| E diele, 14.04.2013, 06:04 PM |
Tash kur
shiun e ka shterrun shtërzia, e moti asht gazmentë, ndjehemi krejtçka tjetër,
përplot energji vërshimi, kapluar prej dalldive të pasionit dhe shpuzës së
mishit
Nga Albert Vataj
Ra kaq
shumë shi. Gjatë u dend toka duke e strukur në prehrin e vet gjithë këtë
zemëratë. Me sytë nga qielli mbetëm ditë pambarim. Çadrat nuk reshtnin së
theruri kurmin gri të të përditshmes, e cila kllapitej nën melodinë e shiut dhe
hapave gjithnjë në turravrap. Retë ndiqnin njëra-tjetrën në këtë agoni të
stërgjatë e të dymentë të dimrit. Vetëtimat shkrepëtinin duke grisur mantelin e
zi të natës dhe thyer melankolinë e shiut që nderej në përgjimin e heshtur,
mbrëmjeve kur përtej xhamave të lidhur nga litarët e shiut kqyrnim lojën e
motit.
Shiu
ishte ka gjatë me ne, aq sa edhe melankolikët e braktisën duke u strukur pas
kujtimeve që i shfletonte melodia e vajit të motit. Kockat na i çau lagështia.
Arat dhe ëndrrat i strukëm nën ujë dhe zemërimin në qiell e lëshuam me sa zë që
kishim. Err e terr, jargët e strehëve zvargeshin si prej gojës së bishës
egërsia. Lageshim e ndrageshim me pasionin e Noes dhe Arkës në çastet e
trilleve që thurnim për përmbytjen e përbotshme.
Kaq gjatë
shiu ishte me ne, na ndiqte e na përgjonte krejkund ku vetja strukej për tu
fshehur. Aq pareshtur ra shi, sa edhe sot që retë kanë marrë arratinë e blunë
ka veshur ky qiell oshnar, në kocka ndjejmë pëshpërimën e dhimbjeve të
lagështisë, në duar qëmtojmë lojën e fundit në pianon e melodisë meditative.
Mbrëmja është shkrehur tash, e perëndimi ka shtruar gosti zjarresh. Lulet kanë
çelur e zërat e fëmijeve kanë shpërthyer bashkë me bulëzat e para të pranverës.
Dielli ka zgjuar shkëlqimin dhe harenë në fytyra dhe panorama që syni na rrokë.
Zjarret e gjakut shpuzisin në këtë furi vërshimi që beh nër ne njiherash me
zgjimin nga letargjia.
Kam mbetun ende me sy nga qielli e përgjoj çdo formëzim reje. Taftine tokës dhe frymëmarrjen e horizontit e ndjej përnga është nisur. Strehët e mbetura pa vajin e tyne pikëllues me gazmendin në këtë hov që gjithkah natyra ka marrë. Shiun dhe lotët i presa e i përcjell, ndërsa dielli shndrit në kreshta, e syve pëlcasin brerorët e mrekullimit. Ka ndërru moti e bashkë me të edhe ne ndjehemi krejtçka tjetër, më të gjallë, përplot energji vërshimi, kapluar prej dalldive të pasionit dhe shpuzës së mishit.