| E marte, 02.04.2013, 11:50 AM |
NJE STUDIM VOLUMINOZ QE DESHMON PER ADMIRIMIN DHE RESPEKTIN QE, TE HUAJT, NE SHEKUJ, KANE TREGUAR NE
SHENIMET E TYRE PER SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT
Nga Jeton KELMENDI, Bruksel
Historia si shkencë është e
rëndësishme për çdo popull, sepse tregon stadet nëpër të cilat ka kaluar vendi
dhe populli i caktuar, por natyrisht edhe për kulturën dhe origjinën. Historia,
për popujt që kanë vuajtur gjatë nën robëri, ka dyfish më shumë domethënie.
Përveç rëndësisë që cekem më lartë, që ka te secili popull, tek rastet e
popujve që kanë kaluar kohë të gjatë nën robëri, historia është shkruar nga të
tjerët, natyrisht jo drejt dhe jo në favor të popullit të robëruar. Shqiptarët
paraqesin një rast të tillë në historinë e popujve të Evropës. Edhe pse ka
fakte historike se shqiptaret janë popull i vjetër, pra ndër më të vjetrit në
Ballkan dhe Evropë, gjendja e sotme flet për një popull të ndarë në gjashtë
shtete, ndërsa luftërat me fqinjët akoma vazhdojnë të jetë e mundur, ngase
apetitet e shteteve fqinje nuk janë shuar. Edhe tani që shqiptaret kanë dy
shtete të pavarura, nuk po ja dalin që ta shkruajnë një histori pa ndikime të
caktuara dhe të drejtë, mirëpo kësaj radhe kemi të bëjmë fjalë për një qasje
krejt tjetër historike.
Piro Tase në librin e tij “Të
huajt për Shqipërinë dhe shqiptarët“, i qaset problemit të shqiptarëve nga një
kënd tjetër, pra se si na shohin të tjerët ne dhe atdheun tonë nga prizma
historike, qe për mendimin tim, pra nga këndi i një shkrimtarit, është një nga
çështjet më kruciale, ngase ka shumë rëndësi kur të huaj kanë një qasje
korrekte ndaj historisë së popullit shqiptar. Duhet theksuar faktin se armiqet
e Shqipërisë dhe shqiptarëve përveç tendencave territoriale që kishin dhe kanë,
nuk ndalojnë që ta p ropagandojnë kulturën dhe historinë tonë, duke e
deformuar. Nga ana tjetër niveli i ulet i arsimimit tek shqiptaret dhe kushtet
e varfërisë, nëpër të cilat kaluan dekadat dhe shekujt, ka ndikuar që ne të mos
kemi një fuqi, qoftë mediale apo edhe lotuese tek të tjerët, prandaj jo rrallë
herë të huajt kanë pasur imazh të keq për shqiptaret, shpesh herë nga mungesa e
informatave të drejta. Në ketë kuadër, Tase ju ka qasur një teme, e cila në
esencë paraqet gjënë gati më të rëndësishme në Epokën e Globalizmit, në të
cilën po jetojmë. Është shumë e rëndësishme t’u tregosh të tjerëve për
historinë tënde, por kur arrin që të huajt të kenë një mendim korrekt dhe të
drejt ndaj historisë, do të thotë se gëzon respekt tek popujt miq dhe
personalitetet e popujve miq. Piro Tase, në librin e tij “Të huajt për
Shqipërinë dhe shqiptaret” jo vetëm se ja ka dalë që ti ofroj lexuesit mendime
shumë të mira për vendin tonë, por edhe të krijoj admirimin e personaliteteve
shumë të rëndësishme ndërkombëtare. Libri fillon me një citat nga Perez De Kuellar
drejtuar autorit të librit Piro Tase. “Pamë një gjë të pa-arritshme e të
pa-përsëritshme. Aty mundëm të shohim një thesar të kulturës botërore. … Ishte
një kënaqësi që vizitova këtë pasuri të madhe të kulturës Shqiptare. Shpresoj
që ky qytet i admirueshëm të konsiderohet dhe të respektohet si një pasuri
kulturore njerëzore”. (Perez De Kuellar për Beratin – 1990)
Pa i dhënë vetës të
drejt të gjykoj në aspektin profesional, por nga këndi i shkrimtarit, kam
bindjen se ky libër paraqet një qasje tepër interesante, pasi që flet për
formën se si e kanë parë të huajt historinë tonë, që prej lashtësisë e deri në
ditët tona. Pra, Tase në studimin e tij me mbi 500 faqe, ku ka përkthyer
materiale dhe fakte nga gjuhë të ndryshme argumenton në mënyrë shkencore se
mendojnë dhe si na trajtojnë personalitete të ndryshme, nga pasuria kulturore
deri tek trajtesat më të zakonshme të jetës. Pra që nga dokumenti i parë për
shqiptaret Attaleiates (1038) me të parën referencë për Shqipërinë në
dokumentet e Perandorisë Bizantine,( 1154), Muhammad al-Idrisi me ”Librin e Rogerit”(1154),
George Acropolites me “Një Kryengritje Shqiptare”(1257); Simon Fitzsimons(1322)
e deri tek autorë pa emër, anonimë, që datohen qysh nga viti 1000, për herë të
parë të përkthyera në gjuhën angleze nga R.Elsie. Dhe pas tyre, në këtë edicion
të dytë, edhe Piri Re’is (1521), Jean Carlier de Pinon (1579), Lorenzo Bernardo
(1591) si dhe Teologu e Historiani suedez Johan Erich Thunmann (1746-1778) me
traktatin e tij: “Mbi Historinë dhe Gjuhën e Shqiptarëve dhe të Vllehëve),
Leipzig 1774 dhe deri tek ditët e sotme me Robert Elsien etj.
