| E shtune, 13.04.2013, 01:43 PM |
DASHURO NJË MINUTË…
- Ose udhëtim nëpër vargjet e këputura të Sejdi Berishës –
Nga Lulzim Logu
“Vargje të
këputura” është libri i 26-të në serinë e 30 veprave të Sejdi Berishës, botuar
nga “ Klub kultura” Pejë në vitin 2012, tashmë dhe i ribotuar.
Ndërkohë që më
kishte mbetur në mëndje si imazh i pashlyeshëm i pejsazhit tim jetësor, poezia
e librit të tij të 18-të me titull: “ Dashuro një minutë!”
Një përmendore e
dashurisë, e artit poetik sesi jetohet intensivisht jeta dhe sesi shkohet në
mënyrë metaforike kah sfidat e saj, duke mos e përbuzur atë, por gjithnjë duke
e lakmuar dhe duke u ndjerë triumfator.
Siç thotë poeti
Buzhala: “ Ai shpreh madhështinë e qënies poetike, tek e ngre mesazhin dhe
forcën e mendimit, në gërshet me dhëmbjen, melankolinë dhe dashurinë…”
Ngarkohesha çdo
çast shpirtërisht, të shkruaja rreth këtij libri të ri të Berishës, me ndjesinë
e çuditshme, nëse do të arrija të formuloja vertet atë që ndjeja unë, por edhe
shumë lexues të poezisë dinjitoze të këtij autori të spikatur , sidomos këto
njëzet vitet e fundit, korpusi letrar i të cilit, përmbi 30 vepra, përmban
përveç poezisë edhe esenë, tregimin, dramën dhe publicistikën e permasave
kombëtare.
Sejdi Berishën e
kanë konsideruar “si krijues i pandalur, si vullkan që zien nga brenda, si një
enciklopedi, krijues i përmasave kombëtare, një pelegrin i vendlindjes së vet,
Pejës, njeriu që gjithmonë prin nga atdheu!” Jo më kot, vargu prijës i librit “
Vargjet e këputura” është:
… Duke të kërkuar
Ty Atdhe në jetën
time
Kam ngelur vetëm duke
kënduar…
E në fakt, në
përmallimin e tij për nënëloken dhe Pejën,në pritjen e gjethimit të ri të
stinës, në rrugët që përditë diçka vjedhin nga jeta e tij, mbi lapsin e ftohtë
që nënshkruan veç vargje dashurie, tej qiriut që çmendet, që gjakun e trupit
nuk mund t’ja shkrijnë,mbështetur mbi tokën që merr frymë me krenarinë e
qëndresës, Sejdi Berisha shplon shpirtin e tij të veçantë poetik, zgjat
metaforat poetike të ekzistencës së vet dinjitoze dhe ja afron publikut, të
gjitha strukturave dhe moshave të tij, bashkëbisedimin, modest, të kuptueshëm,
thellësisht njerëzor, i cili pambarim shëron plagë, zgjon ëndrra dhe frymëzon
shtigjeve bukur të vështira të jetës, tash tre dekada me rradhë.
Natyrisht që nuk
është asnjëherë lehtë të jesh i pranueshëm, pjesë e leximit gjithnjë e më të
rrallë të publikut, i cili veçse zgjedh, ka ndjesinë e pashmangshme të
kohëhumbjes, perms kaosit ditor i intereson gjithmon aja ç’ka është e
qënësishme, e vertete, adekuate me kohën dhe që i afron patjetër ngrohtësi,
support shpirtëror, mesazh pozitiv dhe shpresë.
Të gjithë këta
element, të vendosur në mënyrë funksionale në krijimtarinë poetike të Berishës,
sigurisht që ja kanë ruajtur atij kujtimin dhe përmëndjen, por edhe reagimin e
lexuesit, sa herë që ai ju ka drejtuar atij, në momente kohore, që duhet thënë
kanë që të shpeshta, me dialog të shëndoshë, me motive pjellore dhe të
qëndrueshme, brenda një ritmi kronologjik dhe një freskie për tu pasur lakmi të
figuracionit dhe gjuhës metaforike.
Ajo ç’ka veret
vazhdimisht tek ky poet, ajo ç’ka më së shpeshti konstatohet dhe përbën thelbin
e unit të tij poetik, mbetet fakti jetësor i ngritur në artin e fjalës së
kuptueshme, e cila menjëherë mbërrin në zemër, pa makinacione fiktive,
trallisje artificial të figures apo stisjes së motivit për të cilin shkruan dhe
komunikon poeti.
Berisha ndjen
çastin poetik së brëndshmi dhe e përcjell lehtësisht tek lexuesi, sepse di ta
jetojë pikërisht momentin jetësor, ka aftësi ta përafrojë me momentin
shpirtëror të ithtarëve të vet poetic, pra të lexuesve të vet të shumtë, të
qytetit dhe vendit të vet, por me të njëjtin perceptim edhe tej arealit të vet
krijues:
…bëhem kryeneç
Në të gjitha kohrat
për tu flijuar
Për ta peshuar
dritën…
Kot
Si në litar,
luhatet mendja…
Antiteza të forta,
epitete të mrekullueshme, krahasime ndjellëse, portrete dhe nostalgji,apele
patritike në vendin dhe masën e duhur, përmbi të gjitha atdhedashuri, kaq e
sinqertë, sa të duket se pikon direkt nga krejt qënia e tij, zëmërgjerësia dhe
fryma origjinale e kontaktit me njerëzit që ja duan dhe ja perdorin poezitë si
bar’ qetësimi të ditënetve të tyre të zakonshme, ndonjëherë krenaria autoritare
dhe vetëdijësimi për vlerat që mbart dhe transmeton, e bëjnë qasjen ndaj
krijimtarisë së tij, sa të dashur, aq edhe të përgjegjshme, jo thjesht për t’ja
përcaktuar vendin e tij në rradhët e plejadës së vet dhe masën e kontributit si
intelektual dhe krijues, se tashmë ato njihen apriori.
