| E diele, 07.04.2013, 05:15 PM |
EL TORO*
Novelë
Nga Resmi
Osmani
1
Ishulli i
vogël malor i Albalongës shtrihej në Atlantik në brezin tropikal, larg brigjeve
kontinentale dhe i rrahur pak nga rrugët
detare. Kishte bukurira dhe pamje të pashoqe: Kodra e male të bleruara,
gjiredeti me plazhe rërëbardha, lugina dhe fusha të gjera që përshkoheshin nga
lumenjtë. Popullata, që arrinte katër milionë
ishte kryesisht ispanike, kreole dhe pak negroide. Ekonomia e ishullit
mbështetej në prodhimin bujqësor: Kallamsheqeri, bananet, frutat e tjera
tropikale, duhanin gjethemadh që jepte
purot e famshme “Manjifik”, orizin, që
përbënte bazën e ushqimit dhe blegtorinë, kryesisht gjedhet. Në shpatinat e
larta të sierras, selitej kafja arabike prej së cilës prodhohej e famshmja
“Oskar”. Një pjesë e mirë e popullatës
ishte e punësuar në minierat e plumbit, kallait, zingut dhe argjendit.
Aty nga
fillimviti 60-të, pas disa vjet lufte civile, në pushtet erdhi drejtuesi
revolucionar marksisto-anarkist, Ksavier dela Roka me klikën e tij, që preu çdo
lidhje me perndimin dhe u lidh me vendet e lindjes komuniste. Ishulli rënkonte
nën diktaturë. Pas shtetzimeve dhe nacionalizimit të pasurve, nisi gjuetia e
shtrigave . Kush kishte mendim ndryshe gjykohej, dënohej dhe dërgohej në kampet e punës të minierave. Të
shumtit vdisnin nga helmimi i ngadaltë i oksidit të plumbit dhe silikoza. Me
doktrinën e tij ekonomike të autarkisë, diktatori e zhyti vendin në varfëri të
skajshme. Nga mesi i viteve tetdhjetë, diktator vdiq papritur nga një atak në
zemër. Iu bë varrim madhështor në panteon. Albalonga mori frymë e lehtësuar se
tashmë diçka do të ndryshonte. Pasardhësi i qëndroi besnik. Me ca politika
dredharake dhe dhelpëri ekonomike ,përpiqej tu hidhte hi syve. Regjimi tashmë
ishte kalbur si një frut i tejpjekur në degën e pemës, mjaftonte një lëkundje
që të rrëzohej. Jehona e ndryshimeve në vendet e lindjes erdhi dhe në
Albalongën e cfilitur. Në korrik u ngritën në demonstrate massive studentët e
kryeqytetit Vilaverde dhe minatorët e minierave. Policia bëri raprezalje, por
pa dobi. Ngrehina e shtetit ishte krisur. U hapën burgjet dhe të burgosurit
politikë iu bashkuan lëvizjes Julianiste. Nga Majami, Florida dhe vende të
tjera vërshoi emigracioni politik. U pranua dhe dekretua pluralizmi politik dhe
pa kaluar gjashtë muaj rrëmuje e anarkie, u bënë zgjedhjet legjislative, që u
fituan me shumicë nga partia “Julianiste” . Diktaturës i kishte ardhur fundi.
*El
Toro,demi,spanjisht
2
Limuzina
qëndroi pranë portës. Oficeri shoqërues i hapi derën dhe shkëlqesia e tij
zbriti plot gjallëri. Familjarët ishin rreshtuar si në roje nderi. Shkëlqesia
hapi krahët si të donte t’i përqafonte të gjithë, por nuk shpëtoi dot. Në faqe
i mbetën gjurmët e buzkuqit të zonjave dhe gudulisjet e mustaqeve të burrave. I
rrethuar nga familjarët e vet që ngazëlleheshin nga prania e tij, shkëlqesia u
ul në kolltukun e sallonit, që mezi i nxinte të gjithë. Familja e kthyer nga
emigracioni, kishte zbuar me forcë qiraxhinjtë dhe kishte hyrë në vilën ”Roza
bianka”, që ia kishte sekuestruar regjimi.
-Arritëm
një fitore historike, - tha ai duke trashur zërin.- Tashti çdo gjë do të
ndryshojë, i përkasim botës së lirë,
botës së ëndrrave, botës së qytetëruar, të pasur e të begatë. Populli ynë i
vuajtur e meritonte.
Familjarët
duartrokitën.
-Bravo,
tha i vëllai, don Ernesto, sa shumë e kemi pritur këtë ditë!
Halla e
madhe dona Elvira, e mallëngjyer, sypërlotur, i gëzohej të nipit.
-E kam
thënë edhe herë tjetër, dyert e mëdha, janë shtylla e këtij kombi, nxjerin djem
zotdalës të atdheut- dhe e ngashëryer, e futi kokën e plakur në gjoksin e
nipit, i cili i mallëngjyer i ledhatoi flokët e zbardhur- Më vjen keq që i
shkreti vëlla, Vitorio, që u prehtë në paqe, nuk e arriti dot këtë ditë, që të
gëzonte bashkë me ne.
Shishja e
shampanjës që u hap, krisi si pushkë, trokëllinë kristalet dhe u pi dollia e
fitores. Të gjithë heshtën ngaqë shkëlqesia ngriti pak dorën për të kërkuar
fjalën.
-E di,-
tha ai hijerëndë,- ju të gjithë prisni nga mua, por u siguroj se nuk do të
zhgënjeheni. Programi që kemi afishuar para elektoratit do të zbatohet një për
një. Do të kthehen pronat: vilat, hotelet, dyqanet, latifondet, të gjitha, të
gjitha, do ti themi lipsu varfërisë! Do të vendoset demokracia e vërtetë, me
institucionet e saj të pavarura, liritë
dhe të drejtat e mohuara.
-O Zot!-
u ngashërye halla e madhe,- mënon por nuk harron! I shkreti Vitorio që nuk ia
arriti kësaj dite.
-Kur ju
të gjithë moj hallë do të merrni hakun, atë që ka qenë juaja dhe ju takon edhe
ai do të ndjehet i qetë e do të prehet në paqe atje ku ka rënë.
Halla
bëri kryqyn dhe falnderoi Madonën.
Shërbyen
likonë e qershisë që ngjanin si ca rruzuj qelibari, të tejpashëm, burrat morën
edhe rum xhamajke aromatik dhe në fund shërbyen kafen e famshme “Oskar”.
Kushërinjtë
dhe simpatizantët u larguan. Mbetën njerzit e familjes.
