtë e
nacionalizmit serb, do të ishte nacionalizmi kroat, i cili do ta gjente veten
tek Franjo Tuxhmani, presidenti i çlirimit të Kroacisë dhe konsolidimit të saj
shtetëror. Duke folur për presidentin nacionalist kroat Tuxhman, Mesiç thotë se
ai ishte 'udhëhequr nga ideja se kur Millosheviçi rrëmbente një pjesë të
Bosnjës, atëherë edhe Kroacia duhej ta rrëmbente një pjesë të saj.
Kroacia
do të ndeshej e para me makinerinë serbe të luftës dhe do të shndërrohej në
shkollë edhe për disa nga komandantët dhe luftëtarët e shquar shqiptarë, në
krye të luftës për liri disa vite më vonë në Kosovë.
Nacionalizmi
shqiptar, në prag të mbarimit të Luftës së Ftohtë dhe të shpërbërjes së
Jugosllavisë, do të figuronte si nacionalizmi më i goditur, si gjatë gati një
shekulli në Jugosllavi, ashtu edhe gjatë një gjysmë shekulli në Shqipëri. Në
Jugosllavi u ushtrua genocid sistematik ndaj çdo shfaqjeje të nacionalizmit
shqiptar. Për këtë, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe menjëherë pas saj, u
përdorën edhe partizanët e Shqipërisë dhe qeveria e Shqipërisë e sapodalë nga
Lufta e Dytë Botërore.
Fat do të
ishte që nacionalizmi shqiptar i ditëve tona do të formulohej nga Ibrahim
Rugova, me prejardhje të mirëfilltë nacionaliste shqiptare, Rugovës i ishin
vrarë nga partizanët serbo-malazezë gjyshi Rrustemi dhe babai Uka, me të cilin
nuk u pa kurrë dhe nuk e njohu kurrë, sepse e la në barkun e nënës. Rugova do
të zgjidhte rrugën paqësore të kundërshtimit ndaj serbomëdhenjve dhe do të
përcaktohej për Kosovën e pavarur dhe sovrane, të integruar në Bashkimin
Evropian dhe në NATO, në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të
Amerikës.
Mbi bazën
e këtij vizioni, oreksi i nacionalizmit shqiptar do të ndjehej i përmbushur me
konsolidimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, me realizimin e
statusit shtetformues për shqiptarët e Maqedonisë, me shqiptarët e Malit të Zi
dhe të Luginës së Preshevës e të tjerë, të cilëve t'iu njihen të drejtat e
pakicave kombëtare, sipas standardeve më të përparuara të Bashkimit Evropian.
Antonomia
midis kroatëve dhe serbëve, siç e pamë, do të ishte një antonimi e plotë.
Ndonëse sllavë të jugut, ata përbënin dy kultura të ndryshme, e para vinte si
kulturë dhe qytetërim i mirëfilltë evropian, e dyta vinte nga përvoja bizantine
dhe postbizantine (otomane), pra përfaqësonte kulturën më të sofistikuar aziatike.
I njëjti
këndvështrim vlen për marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve, mes Serbisë dhe
shqiptarëve. Kjo u provua edhe gjatë dy shekujve të fundit. U provua edhe gjatë
dy-tre dekadave të fundit sidomos në Kosovë dhe ndaj Kosovës. Në të njëjtin
këndvështrim do parë edhe situata aktuale e përpjekjeve të Brukselit për të
bindur Serbinë të nënshkruajë me Kosovën një marrëveshje të hartuar nga
Bashkimi Evropian. Kjo marrëveshje i detyron të dyja palët barabar t'i
përmbahen fqinjësisë së mirë ndërshtetërore, duke respektuar ndërsjelltas
pavarësinë dhe sovranitetin, çka është në të mirë të të dy vendeve,
përkatësisht në të mirë të serbëve dhe të shqiptarëve në tërësi e veçanërisht
në të mirë të serbëve dhe të shqiptarëve në Kosovë e në Serbi.
