| E marte, 09.04.2013, 06:33 PM |
XHA
MUSAI*
Kujtimit të patrotit çam Musa Demi - “Nderi i Kombit”
Tregim nga Resmi Osmani
Oficeri i
zyrës së pritjes të kryeministrisë zuri vend pas tryezës, mori një formular dhe
ngjyeu penen ne kallamar, pastaj i vëmendshëm, serioz, me maskën e autoritetit
në fytyrë, ngriti kokën dhe iu drejtua pritësit, që qëndronte më këmbë përballë
tij.
-Ju
lutem, përgjigjuni pyetjeve që do t’u
bëhen.
-Mirë. A
mund të ulem?
-Si jo,
lutem më falni për harresën.
Ai që do
të pyetej, rënkoi lehtë, mosha i rëndonte mbi supe dhe u ul ngadalë përballë,
pasi la bastunin në një cep të zyrës.
-Emëri?
-Musa.
-Atësia?
-Hamit.
-Mbiemëri?
-Demi.
-Viti I
lindjes?
-Njëmijë
e tetëqind e shtatëdhjetë e gjashtë.
Oficeri
pushoi së pyeturi dhe i hodhi një vështrim të habitur bashkëfolësit. Në zyrën e
tij, në vitin 1961 në shekullin e njëzetë, kishte trokitur një personazh që
vinte nga shekulli i nëntëmbëdhjetë, me
personin e këtij plaku, që mosha ende nuk e kishte kthyer në gërmadhë. Flokë e
mustaqe bardhë, me sytë e lodhur por vështrimdashur e të mençur, me shtatin e
drejtë si fidan, i veshur me sqimë, qëndrim të qetë, prej tij shpërndahej
mirësi e fisnikëri. Plakun siç duket e kishte harruar vdekja, ishte si rilindas
i gjallë dhe s’po dinte ç’të bënte më me
jetën e tij, veç të trokiste zyrave! Këto mendoi oficeri dhe vazhdoi pyetjet:
-Vendlindja?
-Filat,
në Shqipërinë e Poshtëme.
Oficeri
shkroi vetëm Filat dhe, pyeti disi me habi: Ç’është kjo Shqipëri e Poshtëme,
hera e parë që e dëgjoj.
-Eh mor
bir, nuk ke faj. Këto gjëra tani nuk ua mësojnë më në shkollë. Kështu quhej
Shqipëria e Jugut që përfshihej në Vilajetin e Janinës,në kohë të turkut. Aty
bënte pjesë edhe Çamëria.
-Profesioni?
-Politikan
Oficeri
mbeti ndërdyshas:
-E si ta
shkruaj këtë?
Musai e
rroku kuptimin e pyetjes dhe ngurrimin , por bëri të paditurin.
-Thjesht:
Po-li-ti-kan- e rrokëzoi ai shkoqur e me zë të qartë.
-Ju
lutem, nuk dua mësime drejtshkrimore. Besoj se nuk ekziston një profesion i
tillë. Politika është një lloj veprimtarie.
-Është më
shumë se aq. Shkruaje ashtu si ta thashë.
-Arësyeja
e takimit me kryeministrin?- vijoi oficeri pyetjet e ndërprera.
-Kërkesë
për pension patriotik.
Oficeri
vuri penen në vend, i dha formularin e plotësuar sekretares për ta ngjitur në
kabinet dhe i tha xha Musait:
-Bashkë
mbaruam. Mund të uleni në kolltukun e sallonit dhe të prisni. Do të vijë t’u
shoqërojë për te kryeministri oficeri i shërbimit. Paç fat!
* *
*
Zotëronte
një qetësi e një lloj shurdhërie ndrydhëse në atë hapësirë të lartë. Nga perdet
e rënda ngjyrë alle, pak të hapura, depërtonte drita si e përflakur, por nuk
arrinte ta ndriçonte bollshëm tërë hapësirën e sallonit të madh. Rrallë
lëviznin nëpunësit, por megjithëse me çape të shpejta, ecnin me kujdes e si mbi
vezë që hapat e tyre të mos dëgjoheshin. Musai u fundos në kolltukun e madh, të
rëndë e të rehatshëm, të veshur me
lëkurë të zezë. “Kushedi se kujt ja kanë sekuestruar,”- i shkoi në mendje vetiu. Në pritje që ta
thërrisnin, i përsilleshin në mendje një mori
pandehmash dhe pyetjesh.