Pasi
kaloi dalldia e parë, shkëlqesia e tij i hodhi dorën në qafë të vëllait,
inxhinier Ernestos. E kundroi dashurisht fytyrën e tij të ashpër e të zymtë.
Buzëqeshi dhe I tha:
-
Vëllaçko, don Ernesto dela Rivera. Ndërsa ne ikëm jashtë dhe shpëtuam nga
diktatura, ti nga rrethanat dhe rastësitë fatkeqe, mbete këtu dhe provove
kalvarin e vuajtjeve, burgun, minierat, plantacionet e kallamsheqerit,
baltovinat e orizoreve, mushkonjat dhe
përbuzjen pa fund të pushtetit. Edhe pse në moshë pensioni, për ty nuk do të
ketë prehje, mendoj të kesh një detyrë të rëndësishme, drejtimin e zyrës së
titujve dhe gradave, për të korregjuar atë pjesë të turpëshme të historisë, që
ka shpërblyer e vlerësuar lakenjtë, që ka ngjizur heronj të rrem dhe ka ngjitur
në piedestale puthadorët e diktatorit dhe diktaturës. Pranon?
-Me
kënaqësi,- u përgjegj don Ernesto dhe
një nënqeshje e hidhur mbiu në cepat e buzëve të holla: - Gamilet duhet të
kalojnë në birë të gjëlpërës, të shohim si do të kalojnë,- u hakërrye ai.-tani
më vjen ndërmend ajo e thëna e famëshme e konsullit romak Aurel Dioklecianit: E
drejta është në majë të shpatës, bota është e burrave dhe se fitimtarët
gjithmonë kanë të drejtë!
-Historia
e këtij vendi, nga vitet 60-të, do të rivlerësohet dhe do të rishkruhet e
gjitha. Heronjtë e rrem do të rrëzohen nga piedestalet. Se si, do t’a bisedojmë
më vonë, pasi kjo temë do të jetë pjesë e debatit të kabinetit dhe parlamentit.
Shkëlqesia
shkroi diçka prapa kartvizitës dhe ia zgjati të vëllait.
-Jepja
ministrit. Që nesër shko fillo detyrën.
- Djem,
dreka është shtruar, urdhëroni,- i ftoi halla. U nisën për në dhomën e ngrënies
nga ku vinte aroma oreksndjellëse e gjellëve.
3
Don
Ernesto dela Rivera, mëngjesin e parë që do të shkonte në punën e re, u vesh me
sqimë: kostumi blu, me xhaketë dopiopetë, me kopsa metalike që llapsnin,
shamiçka e bardhë në xhepin e vogël, jaka e ngrirë e këmishës, kravata vishnje
me pikla të bardha, këpucët e kafenjta, i nxirnin në pah trupin e fuqishëm,
ndërsa flokët e thinjur të shtruar e shkëlqyer me brilantinë i shtonin
fisnikërinë. Megjithatë ajo buzqeshja e hidhur dhe e mllefshme, si shqitej që
si shqitej nga buza. E shoqja dhe e bija i dhanë dorën e fundit, e puthën në
faqe dhe i uruan mbarësi.
Shkëlqesia
i kishte dërguar makinën e tij.
Ministri
e priti me nderime, e gostiti me kafe. Dha porositë e duhura që të përgatitej
gjithçka për don Erneston, që do të ishte një nga shefat e rëndësishëm në kabinetin e tij.
Shefja e
administratës dhe burimeve njerëzore, e buzëqeshur, joshëse si një koketë, e
vetdijshme për bukurinë e këmbëve që i
nxirte në pah minifundi dhe takat e larta, i uroi mirseardhjen dhe i priu në
koridorin e gjatë. Në paradhomë e priste
befasia e radhës, ishte sinjorita e bukur Ester, e këndshme dhe e çelur
si një lule, sekretarja e tij. I uroi mirëseardhjen me një përkulje të lehtë
mondane. Don Ernesto u ndje në siklet nga dekolteja e saj e hapur. Nga
paradhoma, hyhej në zyrën e kartotekës, që ndriçohej mirë nga dy dritare që
shihnin nga jugu. Aty kishte një skrivani të madhe ku vendoseshin dhe përpunoheshin dosjet. Një
derë tjetër dilte në koridor, pa qenë nevoja të kalohej në paradhomë. Kur hapën
derën e kartotekës, u ndje erë myku, kalbësire dhe letre të ndënjur. Esteri
hapi grilat dhe dritaret. Hyri flladi I freskët.
-Parardhësi
juaj ka dy muaj që është larguar, u nxor në lirim, ngaqë s’ishte i besuar
politikisht, prandaj zyra nuk është hapur dhe ajri është rënduar. Para se të
largohej, i kërkuam që të vinte rregull dhe ka sistemuar gjithë fondin e
dosjeve sipas grupeve, fushave dhe rendit alfabetik. E gjithë kartoteka është
dixhitalizuar dhe hedhur në kompjuter, gjithçka duhet, gjendet lehtësisht. Hë
për hë, besoj ekselenca, ministri ua tha. Çdo gjë ka ngrirë dhe s’keni për të
patur ndonjë veprimtari veç rishqyrtimit të dosjeve. Urime dhe punë të mbarë.
Po të keni nevojë për gjësendi, telefonomëni,- tha dhe doli duke lënë pas
aromën molisëse të parfumit të saj.
Don
Ernesto e mbylli derë me çelës. Nuk donte ta bezdisnin kureshtarët e katit të
tij, që me siguri do të vinin t’i uronin mirseardhjen. Doli në dritare. Poshtë
në rrugë , nën hijen e palmave, ishin parkuar
makinat, më tej ishte një kazan të fshirash ku një trumbë qen kërkonin
ushqim. Tutje shtrihej sheshi i “Revolucionit”, ku dukej piedestali bosh pas
heqjes së trupores gjigande të diktatorit. Në gropat e asfaltit ndrinte uji i
shiut të rënë gjatë natës. “Edhe pellgjet shkëlqejnë kur i përndrit dielli” mendoi ai. U kthye dhe
u ul në tryezë dhe mbështeti ballin në xhamin e syprinës, por ai ishte i ftohtë
ndaj u mbështet në bërryla. Muret ishin të palyer prej kohësh. Përballë kishte
mbetur gjurma e çelur e një kornize që e kishin hequr. Me siguri kishte qënë
porteti i diktatorit. Në raftet që zinin tërë murin përballë, ishin renditur
dosjet, në rresht si ushtarët. Një mal me dosje, sipas rendit alfabetik, sipas
sektorëve, shkallëve të hierarkisë, ofiqeve. Të vdekur,të gjallë, të humbur pa
gjurmë, meshkuj e femra. Kulla e dosjeve, si kulla e babilonit. Kulla e
ofiqeve, titujve, gradave, dekoratve, ndereve. Njerëz në dosje, dosje njerëz.