Por për të spikatur
veçori të aktit të tij krijues, të cilat e mbajnë përherë të ri, të kerkueshëm
dhe krijimtarinë e tij, në shumicën e rasteve një risi dhe botimet e librave të
tij një pritje e këndshme dhe festë dhe qasjen ndaj tij si shumësi emrash,
mbështetësish dhe aprovues në udhëtimin e tij bukur të gjatë poetik dhe jo
vetëm.
…në mua bora e zë
borën
Në mua lulet i
presin lulet
Në mua gjethi e zë
gjethin
Në mua stina e puth
stinën
Gjithnjë duke ecur,
duke kenduar
Kush i kupton
lutjet e mia të pakuptimta?!...
Ky është identikiti
poetik i Sejdi Berishës, shpresoj ti jem afruar sadopak, duke qënë lexuesi i
tij i hershëm, bashkëshoqëruesi i tij në kohë të ndryshme e tash së fundmi edhe
bashkëbiseduesi fatlum, i cili mundet të ndjejë dhe kuptojë edhe madhështinë e
thjeshtësisë së tij si njeri, shok, mik apo koleg i letrave.
… mos u tallni me
lodhjen time
Ajo është dritë e
mbyllur
Në hieroglifet e
fjalës!
… ndoshta rrudhat e
ballit tim
Pikturë do ti bëni…
Gjithmonë në fund
të takimeve me Sejdi Berishën, pas orëve letrare, takimeve ose mitingjeve
kulturore, ai të thotë me fjalë, por më shumë me shikimin e tij të ngrohtë një
fjali:
“ Ndoshta sërish
takohemi nesër, kësaj rradhe vetëm pak vargje…shpresoj se mjaftojnë për ta
ushqyer shpirtin…”
E pas kësaj,
përcjellja, ndarja, por kurrësesi lamtumira, është profili i ballit të tij të
rrudhur, ku edhe sumbullat e djersës të ngjajnë se pikin si varg, si fjalë, e
krejt qënia e tij jeton , frymëzohet, vdes dhe ringjallet përmes poezisë:
…Ik poeti im duke
kënduar
Shkruaj vargje dhe
kënaqe njeriun
Sepse lumturia e
tij
Është më larg sesa
ti e mendon…
Kohë të hershme,
atëbotë siç e cilëson ai rininë e tij, ai shkruante gjatë, vargjet renditeshin
si lulet në një obelisk kujtimi, asnjëherë nuk kenaqej me atë që do të thoshte,
ishte i dashuruar me poemën dhe vargun e bardhë, ndonjëherë kjo i ka krijuar
lodhje dhe lexuesit ndonjë moment shperqëndrimi, sidomos lexuesit të perciptë,
natyrshëm më pas në peridhën vijuese të krijimtarisë së tij “ i ka këputur” pak
vargjet, ju ka shtuar intensitetin emocional, por dhe i ka bërë ato më të
drejtëpërdrejta, më stoike, më të qënësishme, figurativisht trenat e vjetër,
anipse të bukur në sojin dhe misionin e tyre, më rrallë dhe më ngadalë kalojnë
në stacionet e jetës, ndërkohë që trena të shpejt feksin dhe lënë mirazhin e
tyre modern në sytë dhe përjetimet tona…
Tashmë poeti kredon
e tij poetike mund ta thotë dhe beson në kuptimin e drejtë të saj edhe me pak
vargje:
Jeta ime është
rrënjë, trung, kurorë
Shkrumbi im është
tokë, nënë, këngë
Malli im është
lindje, liri, dashuri
Gëzimi im është
dhëmbje , mall, dashuri
Rrugëtimi im është
atëri, madhështi, histori…
Pjekuria poetike
dhe maturia njëhkohësisht, për një moment duket se vargjet i ka bërë më të
forta, më pak delikate, por përtej lëvozhgës së tyre të “fortë” lexuesi i
vëmëndshëm mundet të hetojë tisin nostalgjik, dhembjen prej burri dhe lazdrinë
prej poeti të rrallë, që jeton dhe krijon krahas historisë dhe zhvillimit të
vet dhe të vendit që i përket.
…mos më gjykoni për
këngën
Sepse token e
shqiponjave
E kam në damarët e
gjakut
Kosovën tik takun e
zemrës…
…aty ku rrëzohen
lisat
aty rriten fshesat
aty ku përdhoset
lashtësia
aty dergjet drita…
Sejdi Berisha ka
ndërtuar lisin e poezisë së vet, ka “djegur” fshesat, ka nderuar lashtësinë dhe
krenarinë e popullit të tij, mbi errësirën e vuajtjeve ka ndezur llampën e
shpirtit dhe fenerët dritëshumë të fjalës së mënçur, herë me vargje të gjata,
herë me “vargje të këputura”me zjarrmi dashurie dhe nostalgji prej kronikani
besnik të kombit të vet.Kështu përcëllon kenga e tij, ndërsa vazhdimisht poeti
ka etje, etje…
…duke ecur
Sa vështirë është
për të kënduar
Për shiun e shpresës…