Zyrtarët
dhe analistët evropianë dhe perëndimorë pranuan se Beogradi nuk e nënshkruan
marrëveshjen për shkak të presionit të kishës ortodokse serbe dhe të
nacionalistëve serbë. Kështu pranohet se nacionalizmi serb është nacionalizëm i
frymëzimit fetar. Ndërkohë që dihet se nacionalizmi me frymëzim fetar është një
ndër rreziqet më të mëdha të kohës sonë. Pra, këtë nacionalizëm e udhëheq dogma
fetare. E udhëheq edhe dogma e përpunuar nga shkenca serbe. Dihen platformat e
prodhuara nga kjo akademi, sidomos në dëm të shqiptarëve. Dihen edhe elaboratet
famëkeqe të Cubrilloviqit, Andriqit e të tjerëve, analistët perëndimorë edhe
sot citojnë thënien e një ish kryeministri serb, Vlladan Gjoergjeviqit se
shqiptarët "kanë bisht si majmunët dhe kur i zë nata në pyll, ngjiten në pemë,
e lidhin bishtin në degë dhe flenë".
Në fakt,
në fuqi në Beograd janë pikërisht dy parti nacionaliste. Partia e Sheshelit -
nacionaliste e djathtë, ka presidentin e Serbisë, ndërsa partia e
Millosheviçit, nacionaliste e majtë, ka kryeministrin e Serbisë, repsektivisht
Nikoliqin dhe Daçiqin.
Mjerisht,
asgjë nuk pritet nga këto parti të damkës së vjetër, aq sa nuk pritet nga një
parti si ajo e Tadiçit, tashmë e Gjilasit. Asgjë nuk pritet as nga brezi më i
ri i politikanëve të Serbisë, ndër të cilët, Vuk Jeremiq, i njohur si krahu i
djathtë i Tadiçit.
Jeremiç,
i datëlindjes 1975, me shkollim kryesisht perëndimor, në periudhën menjëherë
pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, ka lobuar kundër
njohjes së Kosovës duke udhëtuar personalisht në Argjentinë, Brazil, Kil, Kubë,
Xhamajkë, Venezuelë, Meksikë, Egjipt, Libi, Gabon, RD Kongo, Afrikën e Jugut,
Ganë, Marok, Algjeri, Lesoto, Namibi, Nigeri, Kinë, Indi, Indonezi, Malajzi,
Singapor, Vietnam, Kuvajt, Azerbajxhan, Tailandë, Filipine, Pakistan, Siri,
Oman dhe Iran. Gjithashtu ka lobuar në takimet e larta të Lëvizjes së të
Paangazhuarve në Teheran, në Unionin Afrikan në Sharm-el-Sheik dhe në Malabo,
në Sesionin e 38të dhe të 40të të rregullt të Organizatës së Shteteve Amerikane
, në Forumin Ekonomik Rajonal të Meksikës, në Forumin 2010 të Aleancës së
Qytetërimeve në Rio De Zhaneiro, në takimin e Lidhjes Arabe në Egjipt, në
Teheran ka takuar ministrat e Jashtëm të Mongolisë, Sri Lankës, Algjerisë,
Bruneit, Kenias, Kubës, Iranit, Pakistanit, Butanit, Laosit, Bangladeshit,
Singaporit, Venezuelës, Panamasë, Kilit, Kolombisë, Marokut, Sirisë, Tunizisë
dhe Bolivisë. Në Meksikë ka pasur takime me Felipe Kalderón, Daniel Ortega,
Antonio Saka, Álvaro Kolom Kaballeros, Manuel Zelaya dhe Fernando Araújo Perdomo.
Në vitin 2009, ai u takua me prelatin e Vatikanit Pietro Parolin që të ketë
konfirmimin dhe miratimin e mosnjohjes së Kosovës nga Selia e Shenjtë. Kjo
madje përbën edhe krenarinë e Jeremiçit gjatë ushtrimit të detyrës së tij si
ministër i Jashtëm i Serbisë.
Jeremiç,
natyrisht, nuk ka si të krenohet me faktin se ai i kërkoi Gjykatës
Ndërkombëtare të Drejtësisë të jepte mendimin ndaj shpalljes së pavarësisë së
Kosovës, duke e konsideruar atë "një precedent", sepse gjykata dha
vendimin bumerang për Jeremiçin dhe Serbinë se shpallja e pavarësisë së Kosovës
nuk i cënon ligjet ndërkombëtare.