Ndonëse ky libër
është voluminoz dhe është e pamundur që të paraqitet në një recension sado të
gjatë, shkurtazi do përpiqem të kujtoj diçka që ndoshta më ka provokuar më
shumë. Fakti se Shqipëria është vendi që nxori shumë figura luftarake e prijës
politik të perandorive dhe shteteve të fuqishme, por akoma nuk e ka të zgjidhur
çështjen e vet si etni në trojet e veta, përbënë një nga fenomenet, për të
cilat Tase merr referenca nga studiues të huaj, që prej Perandorisë Romake,
duke përfshirë qytete të vjetra dhe relikte, të cilat flasin shumë për vendin e
vjetër, ku sot është vend me interes të madh për vizitorin e huaj në
përgjithësi dhe studiuesit në veçanti. Lashtësia e qyteteve shqiptare, ku
ngërthen në vete historina të njohura, ngase lanë gjurmë të thella në
civilizimin e kohës siç janë Antipatrea, Apollonia, Dyrrachium, kanë qenë
subjekt studimi i shumë studiuesve ndërkombëtar, prandaj Piro Tase në librin e
tij “Të huajt për Shqipërinë dhe shqiptaret”, i kushton një vëmendje të
posaçme, duke i ofruar lexuesit në Gjuhën Shqipe, diçka shumë të vlefshme, për
njohjen e trungut Shqiptar. Gjithsesi arsyet qe të çojnë të blesh dhe ta lexosh
ketë studim janë të shumta, ngase mendoj se është një pasqyrë e mirë për ne si
komb dhe shoqëri, sidomos për faktin se ata dhe ato që nuk i përkasin qenies
shqiptare, nuk flasin sipas subjektivizmit apo ndikimeve të caktuara, por ashtu
drejt siç e shohin ata. Se Shqipëria ka një mozaik interesant, me pamje të
bukura, nuk është diçka e re, mirëpo në ketë libër studimor autori Tase i ka
dhënë hapësirë çështjes se dhjetëra vizitorëve Anglezë, Amerikan, Gjerman,
Francez, Rumun, kronistëve turk dhe të tjerëve, ku në shkrimet e ndryshme ata
kanë shprehur mendimet e tyre shumë të mira për bukuritë e Shqipërisë, për
jetën shqiptare dhe traditat e tyre.
Rrugëtimi i këtyre
vizitorëve ishte bërë nga drejtimet e ndryshme, si nga Kosova, Mali i Zi dhe
sipas dëshmive ata ndalonin nëpër qytete dhe fshatra të ndryshme, përderisa
arrinin në jug, dhe në veçanti autori ndalet tek fasionimi i tyre në Qytetin e
Beratit, qytet ky i vjetër 2400 vjet, por pa anashkaluar edhe Butrintin,
Apoloninë dhe qytete tjera. Në ketë kontekst Piro Tase ka arritur qe në
studimin e tij ta krijoj një leje njoftimi për vendin e shqiponjave. Ai nuk
mundohet të stis diçka sipas tekave, siç ka raste tek historianet tanë, por me
shumë kujdes dhe profesionalizëm trajton historinë e Shqipërisë dhe
shqiptarëve, ashtu siç menduan dhe siç shkruan të tjerët, pra joshqiptaret. Nga
një aspekt këta vizitor kishin thënë të gjitha ato që ishin, por Tase i kthen
në shqip, madje i vene përballë një vështrimi të tij, duke iu kthyer qasjeve të
tyre me vendin mik dhe miqtë e tyre shqiptar. Dhe krejt për fund, Piror Tase me
ketë studim shumë serioz ka ndihmuar studiuesit shqiptar që ti kenë në një
libër shumë mendime dhe dokumente me rëndësi për historinë tone, por edhe të
huajt që tani mund të shkruajnë, ndërsa një botim i tillë në gjuhen angleze, që
është edhe projekt i autorit do të ishte shumë me rëndësi, natyrisht ky libër
do të duhet ta gjente mbështetjen e institucioneve shtetërore shqiptare, qe të
përkthehej edhe në gjuhët tjera me ndikim në Evropë dhe Botë.
