| E shtune, 06.04.2013, 11:40 AM |
Gylejmani
dhe peticioni
Nga Agron Gjekmarkaj
Lexova
një shkrim të Gilman Bakallit te gazeta “Mapo”, që më la një shije të keqe, si
për mungesën e koherencës logjike me të cilën fshihte pjesërisht mendimet e veta,
si për analogjitë e stisura mes qëllimeve politike të Jozefina Topallit dhe një
artikulli të Alfred Lelës, i cili më është dukur gjithnjë gazetar korrekt dhe
dinjitoz. Duke marrë metaforën e vetë Gilmanit, nganjëherë të krijohet
përshtypja se disave studimet në Europë u kanë vyer vetëm për të ndërruar kafen
alla turka me ekspresin, pse nuk kanë mundur të emancipohen duke lënë pas vetes
një seri të gjatë paragjykimesh, që i mbajnë skllevër të një të kaluare të
palavdishme.
Kemi parë
javët e fundit, me publikimin e peticionit kundër rishikimit të historisë nga
ana e autoriteteve turke në Kosovë, sesi një sërë historianësh me një të kaluar
komuniste, të mëkuar me tezat e Enver Hoxhës për luftën revolucionare të Haxhi
Qamilit dhe me ato më të përpunuarat që shpalosen te libri “Shënime për Lindjen
e Mesme”, ku i thuren himne botës islamike, kundërshtuan peticionin kundër
ndërhyrjes arbitrare të shtetit turk në historishkrimin tonë.
Edhe
Bakalli, së bashku me ndonjë tjetër më të defiluar, është ndër kundërshtarët e
atij peticioni. Por, në kundërshtinë e tij, sado që përpiqet të duket mbi
palët, ai njësohet me ata që ndiejnë kruarje intime kur preket tema e pushtimit
osman.
Menjëherë
ndodh metamorfoza, pak a shumë si ajo e Apuleit të antikitetit, dhe Gilmani kthehet
në Gylejman. Ai e trajton si paragjykim faktin që Perandoria Osmane ka qenë
pushtuese, duke rënë në pozitat e ndonjë historiani filo-osman tashmë të
njohur. Bakallit i pëlqen të theksojë faktin se Europa është në krizë, por
harron se paradigmat kulturore të asaj bote me të cilën ai shihet se është i
lidhur janë të atilla, sa që nuk mund t’i prekë hëpërhë as vetë kriza, ajo
kulturore që ushqehet prej shpirtit, jo kriza e bollgurit dhe e tërhanit
hallvasi!
Gylejmani
i quan “fraza personale” pohimet e rrezikshme të Kim Mehmetit, të cilat mund
t’i paraprijnë vetëm thirrjes për krijimin e një republike islamike si shpëtim
për shqiptarët në Ballkan. Ndërkaq, ai, me një lehtësi të paparë, i quan
“ndryshime gjuhësore” trysninë dhe pretendimet turke, të paraprira prej
doktrinës Davutogllu, për të rehabilituar pushtimin osman në Ballkan, duke e
paraqitur si një vëllazërim pesëqindvjeçar.
Madje,
Gylejmani shkon edhe më përtej, duke shfaqur edhe një lloj antiamerikanizmi
tipik të sërës së tij, pasi barazon falsifikimin e vetëdijshëm të historisë nga
ana e turqve me “collateral damages” të bombardimeve amerikane. Ndoshta
Gylejman efendiu ka harruar se po të mos kishin qenë bombat amerikane, sot në
Prishtinë do të valëvitej ende trobojnica serbe dhe kosovarët do të masakroheshin
si përpara. Nuk qenë turqit dhe as deklarata e vetme qesharake e Tansu Çillerit
që i shpëtoi kosovarët, por qe Bill Clintoni dhe Margaret Albright, së bashku
me aleatët e tyre europianë, që shkatërruan makinën ushtarake serbe dhe çliruan
Kosovën. Megjithëse për turpin tonë, në çajtoret e Prishtinës po merr trup
legjenda se NATO-n e paskësh nxitur vetëm Turqia dhe se me shkjaun vetëm
avionët e saj si katallaj fluturues paskëshin ba namin, se ata të kaurrit veç
fluturonin për qejf e nuk u bante zemra me hedhë bomba. Me këtë folklor
vilajeti nuk dua të zbeh aspak kontributin e Turqisë bashkëkohore në atë luftë.
Ai flet
për “ithtarët e Kadaresë”, pasi duket se ka një alergji të veçantë ndaj
thirrjeve të Kadaresë për një vetëdije më të thellë kombëtare, për nevojën që
kemi për të kthyer kokën dhe për t’u përkulur me respekt përpara etërve të
Rilindjes sonë Kombëtare, pjesa më e madhe e të cilëve edhe pse ishin
myslimanë, nuk njësoheshin shpirtërisht me turkun pushtues. Madje, do të sillja
këtu, sa për t’ia freskuar kujtesën Gylejmanit të madhërishëm, se çfarë ka
shkruar Sami Frashëri për turqit:
Ç’janë
tyrqitë? – Një komp i egërë t’ardhurë nga shkretëtirat’ e Asis’ së Veriut me
nga një hosten në dorë. Këta, me egërsi të tyre zunë më të bukurit’ e vëndevet
të botësë e më të qytetëruarëtë; edhe si i ropnë, i gremizë e i doqnë, po i
mbajnë edhe gjer më sot nënë një egërsi, nënë një varfëri, nënë një tirani, që
tmeron gjithë botënë. Nga gjithë këta vënde, që po rënkojnë, që nga kaqë qint
vjet e tëhu, edhe njëri është Shqipëri’ e gjorë, që heq këtë tirani, a heq më
shumë se gjithë vëndet’ e tjerë nga pakujdesj’ e Shqipëtarëvet. Tyrqitë janë
nga ata kombe, që kanë shkuarë mi dhet si një breshërimë e si një borë. Ku janë
hynëritë, vandalëtë, mongolëtë, avarëtë, gotërtë e kaqë kombe t’egërë, që zunë
gjymësënë e faqes së dheut duke djegurë, duke gremizurë e duke derdhurë gjak?
