| E premte, 29.03.2013, 08:00 PM |
Shënime
për krijimtarinë e Teodor Laços
Nga Vangjush Saro
Teodor
Laço, ndër emrat më të njohur në letërsinë shqiptare, përfaqëson në të njëjtën
kohë një nga ato dukuri të rralla kur shkrimtari lëvron me sukses në disa fusha
të letrave. Kemi sot përmbi 50 vepra që mbajnë emrin e tij: përmbledhje me
tregime e novela, romane, drama, komedi, skenarë filmash, publicistikë. Një
begati, që do ta kishte zili çdo shkrimtar i madh. Kjo pllojë veprash letrare
në shumë plane, përbën një pasuri të madhe letrare jo thjesht e vetëm për
Teodor Laçon, por më së pari për kulturën mbarëshqiptare.
Teodori
hyri në letërsi përmes prozës së shkurtër. Tregimet e tij të para lajmëruan
kritikën shqiptare dhe lexuesit se po qasej një talent i madh. Në tregimet e
tij të hershme, krahas vizatimeve brilante të natyrës, erdhi njeriu i thjeshtë,
me botën e tij të vockël a të madhe, por në njëfarë mënyre në një dritë të re,
ku gjithmonë do të gjendej pak shpresë për nesër, një përfytyrim ndryshe,
grishja për një zgjidhje më të mirë. “Ajri i ftohtë i mesnatës” do të shënonte
një pikë kulmore në krijimtarinë e autorit. Më pas, ai do të përfshihej edhe në
tema të angazhuara (“Tokë e ashpër”,) por do të punonte edhe në ngastra të
tilla, ku disi i “bëhej bisht” realitetit “delikat” dhe parimeve e kërkesave të
ngurta të soc-realizmit; (“Lëndina e lotëve”).
Ndër
vite, krijimtaria e tij e zgjeron edhe më shtratin. Ai skaliti figura që u bënë
dhe mbetën proverbiale. Një lexues (me sa duket mjaft i kënduar), gjatë një
polemike në rrjetet e shumta në internet, me të qeshur a me të ngjeshur, na
kujton: “I vetmi Platon që ne mund të flasim rehat është Platon Bubuqi i Teodor
Laços.” Stili i shkrimtarit përsoset sidomos në librat “Portat e dashurisë”, “Një ditë dhe një
jetë”, “Zemërimi i një njeriu të urtë”, për të marrë përmasa të tjera në “Vit i
hidhur”, “Vrasja e buzëqeshjes” si dhe “Një dritare në Kremlin” e “Kthimi i
amerikanëve”. Një moment të rëndësishëm në krijimtarinë e tij, shënon padyshim
libri “Bashkëjetesë me kohën”, ku ai rrëfen jetën e tij përtej vitit ‘97,
sigurisht në një kuadër të gjerë të zhvillimeve komplekse në Shqipëri.
Ndërkaq,
një pjesë e krijimtarisë së Teodor Laços është përkthyer e botuar edhe në gjuhë
të huaja; (anglisht, frëngjisht, italisht, rusisht, rumanisht, turqisht,
bullgarisht, greqisht).
?
Duke
pasur parasysh se proza e tij përgjithësisht është marrë në shqyrtim në një
sërë analizash, në këto radhë po ndalem në disa nga veprat e tij të destinuara
për skenën dhe ekranin. Në gjininë e dramës, Laço kontribuoi fillimisht me
komedinë “Një nuse për Stasin”, për të vijuar me “Gjëmimi i atij dimri” dhe
“Shi në plazh”, pjesë e vënë në skenë nga regjisori Gëzim Kame me pedagogët dhe
studentët e Institutit të Lartë të Arteve në vitin 1985. “Këmbanat e muzgut”
ishte drama që, si të thuash, e solli artin e Teodor Laços në erën e
pluralizmit dhe të lëvizjes së lirë. Ai shkroi gjithashtu një numër të madh
skenarësh, që u bënë filma artistikë, veçmas në përthyerje të viteve ‘80:
“Streha e re”, “Dorina”, “Përballimi”, “Shtëpia jonë e përbashkët”, “Dhe vjen
një ditë” , “Flutura në kabinën time”, etj.
Këtu
është vendi për një parantezë. Nuk është ndonjë gjë e re të them se mbi
letërsinë dhe filmat e kësaj dekade, shpesh pa të drejtë hidhet baltë. Këtë e
bëjnë veçmas shkrues pa peshë, që edhe në atë kohë, edhe sot, mbeten në periferi të letrave. Nuk është vendi të
tjerrim këtë çështje, por duhet të pohojmë që edhe pse jo në kushtet më të
favorshme, shkrimtarë dhe kineastë të kësaj periudhe tentuan të shkonin përtej
rrjetave të ideologjisë së kohës. Në vështrimin tim, Teodor Laço ishte një nga
këto personalitete që përpiqej heraherës t’iu vidhej parimeve të ngushta e
rregullave të serta të soc-realizmit. Në një pjesë të mirë të krijimtarisë së
tij, ai kërkonte një mënyrë më të drejtpërdrejtë për të kumtuar problematikat e
shoqërisë së atëhershme. Më së pari, kjo u vu re pikërisht në disa nga veprat e
tij të skenës dhe ekranit.
Në
krijimtarinë e Teodor Laços ka disa tregime që “u bënë problem” që përpara
viteve ‘80 dhe ndonjë nga libra e tij u ndalua; por në këtë shënim, parapëlqej
të përcjell disa nga vlerat - që zgjaten në kohë - të skenarëve dhe dramave të
tij. Pa qenë nevoja të prodhojmë shumë debat për krijimet e tjera, “Dhe vjen
një ditë” e “Flutura në kabinën time” (të regjisorit Vladimir Prifti) janë dy
nga realizimet që përbëjnë kontribut të pacënueshëm në kinemanë shqiptare.