Me poshte po japim
nje fragment te shkeputur nga studimi “TE HUAJT PER SHQIPERINE DHE SHQIPTARET”
me autor Piro(Marko) Tase lidhur me
Historine e Shqiperise te pare nje I huaj qe ne vitin 1774.
Historia
e Shqipërisë
nga
Johann Thumann(*)
“… Qëllimi im nuk
ishte që të shkruaja një histori të gjatë dhe të plotë. Përpjekjet e mia kanë
qënë vetëm për të hedhur dritë mbi prejardhjen e shqiptarëve ashtu sikurse
shfaqet tek një numër i madh faktesh dhe dokumentash të renditura në mënyrë
kronologjike të cilat çjerrin errësirën, zhdukin konfuzionin dhe hedhin poshtë
ato spekullime të paskrupullta mbi këtë popull, duke u përpjekur që ta bëj të njohur këtë vënd përgjatë gjithë
historisë së tij si një komb i cili është ndër banorët më të vjetër të Evropës
dhe që kanë ditur të mbijetojnë, me gjithë fluksin e grekëve, romakëve, gotëve,
sllavëve, frengëve, italianëvet dhe turqve…”
JOHANN THUMANN
(1774)
[Fragment nga “Über die Geschichte und Sprache
der Albaner und der Wlachen “(Mbi Historinë dhe Gjuhën e shqiptarëve dhe të
vllehëve), me autor Johann Thunmann, botuar në Leipzig, më 1774 dhe e përkthyer
në gjuhën angleze nga Dr.Robert Elsie.]
“Unë tani do të
doja të kthehesha në historinë aktuale
të shqiptarëve dhe të vendit ku ata banojnë. Ata janë pasardhësit e ilirëve të
lashtë, ndërsa fqinjët e tyre, vllehët, me historinë e lashtë të të cilëve unë
do të merrem më vonë, janë femijët e Thrakasve. Në këtë shkrim do të përpiqem
sa të mundem për të provuar këtë dëshmi.
Njerëzit që jetojnë midis Detit Jon dhe Maqedonisë,
në mes Chernagora [Mal i Zi] dhe Neo-Kastros, në Evenus [Evinos] edhe pse
flasin shqip, jo gjithmonë janë quajtur me emrin shqiptar. Ata jetonin në
terrene malore, duke ruajtur veten dhe emrin e tyre, pavarësisht nga të gjitha
luftrat që kishin bërë në shekuj me popujt fqinjë. Ata mbetën në këto kufij të
ngushtë që kurse, këta të fundit, i shikojmë të përmenden më pas, shekuj me
radhë, nga shkrimtarët bizantinë dhe në
korespondencën e papëve. Në
vitin 1250, krahinat e Pulat-it [Pult] dhe Chounavia-s nuk u përfshinë në
territorin e quajtur, Shqipëri.
……..Grekët, ishin të parët
që bien në kontakt me shqiptarët aktualë
si një komb i pavarur, me një popull të përkushtuar për luftë dhe të devotshëm
për vendin e vet, duke e përdorur emrin
e tyre për t'iu referuar në përgjithësi banorëve
të zonave malore dhe të Epirit, të cilët përdornin të njëjtën gjuhë dhe
kishtin të njëjtat zakone si dhe “Albanians” dhe që, së bashku me ta,
zbrisnin për të jetuar poshtë në fusha dhe në vendbanime të reja që i merrnin nga grekët. Edhe kombet e tjera të Evropës
ndoqën shembullin e grekëve. Vetëm turqit i quanin ata Arnautë, që
vjen nga emri i princit të fundit të Shqipërisë Jugore, Arianiti.
