| E premte, 05.04.2013, 07:01 PM |
Një
tregim ndryshe i historisë sonë!
Nga Elvi Sidheri
E zëmë se
sot këtu krah meje (largqoftë) ndërsa po shkruaj, të jetë një emisar i qeverisë
turke, historian a ku di unë dhe të dy të kemi marrë përsipër që të
“korrigjojmë” mënyrën sesi unë shkruaj lidhur me turqit dhe punët e tyre me ne
shqiptarët!
Ky tip “kontrollori
cilësie”, ka ardhur pranë meje me ftesën time (orientim nga lart e detyrim nga
poshtë) me qëllimin “fisnik” që mua të më kthejë në “udhën e Zotit” nga e cila
me siguri paskam dalë meqë nuk para shkruaj gjëra të mira për “vëllezërit turq”
dhe në fund ne “së bashku” të dalim në një përfundim aspak “të detyruar”, por
të miratuar “unanimisht” që do të thotë se gjerat kanë qenë ashtu siç thoshin
osmanët njëherë e një kohë dhe siç thonë turqit, pasuesit e tyre sot.
Ky i
dërguari “temsilci” pra në turqisht, i bie të ketë ardhur “me qëllimet më të
mira”, duke synuar që edhe tek fjalët e shkruara apo shtypur në tastierën e
PC-së nga unë, ai të “qëmtojë” ato që fyejnë ndjenjat e brishta të popullit mik
dhe vëlla turk.
Ky emisar
nuk do të ketë asnjë qëllim dashakeq në këtë vizitë të tij, por ardhja e tij do
të synojë veçse përforcimin e vëllazërisë sonë të pandashme (si kur në 2005-ën
u shisnim haptazi turqve një ndeshje kualifikuese për botërorin e atëhershëm, ndërsa
na duhej të zgjidhnim mes dy armiqve, pra midis tyre dhe helenëve dinakë...për
hir të kësaj “vëllazërie-kardeshliku” siç shkruante një pankartë turke në
stadiumin tonë Qemal Stafa)!
Ai njeri
i pajisur me të gjitha “të drejtat eksluzive”(registered trademark siç e kanë
amerikanët)... lidhur me lëndën e historisë jo vetëm në Turqinë e tij mëmë, por
edhe në Kosovë, Shqipëri e më gjerë, do të ketë ardhur tek unë, me dëshirën e
mirë dhe shpirtin e panjollë, për të më këshilluar mua miqësisht, që të zhbëj
disa prej gabimeve që gjenden mes shkrimeve të mia të cilët përmendin qoftë
edhe tërthorazi turqit e dashur.
Ja të
themi që nuk do ishte dashur të dëshmoja se ata kanë bërë ndonjë genocid në
historinë e tyre ndaj nesh shqiptarëve për shembull para 500 vitesh kur disa
nga sulltanët me të aftë dhe të njohur të tyre (Murati i II-të dhe Mehmeti i
II-të) na sulmuan personalisht megjithë ca qindra-mijëra ushtarë të tyre, vranë,
masakruan e shkretuan tokat e paraardhësve tanë arbër e aq më pak pasuesit e
tyre që i pinë gjakun këtij vëndi në shekujt e mëpasshëm.
Aq më pak
do ishte dashur të pohoja unë që ata të kenë bërë ndonjë genocid masiv kundër
miliona armenëve të ngratë andej nga viti i 15-të i shekullit të kaluar, ashtu
siç përveç meje të tregojnë se ka ndodhur edhe vetë armenët, francezët e këqinj
dhe historianët e treçerekut të botës, mënjanë ata turq normalisht.
Unë e kam
pasur gabim dhe për këtë arsye ndër të tjera emisari turk po supozojmë se e ka
marrë mundimin që të vijë deri tek unë, për të më sqaruar pra se kurrësesi
vendin tim turqit e kanë lënë qëllimisht në prapambetjen më të thellë të
mundshme, në bisht të Europës në çdo këndvështrim, pa rrugë, pa porte detare, pa
zhvillim, pa hekurudha, pa shkolla, pa spitale, pa gjë prej gjëje!
Jo, kjo
nuk është e vërtetë, por një spekullim, një manifest antiturk siç qe edhe ai
palo peticion me shumë firma, ndër të tjera edhe të asaj të Kadaresë që se ç’ka
e gjithmonë u ngërdheshet këtyre vëllezërve të dhembshur turq kohë pas kohe.
