| E marte, 09.04.2013, 08:06 PM |
ZHGËNJIMI
Nga Bedri Blloshmi
Askush
nuk mund të ma mohojë hidhërimin, brengën apo urrejtjen. Pritëm me vite të
tëra, por pritja nuk mbaroi. Pritja dhe trishtimi ynë u kthyen në përjetësi
përballë pjesës tjetër gjakatare e cila duket se nuk e ka lëshuar nga duart
pushtetin e saj. Në vendin tonë llahtari dhe tmerri i kanë rrënjët të thella
dhe ne vazhdojmë të presim të zhgënjyer. Por kjo nuk do të thotë se do mbyllemi
kurrë në dhimbje dhe as do të zhytemi në mjegullën e shpresës. Nuk u trembëm as
njëherë nga fati që na dërrmoi dhe nuk
na theu, as çfarë erdhi pas tij. Klithmat e dëshpërimit të pangushëlluara me
një makth të llahtarshëm nuk na lenë të qetë.
Premtimi
nuk u mbajt. Të gjithë e dinë, por askush nuk guxon të prekë të kaluarën
gjakatare. Ne nuk duam dënimin e së shkuarës komuniste vetëm në nivele
deklaratash, por edhe konkretisht.Këtu nuk u prekën aspak ata që gatuan këtë
tragjedi kombëtare. Pinjollët e tyre mbahen afër e punësohen në vendet kyçe e
shumë të rëndësishme të shtetit, ndërsa për ne s’mendon askush. Bijve të
komunistëve dhe të Sigurimit u hapen dyert të bëjnë ç’të duan e të merren me
ç’të duan, për të shtuar mundësitë e trashëguara dhe miliardat e fituara në
këto 20 vitet e fundit. Pse nuk bëhet e njëjta gjë me ne? Pse duan të na lënë
në varfëri apo sepse nuk i lidh asgjë me këtë shtresë? Dokumentet e nevojshme
për të denoncuar këta vrasës ekzistojnë, por arbitri shtet nuk ka dëshirën e
mirë ta bëjë këtë. Një demokraci pa kujtesë, është një demokraci në vuajtje që
përpiqen ta ndërtojnë mbeturinat e të kaluarës. Pra, kam të drejtë të them me
plot gojën se zhgënjimi është plaga që nuk do të gjejë kurrë shërim.
Tmerret e
historisë duhen parë me shumë kujdes nga njerëz qe s’kanë asnjë lidhje me
komunizmin.As me këta neokomunistë se këtë gjëmë e kanë shkaktuar baballarët e
këtyre që na sundojnë .Ata janë shumë të kënaqur nga puna e baballarëve të tyre
sepse ju siguruan dhe të ardhmen ne pushtet. Ata që janë dëmtuar nga këto
tmerre, nuk do t’i harrojnë kurrë ato. Mund të zbehen përkohësisht, por ne nuk
do t’i harrojmë kurrë shkaktarët e katrahurës së hidhur e tronditëse. Qëndrimi
që mbahet ndaj nesh, na e bën më të gjallë dhimbjen e shkuar dhe na e përforcon
më tepër urrejtjen, duke plaguar në ndërgjegjen tonë armiqësinë e shkaktuar nga
e kaluara.
Ata që u
veshën me partesytë e bardha të mbrojtur nga xhupat e zinj arritën të
mashtrojnë opinionin ndërkombëtarë duke u paraqitur si “MESIA”Po ata që morën
përsipër të na kthenin në jetën normale, jo vetëm që na lanë ende mbi shpinë të
kaluarën e tmerrshme, por ne po shohim se si po adhurohen xhelatët tanë. Atyre
që na premtuan, nuk u pëlqen të zbardhet historia e përgjakur 45-vjeçare, por
edhe ne nuk mund të harrojmë ç’ka ndodhi mbi kurrizin tonë. Na mohuan
ekzistencën, apo, ca më keq akoma, na vranë e na zhdukën. Lufta civile në
Shqipëri i hapi rrugën terrorit, kaosit e urisë 45 VJECARE. Verbëria politike
vazhdon ende edhe sot e kësaj dite. U lindëm dhe u rritëm në kohën kur vendi u
pushtua nga frika, dhuna dhe dhunimi total i fjalës së lirë, ku na priste lufta
e ashpër e klasave dhe fundi i llahtarshëm, vdekja. Pluhuri i kohës dhe i
kujtesës nuk do të na pengojnë, por tashmë një gjë e kemi të qartë se objektivi
dhe synimi për ne klasën e përmbysur mbetet po ai i vjetri: të na lenë në
harresë. Skenari është po ai, kanë ndryshuar vetëm koha dhe aktorët që janë të
rinj. Ata duan të na hedhin në kaosin rënkues përjetësisht.
