| E shtune, 06.04.2013, 05:51 PM |
Autorët
lushnjarë në aktin shkrimor estetik të letrave tona kombëtare
Nga Hyqmet HASKO
Nëse
flasim për letërsinë që shkruajnë autorët e një treve apo komuniteti të
caktuar, siç flitet bie fjala për poezinë e poetëve të Tropojës dhe atyre të
Lezhës, që shkëlqyen në fillim të viteve ’80, me një hapësirë të re të vizionit
estetik, kjo nuk bëhet për të krijuar mure, por përkundrazi, për të shembur
mure, për të shqyrtuar veçanësitë e tipologjisë letrare, poezisë, prozës apo
zhanreve të tjera letrare, në rrafshin krahasues dhe integrues. Në këtë kuptim,
një studim mbi letërsinë e autorëve lushnjarë është një përpjekje për të
depërtuar në disa veçori të autorëve që kanë ardhur nga kjo trevë si dhe atyre
që vijojnë të vijnë, duke i pasuruar me emra dhe vepra letrat tona kombëtare.
Poetët
dhe prozatorët lushnjarë kanë sjellë me vete tipologjinë e fushës, të butësisë
së ëndrrës, të raporteve të njeriut me natyrën dhe me vetveten, një spektër
ngjyrash, përvojash, kujtesash, mesazhesh dhe emocionesh, që kanë vendin e tyre
të merituar në letërsinë shqipe.
Që nga
Vath Koreshi, njëri nga autorët më të kompletuar të prozës së re shqipe, tek
Faslli Haliti, një poet që ia ka kushtuar jetën artit poetik, tek Visar Zhiiti,
poeti disident që e pagoi lirinë e krijimit me sprova të rënda jashtëletrare,
tek Gëzim Hajdari, poeti emigrant që me poezinë e tij të angazhuar dhe
antikonformiste në të njëjtën kohë, ka pushtuar mediat e disa vendeve
perëndmore dhe ka zgjuar interesin e disa shtëpive botuese prestigjioze në
Itali e gjetkë, tek Sherif Bali, poeti shpirtbutë, me ndjeshmërinë e
fëshfërimave të fushës, një penë eseniane e Myzeqesë, deri tek më të rinjtë,
emra dhe vepra të së cilëve do të trajtojmë në këtë shqyrtim kritik, letrat
lushnjare rezulton se janë pjesë dinjitare e letrave tona kombëtare. Në to
pulson shpirti i fushës, fëshfërima e grunjërave, butësia e dashurisë erotike
dhe asaj njerëzore, thyerjet sociale, me drama dhe pasione të forta, një botë
komplekse që lëviz nëpër faqet e librave të mbushura me ngjarje dhe përvoja nga
më të larmishmet.
Me Vath
Koreshin lidhet, pa dyshim, një nga kulmet e prozës së re shqiptare, një zë
përfaqësues dinjitoz i së cilës ishte dhe në të cilën mbolli pemë të
shëndetshme krijimtarie, që do t’iu qëndrojnë kohërave dhe epokave. Vepra e gjerë
dhe e larmishme e shkrimtarit Vath Koreshi zë një vend të merituar në fondin e
artë të krijimtarisë më elitare të letërsisë shqipe në kapërcyell të dy
epokave.
Të paktë
janë ata shkrimtarë që me vlerat që mishëron vepra e tyre, arrijnë të
përballojnë sfidat seleksionuese në përqasje me prirjet dhe drejtimet letrare
që shoqërojnë procesin evolutiv e të pandalshëm të ndërrimit të shekujve.
Koreshi ishte ndër këta të paktë, që me veprën e tij të çmuar u bë një shkollë
e prozës, veçanërisht e prozës së shkurtër, tregimit shqiptar, i cili gjeti në
penën e tij dorën e një mjeshtri të vërtetë e të sprovuar. Po kështu një dorë
mjeshtërore gjen tek ai novelistika dhe romani, të cilat i lëvroi me zell,
pasion e teknologji të admirueshme dhe la në to gjurmë të pashlyeshme në kohën
dhe hapësirën mbarëkombëtare të letrave tona, në një kohë kur akrepat e
estetikës punonin në kahe e drejtime të kundërta me normalittein.