Do të kishte dashur edhe ai të kishte patur një dosje atje, por nuk kishte.
Ishte armik, i deklasuar, dosja e tij ishte në arkivat e sikuredadit!
4
Të gjithë
ishin aty; njerëz- dosje, dosje – njerëz, me gjithë cilsitë e shquara. Me
heroizmin dhe trimërinë, diturinë dhe talentet, lavdinë e rreme, meskinitetin
hipokrizinë, gëzimet, dhimbjet, dashuritë, karrierat e shkëlqyera me gremisjet
dhe qfaëthyerjet, pabesitë dhe hakmarrjet, një univers njerëzor me përmasa të
hatashme, që s’kishte lënë mundësi e mjet pa përdorur për tu ngjitur në krye,
në majat e pushtetit,artit dhe shkencës e për tu kurorzuar e dekoruar me urdhra
të larta, me tituj nderi e diturorë, kurora dafinash e medalje, pjesë e
lakmisë dhe lavdisë. Ja tek ishin: të
mbyllur në dy kapakë kartoni, lidhur me
fjongo të zeza si gozhdë sarkofagu. Kjo
ishte ushtria armike, që ai i vetëm duhet ta mundëte. Ja tek janë, të mbyllur
në ato kuti kartoni, shpirtëra të vdekur e të gjallë, që duheshin gjykuar,
vlerësuar dhe shkurorëzuar. Të gjithë, një për një, pa asnjë përjashtim, porta
ku do të kalonin ishte vrima e gjëlpërës. E rëndë detyra që i kishin ngarkuar,
por e madhe urrejtja dhe etja për hakmarrje.
Ja tek
ishin. Por nga t’ia fillonte, çduhet të bënte me ‘ta? E kapluan mendimet.
Fillimi ishte i vështirë, por fillimi i mirë ishte gjysma e punës! Uli ballin
mbi pllakën e xhamit që të kthiellonte mendimet, e ftohta e xhamit i bëri mirë
zjarmisë së ballit. Teksa rrinte në atë përhumbje, befas u dëgjua një zhurmë e
mbytur si të vinte së thelli ngs fundi i dheut, pastaj një bubullimë shurdhuese
si të kishte shpërthyer vullkani Arakataka në Sierra del Petra, shkrepëtinë
rrufetë dhe zyra u mbush me avuj squfuri dhe erë shkrumbi. Klithi i trembur,
por trupin plumb të rëndë nuk e shqiti dot nga karrikia. Ndjeu dhimbje si t’i
plaste koka dhe vuri të dy duart në ballë. Atje, për çudi preku diçka që s’e
kishte patur, por sapo i ishte shfaqur! Dy brirë të gjatë majëmprehtë, të
përkulur e të lëmuar, pastaj vetiu fytyra iu zgjat,lëkura u mbush me qime të
zeza të shkurtra e të buta si mëndafsh, flegrat e hundës u zgjeruan, pastaj e
pa veten me katër këmbë e thundra të forta, me gjoks të zhvilluar e të
fuqishëm, ndërsa xhufka leshtore e bishtit i zvarrisej përtokë! Megjithë këtë
shfytyrim që ndodhi me dhembje të forta, mendjen e kishte të kthjellët: E
kuptoi se tashmë ai, don Ernesto dela Rivera, nuk ekzistonte më, trupi dhe
shpirti i tij ishin shndrruar në një dem të zi, si të korridës: brimadh e të
fuqishëm me sy që i flakërinin dhe gati të bulurinte! Deshi të dilte nga ajo
lëkurë, por vetëm sa arriti të kreshpëronte vijën e qimeve të shpinës. “Zot.-
klithi ai-ç’më bëre?” Nga lartësia e reve buçiti një zë i fuqishëm: “Mos u
tremb, kam dërguar kryengjellin Gabriel që të zbatojë urdhëresat e mia. Ti
tashti je një el Toro, i harbuar e i zemëruar. Të erdhi koha e hakmarrjes së
ëndërruar, do të shfaqen edhe mrekulli të tjera!” Pastaj u ndje një tërmet i
fortë, muret u lëkundën, u hapën, u zgjeruan dhe zyra e vogël u shndërrua në
arenën e korridës. Shquheshin portikët
madhështorë, e shtruar me rërë të bardhë. Ishte e mbushur me ndenjëse për
shikimtarët. Drita vinte që lart, e ndritshme e bardhë , por burimi që e rrezatonte nuk dukej. Tej, në
llozhë ku duhet të rrinte kryetari i Korridës, el Presidente, ishte vendosur
shtatorja e drejtësisë, në njerën dorë peshoren e fajeve dhe në tjetrën një
skifter!
El Toro,
mbeti i kredhur në mjegull e mugëtirë, por një erë e beftë e shpërndau
mjegullën dhe u bë dritë. Atbotë, ai buluriu aq fort, sa jehonën e kthyen
malet, shkrofëtiu dhe nga flegrat i dolën fjolla tymi dhe flakë, gërreu me
thundra truallin e arenës dhe reja e pluhurit u ngjit në hapsirë, pastaj qielli
i arenës u mbush me flutura, lakuriqë nate, kandrra dhe zogj të vegjël kolibri,
posht rrëshqitën zvarranikë të
neveritshëm, gjarpërinj e krokodilë, pastaj ushtuan boriet, tamburet e çaparet. Jehoi marshi i toreadorit
dhe el Toro, bulurinte e shkrofëtinte. Reja e gjallesave që s’ishin veç
shpirtra, u shpërnda. Mbi shkallë ra drita. Në arenë, u dukën dosjet, në radhë,
kollonë për një, të rregullta çapisnin mbi dy kapakët e tyre. Pastaj u shfaqën
posht skeletet e këmbëve dhe sipër kafkat, anash vareshin eshtrat e krahëve dhe
falangat e gishtave të duarve. Kafka me gollet bosh të syve, por që shihnin,
kafka me nofulla dhe dhëmbë që zbardhonin, pa gojë e gjuhë, por që flisnin!
Skeletet, kollonë për një ecnin , kokallat kërkëllinin: trak-truk, truk-trak. U
kthyen djathtas e si me komandë u ulën në radhën e parë të shkallëve, pranë
pistës së shtruar me rërë. Të gjallët ishin në një rresht më vete, të tromaksur
e të handakosur nga ajo që u shihnin sytë. Kur të gjithë zunë vend, kapakët e
dosjeve u hapën krejt dhe brendia e tyre u pa e plotë, skelete, apo trupore e mishtë, e gjallë e
atij që i përkiste. Një konglomerat të vdekurish e të gjallësh: Krijesa
njerzore, hije e shpirtëra, as të gjallë as të vdekur, as njerëz as fantazma.