Ishte
hera e parë që një deklaratë pavarësia dërgohej në gjykatë. Dhe gjykata e
shpalli opinionin e saj më 22 korrik 2010. Me një votim 10 me 4, ajo deklaroi
se "deklarata e pavarësisë e 17 Shkurtit 2008 nuk e shkeli ligjin e
përgjithshëm ndërkombëtar, (1)sepse ligji ndërkombëtar nuk përmban ndalim të
deklarimit të pavarësisë, (2) deklarata e pavarësisë nuk e shkeli as Rezolutën
1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përderisa kjo nuk e
përshkruan statusin përfundimtar të Kosovës, (3) as vetë Këshilli i Sigurimit
nuk ia ka rezervuar vetes vendimin për statusin përfundimtar."
Në vend
që Jeremiçi dhe vetë qeveria e Tadiçit të jepnin dorëheqjen e menjëhershme për
këtë humbje të rëndë, atyre iu hodh varka e shpëtimit nga ana e bashkësisë
ndërkombëtare me Rezolutën për Kosovën të 9 shtatorit 2010 të Asamblesë së
Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, rezolutë që ia linte Bashkimit Evropian
pajtimin e palëve, pra Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e mënyrës së zbatimit të
planit Ahtisari, mbi të cilin ishte shpallur pavarësia e Kosovës dhe ishte
bazuar Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Me
përkrahjen e Rusisë, Kinës, shumicës së vendeve në zhvillim dhe një numri të
vendeve perëndimore, i kundërshtuar nga vendet kryesore perëndimore, Jeremiç
arrit të zgjidhet kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara,
detyrë të cilën e filloi në shtator të vitit 2012. I pyetur se a do të lejonte
anëtarësimin e OKBsë në Kosovë gjatë mandatit të tij në OKB, Jeremiç deklaroi
se pa kaluar mbi trupin e tij Kosova kurrë nuk do të anëtarësohet në OKB.
Serb nga
babai, boshnjak nga nëna, ortodoks nga babai, mysliman nga nëna, Jeremiç duket
se e vuan çmendurisht dyzimin e tij, saqë nuk njeh skrupuj në shërbimet ndaj
projekteve të çmendura nacionaliste për Serbinë e Madhe.
Pak muaj
pasi ka filluar detyrën në Pallatin e Qelqtë, Jeremiç ka futur në përmbyllje të
koncertit të Vitit të Ri në Kombet e Bashkuara këngën e paraqitur si 'Marshi i
Madh i Paqes', i kënduar nga kori serb 'Viva Vox', i cili ishte në fakt një
himn serb, i titulluar 'Marshi për në Lumin Drina' i kënduar nga
ultranacionalistët serbë gjatë luftërave të viteve 1990. Më 15 janar Kongresi i
Boshnjakëve të Amerikës Veriore postonte një letër të hapur në ueb-faqen e vet
për sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun. Në të përfshiheshin
nënshkrimet e liderëve të Institutit për Hulumtimin e Gjenocidit, të Këshillit
Konsultativ për Bosnje dhe Hercegovinën dhe të Institutit Boshnjako-Amerikan
për Gjenocid dhe Qendrës Edukative. Në letër thuhej: “Koncerti ishte një
ofendim skandaloz i viktimave të gjenocidit në Bosnje e Hercegovinë, sepse
orkestra interpretoi këngën famëkeqe dhe nacionaliste serbe ‘Marshi në lumin
Drina’. Gjenocidi që ka ndodhur në Srebrenicë dhe në Zepa, si dhe në pjesë të
tjera të Bosnje e Hercegovinës, është kryer nga agresorët serbë, të cilët
këndonin këtë këngë, derisa kryenin dhunimet, vrasjet dhe bënin spastrimin
etnik të popullatës joserbe.” Sapo mori vesh të vërtetën për këngën e futur
kontrabandë nga Mesiçi, e cila nuk ishte as në listën e programit zyrtar, nxiti
zëdhënësin e Ban Ki Munit që të shprehte
keqardhjen.
