| E marte, 02.04.2013, 10:00 AM |
Aktivitet
kulturore të mërgimtarëve në Austri
Shpërthim i shpirtit krijues në Grac, Austri
“Tiparet e një populli shprehen me kulturën e artin e tij, me shkrimet e tij. Sa herë që takohemi në tubimet letrare ne tregojmë lidhjen me atdheun, por njëkohësisht i ofrojmë vlerat tona popullit mik austriak.”...”Gjuha ruhet aty ku shkruhet”...
Nga Hazir MEHMETI, Vjenë
Grac, 16
mars 2013. Shoqata Integruese Humanitare
e Kulturore “Stublla” nga Graci dhe Shoqata Kulturore “Aleksandër Moisiu” me seli në Vjenë,
organizuan një orë të këndshme letrare e cila do shënohet në kronologjinë e
re të aktiviteteve kulturore të
mërgimtarëve krijues. Morën pjesë krijues nga Linci, Vjena, Graci, etj.
Në emër
të ambasadorit të Kosovës, Dr.Sabri Kiqmari, përshëndeti këshilltari i ambasadës z.Anton Marku. “Sot jemi në Grac,
qytet ky i cili i dha shumë albanologjisë e kombit tonë, vend në të cilin
studiuan veç të tjerëve, Lasgush Poradeci, Kristë Maloku,, artistja e madhe
Maria Kraja e shumë të tjerë. Në vitet nëntëdhjeta, kur në Kosovë u mbyllën
dyert e institucioneve të arsimit, Graci ishte njëri nga ato qytete i cili
pranoi studentë të shumtë e që sot janë ministra dhe figura me rëndësi në
politikë e shkencë në atdhe, duke
ndihmuar në rreshtimin demokratik
krahas vendeve tjera të botës. Ju qytetarët e Gracit të jeni krenar, sepse për momentin është i
vetmi qytet në Austri ku gjendet shtatorja e
Nënës së Botës, Nëna Terezë,
simbol i njerëzores e njerëzimit. Thuhet se:” Gjuha ruhet aty ku
shkruhet” dhe më vjen mirë që sot jemi
bashkë shkrimtarë, poetë e veprimtarë nga shumë qytete të Austrisë. Është rast
i rrallë që të kemi 20 tituj librash të shkruar në gjuhën tonë të bukur
shqipe.” Z. Fitim Nuhiji, Sekretar i Dytë në Misionin Diplomatik të Maqedonisë
pranë organizatave ndërkombëtare në Vjenë, i përshëndeti të pranishmit.
“Gjendem për të parën herë në këtë qytet të bukur dhe i njohur për kontributin
në gjuhën e kulturën kombit tonë. I
falënderoj nikoqirët për këtë organizim të mrekullueshëm dhe vërtetë kemi
nevojë për këso manifestimesh në këtë kohë dinamike të jetës”. Pjesëmarrësit i përshëndetën kryetari i
shoqatës “Stublla”, z.Marjan Peraj. Ai mes tjerash tha: “Tiparet e një populli
shprehen me kulturën e artin e tij me
shkrimet e tij. Sa herë që takohemi në tubimet letrare ne tregojmë lidhjen me
atdheun, por njëkohësisht i ofrojmë vlerat tona popullit mik austriake. Shoqata
e jonë krenohet me emrin e fshatit të vendlindjes sonë, Stublla, ku fjala dhe
mësimi shqip daton me shekuj që nga viti 1584. Shkolla shqipe pranë kishës së
fshatit është pjesë e historisë së ndritshme të arsimit e kulturës shqipe, ku u
krijuan shumë poetë e letrarë që i kalojnë edhe kufijtë kombëtar”. z.Besim Xhelili kryetar i shoqatës
“Aleksandër Moisiu” në emër të
organizatori i përshëndeti të pranishmit. Prezantimin e programit me sukses e
bënë Amanda Stefa dhe Edona Ramadani.