Të gjithë
neve, unë po ashtu, ia fusim kot ditë për ditë kur pa asnjë të drejtë morale, njerëzore
dhe hyjnore, guxojmë të mos flasim mirë për vëllezërit turq, për veprat e
shumta humanitare, për dashurinë, paqen e mirësinë që ata në shekuj si edhe sot
e kësaj dite, kanë ditur të sjellin me kaq dëlirësi shpirti mes nesh të
pagdhendurve shqiptarë mosmirënjohës!
E kemi
gabim pra, të na vijë turp, ”jazëk” vërtet!
Po si ore
shkoni e më përlyeni njerëz të kalibrit botëror, jo vetëm për nga symprehtësia
në luftë, por edhe për nga shpirtmadhësia në jetë, si ata sulltanë që iu avitën
Krujës ku fshihej ai i pabesi, tradhëtari e bukëshkali Skënderbe, si mendoni se
mund të mateni me ta, se mund t’a përmendni kështu emrin e tyre mitik, si
mundeni që të ngatërroni misionin e tyre civilizues, me ndonjë pushtim të egër
a gjëra të tilla pa kuptim?
-“Me ty
mirë, se një copë njeri që mezi di të lidhësh dy rrjeshta në kompjuter je, por
me ata që vënë studimet dhe mendimet e tyre në kartë e më pas në librat
shqiptarë të historisë e kam mërinë unë”!-do jetë duke më thënë ky emisari në
fjalë.
-“Po
pastaj ç’të ka zënë edhe ty me fjalët e bukura e plot tinguj të ëmbël turke në
gjuhën që zotrote flet përditë, në atë shqipen e çalë, që të mos qe për
turqizmat që me “bujari” u kemi lënë neve, do ishte thjesht një gjuhë
malësorësh pa kuptim”!-do vazhdonte emisari hipotetikisht me mua.
-“T’u
prish gjiza zotërisë tate nga penxherja, jorgani, çarçafi, jazëku, jastiku, tavani,
çatia, havaja, sehiri, kasabaja, shehri, gjoli, akshami, pazari, vakti, çezma, çeliku,
qerpiku, fustanet, sabahu, bereqaversi, qyli etj”?-do t’a mbyllte ai me këtë
ankim të gjatë timin ndaj kulturës së “vyer” turkomane në vendin, gjuhën e
traditat e mija shqiptare.
Normalisht
që unë edhe me dy “princër të spikatur” të turqizmës në historinë tonë, pra me
Esat Pashanë dhe Haxhi Qamilin...do ia kisha “mbytur kot” domethënë dhe të
ngratët do i kisha pas akuzuar si tradhëtarë e “DumBabistë” pa të drejtë.
Pse ç’të
keqe ka të jesh një DumBabist fundja?
Është si
të të pëlqejë një skuadër futbolli, një këngëtare e bukur me zë të
mrekullueshëm apo një tortë e shijshme!
Edhe
DumBabistët kishin të drejtën e tyre legjitime që të donin “babën”, pra të
varfrin sulltan në Stamboll, i cili megjithëse paturpësisht një grusht
pseudo-rilindasish na e kishin larguar në 1912-ën, ai sërish mbetej idhulli i
këtyre njerëzve në Shqipërinë e porsaformuar.
Haxhi
Qamili kishte të drejtën e tij të ligjshme që të ishte një injorant analfabet
dhe që këtë debilitet të shquar të tij, t’ia përkushtonte dhe vinte në shërbim
të sulltanit dhe vëllezërve të vet në injorancë e “paudhësi”, pra osmanëve
turq.
Kurse nga
ana tjetër Esat Pashai, gëzonte po ashtu lirinë e mendimit dhe veprimit, që
përveç ambicjeve të tij të shfrenuara antishqiptare karrieriste, të mbante
përherë një bashkëpunim sa të hapur aq edhe të fshehtë nëntokësor me turqit.
E çfarë
pastaj se Shqipëria e mëvetësuar rishtaz, as ato 28 mijë e ca km katrorë nuk do
i gëzonte dot e do ishte regjur e dergjur deri në ndonjë principatë otomane
mesjetare, pashallëk pra i vogël andej nga një pjesë e Shqipërisë së Mesme, me
pak tokë, pak njerëz, shumë budallenj, shumë tradhëtarë, shumë turkomanë dhe
ndonjë tutelë e varësi direkte, në mos nga Stambolli, të paktën direkt nga
Beogradi?!