Vendasit e quanin veten e tyre ‘Skipatars’ por as ata vetë nuk e dinë se nga vinte kjo fjalë, Në fillim,
përgjithësisht, emërtimi ‘Shqipëtar’,
ashtu sikurse edhe ai ‘Albanian’ nuk ishin shumë të përdorshëm. Ndoshta nuk do
të bëja gabim po të shprehja dyshimin se, fillimisht, banorët e trevës malore
të Ceraunisë mund ta kenë quajtur veten sit të tillë, duke e marrë këtë emër
nga një fshat aty afër, i quajtur
Sipjatos, i cili i referohet dokumentave si i tillë që në vitin 870. Ka
mundësi, gjithashtu, që mund të rrjedhë edhe nga emri i famshëm Spata [Shpata], familje e cila, në
fund të shekullit të 14-të, kishte në pronësi, pjesën më të madhe të
Shqipërisë. Një gjë është e sigurtë - se
Chalcocondylas i referohet atyre si Spatai. Sido që të jetë e vërteta, unë unë
nuk pretendoj se di gjithçka në këtë çështje mjaft të panjohur në lidhje me origjinën e fjalës.
Por kush janë këto Skipatars,
këta ‘Albanians’? Askush nuk ka pretenduar të dijë ndonjë gjë të besueshme apo
për të dëshmuar lidhur me të vërtetën rreth tyre pa u bërë pre e
spekullimeve. ....... Në këtë çështje,
vetëm sa ngriheshin pikpyetje dhe bëheshin spekullime. Historia e këtij populli
dhe gjuha e tyre nuk ishin hetuar ashtu siç duhet... Jo çdo gjë që thuhej duhej
të merrej si e sigurtë.
Unë kam arritur të bëj atë që
të tjerët nuk kanë mundur ta realizojnë dhe që kanë dështuar. Unë nuk kam
gjetur asnjë gjurmë imigracioni në tërë
historinë e tyre. Është, mbi të gjitha, gjuha e tyre, e cila ka lënë të tilla gjurmë lidhur me fatin e këtij
populli sa që mua nuk më mbetet gjë
tjetër veç se t’i shikoj ata si fqinjët
e grekëve dhe subjekte të Romës antike. Këto dy fakte, së bashku, përcaktojnë
origjinën e tyre të lashtë nga Ilirët.
.....
. Përveç kësaj, është një
popull i veçantë, të cilët, nga njëra anë, edhe pse për një kohë të gjatë kanë qënë evropianë,
nga ana tjetër, ishte një vend me më pak
lidhje me popujt e tjerë të Evropës, se sa këta të fundit kanë mes njëri –
tjetrit. Unë do të bëja këtu një përjashtim për vllehët të cilët, ndoshta kanë të njëjtën origjinë si dhe shqiptarët,
por që me kalimin e kohës dhe nga
përzjerja e tyre me popujt e tjerë, kanë
evoluar ndryshe nga këta të fundit. Që të dyja, historia dhe gjuha e folur e
tyre janë prova më e saktë për këtë
dëshmi. Unë e shikoj tepër të rëndësishme që të paraqes këtu ato ngjarje
kryesore të cilat shquajnë popullin shqiptar, me qëllim që të hedh një dritë të mjaftueshme
mbi historinë e tyre. Kjo është mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemit.
Kush janë shqiptarët? Si u shfaqën ata?
Cila është prejardhja e gjuhës së tyre?
Njerëzit e parë që njeh
historia në këtë rajon janë ilirët, një
komb i madh dhe i fuqishëm që ka jetuar në Detin Adriatik, nga Po deri në Gjirin
Ambracian, dhe në veri deri në Danub. Straboni beson se kjo popullsi përhapet deri, tutje në perëndim, në
Liqenin Constance, përmes Noricum-it dhe Vindelicia-s. Ai, gjithashtu, pohon se
Pannonians-it e kanë prejardhjen nga ky popull. Appiani dëshmon qartë se
Pannonians ishin ilirë. Istrians, Japodes, Dalmatët, Liburnians, Dardanians,
Ardiaei, Autariates, me pak fjalë, të gjitha popujt deri në malet Ceraunian
konsiderohen në përgjithësi si ilirët.
............
....Por këta Ilirë, si
subjekte të Romakëve, ende nuk ishin të mbrojtur nga dyndjet barbare. Ardiaei
dhe Palarians i sulmuan ata rreth vitit 135.
....
....Dassaretae dhe Hybrians
ishin pjesërisht të prekur nga këto goditje dhe territoret e tyre ishin
pothuajse plotësisht të çpopulluara. Me kalimin e kohës, rajonet e çpopulluara ishin mbuluar nga pyje
të pashkelura që do të duheshin ditë të tëra për t’ i përshkuar. Epiri dhe
Iliria që dikur kishin qënë treva të mbipopulluara, në kohën e Strabonit, ato
pothuajse kishin mbetur fare shkretë. Ajo popullsi që kishte mundur të
mbijetonte, rronte nëpër fshatra apo nëpër rënojat e qyteteve të shkatërruar.