“Paç
fat,” i tha oficeri. Musait nuk i shpëtoi toni ironik i urimit. Para se t’a merrte këtë rrugë, i kërkoi
mëndje një miku, se a do ta priste dhe nëse do t’ia pranonte kërkesën
kryeministri.”Varet se me ç’damar do të jetë, por ti provoje, s’ke çtë
humbasësh.” Miku gabohej. Kishte se çfarë të humbiste.Nderin dhe krenarinë që
mund t’ia nëpërkëmbnin. Mendimet dhe kujtesa e shpunë larg, në burgun e
Janinës, kur e kishte burgosur hyqymeti i turkut pas kontrollit të shtëpisë në
Filat, ku kishin gjetur librat e shqipes që i kishin Sjellë Themistokli
Gërmenji dhe Spiro Bellkameni për shkollën shqipe të Filatit. Në kaush, ishte
bashkë me një çifut disi të çuditshëm, e quanin Ben David. Mbante në kokë një
takie të vogël dhe flokët gërshet. Gjith kohës atij i kullonin sytë mbi
bibël.Atje e kërkonte shpëtimin. Ai bëri shaka, i tha se e kishte emrin si
Moisiu biblik, që nxori popullin e zgjedhur të Zotit nga skllavëria në Egjipt.
Edhe ti përpiqesh ta nxjerrish popullin tënd nga errësia dhe skllavëria. Pastaj
ai për ti dhënë zemër, i kishte lexuar një verset nga bibla që thoshte:” Lypni
dhe do tju jepet, kërkoni dhe do të gjeni, trokitni dhe do t’ju çelet; sepse
kush lyp-merr, kush kërkon – gjen dhe do t’i çelet dera atij që troket”. Ai
tashmë kishte trokitur, dera ishte çelur, do të kërkonte, por a do ti jepej?
“Varet se me ç’damar do të jetë,”- i kishte thënë miku. Brenda tij janë edhe
ujku edhe qengji!
* *
*
Me çap të
lehtë, si të ishte hije , me kartelë në dorë, në tryezën e kryeministrit u
afrua oficeri i paradhomës dhe në heshtje, priti të kishte vëmëndjen e shefit.
-Folë,- i
tha ai, - i bezdisur që po e ndërprisnin nga shqyrtimi i dokumentave.
Përgatitej për mbledhjen e qeverisë.
- Në ora
dymbëdhjetë i keni lënë takim qytetarit Musa Demi. Prura formularin me të
dhënat,- tha, - dhe ia uli mbi tryezë dhe doli ashtu si kishte hyrë, si hije.
Kryeministri
pa orën e madhe të murit, donte dhjetë minuta të shkonte dymbëdhjetë. Mori formularin dhe e përsolli nëpër duar.
Nënqeshi përbuzshëm kur lexoi profesionin politikan. Emëri i kërkuesit ishte i
njohur për të dhe vetë familja e madhe e Dematëve të Filatit në Çamëri, ishte
disi e ndërlikuar: kishte nxjerë pashallarë turkoshakë, por edhe patriotë,
heronj e dëshmorë, por edhe tradhëtarë. I fundit ishte Tahiri, i sapo dënuar me
grupin tradhëtar të Teme Sejkos. Eh, këta çamët, i ishin bërë si ferrat nëpër
këmbë! Të çuditshëm, krenarë e fodullë, kishte vënë re se nuk e pëlqenin punën,
por u pëlqente të komandonin. Nuk e kuptonin se hpësira për ta ishte e ngushtë
si vrima e gjilpërës. Ja, edhe ky
“Politikani” që vinte të kërkonte pension patriotik, pikërisht në këtë kohë,
kur ky komunitet kishte ngrënë shkelma bythës dhe shuplaka fytyrës në gjyqin që
ishte zhvilluar. Dhelpëra plakë me këtë kërkesë synonte larg. Me siguri ishte
provokim, për të nuhatur sjelljen e qeverisë ndaj popullatës së kësaj krahine,
por do të merrte një përgjigje që të mos kujtohej më për të shkelur pragun e
kësaj ndërtese.
I ra
ziles.
-Silleni
Musa Demin!
* *
*
-Xha
Musa, kryeministri po ju pret. Ejani me mua.