Kush e
çan kokën more njerëz, sepse në llogari të fundit, sipas emisarit turk pranë
meje në këtë hipotezë dhe shefave të tij kokëmbushur me “turkomadhizëm” (kjo
është pra e vërteta, se ekziston edhe një e tillë përveç teorive agresive
serbomëdha e grekomëdha)...në Ankara, Esati, Haxhi Qamili e të tërë DumBabistët
shqiptarë përgjatë historisë, duke përfshirë edhe Ballaban Pashën e të tjerë
renegatë si ai, ata kanë luftuar e punuar për vëllazërinë mes popujve tanë të
afërt në gjak (nga ai i yni i derdhur me shumicë nën “hyqmin” turk), histori
dhe vlera e tradita.
Neve
mosmirënjohësit shqiptarë, ku “Mea Culpa” bënkam sinqerisht dhe unë, kemi bërë
këtë gabim trashanik...dhe këtu i heq kapelen në shenjë respekti emisarit të
ngrohtë turk, cili në këtë imagjinatë
timen, me sheh gjithë përdëllim (si Gjon Pagëzori para se të zhysi në ujërat e
lumit Jordan dikë)...me sytë e përlotur tashmë që mendon se më ka rifutur në
“rrugën e drejtë”, pra neve kemi bërë një “vërre” (vrimë në korçarisht) në ujë
duke i sharë e përfolur jo për mirë vëllezërit tanë mirëdashës turq.
Nënë
Tereza sipas përfundimit ku dal unë falë mendjes dhe ideve të “përndritura” të
emisarit të lartpërmendur, ajo paska qenë një “zero me bisht” para sulltanëve
bamirës, zemërçiltër e të dhënë tejmase pas nesh shqiptarëve, një populli
malësorësh, fisesh të ndara mes tyre, njerëzish pa kulturë e histori, të cilëve
osmanët u dhanë dinjitet, poste të larta në administratën sulltanore, fuqi e
ligje!
Ca
qindra-mijëra nizamë shqiptarë, të shkëputur siç duan të thonë “gojët e
liga”...me dhunë nga familjet e tyre e të plasur andej-këtej në cepat e shkretë
të perandorisë së osmanëve-turq, për të gjetur vdekjen për sulltanin e huaj, nuk
janë aspak një arsye e mjaftueshme për t’i armiqësuar pa qenë nevoja popujt
tanë.
Ata kanë
rënë “dëshmorë-shehitër” për perandorinë zemërmirë që i ushqente me bukë dhe
dituri!
Morët
vesh tani?
Morët të
thoni dhe t’a mbyllim këtë “muhabet” se shumë e zgjatëm!
Po kaq
dëshmorë për “vatanin-atdhe” shqiptar (apo Osman, se për sulltanin luftonin ata
deri në provë të kundërt)...më thotë imagjinueshmërisht edhe mua ky emisari
turk, kanë rënë nja pesëdhjetë mijë ushtarë turq në trojet shqiptare gjatë
luftërave ballkanike të fillimshekullit të XX-të.
Sa prej
tyre kanë qenë shqiptarë nga gjaku, nuk e dimë saktësisht, por të shumtë do
kenë qenë dhe ata, ndërsa të gjithë ndërkohë, kështu kam menduar “gabim” edhe
unë përpara se të m’i hapte sytë emisari i mësipërm, pra ata kanë luftuar, janë
vrarë e kanë lënë kockat vetëm eskluzivisht për të mbajtur në këmbë pushtetin e
huaj të sulltanit turk-osman mbi tokat tona stërgjyshërore!
Por ata
janë heronj, pse mos t’u bëjmë një monument në mes të Tiranës fundja, për të
kujtuar gjestet e tyre heroike në mbrojtje të ligjit të turkut-vëlla mbi trojet
tona?!
T’u bëjmë
nga një monument me rradhë (e kjo vjen spontanisht si një kërkesë e imja, pas
sugjerimit “miqësor” nga emisari i Ankarasë që në këtë fantazi, më bën me
dëshirën time sovrane, të them fjalët e tij me gojën time)...edhe Esat Pashait,
Haxhi Qamilit, turmës kërrmangrënëse të DumBabistëve që i venin pas, Ballaban
Pashës dhe secilit tradhëtar tjetër të kombit tonë shqiptar, që në mënyrë aq
largpamëse i pati shkuar pas qerres së “osmanizëm-tuqizmës” dhe sulltanëve të
madhërishëm me seli në Portën e Lartë të TopKapi-së përmbi Bosfor.