Arsyet
për të dënuar regjimin gjakatar komunist, i cili ishte i imponuar nga një grup barbarësh, janë
shumë të forta. Ky regjim shtypës shpronësoi popullin, burgosi,shkatërroi me
mijëra familje, vrau e zhduku me mijëra njerëz të cilët mendonin ndryshe nga
propaganda bajate dhe e gënjeshtërt. Kërkesat e palës, që pësoi ato ç’ka
përmendëm më sipër, për dënimin e komunizmit nuk u mbështetën nga askush. I
vetmi, që na përkrahu ne të burgosurve politikë, ishte deputeti dhe ministri i
MTKRS-së, zoti Bukaj Leskaj. Ai kërkoi me forcë në parlament, që për të gjithë
të rënët e të pushkatuarit gjatë diktaturës, të caktohej një parcelë e veçantë
te Varrezat e Dëshmorëve. Ai kërkoi që 21 maji i vitit 1973 të shpallej ditë
zyrtare në përkujtim të revoltës së Spaçit. Gjithashtu ai kërkoi ngritjen e një
memoriali në nderim të viktimave të diktaturës. Zoti Bujar Leskaj ishte
deputeti i vetëm që nga salla e parlamentit demaskoi bashkëpunëtorët e
Sigurimit. Mospërkrahja do të thotë se nuk duan ta shpallin përgjegjësin e
kësaj katrahure 45-vjeçare. Parlamenti i sotëm e mbron atë ligjërisht. E them
këtë, pasi parlamenti ynë edhe pse e ratifikoi rezolutën e KE-së, për dënimin e
krimeve të komunizmit, nuk e vuri në zbatim. As ligjin për pastrimin e figurave
që kanë lidhje me Sigurimin gjakatar. Pse heshtet?! A nuk janë të mjaftueshme
këto fakte për të treguar se nuk është prishur kontrata me të kaluarën?!
Parlamenti shqiptar edhe pse ka dijeni për të gjitha këto gjëma, asnjëherë nuk
e zë me gojë diktatorin i cili sot e kësaj dite ende mban dekoratat më të
larta. Sot askush nuk mendon të shërojë plagët e së kaluarës që rrjedhin gjak.
Sot, askush nuk mendon për nënat shamizeza që shkuan në atë botë të pikëlluara
duke mos e marrë vesh kurrë fundin e bijve, vëllezërve apo bashkëshortëve të
tyre të zhdukur. E demokraci, pse na e shove atë pak shpresë?
Ne besuam
në ato që u thanë më ’91. Ne besuam se në fund të tunelit të errët do të
ndizeshe drita jeshile .Ne besuam se do gëdhinte nata e errët 45 vjecare për të
ndricuar përgjithmonë dritë.Por kjo nuk ndodhi.Të besosh nuk përbën ndonjë
gabim, por të vazhdosh të besosh,kur zhgënjehesh është faj i rëndë. U mbushën
20 vjet që thuhet ish-pronarët, ish-të burgosurit politikë, por kur do të thuhet
ish-komunistët dhe ish-Sigurimi? A do të ndodhë ndonjëherë kjo? Kurrë! “Mjerë i
munduri!” thoshte Napolen Bonaparti.
Shumëkujt
kur ia do puna, nëpër takime ndërkombëtare apo edhe në vend, thotë se Shqipëria
ka kaluar diktaturën më të egër e se janë kryer shumë krime, por vetëm kaq, nuk
shkohet më tej.
Të gjithë
aktorët, me në krye diktatorin, e shtruan rrugën e komunizmit me lumenj gjaku,
rënkime dhe ulërima dhimbjesh. Shuma nga ne po largohen nga kjo jetë
dalëngadalë me kujën e dhimbjes që s’ka dëshirë ta dëgjojë askush. Sakrificat
tona të përgjakura, të dhimbshme dhe mundimin e tejzgjatur na e marrin për
dobësi. Varfëria materiale e morale ndaj nesh nuk duhet të vazhdojë më. Na
mjaftoi përballja me eksperimentin e tejzgjatur të regjimit totalitar e absurd.