Për këtë arsye, shumë koloni
romake shpejtuan të venë atje dhe të vendosen përgjatë bregdetit dhe në qytetet
e boshuara. Në kohën e Pliny's, qytetet e Rhizon [Risani], Ascrivium
[Kotorrit], Butua [Budva], Olchinium [Ulqini], Skodra [Shkodra], Lissus
[Lezhe], Dyrrhachium [Durrës] dhe Bylisi u pushtuan nga kolonë romakë. Por,ende
përreth,kishte shumë prej banorëve të vjetër ilirë. Straboni i referohet Taulantëve,
Parthini, Bylliones, Phrygians, Lyncestae, Elimiotes, Eordi dhe të tjera fiseve
që ishin ende aty në kohën e tij. Pliny, nga ana e tij, vë në dukje se në
rajonin e Apollonisë, në kohën e tij, ishin popullsitë barbare (jo- greke),
Amantes dhe Bylliones. Ai i quan Dassaretae, Amantes dhe Orestae, popuj të
lirë. Ptolemeu përmend Taulantët, Elimiotes, Eordi, Orestae, Dassaretae,
Lyncestae dhe Albanians, të cilët referohen në këtë mënyrë për herë të parë.
Ata me siguri e kanë marrë këtë emër nga
qyteti i Albanopolit, i cili më von u quajt Albanon dhe Arbanon. Ata
jetonin në malet e vendosur përgjatë kufirit me Maqedoninë. Është pikërisht
egzistenca e këtyre maleve të cilëve ata u atribojnë mbijetesën e tyre dhe
fatin e lumtur për të egzistuar si komb.
Romakët futën ligjet dhe
zakonet e tyre kudo mes fiseve jo të qytetëruara ku ata shkuan. Gjuha e romakëve filloi të mbizotërojë kudo
ku janë themeluar kolonitë e tyre, ose, të paktën, gjuha lokale filloi të përzihej në mënyrë të ndjeshme me elementë
latinë. ...
.... Gjuha depërtoi në rajonet
malore të Ilirisë duke u përzjerë me gjuhën e folur të vendasve, por nuk
arriti asnjëherë ta zëvendësojë gjuhën
lokale ashtu siç ndodhi në Pyrenees dhe në malet Cantabria. Në fjalorin shqiptar
që kam botuar, gjënden më shumë se 100 fjalë me origjinë të pamohueshme romake.
Gjatë gjithë periudhës kur grekët ishin fqinjë
me këtë popull, më pak se një e treta e fjalëve të përdorshmë të gjuhës
greke mundën të depërtonin në të folurën e tyre. Por, para kohës së Perandorisë së Lindjes, grekët kurrë
nuk mundën të vendosin pushtetin e tyre në këtë rajon.
...............................................................................................................................................
Në vitin 1036, Sërbia ra përsëri
nën vartësinë e Greqisë. Megjithatë, katër vjet më vonë, jo vetëm që ky vend i
shpëtoi këtij sundimi, por, gjithashtu, edhe Bullgaria u ngrit në revoltë, dhe
mbret i ri, Peter Delean pushtoi Durrësin. Të gjitha krahinat që i përkisnin
Epirit të Vjetër, me përjashtim të
Naupactus, u dorëzuan pa bërë asnjë rrezistencë. Arsyeja për këtë pushtim kaq
të lehtë nga ana e Deleanit ishte për shkak të haraçeve të rënda që kishte vënë
mbi ta Michael Paphlagonian. Por
Bullgarët u mundën përsëri në vitin
1041. Pas një viti, Michael, guvernator i Durrësit, sulmoi Sërbinë me 60.000
burra që ai i kishte mbledhur në
krahinën e tij dhe në rajonin përreth, por u zbraps nga Dobroslav, mbreti i
atij vendi. Një kryengritje e re bullgare, nën udhëheqjen e Pjetri Vodin, u shtyp
në vitin 1073 me ndihmën e pushtetarëve të Ohrit dhe të Diavolit [Devollit]. Do
të doja të theksohet këtu se ajo që tani quhet Albania, në atë kohë thirrej ‘
West ‘(‘Perëndim’). Rajoni, gjithashtu,
thirrej ende Ilirichum. Me kalimin e
kohës, pasardhësit e banorëve të lashtë të kësaj pjese të Ilirisë u bënë të
njohur si shqiptarë apo Arbanians.