Ju lumtë
shpata, mendja perverse antishqiptare, pushka, topi apo thika pas shpine që ia
kanë ngulur popullit të tyre, gjithë këtyre burrave të cilët tek Osmanëria
turke, kanë parë qysh në të parat orë, mikun dhe vëllain e tyre të përjetshëm
në krim, besëshkelje dhe pafytyrësi pakufi!
I paçim e
na rroftë përherë kujtimi i tyre i ndyrë, t’i mbajmë me krenari në “altarin e
tradhëtisë” të shqiptarizmës tonë!
Një altar
i veçantë ky, i cili padyshim që do të mbushej plot e përplot, pasi siç dihet
mirë, historia shqiptare, që nga koha e Dhimitër Farit, gjeneralit që shiti
mbretëreshën e madhe të tokës dhe detrave ilire Teutën e deri tek pashallarët
shqiptarë që në emër të turkut digjnin, piqnin e masakronin njerëzit dhe tokën
e tyre, tek të shiturit e shumtë gjakshpëlarë tek sllavët e grekët, si
Spiromilo e Zervasi e për t’a mbyllur tek Esati me Haxhiun në kërkim të ethshëm
vetëshkatërrues të “babës turk”, të tërë do të zinin vendet e nderit në këtë
shfaqje të turpit tonë nacional.
Në këtë
pikë “fiction-i” mbaron dhe unë kthehem në realitet pas kësaj ëndërre me sy
hapur.
Nuk ka
për fat pranë meje asnjë emisar special turk të ardhur me “reccomandée” nga
institucionet turkomëdhaja të Ankarasë.
Edhe po
të kishte ardhur, si shqiptar i mirë, do e kisha mikpritur, do e kisha marrë me
vete në ndonjë mejhane lagjeje tironse, do i kisha dhënë “i teke raki me meze, molçi,
qepë ene i dor djath t’bardh” !
Do e
kisha çuar për të ngrënë tek ndonjë restorant familjar ku do t’a shqepja me
pilaf-kos dy porcionësh, me tasqebap dhe paçe e në fund do i kisha dhënë të
provojë edhe ndonjë ëmbëlsirë shtëpie të traditës më të respektuar turke, pra
pse jo një revani të butë gjithë sherbet!
Me një
bozë (pije turke dhe kjo thonë), do e kisha mbyllur “sajdisjen” apo
mirësjelljen time shqiptare për të.
Më pas, kur
të dilnim sipas kësaj hipoteze “ndërhyrëse” në punët dhe mendimet e bindjet e
mia për turqit dhe marrëdhëniet e tyre me ne shqiptarët, kur të flisnim pra për
ato që emisari në fjalë dhe eprorët e tij gjykojnë se unë eventualisht i them
gabim apo jo, atëherë unë normalisht që mikun do t’a ftoja që të merrte
prapanicën në dorë dhe të kthehej nga kishte ardhur, pa m’u ngritur mirë nervat
të paktën!
Ia fus
unë apo kushdo tjetër qytetar privat me kombësi dhe gjak shqiptar, në shqelmë
mollaqeve ndonjë emisari “korrektues” turk apo figurativisht edhe Davutoglut, Erdoganit
edhe qarqeve akademike neo-turke në Ankara e këtej nga anët tona...kjo është
puna dhe zgjedhja jonë e lirë.
Por nëse
neve e kemi këtë fuqi, këtë forcë të mendimit tonë të lirë, këtë aftësi për t’u
shprehur me vepra, fjalë apo shkrim kundër futjes së hundëve nga turqit në këtë
rast aktual, apo nga grekë, serbë e kushedi se kush tjetër, në çështjet tona
private dhe në mënyrën sesi neve i përshkruajmë kontaktet, marrëdhëniet, zgjedhën e shkëmbimet tona
lidhur me secilin mik apo pushtues gjakatar që i ka rënë rruga nga vendi ynë, atëherë
asgjë në botë nuk i pengon autoritetet në ministritë e arsimit përkatëse të dy
shteteve shqiptare, që t’a ngrenë zërin dhe t’u japin së paku një “shpullë
turinjve” apo një “gëlboqe” plot jargë në fytyrë emisarëve të vërtetë turq që
vijnë të na e shkruajnë neve, sipas dëshirës së tyre, historinë tonë!