Nën veshjen e tejdukshme shiheshin eshtrat e bardha si gëlqere të skeleteve.
Çdo njeri syresh kishte të varur me zinxhir të ndryshkur, pllakën me emrin,
profesionin titullin, gradat, medaljet titujt e dekoratat. Rrinin të ngrirë dhe
prisnin. Të vdekurit: me të shkuarën, pa të tashme ,pa të ardhme; të gjallët: me
të shkuarën e tyre, të tashmen e papërcaktuar dhe të ardhmen e panjohur. Ky
ishte gjyqi i historisë!
5
Marshi i
toredorit buçiste, ishte ai që e kishte dëgjuar sa herë te opera “Karmen”. El
Toro, duke bulurirë dhe shkrofëtirë, u turr si ta kish pickuar zekthi dhe rendi
rreth arenës. I zi, madhështor, me sytë që i nxirnin flakë, qëndroi përball
gjindjes që rrinte e qetë, e heshtur, me atë pamje të çuditshme eterike.
“Sa shumë
janë,- mendoi ai,- të gjithë duhen gjykuar, vlerësuar, ndëshkuar apo
rivlerësuar e shvlerësuar. Diku nga larg dëgjoheshin kambanat e kishës së
Shëndiegos. Amin, do të bëhet!”
“Erdhi
dita të gjykoheni,- u tha ai- është urdhër i Partisë dhe Zoti kështu e deshi. A
i dëgjuat kambanat? Kini mendjen: Zemërimi im është i llahtarshëm, vreri më i
hidhur se helmi i kobrës, por edhe mëshira e pakufishme , e ëmbël si mjalti për
të penduarit e të nënshtruarit. Është ora e gjyqit suprem. Dridhuni apo
gëzohuni sipas mëkateve, mirësive apo ligësive e paudhësive” Ai shkrofëtiu e
buluriu, gjindja u drodh dhe hapsira u mbush me një tingëllim të qelqtë. Në
anën e djathtë u dëgjuan duartrokitje , të thirrura “Bravo” dhe tringëllime
kokallash. “Ata janë të mitë” mendoi ai.
Në
qiellin e arenës u dëgjua rrapëllima e një motorri. Ishte një helikopter i
vogël që zukaste si grerëz. Helikopteri u ul qetë paranë El Toros, dhe prej
andej zbritën një tryezë portative dhe sinjorita Ester, me një laptop në çantë.
Kishte ardhur t’i vinte në ndihmë shefit të saj. Ajo e vuri në çast në punë
kompjuterin. Në tabelën që u shfaq, pulsuan rreshtat fosforeshent me
“Curriculum vitae” të personit të parë. El toro nguli sytë e flakëruar dhe
thirri:
-Heroi i
Shtegut të Pumës!
-Këtu
jam,u dëgjua zëri që delte si nga humbellat e shpellës.
-Dil në
arenë, të erdhi dita e gjyqit të fundit.
Kokallat
e skeletit kërcitën me një tingull të shurdhër kur ai kërceu nga shkallët në
arenë. Falangat e gishtave linin gjurmë në rërën e bardhë të arenës. Atij befas
iu vesh rreth qafës një shall i kuq, në beretë një yll i bardhë trecepash, ndërsa në
gjoks kuqëluan plagët e përgjakura. Në një shirit krahë-qafë, ylli i artë i
heroit dhe gjithë medaljet e dekoratat.
-Folë,- i
tha Toro.
-Më
pyesni që tu përgjigjem.
-Ke
luftuar?
- Po. Që
kur filloi rebelimi e deri sa u vrava.
-Ke vrarë
shumë nga tanët?
-Shumë,
por nuk i kam numëruar. Në luftë nuk shkohet për të vallzuar!
-E përse
luftove?
-Jam bir
argati. Luftova për idealet e mia. Për
liri, barazi, vllazëri e drejtësi. Për komunizmin. Besoja te idealet
komuniste.Pol Vajan Kuturie,kishte thënë se: “Komunizmi është pranvera e
njerëzimit.” Luftova që kjo pranverë të vinte edhe për popullin tim të
shumëvuajtur të Albalongës.
-Të
gjitha gënjeshtra,-turfulloi Toro,-propagandë bajate e shpifur komuniste. Lufta
juaj civile, gjoja revolucionare kundër juntës së Himenesit, ishte një luftë
cubash, për të grabitur pasuritë dhe vendosjen e diktaturës me luftën e egër e
të pamëshirshme të klasave. Ti u vrave për ca ideale të rreme që u tradhëtuan
nga diktatori komunist Ksavier dela Roka. Gjaku yt shkoi kot, për leshh! Kush
të vrau? Me siguri shokët e tu , kur jeni zënë për ndonjë kurvë nga ato që
kishit në sierra!
Nga fundi
i shkallëve u dëgjua një angullimë e fortë dhe në arenë u hodh një ujk i
kreshpëruar dhe dhëmbë të skërmitur. Në qafë i varej një dekoratë e sapovënë si
“Luftëtar antikomunist”. Kishte atë pamje sepse pseudonimi i tij i luftës ishte
“Ujku murrash”
-E vrava
unë këtë bir bushtre, në xhunglat e Sierra del Petra, tha ai duke hungërruar,-
na ishte qepur këmba – këmbës, që kur vramë ato prostitutat, që iu bashkuan
lëvizjes së tyre, gjoja për të luftuar, por për të kurvëruar. I dënuam me
vdekje se ato turpëruan damat e ndershme dhe zakonet fisnike të vendit. Më pas, në pritë, më vranë edhe mua dhe
“Kontrasit” bashkëluftëtarë.
-Qëndro
me mua, Lupo trim, do të jesh ndihmësi im, nga që je nacionalist i ndershëm.
Plagët e
heroitu përgjakën, rrëkeza e gjakut nisi të kullonte pikë-pikë mbi rërë, ndërsa
zemra e kuqe pulsonte midis brinjëve të bardha.
-Ti do të
rivritesh. Eshtrat e tua do ti shvarrosim nga panteoni dhe do ti flakim në
detin e harresës. Aty do të prehen eshtrat e Lupos dhe luftëtarëve të tjerë të
lirisë së mohuar. Tani mbrohu, o heroi i Shtegut të Pumës!
