| E marte, 09.04.2013, 07:45 PM |
Qytetar
nderi i një qyteti me qytetarë të c’nderuar!
Nga Rezart Palluqi
Kur
dëgjon se një qytet ka shpallur shumë qytetarë nderi, logjika të bën të besosh
se në atë qytet janë pakësuar qytetarët e nëpërkëmbur. Sepse misioni i
qytetarëve të nderit është që nëpërmjet kontributit të tyre artistik apo
tregtar, ta përmirësojnë botën, të rrisin ndërgjegjen qytetare, të rrisin
dashurinë e bashkëqytetasve të tyre për vlerat e bukura. Marrë shkas pra nga
shpallja e qytetarëve të nderit, aq të shumtë në Shqipëri, më lindi pyetja: Si
është e mundur që të kemi kaq shumë qytetarë nderi nga njëra anë, dhe kaq shumë
qytetarë të nëpërkëmbur nga ana tjetër? Kohët e fundit kam hasur në forumet
shqiptare djem të rinj me vizion të mprehtë dhe mjaft kritik ndaj realitetit
shqiptar. Shkrimet.mendimet, analizat e tyre më kanë bërë të ndjehem entusiast,
madje të besoj se Shqipëria mund të bëhet nëse ata djem bëhen pjesë e bordit
drejtues të Shqipërisë. Por sapo entusiazmi me gufonte fort në zemër, shikoja
të nesërmen se njëri prej tyre u shpall
qytetar nderi. Pas disa ditësh po i njëjti person dukej të ishte transformuar
plotësisht, të kishte pësuar një metamorfozë morale.
Dy gjëra
paradoksale më ranë në sy:1) Mosha e tij e re. Si është e mundur të shpallësh
një qytetar që s’i ka kapur të dyzetat qytetar nderi ? Në vendet europiane kjo
ndodh në moshë të thyer. 2) A mos është kjo një taktikë për të futur në thes
njerëzit inteligjentë ? U japim një cmim nderi dhe kaq !
Para disa
ditësh po përfytyroja ( letërsia është gënjeshtarja më e madhe e universit) vehten time si qytetar nderi. Sapo ky
përfytyrim po shndërrohej në realitet më mbërthyen djersë të forta, një zemërim
i sertë i bazuar në një logjikë tmerrësisht të thjeshtë.
Si mund
të pranojë një artist këtë cmim kur në qytetin ku ai lindi dhe u nderua,
jetojnë qytetarë të cnderuar, të stërropatur, mashtruar, ku mbizotëron varfëria
ekstreme, papunësia, ku muzeumet janë shndërruar në tempuj të braktisur ? Kjo
ndjenjë përplasëse vlen më shumë për artistin. E them këtë sepse kam parë mjaft
artistë ta kenë pranuar këtë cmim me gaz e hare të madhe.
Personalisht
nuk do pranoja kurrën e kurrës një cmim të tillë, sepse mundi im dhe i cdo
artisti është që vepra e tij të ofrojë sado pak rreze kulturore në jetën e
përditshme të bashkëqytetasve të tij. Rrjedhimisht, nëse një shkrimtar shkruan
disa vepra, dhe ato nuk zbatohen as 5% në jetën e përditshme, përse duhet ai ta
pranojë një nderim të tillë?
Për mua
nuk ka nderim më dyfytyrësh dhe vetvrasës se sa ky.
Kam përshtypjen se këto lloj nderimesh qytetare burojnë nga tradita famëkeqe e medaljeve të nderit të Enver Hoxhës. Jane nga ato cmimet që ne poetët i përshkruajmë kështu: me jep bilbilin të jap nderin!