| E diele, 14.04.2013, 12:08 PM |
Primo
Shllaku: Standardi dështoi, gegnishten e flasin 70% e shqiptarëve
Respektimi
i autoritetit nuk do të thotë rreshtje e kërkimit të së vërtetës. Ia vuna si
titull ktij shkrimi ketë shprehje lapidare të Cvetan Todorovit jo për ta zanë
ngusht Shpëtim Çuçkën, por për të pohue në të gjitha drejtimet se në shoqninë
shqiptare nuk u ka cofë ora të gjithëve gjatë epidemisë së mendjeve në kohën e
diktaturës. Nuk do ta ndëshkoja kurr as me fjalë e as me gjeste Çuçkën për
ironinë e tij mjerane dhe humorin e lagun prej publicisti të keq në adresë të
shkodranëve dhe, për pasojë, në adresë të qytetit të Shkodrës. Edhe pse
alergjitë e tij ndaj Qytetit, të mshefuna keq, janë diçka që na e dimë dhe e
durojmë, pikëmasëpari na sjellin në mendje dëshirën e mallkueme me e pyetë ket
përkthyes (shum e lavdojnë për profesionist) se prej kah âsht ai, prej cilit
vend, a ka nji vendlindje a nji vend origjine dhe cili kishte me qenë ai vend.
Larg prej
idesë së marrë për t'i futë në ring origjinat tona, nuk e di se pse shkrimi i
së martës, 23 mars 2013, me shtien ndër mend idenë e keqe se Çuçka nuk ka vend
origjine, se ai nuk âsht prej askund. Do të ndihesha shum i gzuem sikur ai të
më përgjigjej se âsht prej diku dhe pranë emnit të tij të nderuem, mbas
presjes, të vendoste edhe nji toponim ose nji mbiemën përkatësie gjeografike.
Ky Nemo pa origjinë do të ishte - gjithnji simbas meje - nji njeri shum fatkeq,
por vetëm kshtu do ta kishte rrethanën lehtësuese të lajthitjes së tij me
dashje për të sulmue shkodranët me puls emocional dhe dashakeqës deri aty mâ.
Unë jam shum i vogël dhe i dobët me marrë nën mprojtje shkodranët. Ajo qytetari
ka individë e grupime, shoqata e institucione që mund të arrinin shumçka ma
tepër se unë. Dhe duhet ta bâjnë ketë për hir të vllaznisë me pjesën tjetër të
kombit, për hir të rinjohjes dhe ripajtimit mbas lngatës së egër moniste, ku
miti i luftës së klasave esencialisht duhet të dobsonte qytetet dhe, madje, t'i
denigronte ata.
Në radhë
të parë due të them me siguri të patundun se shkodranët në ket vend janë në
shtëpinë e vet, janë në atdheun e vet jetik dhe historik. Ata nuk janë
minoritet, por pjesë konstituive e kombit me histori të gjatë dhe me kontribute
të jashtëzakonshme në shestimet e kombit, në krijimin e traditave si dhe në
kontribute qytetnimformuese. Shkodra ka qenë, mund dhe duhet të jetë prap
qendra e madhe diakronike-sinkronike e nji letërsie që në pjesën mâ të madhe të
fazave të letërsisë kombëtare ka sjellë pragjet e risive dhe spirale inovative.
Shkodra flet dhe shkruen me ekcelencë njenin prej të folmeve urbane
metropolitane mâ shprehëse e ma endemike të të gjithë arealit shqiptar. E
folmja e Shkodrës âsht gjuha e kangëve, e melosit të kënduem, e dashunisë dhe e
poezisë, e humorit që pshtetet mbi kalamburin dhe mbi kombinimet e hatashme
fonetike. E folmja e Shkodrës si e tillë i shpëtoi për mrekulli të ndotjes dhe
përlyemjes me shqipen totalitare, të cilës aq me spikamë ia ka evidentue
anatominë studiuesi Ardian Vehbiu. Ajo âsht e folmja e delikatesës, e
politesës, e aristokratizmit dhe e borgjezisë me stampë europiane latine dhe
teutone. Dhe, përfund, e folmja e Shkodrës âsht literalisht gjuha ime amtare,
gjuha e tamblit ose gjuha e qumshtit, nëse zotni Çuçka ka pasë ndonjiherë
rastin me marrë vesht se ç'âsht ajo.
Edhe pse
të angazhuem në promovimin publik të gegnishtes, në Institutin tonë të
Promovimit të Vlerave të Gjuhës Shqipe askush nuk e di se dikush me kompetenca
dashka me abrogue hipertosknishten e standardit të sotëm dhe me vendosë në vend
të saj "shkodranishten". Ky lajm i zotnisë së masipërm, që ishte për
tê aq rilevant dhe shpëthyes njiheri sa i doli edhe në titullin e shkrimit, na
la të gjithëve pa mend dhe, nga pararojë e gegnishtes, u ndjemë fare në fund të
koshit.