Toro
shkrofëtiu, uli kokën dhe çukërmoi tokën me thundrat e hekurta, ishte gati për
të dhënë goditjen fatale.
Skeleti,
hoqi shallin e kuq nga qafa dhe e hapi. Çdo gjë tjetër u çbë. Në ajrin e
flakëruar valëvitej vetëm shamia e kuqe, ajo iu afrua para syve, pastaj u
dëgjua:
-Eja
,Toro negro.
Toros i
hipi tërbimi, u turr dhe dha një goditje të fuqishme me brirë të ulur, nga
poshtë lart. Goditja i shkoi huq.
-Hole,
holeee,- ushtoi jehona e thirrjes së shikuesve.
-
Eja,Toro, eja dhe një herë,- e cyti skeleti duke valëvitur shaminë e kuqe që e
tërboi më keq Toron. Aiu turr sërish dhe dha një goditje të fortë, por skeleti
shkathësisht u shmang dhe ai goditi me
brirë tarabën e drunjtë sa iu errën sytë. Kur e mblodhi veten që të jepte
goditjen e tretë që do të ishte vdektare, shamia fluturoi dhe u ngjit lart në
qiellin e arenës.
- Lupo,
çu bë vrasësi?
Ujku,
ngrit kokën lart, nuhati ethshëm, pastaj uluriu saqë iu ngjethën qimet e
kreshtës së shpinës.
-Iku, u
ngjit në qiell.
-Idjot!,në
ferr thuaj, se në qiell s’ka vend për të pafetë dhe kriminelët! Si e le të na
ikte? Ta kishe shqyer!
Në vendin
ku ishte skeleti, kishte mbetur dosja. Toro u turr dhe i dha një shkelm të
fortë. Letrat u shpërndanë në Ajër, pastaj ai hapi këmbët, e përmori dhe i bëri
përsipër një bajgë, që thuajse e mbuloi
të gjithën.
-Bravo,Toro,
brohoritën nga krahu i djathtë, nga ku u dëgjuan edhe duartrokitjet e thata.
Toro
dihaste. Nga manteli korb i zi, i djersitur, i ngrihej një re avulli. Marramendja i kaloi. Mendja iu kthjellua
dhe i diktoi senjoritës Ester:
-Vendim.
Heronjve dhe dëshmorëve të revolucionit komunist Ksaverist, u hiqen gjithë
dekoratat, titujt dhe urdhërat e nderit. Eshtrat e tyre do të hiqen nga
panteoni, do të zhvarrosen por nuk do të varrosen, eshtrat do të hidhen në
Detin e Harresës.
-Të
gjithë, pa përjashtim?- pyeti senjorita Ester.
-Të
gjithë. Zjarri ynë djeg të thatë e të njomë!
6
Përsëri
ushtuan tamburët, trompetat dhe boriet. Në ekranin e kompjuterit u shfaq skena
e teatrit të operas dhe figura e një balerine
të shquar. Ishte Balerina Lina Gonzaga. E hajthme dhe e brishtë në
dukje, nën tingujt e valsit magjik, bënte vallzim të mahnitshëm dhe pirueta elegante. E kishte
radhën ushtria e artit.
-Lina
balerina,-sokëlliu Toro sa i hante zëri.
- Ja ku
jam.- Tha ajo brënda ekranit .
- Dil në
arenë!- Urdhëroi ai.
E veshur
thjesht, me një brerore flokësh të argjendtë, hedhur supeve një pelerinë të
lehtë ngjyrë alle, ajo, e rënduar nga pleqëria çapiti ngadalë dhe qëndroi para tij plot dinjitet, si një hyjneshë e madhërishme. Ai u çudit, pandehte
se ajo kishte vdekur prej kohësh, por
jetonte ende, e tërhequr nga bota e artit, në vilën e saj të thjeshtë të
Kosta Azurrës.
-Urdhëroni,
senjor El Toro, me se mund t’u shërbejë prania ime?
-Ti
gjallon ende? Pandehja se ishe ndarë nga kjo botë. U bënë shumë vite që s’je parë
në skenë!
-Ende
s’më është këputur filli i jetës, jetoj ditët e mia dhe jo të tuat.
-Lina
Gonzaga: “Artiste e Merituar”, “Artiste e Popullit”, laureate e “Palmës së
Artë” akademike e sa e sa tituj e grada të tjera. Përse dhe me se i ke
merituar?
-Me artin
tim. Kam vënë në skenë shpirtin, zemrën, ndjenjat, pasionin për të bukurën. Kam
punua shumë, dit e net, pa gjumë lodhje dhe djersa lumë! Megjithatë nuk i kam
arritur dot majat, sepse siç thonë latinët:”Ars longa, vita brevis”,arti është
i gjatë,jeta e shkurtër
-Ke qënë
shumë e bukur dhe plot finesë e elegancë dhe ke kërcyer për kënaqësinë e
diktatorit, sa herë që t’a kërkonte dhe, jo vetëm për të. Ke kërcyer edhe për
diktatorët e tjerë: Fidel Kastron në Havanë, Enver Hoxhën në Tiranë, Mao Ce
Dunin në Pekin? Të kanë shpërblyer e të kanë mbushur me dhurata të kostueshme.
Është e vërtetë?
-Kam
kërcyer edhe në Metropolitan, ka asistuar presdenti Bush,senjor, në Kovent
Garden, ku ishte e pranishme mbretëresha
Elisabeta, në Pale Royal, ku me ajkën e shoqërisë parisiane ishte
edhe presidenti Pompidu, e në sa e sa
vende të tjera me turnetë e mia!
El Toros
iu çartallos mendjs nga gjithë ato emra e kryeqytete dhe vendosi ta sulmojë
ballas:
-Thonë,
dhe këto nuk janë thashetheme mondane, se diktatori, pasi admironte artin tend,
shijonte edhe hiret e tua femërore dhe të merrte në shtratin e tij në vilat e
Kosta Azurras!
-Ky ka
qënë ves i zonjave të aristokracisë së lartë, i vajzave të dyervë të mëdha. Unë
jam vajza e një minatori të thjeshtë. Kur të kthehesh në shtëpi, ke rastin të
pyesish senjorën, nënën tënde, se cili është babai yt i vërtetë!
Ai nuk e
gëlltiti fyerjen, por e bezdiste një mizë që s’po i shqitej dhe ai përpiqej ta
zbonte me xhufkën e bishtit.
-Kurvë
plakë,si guxon të përlyesh emrin e nënës sime fisnike! Vazhdon t’i ruash
pikëpamjet dhe idealet e tua komuniste?
-Po, me
‘to më ndan veç vdekja!