Mbi ne po fle ende çmimi i shtypjes, i mënjanimit dhe i harresës së qëllimshme.
Në të
Djathtën e Shqipërisë kanë zënë vend Sigurimi i Shtetit dhe spiunët dhe bijtë e
komunistëve të cilët me format e tyre ndjekin e mbrojnë baballarët gjakatarë.
Dëshmitarët e rremë dhe bashkëpunëtorët e sigurimit mbajnë detyra të larta si
kryetarë partie, zv/prefektë, ambasadorë. E ku nuk i gjen ata! Dhe, po i preke
këta, si spiunë e si bashkëpunëtorë të Sigurimit, ndëshkohesh. Që të kesh
përkrahje të plotë, sot duhet me patjetër të kesh dy lidhje të forta: të kesh
pasur lidhje me Sigurimin e Shtetit ose me komunizmin.
Kur e
kush do të përgjigjet për mijëra të zhdukur, të varur e të pushkatuar? Kur e
kush do të përgjigjet për mijëra të burgosur, të internuar e të çmendur nga
torturat të cilët edhe sot e kësaj dite gjenden të mbyllur në çmendina? Kur e
kush do të përgjigjet për këto krime të komunizmit? A është ky, kushti i KE-së?
Nuk
kërkoj të bëj zëdhënësin e atyre të cilët kanë frikë të thonë të vërtetën, të
zgjidh enigmën e së vërtetës apo të bëj rolin e historianit, por e vërteta
duhet thënë në funksion të respektimit të rregullave të demokracisë dhe të
dinjitetit njerëzor. Krimet e komunizmit duhet të analizohen e të dënohen në
emër të vlerave demokratike.
Kaloni
nëpër korridoret e errëta dhe hapni ato qindra dhoma të krimit ku shpirtrat
ende rënkojnë,bëni grafinë e krimeve. Mos ua shtrëngoni duart vrasësve, por
detyrojini të përgjigjen.
Për ne
kujtesa mbetet e shenjtë!
Këtu po e
përfundoj rrëfimin për tragjizmin 45 vjeçar dhe harresën e qëllimshme 20
vjeçare!
Jam i
bindur se shumë do të hidhërohen e ndokush mund të mendojë se po bëj shumë
armiq. Kjo s’është aspak e vërtetë! Unë po zbuloj të gjithë mekanizmin se si
funksiononte sigurimi famëkeq dhe keqbërësit e katrahurës familjare për 45 vjet
rresht. Ky rrëfim nuk është vetëm imi, por i të gjithë atyre njerëzve që s’u
kanë munguar kurrë uria,turturat, vuajtjet, padrejtësitë, tmerret e terrori
komunist.
Cfarë do
bëhet? Kush do ta bëjë?
Këtë e
bën një ndërgjegjje shumë e pastër duke dhënë prova se e urren të kaluarën me
të vertetë .Të cilët s’kanë arsye ta mohojnë për çka ndodhur.
Ky rrëfim
është një mozaik krahinash e shumëllojshmëri dhimbjesh e lotësh .Jam përpjekur
që të mos ja kthej shpinën të vërtetës e të fle në gjumin e gënjeshtrës .Besoj
se kam shprehur thjeshtë e cdo kush do ta kuptojë atë cka kam dashur të them e
të mos i harroj kurrë.
Këtë
dhimbje e kanë mijëra familje shqiptare .Unë u bëj thirrje dhe ju them
rrëfejini tmerret e familjeve tuaja mos i lini në harresë sepse brezat e
ardhshëm nuk do t’ua falin kurre as dhe historia.As toka që po i mbanë fshehur
dhe po treten dalëngadalë.Nuk do ti harrojnë kurre këto rënkime shpirtrash që u
sakrifikuan vetëm pse deshën vendin e tyre.
Këto
materiale arkivore besoj se janë të vlefshëm për ata që vuajtën fizikisht,por
dhe për brezat që do vinë.Dhe një herë thërras flisni dhe tregoni katrahurat e
ndodhura,Të gjithë e dimë se jan ë me
qindrae mijratë zhdukur ,mijra të pushkatuar që janë pa varre .Por dhe për të
gjithë këta nuk ka fajtor.
Ekstrakt nga libri Terrori Komunist.