| E enjte, 11.04.2013, 07:49 PM |
Nga Ylli
Polovina
Një muaj
më parë Prof. Xhankarlo Valone (Giancarlo Vallone) më dërgoi këtë mesazh:
"Dua të të jap një lajm: një miku im i mirë gjeti në një muze vizatime të
shekullit të tetëmbëdhjetë, të bëra mbi bazën e pikturave antike, për fat të
keq të humbura, të cilat ruajnë pamjet e dy dukëve të Galatinës të familjes
Kastrioti Skënderbeu, fytyrat e të cilëve deri tani nuk njiheshin. Bëhet fjalë
për Gjon Kastriot Skënderbeun, djali i heroit, dhe ai i Ferrante Kastriot
Skënderbeut, i biri i Gjonit dhe nipi i Gjergjit".
Profesor
Valone është një studiues shumë i përkorë me faktet historike. Duke qenë vetë
me një kulturë juridike të thellë, ai i ka ato të shenjta. Pa dyshim që
gjithçka qe saktësisht dhe në mënyrë të sigurt ashtu siç bënte të ditur ai.
Kështu, e para gjë që të shkonte ndërmend ishte nevoja për ta botuar dhe bërë
të njohur para të gjithë shqiptarëve. Ishte një zbulim i madh në fushën e
studimeve për Skënderbeun e sidomos për vazhdimësinë e jetës së familjes së tij
në emigrim politik në Itali menjëherë pas vdekjes së heroit tonë kombëtar. Për
të birin e vetëm, Gjonin, i cili në fillim të majit 1448, bashkë me të ëmën dhe
shumë të veja princash të rënë si luftëtarë, kapërceu detin dhe shkoi në
Mbretërinë e Napolit, ku mbreti Alfons i kishte dhënë dy qyteza prona, nuk
kishte asnjë imazh të pamjes së tij. Duka Gjon, martuar me një bijë nga familje
mbretërore serbe e njëkohësisht me prejardhje perandorake bizantine, ka qenë
protagonist i njohur në jetën e Mbretërisë së Napolit e sidomos në mbrojtjen e
saj dhe të trojeve të krishtera italiane nga ushtria osmano-myslimane e kohës.
Ai duhej patjetër ta kishte një portret të pikturuar. Ja, më në fund u gjet.
Ishte po
kaq e panatyrshme, madje edhe më tepër, mungesa e pamjes së Dukës Ferrante,
birit trashëgimtar të Gjonit. Ky qe shumë më tepër i zëshëm se i ati, fort më i
pushtetshëm se ai. Një portret për të në kohën e tij ka qenë pak. Megjithatë më
në fund u gjet njëri prej tyre.
Miku i
Prof. Valones, studiuesi i ri Luixhi Galante (Luigi Galante), i ka bërë të
ditur edhe një vizatim të pamjes së Gjergj Kastriotit, me siguri skicuar prej
një portreti të pikturuar të tij, të cilin e duhet ta ketë pasur familja, të
transportuar me anijen e ikjes drejt Italisë ose, më pak e besueshmja, e bërë
këtu. Edhe ky është një zbulim i madh, edhe pse imazhi i vërtetë, në moshën
62-vjeçare, një vit para vdekjes, ruhet në zemër të Romës, në mbiportikun e
hyrjes së një pallati antik me emrin e tij, në një rrugicë pranë Presidencës
Italiane që mban po atë emër dhe në krye të një sheshi që po ashtu quhet
Skënderbeu.
Por
përveç Romës me këtë kompleks dhe me sheshin "Albania" me në qendër
një përmendore të Gjergj Kastriotit mbi kalë, Vjenës ku ruhen armët e tij
fitimtare, Venecies ku po shkëlqen me punë kërkuese dhe mjaft rezultative
albanologia Luçia Nadin, është Pulia vendi, hapësira dhe vatra e katërt ku
ruhen visare të jetës dhe veprës së Skënderbeut, si edhe të pasardhësve të tij,
përfshirë familjet kryesore fisnike shqiptare, që kryen rezistencën legjendare
kundër pushtimit osman.
Pikërisht
këtu, në këtë rezervë të madhe dokumentare, për fat, jeton, studion e zbulon,
Profesori i Universitetit të Salentos, autor i mjaft librave për Mesjetën
italiane, mes tyre edhe i "Aspekte juridike dhe sociale në periudhën e
qeverisjes aragoneze. Kastriotët në Tokën e Otrantos", të prezantuar vite
më parë në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Historisë.
Një muaj kohë, që nga lajmi i parë i tij, kaloi sepse Valone duhej të nxirrte leje zyrtare nga muzeu për t'i publikuar të katra portretet. Pastaj lypej edhe ca kohë që shkrimi i tij në italisht të përkthehej nga i talentuari shqipërues dhe pedagog në katedrën e Albanologjisë në Universitetin e Salentos, Genci, i biri i dijetarit Emil Lafe. Por të gjitha kaluan pa u ndjerë, siç përherë ndodh në prag të një gëzimi.