Me veprën
e Koreshit, letërsia jonë kombëtare dhe shoqëria shqiptare shënon një kulm, një
nivel të ri zhvillimi intelektual dhe emancipimi shpirtëror. Tek ai, më mirë se
tek cilitdo autor tjetër, vihet re qartë ndikimi i drejtpërdrejtë që pati nga
letërsia e traditës, kultivimi i saj në forma të reja në përqasje me frymën e
kohës, duke depërtuar në hapësira të tjera jashtë barrierave të ndryshme
estetike dhe ideologjike që ngrinte sistemi totalitar. Në këtë rrafsh
këndvështrimi vlen të përmenden veprat e tij të njohura si romanet “Mars”,
“Mali mbi kënetë”, apo novelat “Dasma e Sakos”, “Haxhiu i Frakullës”, “Balada e
Kurbinit”, si edhe vëllimi me tregime “Kur zunë shirat e vjeshtës” etj. Në
veprat e Koreshit pulson shpirti myzeqar, njeriu i punës që lëvron dhe mbjell,
dashuron dhe ëndërron, lëviz peizashi i fushës, me butësinë, delikatesën, me
aromën e grunjërave të pjekur, lëviz Myzeqeja, Lushnja, një botë e përndezur
nga poetika dhe dramatika jetësore, të cilat ai i ngre në vektorë të fuqishëm
artistikë.
Në
përgjithësi, vepra e Koreshit, sidomos ajo e botuar pas viteve ’90, periudhë
kur Shqipëria u përfshi nga lëvizjet e mëdha social-politike, ashtu si edhe
shumë vende të tjera të Evropës Lindore, mund të themi se krahas veprës së
Kadaresë dhe të ndonjë tjetri, që tentuan të thyenin kornizat e ngurta të
kohës, proza e Koreshit ishte arti dhe letërsia tjetër, që u përgjigjej
synimeve, shijeve estetike, si edhe gjykimit të ashpër të kritikës dhe të
publikut të gjerë këtej dhe matanë kufirit, për një art dhe letërsi të vërtetë,
ku vërehej shkëputja nga format tradicionale dhe arkaike të të shkruarit,
jashtë skematizmit kompozicional, i cili, për fat të keq, vazhdonte të
kultivohej dhe të përhapej si një epidemi edhe në krijimtarinë e mjaft autorëve
të tjerë shqiptarë, të cilët vazhdonin të shkruanin edhe pas rënies së
komunizmit, duke e kthyer këtë të fundit në një profil tjetër simetrik me
modelet pararendëse, nga Letërsia e Realizmit Socialist në Letërsinë e
Kriticizmit Antisocialist, si sintezë e papajtueshmërisë dhe mospërshtatjes me
stadet bashkëkohore për lëvrimit e një letërsie ndryshe, në përputhje me kërkesat
e kohës.
Faslli
Haliti, ky poet sa delikat aq dhe shpërthyes, shënon një nga kulmet e poezisë
moderne shqipe, të cilën e zhvesh nga kultet jashtëpoetike dhe e kthen në një
akt të pastër estetik. Me njëzet e dy përmbledhjet e tij poetike, Haliti dëshmon
një vlerë të padiskutueshme të letrave tona kombëtare, të letrave poetike, që
janë stolia e veçantë, vetë kurora e shpirtit të një kombi. Poeti vijon të jetë
lirik dhe dramatik në të njëjtën kohë, vijon të jetë i dyzuar; në vargjet e tij
përleshen e mira me të keqen, frika me shpresën, dhimbja e depresioni me
magjinë e gjërave të bukura, idili me rrënimin e vlerave dhe shitjen e shpirtit
njerëzor. Brenda poetit nuk ka më frikë e hije, as mungesa e lirisë nuk
ekziston më, por liria me tepri, anarshia, krimi, dhuna, intoleranca, degradimi
i personalitetit njerëzopr, makutëria dhe grykësia janë pjesë e angazhiomit të
tij poetik, për të dëshmuar të vërtetat e kohës sonë. Ka çaste që ai hepohet,
zhytet në errësirë, klith me dëshpërim e dhimbje, por prapa del në dritë,
shikon se si përthyhen rrezet jetëdhënëse dhe shpreson se nuk do të jemi
gjithmonë në krizë e në tunele ankthioze ne shqiptarët.