Musai u
shkëput nga kujtimet dhe e ndoqi pas. Kishte shumë shkallare, të mbuluara me
tapet të kuq. Oficeri ecte shpejt.
-Ngadalë
o bir,se nuk të ndjek dot,- i tha. Oficeri u ndal dhe e priti .
Kur doli
në krye të shkallëve gjunjët e rënduar nga pleqëria i dhembnin, zemra kishte
shtuar rrahjet, frymëmarrja i ishte shpeshtuar. Qëndroi një çast, duhet të
qetësohej. Koridori ishte i gjatë, llapste nga dritat dhe pastërtia, nën këmbë
ndjehej butësia e tapetit. Hynë në fund, djathtas. Oficeri i paradhomës u
ngrit, e përshëndeti ftohtë, sa për të bërë zakonin, mendoi xha Musai- dhe i
priu për në zyrën e madhe të kryeministrit.
Mehmet
Shehu ishte ulur dhe as e ngriti kokën të shihte vizitorin. Mbi tryezën e gjatë
e të rëndë, kishte disa telefona dhe dosje të hapura, një pirg me gazeta ku
shquheshin rreshta të nënvizuar me laps të kuq.
Në fund të tavolinës ishte një sekretare me një regjistër të hapur, e
gatshme të regjistronte takimin. Në një kënd, ishte një tryezë e ulët e
rrumbullakët dhe disa kolltukë. Në krye të murit, dukej portreti i madh i komandantit.
Xha
Musai, instiktivisht e kuptoi se kishte ardhur kot. Në atë zyrë nuk ishte i
mirëpritur. Dukej sheshit. Gjithsesi i tha vetes: Mbahu e mos u ligështo, Musa!
Pa i
dhënë dorën dhe pa e përshëndetur, i pa mirësjellshëm, pa i thënë ulu, e pyeti
me arrogancë :
-Thuamë
shpejt e shpejt dhe shkurt përse ke ardhur, se nuk kam kohë për të humbur. - I
tha këto pa e parë në sy.
Musai e
kuptoi që kryeministrin e kishte gjetur në damar të keq, në atë të marrëzisë.
Sido qoftë , e meritonte t’i jepte një mësim:
-Biri im!
Të them bir, se babai yt është moshatar me mua. Para se të të them pse kam
ardhur, e ç’nevojë më ka sjellë në këtë moshë të thyer, pres të më thuash: “Ulu
se të kanë lodhur këto shkallë!”
Që kur
kishte hyrë Musai, ishte e para herë që ai e pa në sy. Dukej i nxehur e tërë
mllef, në fytyrë i ra një hije e rëndë, e frikshme, hakërruese. Por xha musai
kishte parë në jetën e tij të gjatë, në vende dhe raste të tjerë, edhe burra të pushtetshëm e të frikshëm dhe
nuk ishte trembur. Nuk u tremb as prej këtij. Frikë duhet patur vetëm nga Zoti.
Burrat një here lindin dhe një here vdesin. Frikacakët vdesin e ngjallen
përditë!
-Pa shih!
Paske ardhur të na mësosh si të sillemi! Lëri fjalët e tepërta dhe folë shpejt,
s’kemi nevojë për mendtë e tua! Na mjaftojnë e teprojnë tonat!
Nga t’ia
niste? Ai ishte pjesmarrës i historisë, kishte bërë histori dhe kishte hyrë në
histori. Kishte punuar, jetuar e luftuar me burra të shquar të këtij kombi që
bënë Shqipërinë. Por tjetëri, nuk donte,ose më keq: s’kishte veshë të dëgjonte,
sy që të shikonte dhe mënt që të arsyetonte. I donte gjërat me dy fjalë. I tha se që në të ritë e tij e kishte vënë
jetën dhe punën në dobi të atdheut, kishte luftuar kundër turqve, kundër
shovinistëve grekë. Ishte burgosur, kish luftuar e marrë plagë, ishte bërë
zëdhënës i halleve, vuajtjeve dhe padrejtësive që i bëheshin popullit dhe
krahinës së tij. luftës Nacional Çlirimtare
i kishte dhënë djalin dhe vajzën. E bija kishte rënë dëshmore për Atdheun, por
ai, i përfshirë në agazhimet patriotike, dhe për shkak të moshës, çlirimi i
vendit e kishte zënë 68 vjeç, nuk kishte plotësuar vite pune për të përfituar
sipas ligjit pension pleqërie. Meqënse qëlloi jetëgjatë, se edhe mund të kishte
vdekur, që të jetonte si njeri, këta vite që i kishin mbetur, mendonte se i
takonte dhe, kërkonte që t’i jepej një pension patriotik. Besonte,përsëriti ai,
se i takonte. Kaq.