Unë vura
shumë “sikur” më parë gjatë këtij shkrimi, sepse s’ka asnjë gjasë (siç duken
bathët të paktën)...që ndokush në katet e larta të “Olimpit” turkoman në Ankara
t’u kushtojë vëmendje analistëve të ndryshëm shqiptarë, por ndërkohë në
realitet turqit, emisarët e tyre me direktiva të qarta nga Davutoglu & Co, po
i shikoj unë dhe ju po ashtu, që hyjnë e dalin si në një “han me shumë porta”
nëpër ministri arsimi e botën akademike shqiptare, duke kërkuar me një
ekzigjencë arrogante, që të “meremetojnë” historinë tonë sipas shijes së tyre.
E vërteta
e tillë është, do treguar sidoqoftë pa e lyer shumë, se ndryshe asaj i mbulohen
aspekte tejet të rëndësishme të cilat më pas bëhen sekrete të errëta, që na
shfaqen me tërë peshën e rrezikut që përmbajnë, vetëm kur një ditë
pashmangshmërisht do të “dalin lakrat” në pah.
Prandaj
hapni sytë popull, gjindje dhe njerëz shqiptarë, se megjithëse shumëkush do t’u
shpjegojë se kjo që po ndodh me historinë tonë, është vetëm një tip “arnimi’ sa
për të sistemuar ca “fyerje” të paqena ndaj turqve, në fakt kjo është një
ndërhyrje në punët tona sovrane, në të drejtat tona elementare si individë me
gjak, vetëdije e gjuhë shqiptari!
Ndryshe
çfarë do t’i pengojë serbët e malazezët të shpallin brenda në Shkodër si heronj,
kockat e 15 e ca mijë pushtuesve të rracës së tyre që mbetën të vdekur (e
meritonin plotësisht atë fund pa lavdi)...aty gjatë rrethimit të atij qyteti të
lashtë shqiptar.
Asgjë nuk
do të mund të ndalë edhe grekët që të kërkojnë që fëmijët tanë të mësojnë në
shkolla, se andartët kriminelë helenë, kanë qenë burra të mirë, shpirtëra
njeriu që në Shqipëri kanë hyrë jo si banditë me duart të zhytura në gjak
shqiptar, por si çlirimtarë që neve na kanë dashur vetëm të mirën e asgjë
tjetër.
Po ashtu
krahina fantazëm e ngritur mbi bajonetat dhe tytat greke...e Vorio Epirit, do
na bjerë të mësojmë pas ndonjë “arnimi” filogrek të këtij lloji, se ka qenë një
strehë e ngrohtë për popullsinë shqipfolëse me identitet helen të jugut tonë
shqiptar (grekët kështu thonë në librat e tyre të historisë)!
Greku
mund të ankohet me të drejtë, se për të është fyes edhe citimi që i bëhet
Gramenos, Gërmenjit e Sali Butkës në librat tanë të historisë, këtyre të
paudhëve që patën guxuar me një pabesi të padëgjuar, që të luftojnë grekët e
ngratë, duke shkuar aq larg sa të shpallin edhe një të flamosur “Republikë
Shqiptare të Korçës”!
Pse të
mos presim edhe që serbët të ankohen siç bëjnë ende për UÇK-në, për
pseudo-trafiqe organesh e dokrra të këtij lloji në Kosovë, t’a ngrenë fort
zërin edhe ndaj nesh në Shqipëri për përmendjen që librat tanë i bëjnë Azem
Galicës, Boletinit, Hasan Prishtinës, luftës së Lumës etj?!
“Reaksion
zinxhir” i thonë këtij dhe kur hapet një portë apo krijohet një e çarë në këtë
drejtim, atëherë diga jonë shqiptare, do të bjerë nën peshën e budallëkut të
tmerrshëm historik që vetë përfaqësuesit tanë dhe mefshtësia e reagimit popullor-intelektual
ndaj tyre, po lejon të mblidhet.
“Asnjëherë
nuk është tepër vonë” thonë, të dojë perëndia që ky të jetë rasti edhe kësaj
rradhe për ne!