Filmi i parë trajton temën e tjetërsimit të njeriut (mjaft e rrahur në
letërsinë e viteve ‘80). Përmes jetës së personazhit kryesor Llano Bleta -
njëlloj krijese hibrid i kohës, pak fshatar, pak qytetar, që e ndërton të
ardhmen duke bjerrur fragmente të karakterit të tij - autorët japin pamje
realiste të jetës në Shqipërinë e viteve ‘80.
“Dhe vjen
një ditë” është një poemë e sjelljes njerëzore në rrethana kur njeriu ka
përpara prova jo të lehta. Llano Bleta është një nga ata, që siç thotë diku
Esenini, “e kanë harruar shtëpinë prej druri...” Llano i jepet tërësisht nuses
së tij të bukur - prej një familjeje “me peshë” - strofkës së tij të ngrohtë.
Dhe këtu nuk do të kishte asgjë të keqe, sikur ai të mos lëkundte (me këto
prirje) raportet e tij me njerëzit më të afërt, sikur ai të mos linte pas dore
rrethin e tij familjar, deri edhe të ëmën. Një trajtim kaq ‘privat’ e njerëzor
- dhe në detaje - i episodeve nga jeta e atyre që bënin ‘përpjetë’ me çdo kusht
e me çdo çmim, e bën filmin të ndiqet edhe sot me shumë interes.
I një
natyre tjetër, por sërish përmes një drame të fortë, vjen rrëfimi për një djalë
të shkujdesur, shofer, për të cilin nuk ka kuptim asgjë ideologjike përqark, as
plani i ndërmarrjes, as këshillat moralizuese të shefave; ai po vëzhgon jetën e
vet monotone, pa ritëm, të flashkët; dhe është i pakënaqur, pi e zhurmon se nuk
mundet të protestojë ndryshe...Deri sa në pamjen e rëndomtë dhe mediokre të
jetës së përditshme, shfaqet një vajzë. Është një mësuese. Një femër e bukur.
Një njeri i qetë dhe që kur flet, të rrëmben me ëmbëlsinë e vet. Tek ajo fillon
dhe mbaron edhe filmi “Flutura në kabinën time”. Asnjëherë më parë, kinemaja
shqiptare nuk ishte dhënë kaq shumë pas një dashurie të vështirë, si në dramën
e këtij djali liberal, (s’më erdhi në mendje tjetër epitet për momentin). Koha
që shkon, edhe më të qarta e më solide i sjell vlerat e këtyre filmave.
Edhe “Shi
në plazh” paraqet mjaft interes në këtë vështrim. Është një tjetër vepër
përfaqësuese e pllojës Teodor Laço; bën pjesë ndër ato komedi që nuk rrahin të
gjitha shtigjet për të përcjellë me doemos një mesazh apo një mësim shoqëror,
paçka se jo gjithherë iu ikën moralizimeve. Unë mendoj, gjithsesi, që komedia
anon më shumë nga arti për art, duke ndërtuar një ngjarje sa gazmore aq edhe
dramatike, por gjithsesi me qendër graviteti larg ideologjive të kohës.
Emblematik ka mbetur ndërkaq Çomja, një personazh tashmë aq popullor, nga ata
që nuk krijohen pa mund dhe nuk zënë vend lehtë në mendjen e lexuesit dhe
spektatorit. Ai të bën për vete me çiltërsinë e tij, me shpirtin e hapët; të
gjitha këto cilësi, mbështeten në një fjalor çapraz dhe në një pasuri
frazeologjike të rrallë.
Mbase
edhe vërejtje mund të formuloja për të gjitha sa u analizuan më lart, por në
kushtet kur një pjesë e shkruesve nuk dinë të menaxhojnë urrejtjet e tyre, kur
disa shkrimtarë mesatarë kanë filluar të rrëfejnë histori bajate e të bëjnë
lista si dikur, më duket më e drejtë shpërfaqja e disa vlerave, përkitazi nga
ato që nuk kacaviren pas fjalëve. Qoftë edhe këtyre që u thanë në këtë shënim.
“Teksti nuk mund të ndryshohet, kurse opinionet janë vetëm shprehje e
dëshpërimit.”, thotë diku Franc Kafka.
?
Radhët e
mëposhtëme nuk kanë të bëjnë posaçërisht me letërsinë dhe filmin. As me të
tjera detaje të krijimtarisë së tij artistike. Por ato, gjithsesi, flasin për
njeriun që ndërsa shkruante (e shkruan pareshtur), kujdesej po kaq edhe për
krijuesit e tjerë, shpesh të tërhequr e të keqtrajtuar nëpër rrethe të largëta.
Gjatë gjithë karrierës si shkrimtar dhe si zyrtar, nga Korça në Tiranë, nga
Tirana në Fier, nga Fieri në ish-Kinostudio “Shqipëria e re”, në Ministrinë e
Kulturës e gjetkë, Teodor Laço ka qenë një nga personalitetet që më shumë se
kushdo tjetër ka inkurajuar dhe ndihmuar shkrimtarët më të rinj. Janë të shumtë
emrat e sotëm të letërsisë dhe publicistikës shqiptare, që i janë atij
mirënjohës për përkujdesjen ndaj tyre. (Me modesti, një nga ata është edhe
autori i këtyre radhëve.)
Dhe nuk
mund të ndodhë ndryshe nga sa Teodor Laço shkruan me aq shpirt në tregimet,
skenarët dhe dramat e tij. Në këtë nëntemë, si mund të thoshte Faik Konica
“...duhen pak fjalë dhe pak fjalë arrijnë.”