Nuk âsht
hera e parë që në jetën tonë mendore ndeshemi me kulturën e gënjeshtres dhe të
mashtrimit intelektual, të shashkave dashakeqe dhe shpifjeve të stilit
bizantin. Taktika e "rrej, rrej se diçka mbetet" âsht po aq mefistofelike
sa edhe e mjerë dhe qyrrane.
Nuk âsht
e vërtetë se shkodranët dhe askush që mund të identifikohet si i tillë nuk ka
ndër mend ta zavendsojë tosknishten e standardit me shkodranishten. Meqë Çuçka
jep shêja të nji kulture militantiste gjuhsore dhe të nji erudicioni
shkollaresk, po më duhet t'i kujtoj se Shkodra e shkodranët qysh në vjetin
relativisht të largët të 1917-18, realizuen të vetmin forum të ndershëm gjuhsor
me Komisinë Letrare, dhe, ndonse në kryesinë e tij ishin letrarë e filologë të
fuqishëm e me peshë si Fishta, Mjeda e Gurakuqi, gjuhë e përbashkët kombtare e
shtetit u shpall elbasanishtja, kur Xhuvani ishte ndoshta mâ çunaku i çetës së
komisionerëve të gjuhës në atë forum.
Tue iu
referue nji shkrimi tjetër të Shpëtim Çuçkës të 18 nandorit të vjetit që shkoi,
përsëri gjejmë nji titull provokues e sfidant, fodull e arrogant, i cili zbulon
mâsëmiri sindikatën e asaj çetë të vorfnueme dijetarësh - çuditërisht pa vepra
të gjithë - të cilët, përveç vorfnimit intelektual dhe lodhjes reale fizike,
duket se bâjnë përpjekje për të kalue stafetën ndër rishtarë të zellshëm, por
pa substancë epistemologjike rreth çeshtjes gjansisht të hapun të gjuhës.
Shkrimi i tij në gazetën MAPO tingllon ksisoj: "Kongresi i Drejtshkrimit
dhe heshtja e mospërfilljes". Në zmadhimet e fonteve në krye të faqes
Çuçka thekson se "pastaj Enveri zbriti nga llozha, doli në sallë dhe i
shtrëngoi dorën Androkliut."
Se prapsoj dot pyetjen që me torturon: A nuk mjaftonte autoriteti i Androkliut për t'ia vu vulën kongresit, por duhej edhe dorështrëngimi i Enverit? Me siguri diçka i shpëton Çuçkës, diçka entuziaste, e pashueme në ndërgjegjen e tij personale por edhe kolektive që sot mbas 40 vjetësh të kongresit do të ishte mâ elegante të na referonte si garanci integriteti për vendimet e atij kongresi faktin që Çabej i shtrëngoi dorën Androkliut, sepse, në fakt, në nji dokumentar të kohës e të rrethanës kjo sekuencë ekziston.
Do të ndalem pak edhe te fjalët "heshtje e mospërfilljes"
Kë
shpërfill Shpëtim Çuçka me heshtjen e tij? 65-70% të kombit shqiptar që âsht
gegfolës natyral? Shpërfill tre monumentet e gjuhës shqipe: Buzukun, Eposin e
Kreshnikëve e Kanunin e Lekë Dukagjinit? Shpërfill Pashko Vasën,
Kristoforidhin, Fishtën, Mjedën, Koliqin, Migjenin, Anton Pashkun, Esad
Mekulin, Rrahman Dedën, Arshi Pipën, Martin Camajn, Zef Zorbën? Shpërfill
lirinë e rifitueme mbas nji kalvari e përdhunimi deri gjuhsor? Shpërfill
kulturën e popullit tand dhe pikërisht atë segment që ka rezistue mbrenda
Shqipnie pa e msy kurr emigracionin? Apo shpërfill mâ se 100 poetë, prozatorë,
eseistë, gazetarë e publicistë që, edhe mbas shashkës së z. Emil Lafe se
"gegnishta u vetëtërhoq", vazhojnë të patundun sot traditën e madhe
të ligjërimit letrar gegë me cilësi, me blatime e me realizime që të habisin?
Pozitive âsht se shoqnia shqiptare po kalon edhe mendërisht nga uniformizmi në pluralizëm. Gjithsesi ajo po polarizohet idealisht. Sot po bâhet përherë e mâ i kjartë ky polarizim. Nji palë besojnë në mrekullitë e lirisë, pala tjetër beson në mrekullitë e diktaturës.
*Poet,
Drejtues i Institutit të Promovimit të Vlerave të Gjuhës Shqipe