Kryeministri
u nxi më keq nga fytyra, sytë i lëshonin një dritë të keqe si të verdhëreme dhe
ju drejtua Musait me hakërrim:
-Zotrote
dashke pension patriotik! Pension
patriotik! Ǒe pandeh ti more, pushtetin
popullor, një kazan të mbushur plot,
që t’u japë pension edhe tradhëtarëve, atyre që u kanë shërbyer shtatë
mbretërive dhe kush e di se ç’farë flamur tjetër mbajnë të fshehur në sepete?!
Mos! Kjo
ligjëratë ishte si e shtënë pushke, çdo fjalë një plumb, edhe fjala vret si
plumbi, në mos më keq. Ishte si një goditje rrufeje që e përshkoi të tërin.
Askush deri sot nuk kishte guxuar t’ia kishte thënë ato fjalë, por ruajti
qetësinë dhe dinjitetin. Nuk kishte pse të binte në gropën e batakut të
harbutërisë që kishte hapur tjetëri. Ishte Musa Demi dhe ai e kishte nderuar
këtë emër në çdo vend e rast të vështirë. I
erdhi në ndihmë mençuria e politikanit dhe takti i
diplomatit.
-Të
kërkoj falje,- i tha,- se të harxhova
kohën e çmuar dhe të prisha gjakun! Por, të lutem,- shtoi ai, - Më thuaj disa
nga ato mbretërira, që unë u paskam shërbyer në dëm të Shqipërisë.
- Ç’të të
them, ti i di më mirë se unë. Ja, le të fillojmë nga turku, pastaj greku, më
pas italiani, më tutje gjermani. Nuk të mjaftojnë këto?
-Këto më
mjaftojnë e teprojnë,- i tha,- Faleminderit që mi rrëfeve se unë plaku i kisha
harruar. Sapo e kuptova se kam trokitur gabim në këtë derë. Do të dal këtej dhe
do të vete të trokas në Ambasadën Turke,
në atë italiane, pastaj te ajo gjermane, për fat të keq nuk kemi ende ambasadë
greke, dhe do të kërkoj të më japin pension patriotik. O zot,sa budalla jam
treguar! Pse nuk vajta që sefte atje, se
do të kasha marrë jo një, por tre
pensione!
Kryeministri
mbeti i hutuar dhe i habitur e nuk po ia shqiste sytë.
Xha Musai
doli menjëherë, pa pritur tjetër fjalë. Nuk e përcolli njeri. Po ecte me çap të
ngadaltë por me trupin drejt dhe pamje krenare nëpër koridorin e gjatë dhe në
mendje i buisnin mendimet: ”Ky ishte kryeministri, burri i shtetit, që i ishin
besuar fatet e shqiptarëve! Burri ishte
i shtetit, por shteti nuk ishte i burrit, se këta lloj burrash, vinin e
shkonin, qëllonte që më së shumti i hanin kokën njeri-tjetrit. Edhe shteti nuk
ishte i atyre burrave, se edhe shteti binte, rrëzohej, merrte rrokullimën.