Faslli
Haliti është një poet me imazhe të gjalla, me gjendje dehëse e befasuese, me
akte konkrete konkrete shkrimore, me motive të veçantë, të larmishëm dhe të
begatë, me ide etike, morale, filozofike, transhendente dhe mesazhe të shumta
që pulsojnë në çdo varg strofë e poezi të tij. Kredoja e tij poetike është
dashuria, thelbi i heroit liriko-dramatik është uni i tij në raport me dukuritë
e kohës, të së kaluarës dhe të së sotmes. Vargu i lirë është njësia kryesore e
rrëfimit të tij poetik, që buroin si nevojë e e brendshme për t’u shprehur
lirshëm poetikisht, për të dhënë sa më shumë impresione, thyerje dhe mesazhe.
Ndonëse vargu ndërtohet pa ndonjë rregull të caktuar: në strukturën e tij të
plotë ka harmoninë, ritmet e brendshëm, një ritëm të brendshëm të dukshëm e të
padukshëm, të cilin ai e kthen në njësi të ligjerimit poetik. Strukturat e
poezisë së Halitit duket se tij janë të larmishme, çfarë në thelb i përgjigjet
kërkimit të tij në botën e motiveve, të ndjenjave dhe emocioanve që na
përcjell. Haliti ka zërin e tij, këndvështrimin e tij, mjetet e tij poetike dhe
e vështron realitetin me syrin e piktorit dhe të poetit njëherësh, duke
pikturuar me dorë të lirë gjendje dehëse, trallisëse dhe që përcjellin tek
lexuesi emocione të forta.
Poezia e
Visar Zhitit, por dhe pjesa tjetër e angazhimeve të tij letrare, zotërohen nga
mesazhi i ndarjes së llograive të tij dhe të bashkëkohësve me të kaluarën e
hidhur diktatoriale, me ankthin dhe delirin kolektiv, me botën e krimit dhe të
manipulimit të së vërtetave, që sipas tij e çuan shoqërinë tonë në një zgrip
ekzisetncial, në prag të shembjes së gjithçkaje, pra në prag të një apokalipsi
shoqëror dhe shpirtëror.
I një
natyre krejt tjetër është Sherif Bali, i cili ka një stof tjetër, një prerje
tjetër poetike; është më i butë, më lirik, më pak dramatik dhe më shumë
impulsive, i dyzuar; herë herë në vargjet e tij lëvrinë një ironi apo autoironi
e hollë, duket spontan dhe me mjetet e tij, krejt të tij, ndërton imazhe të
gjalla poetike. Strktura e tij poetike bazohet dhe ndërtohet mbi bazën e një
lirizmi shpërrthyes, ku thjeshtësia e kumtimit poetik arrin nivele të zbulimit
të të vërtetave esetike, që ai përcjell.
Ndryshe
prej tyre, Gëzim Hajdari duket më nervoz, i alarmuar nga çfarë përjeton në
raportet e tij me të kaluarën dhe me përdishmërinë; kriticizmin ai e kthen në
një mjet për identifikimin e përvojës së tij poetike, duke na përcjellë
mesazhin e luftës së përjetshme të njeriut kundër dhunës dhe degradimit të
persanalitetit njerëzor.
Izet
Shehu është gjithashtu një poet original, i cili në librat e tij me poezi
plazmon një botë të pasur me përjetime dhe kujtesa metaforike. Poezitë e tij
përcjellin ankthin ekzistencial të njeriut të vetërrethuar nga hijet dhe frika,
deliri dhe ëndrra, shpresa dhe deziluzioni.