- Mirë. E
kërkove vetë. Përgatitu të vdesësh. Do të varrosesh pa nderime, me karrocën e
plehrave të komunales! Skërfiti truallin, buluriu me tërbim, gjatë e thekshëm dhe mori turravrapin. Kur
ishte gati ti ngulte brirët në brinjë, zbritën mijëra flutura krahëbardha që i
zunë sytë. Zbriti nga hapsirat qiellore melodia hyjnore e “Liqenit të
mjellmave” dhe Lina balerina u largua e qetë. El Toro, tundi kokën me tërbim
dhe i shkundi fluturat e bardha nga sytë e përflakur dhe pa se Lina doli nga
deriçka e arenës.
-Kape
Lupo, bërtiti ai dhe i liroi zinxhirin që ai të turresh, por Lupo, futi bishtin
në shalë dhe nisi të angullijë si qen i rrahur.
Mbi rërë
kishte mbetur dosja. E goditi me brirë dhe letrat i mori era, pastaj me mllef, ngriti bishtin dhe i bëri bajgën për
ta pëgërë.
-Hole,
bravo Toro- u ndjenë brohoritjet nga krahu i djathtë i arenës. U kthye nga ai
krah, uli kokën për ti nderuar dhe ngriti këmbën e parë në gjoks, aty ku duhet
të ishte zemra.
-
Senjorita Ester, shkruaj vendimin: Artistëve që i kanë shërbyer me artin e tyre
diktatorit dhe diktaturës, u hiqen tërë titujt dhe dekoratat, gradat shkencore
dhe pensionet për merita të veçanta!Pik.
7
-Po tani?
-Në
ekran, më del legjioni i shkrimtarëve dhe poetëve, zotëri.
Vargani
ishte i gjatë. Shkrimtarë e shkrimtare, poetë
e poetucë folkloristw, e rapsodë. Ushtria e
shkrimtarëve, e shkarrashkruesve, ndihmësve të Partisë. Të vdekur e të
gjallë, të kurorëzuarit me lavdi dhe të damkosurit me njollën e turpit,
disidentët e socrealizmit. Të gjithë mbanin nën krahë veprat dhe librat e tyre.
U printe shkrimtari dhe poeti me famë Alfonso dela Puerta, i cili për të
mbajtur veprat e tij të shumta tërhiqte një karrocëz të mbushur ding ku shkruhej “Big market”.
-Disidentët,
të persekutuarit, të burgosurit, të dalin në një rresht më vete,- urdhëroi
Toro.
Ata u
ndanë por u bë tollovi e madhe, thuajse të gjithë u rreshtuan te
disidentët dhe të përndjekurit politikë!
Plasi sherri dhe të sharat. Skeletet e të vdekurve kërkëllinë dhe nofullat
nisën të trokëllijnë. Kryetari i “Lidhjes së shkrimtarëve Demokratë “ protestoi
për këtë pafytyrësi. Toro u detyrua ti mblidhte,t’i përziente sërish në një rresht. Ishte një shfaqie
macabre.
- Spiunët
dhe denoncuesit e shokëve, t’u kërkojnë
ndjesë viktimave të tyre!
U vu re
lëvizje, shumë të gjallë dhe skelete, të vënë në siklet përpiqeshin të
fshiheshin e të bëheshin të padukshëm, por nuk mundnin, mbeteshin të zbuluar
për tu demaskuar, por ndjesë askush nuk
kërkoi,qyrkun e fajita askush nuk e veshi.
-Senjor
Alfonso del Puerta, jeni i kurorëzuar me degët e larit, tre çëmime të palmës së
artë. Çmimin special të “Bletës së artë”, të gjitha të akorduara nga regjimi I
diktatori. Gjithë këto sepse ti, ishe lavdëruesi dhe hyjnizuesi. Me poemën
“Albatrosët fluturojnë mbi re” dhe romanin “Vjetmia”, ju e himnizuat
diktatorin. Ndihmuat që ai të kthehej në idhull dhe lartësuat kultin e tij, në
një kohë që poetët pushkatoheshin dhe ti s’fole një fjalë! Ishit miku i tij, u
ftonte për kafe dhe u dha ofiqe të larta . Si e spjegoni këtë?
Poeti nuk
u ngut të përgjigjej.Hoqi syzet me korniza të trasha, të cilat që nga koha e
rinisë si ndërroi asnjëherë, i fshiu me
kujdes, i vendosi dhe pastaj nisi të shikonte toron si një specie të rrallë
kimerike, të dalë nga mitet dhe legjendat si Minosi, që ai i kishte aq për zemër.
Kjo qënie, brimprehtë e sypërflakur, e përfshirë nga tërbimi dhe urrejtja, mund
ti shwrbente për një roman, por tani priste një përgjigje.
-Zotëri
El Toro, kushdo që fshihet nën lëkurën tënde, është tepër i paditur, pra tepër
injorant dhe I trashë, që të gjykojë krijimtarinë time artistike dhe personin
tim human, sepse ti s’kupton se çështë ekzistencializmi dhe lufta për mbijetesë
në diktaturë, asaj i duhej dhënë haraçi për të shpëtuar krijimtarinë e vërtetë
simboliste dhe metaforike, ku të vërtetat e dhimbshme shkruheshin midis
rreshtave, në gjuhën e Ezopit, me kuptime të dyzuara e të errëta si fjalët e
një orakulli. Është kjo mjeshtëri, që i bëri veprat e mia të lexohen në botën hispanike dhe të përkthehen
në vendet anglo-saksone, shumë prej të cilave më dhanë edhe çmime e vlerësime!
Kur kam
shkuar te diktatori, vija pa dëshirën time, I duhesha unë atij dhe jo ai mua,
ndjehesha si qëngji para ujkut. Më thërriste me dëshirën e tij. Ai bënte
llogaritë e tij diabolike, unë të miat për vetëmbrojtje. Dihet që më ka
përdorur. Këtë s’ia fal vetes,por nuk ishte në vullnetin tim
Toros nuk
i pëlqeu fodullëku dhe kapadaillëku i poetit, aq sa deshi t’i jepte një goditje
të forte e ta çante në brinjë, ta plandoste përdhe e ta shkelte me këmbë, por e
mbajti veten. Ai ishte gjykatësi i historisë dhe një gjykatës, duhet të jetë i
drejtë dhe i xhveshur nga mllefi dhe pasioni vetiak.
-Je
penduar për himnet dhe lavdërimet që ke shkruar për diktatorin?
-Aspak.
Kam lavdëruar dhe hymnizuar vendin tim të varfër dhe popullin tim krenar por të
mjerë e fatkeq!