Ishin rrënuar perandoria Romake,ajo Bizantine e sa e sa të tjera. Ai kishte
jetuar dhe kishte parë sesi ishin rrënuar Perandoria Turke, ajo
Austro-Hungareze, Ruse etj. Kishte vetëm një vlerë që nuk zhbëhej kurrë dhe
s’të tradhëtonte: ishte Atdheu. Ishte ai pragu i dashur i shtëpisë në Filat,
vendi ku hidhen hapat e parë, ku i thuhet nënës nënë e babës babë, atje ku janë
varret e të parëve, si rrënjë të future thellë në tokë, ku flitet shqipja e
bukur. Për këtë Atdhe, për Shqipërinë, që të ishte një dhe e pandarë, për
flamurin, për gjuhën dhe shkronjat shqipe , ai kishte shkrirë jetën. Mëmëdheu
asnjëherë nuk të bëhet njerkë edhe kur një kryeministër tregon dhëmbët, sikur
do të të shqyejë, apo zgjat kthetrat e bishës që të të çjerrë zemrën. Ata janë
si ferrat e djerrinave, pjella dështake, që
kanë në zemër vrer dhe jo mirësi e dashuri. Jeta është e shkurtër, por
atdheu s’ka vdekje. Brezi përcjell brezin dhe nuk i harron ata që luftuan e
punuan për Atdheun. Puna, mendja, dituria, djersa dhe gjaku i tyre, janë në
themelet e kombit. Prandaj nuk duhet menduar se çfarë bëri Atdheu për mua, por
çfarë kam bërë dhe do të bëj unë për Atdheun, që i jemi borxhli, qoftë edhe me
jettën tonë. Varfëria durohet, por turpi dhe tradhëtia as falen as durohen. Ai
”Burri i shtetit”, i papërgjegjshëm, e kishte vënë në radhën e tradhëtarëve!
Kishte
arritur pranë derës. Aty ja behën dy oficerë:
-Zotëri!
Ti ishe te kryeministri?
- Po,-u
tha.
-Kryeministri
të kërkon sërish të vesh në zyrë.
- Nuk
mundem,- u tha,- nuk i ngjit për herë të dytë ato shkallë dhe atë zyrë që më
damkosën me turp.
Oficerët
ishin djem të rinj dhe gazmorë:
-Mos u mërzit,
xhaxho, se të marrim ne hopa. Po s’të shpum në zyrën e tij, t’i bëjmë derman
kokës se na tha: “Ma sillni atë plakun flokëbardhë patjetër në zyrë!”
U kthye,
i ngjiti ato shkallë si të kishte një gur mbi shpinë.
Por çfarë
kishte ndodhur?
Kryeministri,
pasi kishte dalë plaku, u habit nga përgjgigjia e tij e mençur dhe qëndrimi
burrëror. Atëhere u bë politikan. Musa Demi do të shkonte te njerëzit e vet dhe
do tu tregonte, duke u thënë se shteti dhe Partia nuk i duan çamët. Me siguri
që do ta bënte se ishte trim dhe i hapur. Lajmi do të përhapej gojë më gojë.
Ishte me dëm, bile me shumë dëm të krijohej kjo psikozë në popullatën e një
krahine të tërë. Në dreq të shkonte një pension varfanjaku! Me të do t’i
mbyllej goja, atij dhe llapaqenve të tjerë. Pastaj plaku ishte me një këmbë në
varr, një gërmadhë dhe s’kishte për ta ngrënë për shumë kohë atë pension.
E priti
xha Musain i buzëqeshur. I ofroi cigare. Maska ishte ndërruar. E ftoi të ulej.
U kollit lehtë dhe i foli me të butë:
-Dëgjo,
xha Musa. Mos na e vërë re, ne nxehemi se na bën puna dhe hallet tona, që janë
më të mëdha nga sa e mendon ti. Qëpar
nuk u solla mirë. Mos ma vërë re. Tani shko në shtëpi. Do të jap urdhër që të
vijë vetë Komiteti Ekzekutiv në shtëpinë tënde me makinën time, që të lidhë
pensionin dhe thuaj falë me shëndet plakës .
Xha Musai
doli. Nuk shfaqi kënaqësi, asnjë gëzim,
asnjë falnderim. Nuk po i jepnin lëmoshë, por atë që i takonte, bile më pak
ngasa i takonte! Kryeministri, mendoi ai, me atë ndjesë, kishte dashur ta lante
m….. me shurrë. Burri i shtetit kishte hequr maskën e arrogantit dhe kishte
vënë atë të komedianit.Ujku ishte strukur,kishte dale qengji. Ashtu ja donte mendja, apo ndofta puna.
* * *
Ndryshe nga sa e mendonte kryeministri, Xha Musai, plaku i Çamërisë, jetoi gjatë , i nderuar dhe i respektuar dhe ndërroi jetë më 1971, në moshën nëntëdhjetë e tre vjeç. la prapa një emër dhe një vepër të paharruar.
Tiranë,mars
2013.
*Motivi i
këtij tregimi është marrë nga monografia “Musa Demi” e historianit Hajredin
Isufi.