Një zë i
veçantë poetik, që nuk dimë pse ka heshtur, është zëri i poetit lushnjar Bujar
Xhaferri, i cili ka botuar disa përmbledhje me poezi, ku duket se ka shumë botë
dhe ndjeshmëri, trazim, rebelim, sfidë, ankth, mall, ëndërrim, iluzion,
erotikë, shpalime realitetesh në hije ose në gjysëmhije, të cilat poeti i
paraqet me një petk të stolisur metaforik, aq joshës e grishës në magjinë e
tyre.
Nuk mund
të lëmë pa përmendur dramaturgun e mirënjohur Loni Papa, dramat e tij aq të
njohura, sidmos “Cuca e maleve”, drama që sollën një problematikë të fortë
shoqërore dhe u bënë modele shkrimore dhe të vënies në skenë të dramës së re shqipe,
në një truall ku ky zhanër letrar dhe artistik njeherësh ishte në krizë.
Duke
ardhur tek pak më të rinjtë në përvojën shkrimore, mund të veçonim poetin dhe
studiuesin Besnik Meta, autor i tetë librave me poezi, një monografie dhe një
ditari publicistik, midis të cilave mund të përmendim “Dhimbja më grish”,
“Brenga blu”, “Lamtumirë komisar”, “Sy të pafjetur”, librin monografi “Mustafa
Meta” etj.
Një emër
që po bën emër midis dhjetëra krijuesve jo vetëm nga Lushnja por dhe më gjërë
është Kozma Gjini, prozator e fabulist, i cili në disa vëllime të tij me
tregime e fabula ka përcaktuar një profil të veçantë të vetvetes, ku është
vlerësuar me çmime në konkurse kombëtare, për cilësinë e aktit shkrimor. Gjini
ka një stil të tij, të pandikuar nga askush, ku me anë të zhbirimeve të holla
groteske, alegroike e sarkastike, operon në ndërtimin e artit poetic, qoftë
narrativ të mirëfilltë, qoftë fabulesk. Gjini është një kriujes që ka gjetur
vetveten në shtratin shkrimor estetik, ku me mjete të thjeshta, por të freskëta
dhe komunkiuese ia ka dalë të përcjellë një botë të përndezur të përditshmërisë
sonë, në të gjitha shfaqjet dhe fasadat e saj.
Botëvështrimi
i tij është kompleks, por pa stërhollime, artifice e zbukurime decorative,
është një botëvështrim vertikal, që na përcjell një shumësi ndjenjash,
përjetimesh, emocionesh dhe mesazhesh.
Miltiadh
Davidi është një tjetër zë original, që oezitë e para i botoi në gazetën lokale
“Shkëndija”, kur ishte vetëm 18 vjeç dhe ndërkohë ka ecur duke bërë një rrugë
jot ë zakonshme drejt poezisë, me anë të disa vëllimeve poetike të botuara, si
“Parajsa Danteske përballë Ezopit plak”, 2001, Dituria, “Ujëvara hëne”,
2008,Toena (Parathënia e këtij libri është botuar në gazetën “Iliria” në
Amerikë), “I njëjti zë njeriu”, 2011, Uegen, “Globi mbi fije bari”, ”Duke ecur
në rrugica ajri”. PROZË- “Bregu i ferrparajsës” roman, 2010, Ada“, “Në humnerën
e pafund të një krimi.”, tregime,- “Në kopështin e dashurisë”, novelë. Davidi
është përfshirë në antologjinë poetike ”Lotët e virgjër”, botuar nga Prof. Dr.
Fatmir Terziu dhe Agim Mato, në “Historinë e letërsisë shqipe për fëmijë”
shkruar nga Astrit Bishqemi, si dhe në antologjinë me tregime botuar nga
shtëpia botuese Ada. Krijimtaria etij është përcjellë me mendimin vlerësues
kritik dhe eseistik nga shkrimtarë e kritikë të njohur si poeti Faslli Haliti,
Prof.Dr. Klara Kodra, poeti dhe shkrimtari disident Visar Zhiti, Prof. Dr.
Fatmir Terziu, shkrimtari Kozma Gjini, etj. Po kështu poezitë, tregimet,
fabulat e fragmentet e romanit të tij janë vlerësuar dhe vlerësohen çdo ditë
nga shumë shkrimtarë e poetë të tjerë me emër e të rinj,nëpër faqet letrare që
botohen prej gazetave e grupimeve letrare.