Me qënë se të gjitha vendet
e Perandorisë Bizantine po vuanin nën
keq-qeverisjen e Michael Ducas, Nicephorus Bryennius, Duka i Durrësit, vendosi
t’i japë zgjidhje kësaj gjëndje duke
marrë fronin e Perandorit për veten e tij. Vetë Michael, tanimë, kishte
krijuar besim tek Nicephorus Bryennius, burri më i guximshëm i Perandorisë,
duke i dhënë qeverisjen e Durrësit që kishte vuajtur shumë prej sulmeve të
sërbëve, kroatëve dhe Dioclaeans. Vendasit e pranuar atë me gëzim dhe u bashkua
me të në mësymjen e tij kundër sllavëve, kundër të cilëve ai bëri shumë
përparime. Akuzat e armiqve të tij, mjaftë të besueshme, dhe fyerjet e
përsëritura e bindën atë se ishte koha për të rrëzuar Perandorin. Në
përpjekje për të bërë këtë gjë, ai u
mund nga Alexius Comnenus i cili, në këtë kohë, kishte gradën e një fisniku
shumë të lartë (nobilissimus), u zu rob dhe u verbua me urdhër të Perandorit
Nicephorus Botaniates. Pasardhësi i tij si guvernator, Nicephorus Basilacius,
nuk hoqi dorë nga ai plan dhe u shty nga shëmbulli i para-ardhësit të vet. Ai
mblodhi një ushtri të re, të madhe, të përbërë nga normanët, bullgarët, grekët
dhe Albanians, duke marshuar përmes Ohrit deri në Selanik. Por
këtu, ai pati të njëjtin fat si
Bryenniusi. Kjo ndodhi në vitin 1079.............
......... Për një shekull të
tërë, në Epirin e Ri, nuk ndodhi asgjë e veçantë në mënyrë që t’u jepte
historianëve mundësinë për të përmendur emrin e Shqipërisë
......Shqiptarët e Epirit të
Ri, prej kohësh i kishin thyer të gjitha betimet dhe marrëveshjet e arritura me
Perandorinë Bizantine, dhe po i
shkatërronin provincat e saj. Nicephorus
Gregoras i quajti ata dinakë dhe djaj grabitës të rrugëve. Cantacuzene i quajti
të paqëndrueshëm, shqetësues dhe të dhënë pas aventurave. Ai shënon se ata
banonin zonat përreth Beratit dhe Kaninës. Në
vitin 1337, ata kishin sulmuar dhe plaçkitur një sërë qytetesh të tjera.
Një ushtri që u dërguar për t'iu kundërvënë atyre, bëri që ata t’i ndërpresin
reprezaljet e tyre, por menjëherë, sapo ushtria ishte larguar, ata dolën
përsëri nga vendet ku ishin fshehur dhe vërshuan gjithandej duke i sjellë më
shumë dëme Beratit, Kaninës, Skeparionit [Skrapar] dhe Klisurës [Këlcyra], dhe
morën kështjellën e Timoron-it [Tomor] pranë Beratit. Në të njëjtën kohë, John
II Dukas, Despot i Epirit dhe Aetolias vdiq dhe la pas tij princin e vogël
dymbëdhjetë vjeçar Nicephorus. Pikërisht, në këtë kohë, Androniku vendosi të
inkurajojë shqiptarët që të pushtojnë
Despotatin. Për këtë fushatë ai kërkoi ndihmën e dymbëdhjetë mijë këmbësorëve
turq nga Amuri, biri i Ajdinit, një emir
Seldjuk në Azinë e Vogël. Në pranverën e vitit 1338, ai kaloi mes Thesalisë dhe
sulmon shqiptarët, duke shkatërruar vendin e tyre deri në Durrës. Shqiptarët u
tërhoqën nëpër male, por Turqit i ndoqën pas, duke vrarë burrat dhe duke zënë
rob gratë dhe fëmijët e tyre. Por shumë prej tyre u blenë dhe u shpëtuan prej
bashkatdhetarëve të tyre që i kishin qëndruar besnik Perandorit. U zu një sasi
e madhe kuajsh, lopë dhe dele, sepse këto ishin burimet kryesore ekonomike të
shqiptarëve. Ata u detyruan që të nënshtrohen dhe t’i binden Perandorit. Kjo fitore bëri jehonë të madhe dhe solli
dorëzimin e gjithë despotatit. Nicephorus i Ri u ngrit në revoltë vitin e
ardhshëm dhe ka marrë përsëri pronat e
babait të tij, por Cantacuzene ishte trim dhe mjaft i zgjuar duke
arritur ta mposhtë atë në vitin 1340 dhe
për ta kthyer të gjithë Despotatin në një provincë bizantine. Nicephorus u detyrua të qetësohet duke
pranuar titullin Panhypersevastos. Perandori sapo e kishte tërhequr ushtrinë e
tij nga Epiri i Vjetër dhe Acarnania, kur, shqiptarët që banonin rajonet rreth
Pogonianës dhe Livisda-së, sulmuan qytetet e këtyre krahinave dhe Epirin e Ri,
kryesisht Beratin, dhe filluan të torturojnë banorët e qytetit me sulme dhe plaçkitje të përditshme. Ata
vazhduan ta bëjnë këtë gjë edhe pas
vdekjes së Perandorit Andronikus, më 1341. John Cantacuzene, i cili ishte
caktuar nga mbreti që po vdiste si regjent për birin e tij, John Palaeologus i
ri, do të hakmerrej rëndë mbi ta po të mos ishte penguar nga rivali i tij. Më
1342, pas marrjes së fronit perandorak, ai bëri kushëririn e tij, John Angelus,
guvernator të Valachisë së Madhe ose të Thesalisë. Ishte bërë me fjalë që para
se të bëhej ky emërim se guvernatori do
të vinte në ndihmë të perandorit sa herë
që këtij të fundit do t’i duhej të luftonte për të nënshtruar grekët dhe
shqiptarët në shtrirjet perëndimore të perandorisë. Kur lufta në afërsi të
provincave pranë Konstandinopojës ishte
gati për të nisur, ai ishte atje për ta ndihmuar me të gjitha forcat që kishte
mundur të bashkonte. Unë besoj dhe arrij në përfundimin se shqiptarët jo
vetëm se ishin të shumtë në numër ne Thesali, në atë kohë, por ishin edhe më të
kërkuarit për të mbushur rradhët e ushtrisë për shkak të trimërisë që i
karakterizonte.........................................................................