Tyrqitë s’kishinë të drejtë të rojnë më teprë se ata shokët’ e tyre; rojtjen’ e
qëndrimnë gjer më tani e patnë qelepir, tani s’kanë nonjë të drejtë të rojn’ e
të qëndrojnë më edhe as din’ e as duanë të rojnë më, se gjer më sot s’kanë bërë
një kombëri e një qeveri si gjithë bota, por duanë të rojnë për jetë me egërsi.
Këta do të humbasinë edhe duhetë të humbasinë që të shpëtojnë njerëzia syresh;
po ç’kanë me na që, duke rënë, duanë të na marrinë edhe na me vetëhe? Ne ç’kemi
me ta? A mos erthmë me ta? Jo, kurrë! Na s’jemi tyrq, as të ardhurë nga
shkretëtirat’ e Asisë. Na jemi m’i vjetri komp i Evropësë; kemi të drejtë në
dhet’ t’Evropësë më teprë se çdo komb. Këtë të drejtë të shenjtuarë
shqipëtarëtë janë të zottë ta ruajnë e ta kërkojnë edhe me armë në dorë. Kur
përzjehetë e drejta me fuqit, merr një forcë, të cilësë gjë s’i rri dot
kuntreq. Shqipëtarëtë janë pra të zotë të mbajn’ e të ruajnë të drejtën’ e
tyre, do-me-thënë kombërinë, gjuhënë e mëmëdhen’ e tyre kuntrë çdo armiku;
arrin vetëm të duanë. (Sami Frashëri, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të
bëhetë?”, vepra 2, Tiranë, 1988, ff. 63-64).
Bakalli
flet edhe për një lloj sensi pragmatik të ballkanasve dhe lë të kuptohet se e
kanë përqafuar dhe pranuar pushtuesin osman. Mund t’i them se jo të gjithë
shqiptarët u treguan pragmatistë në sensin e keq që thekson ai. Të parët e mi,
për shembull, s’pushuan duke luftuar me turqit, madje edhe atëherë kur paria
muhamedane e prirur prej Abaz Bekteshit me shokë, duke vikatë “Padishah çok Jasha”
, në pragun e Pavarësisë, u bashkua me halldupët për t’u rënë pas shpine
malësorëve kryengritës; këta të fundit i kapën robër në breg të liqenit të
Shkodrës dhe pasi i çarmatosën e i lanë në të linjta, i nisën me turp nga
kishin ardhur se i konsideronin shqiptarë dhe e dëshironin Shqipërinë për të
gjithë. Nuk kemi qenë pragmatikë, pse turku na i ka djegur kullat dhe ne
prapëseprapë nuk jemi epur, na i ka therur foshnjat në djep e prapë jo. “Lahuta
e Malcis” është një himn për këtë qëndresë heroike. Mos të harrojmë pastaj Ded
Gjo Lulin, Gjon Ujk Micelin, Nik Gjelosh Lulin me shokë, të cilët ngritën
flamurin e Skënderbeut në Bratilë, në prill të vitit 1911. Nuk jam i sigurt se
në anën e kujt do të kishte qenë asokohe Bakalli, Xhufi, Puto e ndonjë tjetër! Duke
u nisur prej pohimeve që bëjnë sot, kam përshtypjen se do ta kishin pasur shumë
të vështirë të bëheshin bukëshkalë e të mohonim flamurin e dovletit, për të
valëvitur atë me sorrë!
Gylejmani
urren peticionin që i thotë “jo” mëtimeve turke për të na diktuar
historishkrimin tonë.
Ne
shqiptarët jemi ca kokëfortë dhe s’e kemi ndërmend të “qytetërohemi” nga fryma
kinse liberale turke, pasi e dimë mirë se çfarë qëndrimi mban historiografia e
Ankarasë (e cila nuk distancohet nga politika turke) ndaj gjenocidit armen. E
njohim qëndrimin turk ndaj kurdëve dhe nuk mund t’i besojmë doktrinës
kolonizuese të Davutogllusë dhe emisarëve të paguar të Turqisë me banim në
Shqipëri.
Gylejman
efendia preferon – siç shkruan ai vetë – atmosferën e ngeshme të shoqëruar me
kafe turke. Është pikërisht ajo nge e Gylejmanit dhe e atyre që i kanë
paraprirë, e cila ka bërë që ne të ishim populli i fundit i Ballkanit që u
shkëput prej Perandorisë Osmane.
Ne të tjerët nuk kemi nge të humbim kohë të çmuar, atë kohë që miqtë e Bakallit na e morën duke na izoluar për shekuj nga Europa dhe nga qytetërimi.