Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Rita Saliu: Dedë Gjo Lulit

| E hene, 08.04.2013, 06:51 PM |


Poezi nga Rita Saliu

 

DEDË GJO LULIT

 

ka njëqind njëmijë vjet

që presim kthimin e tij

lavdinë për të mos e harruar

jemi lodhur tashmë

duke u fshehur tkurrjeve

të atdheut të humbjes

edhe për mungesën tënde

gjarpri ende na e përthekon trupin

gjersa kalojmë pranë hijes tënde

duke pritur diellin dritëdhënës

të lindë rrugën për të na e treguar

përtej mbetjes peng të pritjes

nuk është koha vetëm për histori

është koha për burra për trima

që e jetësojnë amanetin tuaj

në tokën e mbuluar me zjarr të Arbrit

në tokën e mbuluar me heshtjen akullt

të Çamërisë, Dardanisë, Ilirisë

ku na mbulon hije e rëndë e harrimit

të presim të vishë një mëngjesi

me gjokun e bardhë të ëndrrave tona

dhembjen për të na e shpjeguar

që është e madhe sa Malësia jote

heshtja jote nuk na pëlqen

as harrimi yt nuk na duhet

nën qiellin blu po të presim

emër për t’iu bërë shpresës

shpirt për t’i bërë guximit

gjumit tonë të lepurit

për t’i dhënë fund

plagës sonë të rëndë

i duhet edhe dritë e diellit tuaj

eja para se vdekja

të na sjellë te ti