........ Unë do të doja të
shtoj edhe diçka në lidhje me shqiptarët në Morea. Ne nuk e dimë kur erdhën ata
për herë të parë në këtë rajon. Thuhet se Matthew Cantacuzene që arriti ta
merrte Shqipërinë nëpërmjet gruas së
tij serbe, dëboi prej atij vendi të
gjithë fisnikët shqiptarë që ai i shikonte të dyshimtë. Në vitin 1391, në gadishull, pothuaj se ishte
një numër i madh shqiptarësh. Demetrius Raul, komandant i Despot Theodorit të Moresë, formoi një ushtri të
përbërë nga shqiptarë dhe Leontarianë dhe, me ta sulmoi Princin Asan Centerion
të Achaias i cili kishte pushtuar Morenë
me ndihmën e një komandanti turk që
quhej Vrenes, dhe pushtoi Akuvan. Por Vrenes së shpejti solli një humbje
shkatërruese për shqiptarët. Në
vitin 1423, Murati II dërgoi për në More, Turachanin [Turhan]. Ata, gjithashtu,
sulmuan Turhanin por u smbrapsën. Kur Konstandini Dragases, biri i perandorit
Manuel, arriti në More si despot, më 1443 dhe mori kontrollin e Isthmus
(Hexamilion), ai gjithashtu, mori nën kontroll edhe shqiptarët që jetojnë në Pindi, të cilët
ishin quajtur Arabaeans. Forca e tij
gjithnjë e në rritje bëri që
Sulltan Murati të ndërmerte një sulëm kundër tij dhe Despotit të Achaias, me një ushtri prej
60.000 vetash. Ata u orvatën që t’i rrezistojnë, por të braktisur dhe të tradhtuar
nga shqiptarët e tyre, shumë shpejt ranë
në duart e turqve. Muhamed II, i biri i Muratit, pushtoi përfundimisht
Kostandinopojën më 1453. Të gjithë
prijësat grekë u tronditën. Princat e Moreas, Thomas dhe Dhimitri Palaeologus,
ikën menjëherë në tokat prane brigjeve të detit për t’u përgatitur që të
hidheshin në Itali. Shqiptarët vendosën që të mos të jenë më të nënshtruar nga
ata dhe morën përsipër ta qeverisin vetë Morenë. Ata zgjodhën Manuel Cantacuzenin si komandantin e tyre, një nip i
Mateut, dhe mendohet se i shpallën luftë Palaeologut. Në atë kohë, ata ishin të
gjithë barinj dhe nuk kishin vende të caktuara për t’u strehuar. Ata kishin patur mbështetjen e disa prej
sundimtarëve të mëdhenj të Peleponnesit, si
Martin Asan Centerion, kunati i
Despotit Thomas, Nicephorus Lucanis dhe Bochalis, Zoti i Leontarit.
Morea, më në fund humbi kur despotët, pranuan të gjejnë mbështetje tek ushtria
turke e komanduar nga Turhani më 1454. Fat i keq për Shqiptarët. Ata dërguan përfaqësuesit e
tyre tek princat duke i informuar ata se
do të pranonin t’i nënshtroheshin përsëri atyre në se do t’u liheshin të lira
të gjitha territoret që kishtin pushtuar dhe gjënë e gjallë që zotëronin. Në
këto kushte u nënshkrua një traktat. Por paqja nuk u realizua. Të nxitur nga
Lucanis, shqiptarët dhe banorët e tjerë të Moresë refuzuan t’u binden princave
dhe kërkuan një ndarje të barabartë të territoreve dhe po ashtu refuzuan që t’u
paguanin turqve haraçin vjetor prej dymbëdhjetë mijë dukatë.