Në këtë
kohë, në rreshtat u ndjenë kërkëllime eshtrash dhe trokëllima nofullash, u
shkëputën disa skelete dhe një burrac shtatvogël, kritik i njohur arti, ju
turrën poetit me hakërrim dhe ulurima, e akuzuan për komunist, spiun të
sekuridadit , lustraxhi të diktaturës, krehës i bishtit të diktatorit, thane e
ç’nuk thanë, por Toro u doli ballas dhe i ndali. Tashmë ai e kishte marrë
vendimin.
-Ndaluni
dhe prisni more shkarrashkrues. Secili do të marrë atë që i takon; Senjorita
Ester shkruaj: Gjithë librat e socrealizmit, që lavdërojnë diktatorin dhe
diktaturën, të grumbullohen dhe të kthehen në karton për arka bananesh.
Urdherat,titujt,çëmimet, medaljet dhe mirënjohjet e tjera të dhëna për
krijimtarinë, suprimohen dhe nuk u njihen poseduesve. Vlerat monetare që kanë
shoqëruar çwmimet, t’i kthehen arkës së shtetit. Shtëpia e shkrimtarëve dhe
artistëve shpërndahet. Godina sekuestrohet. Për poetët e pushkatuar, të jepet
titulli “Martir i Demokracisë” dhe të vendosen në panteon.Pik.
8
U dëgjua
sërish marshi triumfal. Në ekranin fosforeshent të kompjuterit u shfaqën listat
e tjera. Ishte puntoria, ”Kllasa puntore” si i pëlqente ta quante
diktatori,gjoja shtylla e shtetit, e besuara e tij për mbajtjen dhe vazhdimin e
diktaturës. Ishte bërë popullor sllogani “Kur flet klasa, hesht burokracia”. Në
krye të kollonës ndodhej një burrë shtatmadh, që edhe pse i plakur dukej i
fuqishëm. Në kokë një helmet me llambën e minatorit dhe në sup një pistoletë shpuese të shkëmbinjve, në gjoks
ylli i artë i “Heroit të punës”, urdhëra dhe medalje të shumta. Çuditërisht për
dore mbante një lopë të kuqe!
Toros ju
kujtua: në vitet gjashtëdhjetë, pllakati me portretin e tij afishohej kudo, me
diçiturën “Luani i tuneleve”. Ishte Salvatore Basta për të cilin thoshin: se e
ha malin me dy kafshata! Emri i tij ishte bërë legjendë, pastaj u harrua. Të
tjera kohë, të tjerë heronj.
-Salvatore
Basta, që e ha malin me dy kafshata, si i ke marrë gjithë ato dekorata?
-Kam
punuar zotëri, me dëshirë dhe ndershmërisht për ndërtimin dhe lulëzimin e
vendit tim. Është vepra ime dhe e shokëve të mi, tuneli dhe hidrocentrali nga
ku merr dritë dhe ujë edhe sot e kësaj dite kryeqyteti Vilaverde. Jam
kacavirrur me litar nëpër shkëmbenj për hapjen e rrugëve malore, kam çarë
tunelet e hekurudhës transishullore, kam hapur trasenë e Gran Vias, e ku
s’është derdhur djersa ime! Pak të duken këto? Janë vepra që mbeten dhe u
takojnë gjithë brezave. Kështu them unë. Nuk di më shumë, si njeri I thjeshtë
di të punoj por jo të ligjëroj .
- I
shkreti ti, që nuk e kupton se ke qenë mish për top dhe të kanë përdorur si
një majmun në panairin bajat të
ndërtimit të gjoja socializmit. Me një rrogë mizerabël sa për të mbajtur
frymën, ushqenin krenarinë tënde me një grusht teneqesh! Ju jeni skllevërit,ata
që ndërtuan piramidat e Egjiptit! Po atë lopë të kuqe, ç’e ke? Edhe ajo
komuniste është?
-Ma
dhuruan kur dola në pension se kasha
dymbëdhjetë fëmijë për të ushqyer. Porosia e partisë ishte që të lindnim
shumë fëmijë.
El Toro
qeshi me të madhe, ishte e para herë që qeshte.
-Ç’farë
të bëjmë me ty o njeri i mjerë, që shkrive jetën për një lopë!
U gjend
në hall me këtë hero që ishte naiv si një fëmijë, dhe ata që ishin pas
tij, por në fund e gjeti zgjidhjen. Puna
e tyre kishte qenë e dobishme për vendin.
-Senjorita
Ester, shkruaj: Lopën e kuqe komuniste, Salvatore Basta ta këmbejë me një lope
tjetër. Ka lope blu? Jo nuk ka. Atëhere me
laramane. I duhet për ta kullotur duke e mbajtur për kapistalli, që të kalojë
pleqërinë se nuk di çfarë të bëjë tjetër. Yllin e heroit dhe medaljet ti
mbajë dhe ti varij në bishtin e lopes dhe të maces. Pik. Kjo vlen për gjithë
puntorinë. Marsh,-dha urdhër ai,- punëtorët të vendosur në rresht si në
parakalimet e një majit, u nisën për të dalë nga hyrja perndimore e arenës duke
kënduar këngën e tyre “Ne ecim përpara/përpara gjithmonë!”
8
El Toro
ndjehej i dërrmuar. Pak pushim sa për tu kthyer fuqitë. Hëngri dy tri gojë
tagji elbi në koritë dhe piu si i
limaksur ujë të frseskët nga legeni.
Koha nuk
priste. Kush e ka radhën? Ishin politikanët. Në krye fare ishte Prof. dr.
Salvador Paskuale, zv/kryeministri dhe ministër i ekonomisë, në qeverinë e
partisë Julianiste, i njohur ndryshe edhe si gagaçi, nga që ishte i belbër, i
mbahej pak goja. Edhe pse me këtë cen ai ishte llafazan i papërmbajtshëm. E
pruri helikopteri qeveritar. Me pamje krenare, i krekosur dhe arrogant, i hodhi
një vështrim përbuzës El Toros . Nuk priti ta pyesnin por pyeti i pari:
-K-kush
je ti mor zotri k-kaa-tërkëmbësh, brirë madh, që guxon dhe më thërret në arenën
e korridës?
- Senjor,
jam don Ernesto dela Rivera. Drejtor i sapo emëruar i zyrës së rishqyrtimit të
titujve, gradave, meritave dhe historisë. Gjendem në krye të detyrës.
-Qënka
zbavitëse –tha Gagaçi.-Pa hë, bëje pyetjen tënde!
-Ju,
senjor, -më korrigjoni nëse gaboj, jeni biri i kamerad Gregorio Pasquales,
ministër i qeverisë së diktatorit?
