| E hene, 01.04.2013, 01:27 PM |
Gjithçka
për ''vëllaun'' Erdogan
Nga Arbana Xharra
Tre vjet
më parë, Rexhep Taip Erdogan kur u takua me kryeministrin e Kosovës, Hashim
Thaçi, e quajti vëlla. Bile, kryeministri i Kosovës shkoi për të falur drekën
në xhamin e Prishtinës, bashkë me “vëllain” e tij, edhe pse zor që di Thaçi
ndonjë lutje, ai ngriti duart dhe bënte sikur falej.
Nuk kaloi
shumë dhe kompania që udhëhiqet nga dhëndri i kryeministrit turk, Berat
Albayrak “Calik Holding”, e cila është në konzorcium me “Limak Holding u shpall
fituese e tenderit për blerjen e distribucionit të KEK-ut,”. Pra, vëllezëria
turke e cila kohë më parë mori në dorë Aeroportin e Prishtinës për 20 vjetët e
ardhshme, tani iu dha distribucioni për vetëm 26 milionë euro.
Pushtetarët
tanë e bënë pronar të Kompanisë së Distribucionit dhe Furnizimit të Energjisë
Elektrike familiarin e kryeministrit të Turqisë, goxha një relacion i afërt, ky
mes dy qeverive. Erdogani nuk hezitoi ndërkohë të japë deklarata të mëdha
kundër Serbisë dhe pro “vëllezërve” të tij.
Turqia
tashmë mori në dorë dy asete strategjike, dhe jo vetëm kaq, atyre iu mundësua
që të kenë shtrirje me monopol në treg. Zyrtarët e qeverisë të caktuar të
përfundojnë këtë proces me në krye shefin, e kanë mbajtur nën kontroll të
plotë, pa transparencë gjithë procesin edhe përkundër reagimeve të ashpra, ata
ecën tutje duke realizuar kështu planet e tyre.
Kanë
mbetur edhe pak javë dhe Distribucioni i dorëzohet konzorciumit turk, dhe ende
kosovarët, punëtorët e KEK-ut dhe shumë të tjerë nuk janë njoftuar në detaje se
çka do të marrë në duar kjo kompani, për vetën 26 milionë euro.
Protestat
kundër hajnisë janë duke vazhduar çdo javë, ato nisën me faturat e fryera të
KEK-ut, duke kërkuar shkarkimin e menaxherëve të saj përballë objektit kryesor
në Prishtinë, atë të “Elektrokosovës”. Qeveria reagoi atëherë kur protestat
nisën të drejtohen nga zyrat e tyre, kur Sheshi u mbush përplot, dhe ku
pjesëmarrës të saj ishin komuniteti jo me pak ndikim.
Ministri
i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, bashkë me shefat e tij në krye, iu
konvenonte të shihnin protestues me pankarta në duar kundër menaxhmentit të
KEK-ut, sepse ky ishte edhe qëllimi i tyre, të largonin vëmendjen nga shkaktari
kryesor i kësaj gjendjeje. Janë po këta zyrtarë qeveritarë të cilët pa fije
tranparence dhanë distribucionin e KEK-ut, dhe ku sot e asaj dite, jo vetëm
punëtorët e saj por edhe qytetarët aset i të cilëve është kjo ndërmarrje,
shoqëria civile dhe partitë opozitare nuk janë në dijeni se krejt çfarë i është
dhënë kompanisë turke nga kjo shtije.
Në
secilin debat rreth çmimit degradues të këtij privatizimi, përfaqësuesit e
qeverisë u ikin pikave kyç, ku ata janë pjesë të këtij procesi. Sepse jo vetëm
objekti kryesor i “Elektrokosovës” në Prishtinë, do t’iu jepej turqve, por
gjithsej shtatë objekte të tilla gati në secilën qendër të Kosovës. Vetëm
objekti në Prishtinë, ka mbi 10 mijë metra katrorë, dhe 34 arë tokë, e sa e sa
kanë objektet tjera nëpër qytetet tjera të Kosovës.
Limak, në
kuadër të këtyre objekteve do të marrë edhe 19 objekte të tjera si
nëndistrikte, depo në Zonën Industriale në Prishtinë, me mbi 4 hektarë e mijëra
trafo dhe 1000 automjete të distribucionit. Qeveria e Kosovës dalëngadalë është
duke i dhënë në duar fuqinë ekonomike kompanive turke. Dhe normalisht që më
këtë fuqi, ata marrin edhe guximin që të kërkojnë ndërrimin e historisë nëpër
libra shkollorë. Sepse vetëm një relacion i ngushtë, interes financiar, i cili
ua mbushë gushën zyrtarëve tashmë të dëshmuar, se janë deri në fyt të
korruptuar, nuk e kanë problem ta ndryshijnë as historinë, apo ta kthejnë pushtimin
osman, si bashkëjetësë paqësorë dhe e lumtur.
Kur janë
në gjendje të shesin pa mëshirë asetet e qytetarëve të këtij vendi, ata të
zhveshur nga çdo ndjesi, disa miliona i mishërojnë lehtë me vëllezërit turq. E
Turqia nga ana tjetër me taktika shumë të mira është duke e shtrirë fuqinë e
saj në Kosovë, përmes strategjive të cilat do të kenë ndikim të fuqishëm në
përditshëmrinë tonë. Fillimisht duke e ditur terrenin e përshtatshëm, situatën
e ndjeshme politike, dhe stagnimin në masë të madhe ekonomik, ata kanë zgjedhur
format më efikase të shtrirjes së tyre në Kosovë.
I kanë lojtarët e tyre, të cilët janë në gjendje jo vetëm të bëhen sikur po falen në xhami, por edhe të bien në dy gjunjtë përpara Erdoganit, për interesin e tyre financiar, sepse me gjermanët e austriakët nuk mund t’i futen këtyre lojërave. E qytetarëve të Kosovës, të cilët mbajën së paku shpresë se mund të gjejnë ndonjë vend në Distibucionin e KEK-ut apo në Aeroport, u sygjeroj qysh tani të nisin ta mësojnë turqishten!