Muhamed Pushtuesi u kërkoi që të
paguanin në avancë haraçin për tre vjet. Më 1453, ai pushtoi, përfundimisht,
Peleponnesin me një ushtri të madhe. Rrezistenca dështoi, por ai e pagoi
shtrënjtë këtë fitore. Shqiptarët e kundërshtuan atë në çdo hap që ai hidhte.
Këtë herë, Muhamedi bëri paqe me despotët, mbajti disa nga pushtimet e tij dhe
tërhoqi Omarin, birin e Turhanit, dhe
ushtrinë e tij. Në vitin e ardhshëm, plasi lufta mes dy despotëve: Thomas dhe
Dhimitri. Thomas prishi miqësinë me Mohamedin. Shqiptarët e respektuan vendimin
e këtij despoti, por shpesh shpirti i tyre i rrëmbyeshëm bënte që ata të
ndronin mendjen herë pas here në varësi
të marrëveshjes më të mirë që u ofrohej. Përveç kësaj, shpërthimet e
tyre ishin të pashembullta. Muhamedi, në fund, e sheshoi këtë konflikt të
brëndshëm në vitin 1460. Ai e mori këtë vend nga duart e dy despotëve duke e
bërë Morenë një provincë otomane. Ai
filloi t’i trajtojë shqiptarët më keq se kushdo, duke therur bile edhe ata që i
dorëzoheshin. Atij i kushtoi shumë shtypja e rrezistencës së shqiptarëve, por
më në fund, Muhamedi mundi t’i nënshtrojë edhe ata. Shqiptarët kanë jetuar në
atë trevë qysh nga ajo kohë dhe akoma edhe sot kanë vend-ndodhjet e tyre atje.
Kjo është gjithçka që mund të
thuhet tani për tani lidhur me shqiptarët. Materiali është jo i plotë. Në të
vërtetë, ky është vetëm një fragment, dhe ngjarjet nuk janë të lidhura siç
duhet. Megjithatë, ky nuk ishte faji im, por vjen si rezultat i mungesës së informacionit të duhur dhe që ka
penguar cilindo që ka dashur deri tani që të shkruajë historinë e plotë të
shqiptarëve. Unë u përqëndova më shumë në hisorinë e kohës së vjetër pasi kjo
është periudha më pak e njohur. Unë vetëm sa preka pak periudhën e tyre më të
lavdishme duke e ndërprerë këtë histori pikërisht në atë pikë ku historia e
këtij populli fillonte të behëj më interesante. Qëllimi im nuk ishte që të shkruaja
një histori të gjatë dhe të plotë. Përpjekjet e mia kanë qënë vetëm për të
hedhur dritë mbi prejardhjen e shqiptarëve ashtu sikurse shfaqet tek një numër
i madh faktesh dhe dokumentash të renditura në mënyrë kronologjike që çjerrin
errësirën, zhdukin konfuzionin dhe hedhin poshtë ato spekullime të paskrupullta
mbi këtë popull, duke u përpjekur që ta
bëj të njohur këtë vënd përgjatë gjithë historisë së tij si një komb i cili
është ndër banorët më të vjetër të Evropës dhe që kanë ditur të mbijetojnë,
megjithë fluksin e grekëve, romakëve, gotëve, sllavëve, frengëve, italianëvet
dhe turqve
(*)Johann Thunmann (1746-1778) u lind në Thoresund (Södermanland, Suedi) dhe ndoqi studimet në Uppsala (Suedi) dhe Greifsëald (Gjermani). Më 1772, ai u emërua profesor i Retorikës dhe Filozofisë në Universitetin Halle (Gjermani), ku ai shkroi traktatin e tij "Über die Geschichte und Sprache der Albaner und der Wlachen" (Mbi Historinë dhe Gjuhën e shqiptarëve dhe të Vllehëve), Leipzig 1774. Ky është një nga studimet më të hershme të dijetarëve mbi Shqipërinë, të cilët ishin pak të njohur në Evropë në atë kohë. Pas një hyrje të shkurtër, Thunmann na sjell Fjalorin e Theodor Kavalliotis nga Voskopoja (Moschopolis) me disa shënime në gjuhën shqipe dhe vllahishte (arumune), dhe pastaj ofron një histori të shqiptarëve që është, çuditërisht, tepër e hollësishme për atë periudhë. Seksioni mbi “Historinë e Shqipërisë” është dhënë në mënyrë të plotë, edhe pse pa shënime.