Nuk mund
të mos shkruajmë për fresknë poetike të poetes Liljans Furrxhi, ku ëmbëlsia dhe
brishtësia, droja dhe dëlirësia, këngëzimi dehës i gjendjes së një vajze në
lule të moshës, që kërkon të fluturojë me zogjtë, në qiellin e praruar, ende
nuk e kanë humbur atë shkëlqimin lëbyrtës të dëshirave disi naïve, ku përzihet
lirizmi spontan dhe një soj dehjeje natyrale, me filozofinë e qëndresës së një
sistemi vlerash, tek të cilat beson ajo dhe brezi i saj pa komplekse. Pas këtij
fillim të brishtë, në një moshë të njomë, tani ajo ka një soj rebelizmi, jo se
ëndrra e ka braktisur, por se ajo, për fat të keq, nuk mund të bëhet pëlhurë
dashurie për të mbështjellë të gjithë bashkëmoshatarët e saj, siç do të donte
Liljana dhe siç do të ishte normale, në një shoqëri të hapur e të drejtë.
Një
tjetërautor që sapo ka dalë në rrugën e poezisë, por që premton është Zabit Sula,
në poezinë e të cilit lëvrin një det i tallazaitur pasionesh të bukura,
dashuria për vendin e tij, magjia e mallit dhe idilit, fryma përvëluese e
dashurisë, toponimistika estetike e fushës, Myzeqeja e tij e dashur, që poeti e
mbart me vete si një kumt, si një bekim dhe si një mesazh paqeje e begatie.
Natyrisht,
në një studim të pathelluar dhe modest, siç është ky i imi, nuk mund të
profilzohen të gjithë krijuesit nga kjo treve kaq e begatë letrare, por mund të
rendisnim së paku emrat e atyre që vazhdojnë të punojnë pa u lodhur në arën e
letrave tona poetike si: Halil Jaçellari, Fatbardh Rustemi, Shpend Sallaku,
Ilir Levonja, Miltiadh Davidhi, Luan Kurti, Elmaz Qerreti, Valter Dauti, Ollga
Selmani, Arben Gjeka, Vasil Bozo, Bexhet Jacellari, Ermelinda Myzeqari, Shpend
Sallaku, Ilir Levonja, Artur Koçi, Jovan Jano, Donika Stasa, Ermelinda Sina,
Blerina Seferi, Kledia Sheme, Lirim Sulko, Anila Toni, Baki Nezha, Edlira
Gorreja, Pali Xharo, Agim Bakushi, Irakli Papa etj. Bajame Çeliku, Luan Kurti,
Ilir Levonja, Miranda Haxhia lëvrojne poezinë dhe prozën, ndërsa Jovan Jano
është një studiues i kompletuar dhe ka shkruar disa monografi,
Artur
Koçi ka botuar dy romane, që janë mirëpritur nga lexuesi dhe kritika etj.
Sigurisht,
në një vështrim kaq të sipërfaqshëm nuk mund të thuhen të gjitha për autorët
lushnjarë, por ishte thjeshtë një përpjekje e imja për të bërë një akt kujtese
ndaj bashkëqytetarëve të mi krijues, ndaj atyre që na kanë lënë në rrugë gurë
kiloemtrikë nga ku mund të orientohemi dhe ndaj atyre që sapo kanë nisur të
shkruajnë apo të botojnë librat e parë.
Një gjë duhet thënë dhe e them me siguri të plotë: autorët lushnjarë, me aktin shkrimor estetik vijnë me fytyrën e trazuar të fushës, me aromën e grunjërave të Myzeqesë dhe sjellin një fllad të bukur në letërsinë e re shqipe. Ata ndihen dhe janë pjesë e rëndësishme e letrave tona komëbtare, të çliruara tashmë nga tabutë dhe kufizmet e të shkuarës, në stadin e ri të integrimit dhe bashkimit të botës shqiptare, brenda e jashtë kufijve tanë administrativë.