Z. Nikollë Ukaj, veprimtar i njohur dha një historik të shkurtër të përpjekjeve për organizimin e aktiviteteve në Grac për ndihmë atdheut që ishte i robëruar. “Jam njëri nga ata të përndjekurit në regjistrin për eliminim tim nga armiku, por ja që fati e deshi të jetoj akoma. Që në vjetët e nëntëdhjeta ne patëm formuar shoqatën po ashtu me emrin e Aleksandër Moisiut dhe kjo nuk ishte e lehtë. Ne vepruam në kohen e vjetëve të tre përqindëshit, vendlindja thërret, vjetëve të universitetit të Tetovës dhe aktivistët e shumtë. Disa nga ata janë sonte këtu, pastaj e formuam shoqatën e re me emrin “Ora.” Qëllim e kishim mbledhjen e intelektualëve në Austri ku arrite të tuboni rreth 45 prej tyre. Gradualisht me bashkëfshatarët e lokalitetit tim e vendosëm që shoqata “Ora” të kalon në “Stublla” . Tani kjo shoqatë i ka simotrat e saj në Gjermani, Zvicër dhe Itali, që kanë të njëjtin program dhe qëllim. Rreth historikut të shoqatës kulturore “Aleksandër Moisiu” foli znj.Edona Ramadani. “Edhe pse shoqata ka vetëm një vit jetë ia arriti të grumbullon në gjirin e saj 18 krijues nga disa qytete të Austrisë. Nxori përmbledhjen e krijuesve nga radhët e saj me emrin “Iliricum” me rastin e 100-vjetorit të shtetit shqiptar. Redaktori z.Amir Jonuzaj bëri një punë të madhe për nxjerrën e saj në kohën e duhur. Disa nga krijuesit u bënë pjesë e revistës botërore për mërgimtarë “Pelegrin”. Marrëveshjet e bashkëpunimit tani kanë krijuar hapësirën e shumë shteteve”
Ora letrare
Një shije
të veçantë mbrëmjes i dha regjisori
shkodran Gjon Stefa Missagli me fjalën e barsoletat e tij nga libri i tij “Oazi
i artë i Gjuhadolit” me bazë nga
folklori i pasur shkodran. Ishte
prezent veprimtari i njohur z.Prekë Brahimi, i cili la gjurmë me veprimtarinë e
tij si pjesë e jetës së mërgimtarëve në
Grac e më gjerë. Aktivisti e veprimtari z.Tahir Turkaj, kryetari i Shoqatës “17
Shkurti” nga Badeni, z.Bashkim Shala, kryetar i shoqatë “Atdheu” nga Grazi, po
ashtu i dhanë vlera mbrëmjes artistike.
Ora letrare u përcoll me melodi në piano të luajtur me mjeshtri nga znj. L Amra Ford. Recitimet filluan me Arif Kryeziun i cili lexoi poezinë “Fara”. Mjaftë mbresëlënëse ishin recitimet në të dy gjuhët i përcjellë me piano nga austriaku, z. Kurt Kostentschnigg, mik i shqiptarëve. Nxënësja, Qëndresa Maloku, recitoj vjershën “Dëshmorët e rënë” duke sjell freskinë rinore në artin poetik Riti Azemi dhe Hysni Elshani u paraqiten me recitime nga autor të ndryshëm. Arti i njeriut tonë shpirtmadh e modest tregon vlerën e pa krahasueshme. Kështu ishte me recitimin e autores së katër botimeve me poezi zonjës Zahide Maria-Ukaj. Ajo lexoj poezinë “Te mulliri” me plotë ngjyra arti e shprehje nga gurra popullore e pashtershme. Teuta Kurhasku-Rexhepi, autore e përmbledhjes me poezi “Prush ndjenjash” lexoi dy prej tyre. Z. Ragip Dragusha, tani i njohur me paraqitjet e tij me shije artistike recitoj poezi nga krijimtaria me motive shkodrane. Vargu i poetëve ishte i gjatë dhe secili të përvetësonte me artin e tij. Kështu ishte edhe me poetët, Dan Kosumi, Anton Marku, Edona Ramadani, Haxhi Morina, Besim Xhelili, Zef Ndrecaj etj. Nuk mungonin as lotët, pjesë e përditshmërisë së mërgimtarit të përmallshëm. Me lexim analitik u paraqit publicisti nga Linci z.Ramiz Selimi, kurse Hazir Mehmeti dha një njoftim rreth revistës letrare “Pelegrin” me seli në Athinë e cila tubon krijuesit shqiptarë nga mërgata. Rasti i veçantë ishte kësaj radhe promovimi i 20 titujve nga autorët prezent. U promovua edhe libri “Skënderbeu, ideator i Bashkimit Evropian” i politologut para dokturaturës, Mag.Gjon Keka dhe ishte libri i tij i gjashtë i radhës. Nikoqirët kishin përgatitur ushqime të shijshme nga kuzhina e jonë tradicionale. Ishte kjo një mbrëmje letrare e pa harruar për publikun e shumtë që mbushnin sallën e bukur, dhe s’ka se si të jetë ndryshe në qytetin ku u shkollua poeti ynë i vlerësuar Lasgush Poradeci. Atij dhe atyre që studiuan në Grac iu përtëri kujtimi dhe porosia e kultivimit të artit me rrënjët e lashta pellazg- ilire.