Por
skandali më i madh i Jeremiçit në Kombet e Bashkuara është organizimi këto ditë
i debatit për rolin e Tribunalit të Hagës, ku praktikisht Jeremiçi, Nikoliqi e
Mërkiqi vënë Hagën në bankën e të akuzuarit, ku madje Nikoliqi e konsideron
inkuzicion Gjykatën Ndërkombëtare kundër Krimeve të Luftës dhe Krimeve të
Njerëzimit në ish Jugosllavi. Nuk ka pranuar të marrë pjesë presidenti i
Tribunalit Theodor Meron, i cili e ka kritikuar debatin duke thënë se "me
të vihet në pikëpyetje respekti thelbësor për sundimin e ligjit”. Debati do të
bojktohej nga Shtetet e Bashkuara dhe disa nga vendet kryesore perëndimore.
Të
nesërmen pikëpamjen e Departamentit të Shtetit se diskutimi i ditës së djeshme
për gjykatat penale në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së është shndërruar në
një polemikë "çekuilibruar" dhe "nxitëse" e përsëriste edhe
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Philip Reeker: "Debati ishte një
mundësi për të forcuar sistemin global të gjykatave ndërkombëtare, ndërsa u
shndërrua në debat negativ”, tha Reeker, duke shtuar se SHBA-të mbështesin
fuqishëm punën e Tribunalit të Hagës dhe të gjykatave tjera të Kombeve të
Bashkuara. Reeker tha se iniciativën për këtë debat, të iniciuar nga Kryetari i
Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Vuk Jeremiç, SHBA fuqimisht e kundërshtonte
dhe se diskutimin e bojkotuan shumica e vendeve perëndimore meqë i kishin
parasysh përpjekjet për të sulmuar Tribunalin e Hagës.
Fakte të
tilla nuk mund të mos përforcojnë bindjen se nacionalizmi serb është i vetmi
nacionalizëm revanshist në rajon e më gjerë. Të gjithë nacionalizmat e tjerë i
kanë përmbushur ose përkufizuar kënaqshëm objektivat e tyre. I vetmi
nacionalizëm që nuk mund të parashikohet as në synimet, as në mjetet, as në
skrupujt është nacionalizmi serb.
Rruga e
integrimit të Serbisë dhe të serbëve në Evropë dhe në Perëndim është një formë
e drejtë edhe për paqësimin dhe përparimin afatgjatë të rajonit e të
kontinentit. Kjo nuk do të thotë që integrimi me çdo kusht i tyre t'i vonojë
apo t'i mbajë peng si deri sot fqinjtë e tyre. Fakti është se Serbia, nëpërmjet
Republikës Serbe, po e mban të paralizuar Bosnjën, duke ia mohur çdo
perspektivë asaj. Fakti është se Serbia, nëpërmjet pranisë së saj të shtrirë në
formë metastazash, po e mban gjithnjë e më të paralizuar Kosovën. Një autonomi
e veriut të Kosovës do të ishte rrënim i Kosovës.
Me rastin
e refuzimit nga Beogradi të nënshkrimit të marrëveshjes së propozuar nga
Brukseli për fqinjësinë me Kosovën, shumë analistë dhe zyrtarë perëndimorë
shfaqën mendimin se Serbia mund ta nënshkruajë marrëveshjen vetëm nën diktat
dhe se këtë diktat nuk mund ta ushtrojë Bashkimi Evropian, mund ta ushtrojnë
vetëm Shtetet e Bashkuara, prandaj procesin duhet të marrin në dorë Shtetet e
Bashkuara.
Shumë
analistë, ndërkohë, me të drejtë, shprehen se Serbia nuk është serioze në
zbatimin e marrëveshjeve, edhe kur i nënshkruan ato, ashtu si ka ndodhur me
marrëveshjet e pjesëshme të nënshkruara me Kosovën, ndonëse atje Kosovën e ka
katandisur si mos më keq, me fusnotë.
Prandaj
është e domosdoshme që Serbisë, përfundimisht, t'i vihet kusht sine qua non
njohja e Kosovës së pavarur dhe sovrane, si pikënisje kryesore për hapat e
mëtejshëm integrues të Serbisë në Evropë dhe në Perëndim, sepse çdo marrëveshje
është e mundshme, siç thotë Mesiçi "vetëm nëse serbët i pranojnë tri
gjëra: Se janë më pak se kinezët, se nuk kanë territor më të madh se Bashkimi
Sovjetik, dhe se Serbia nuk është atje ku jeton qoftë edhe vetëm një
serb".