-Ekzakt.
Është ati im biologjik, por jo ideologjik. Jam ndër të parët e lëvizjes
Julianiste që mora pjesë në përmbysjen e diktaturës. Mua dhe atin tim na ndan
një det i tërë, në njerin breg është komunizmi, pra im atë në tjetrin
demokracia, aty jam unë, ideologu i ekonomisësë tregut dhe “Rrafshit zero”. A
s’më thua mbi ç’bazë e ke nisur këtë investigim?
-Mbi
bazën e vendimit që ka miratur qeveria juaj, senjor minister.
-Ku të
gjetën ty, mor idiot! Qeveria nuk i miraton vendimet për vete, por për të
tjerët!- tha ai sarkastik pastaj hipi në helikopter dhe fluturoi. El Toro mbeti
i shastisur. I kishin dhënë një shuplakë tjetër.
Nga porta
veriore e arenës hynë disa limuzina. Nga e para zbriti presidenti i tribunalit
dhe pas tij disa ministra dhe dinjitarë të institucioneve kushtetuese.
Presidenti ecte me hapa të mëdhenj dhe si duke kërcyer nga guri në gur. Flokët
e pashtruara e të ashpra i binin mbi ballë. Ishte veshur me shumë sqimë. U
kthye nga tribuna e djathtë ku ishin ulur simpatizantët dhe i përshëndeti me dy
gishtat në formën e shkronjës “V”. Nga tribuna shpërthyen brohoritjet dhe
thirrja aq e njohur “Liri ,demokraci” dhe “ E
duam Albalongën si Amerika” Pas kësaj, presidenti dhe shpura shoqëruese
u afruan te tryeza përballë Toros.
-Hole
Toro,- përshëndetën ata si për të bërë gallatë. - Morëm thirrjen dhe ja tek na
ke!
-Senjor
President i Tribunalit, këtu ka diçka që nuk shkon.
-Sipas
teje, çfarë nuk shkon?
-Po ja,
ju, a nuk keni qënë për shumë vite Prokuror i Pergjithshëm i diktatorit Ksavier
dela Roka, që keni dhënë dënime të rënda me pushkatime, burgosje, dënime dhe
internime kundër kontrasve të regjimit? Po kështu edhe zotërinjtë që u
shoqërojnë. Si ka mundësi që ju….
-Një
jurist, duhet të zbatojë ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin. Këtë ia kërkon
profesionalizmi dhe ndjenja e detyrës. Por ti duhet ta dish, që diktatori, i
pakënaqur nga dënimet e mia të buta, më hoqi nga ajo detyrë dhe më degdisi
prokuror në provincën lindore. Pasardhësi që kish nevojë për shërbimet e mia,
më tërhoqi sërish në kryeqytet si këshilltar të tij. Parimi im mbetet i
pandryshuar: Ligji dhe vetëm ligji! Këtë jam duke bërë edhe tani, në emër të
revolucionit Julianist. Ti e di që para disa kohësh, ne burgosëm, gjykuam dhe
dënuam, nomenklaturën e lartë të kastës Ksavieriste! Këtë na e kërkonte ligji,
këtë bëm! Pushteti nuk ngrihet mbi boshllëk dhe dinjitarët nuk do vijnë nga
hëna! Me zellin tënd të rishtarit po ngutesh si shumë, të urdhëroj ta ndërpresësh
këtë farsë dhe rri në pritje te direktivave dhe udhëzimeve që do të dalin nga
kabineti i kryeministrit!
El Toro
mbeti pa fjalë, u vuvos. I kishin hedhur mbi kokë një kovë me ujë të ftohtë. Me
sytë e çakërritur shihte shpurën përcjellëse të presidentit. Shumë prej tyre i
njihte, ishin bij të dinjitarëve të lartë Ksavieristë. Kur ata studjonin në
shkolla të mira dhe zinin ofiqe të larta për hir të etërve, ai kalbesh në
baltovinat e orizoreve të Piana del Flamengos…….
* *
*
Në derën
e zyrës u dëgjuan të trokitura, fillimisht të kujdesëshme e të drojtura, pastaj
të trokiturat ishin me goditje më të forta. Don Ernesto doli nga përhumbja.
Ngriti kokën nga tryeza, por e kish të rënduar e të turbulluar,pa e kuptuar
ishte në ëndërr apo zgjuar. Vetiu i shkuan duart në ballë. Lavdi zotit, kishte
qenë vetëm një vegim, por sido që I tillë e bëri të mendohej thellë.
-Hyrë,
-iu përgjegj së trokiturës.
Ishte
senjorita Ester.
-U
shqetësova për ju. Po kalon orari zyrtar dhe nuk po dilnit.
-
Çuditërisht dremita pak dhe pata një vegim . Ndjehem i dërrmuar. Gjithsesi
faleminderit për interesimin.
Makina e
zyrës e priste poshtë.
-Don
Ernesto, në shtëpi?
-Jo, -
dhe i dha adresën e të vëllait.
Shkëlqesia
, në verandë, i ulur në poltronë xunkthi , po pinte kafen. Nuk e priste të
vëllanë në atë orë.
Don
Ernesto u ul fuqiprerë, duke e përshëndetur thatë.
-Fillove
nga detyra e re?
-Po. Për
këtë kam ardhur. Do të dorëhiqem.
-Si,kaq
shpejt? Cili është shkaku?
-Vëlla.
Ti je bashkuar me ta por nuk i njeh. Ke jetuar shumë vite jashtë. Florida nuk
është Albalonga. Pata një vegim paralajmërues. Pushteti ndryshoi, por janë po
ata. Vetëm kanë ndryshuar ngjyrën, nga e kuqe në blu. Është njësoj si shtëpisë
së vjetër ti lyesh ballinën dhe të thuash se kam ndërtuar shtëpi të re. Kjo
politikë nuk më pëlqen, më përbalt, më bën pis. Zotër të këtij vendi janë
pinjollët e të mëparshmëve. Po shkoj me Penelopën dhe vajzën në çifligun e
Santa Klarës që të rris kuaj vrapi. Ata janë më të mirë , më fisnikë se
politikanët dallkaukë me njëqind flamurë.
Shkëlqesia
nuk po ngutej t’i kthente përgjigje. Don Ernesto e dinte që ai ishte kapur fort
pas politikës, jo për ideale, por ngaqë ajo do t’i jepte nga hambari i madh dhe
i pasur i Albalongës, shumë më tepër
sesa çifligu i varfër i Santa Klarës. Ishte e kotë të priste përgjigje.
I uroi
ditën e mirë dhe u largua.
Fund.