| E merkure, 27.03.2013, 07:05 PM |
Një
thirrje Kryetares së Kuvendit
Nga Reshat Kripa
Të
nesërmen një tjetër mik i shquar, i paharruari Abdyl Kërluku, u nda nga jeta. I
dënuar për qëndrimin e tij antikomunist nga regjimi totalitar. I ridënuar
përsëri për tentativë arratisje nga kampi i punës së detyruar nëpërmjet një
tuneli që kishin gërmuar fshehurazi.
Pas dy
ditësh të tjera mësova edhe për një rast
tjetër të një martiri që ishte ndarë nga jeta. Ishte fjala për qëndrestarin e
orëve të para të rezistencës antikomuniste, nismëtarin e shoqatës tonë dhe
burrin e urtë e të shquar, Faik Selenica, mbyllur sytë larg atdheut, në Itali.
Ndjeva
një dhimbje për humbjen e këtyre figurave të shquara të luftës kundër
komunizmit. Të tre ishin të moshës mbi 85 vjeç. Nisur nga tre humbjet e miqve
të mij të çmuar, hedh vështrimin rreth vetes dhe shoh se kemi mbetur fare pak
që jemi ende gjallë. Shoh edhe të tjerë që janë në rrugën e ikjes, madje një
pjesë e tyre kanë zënë edhe shtratin. Sipas statistikave të fundit të
Ministrisë së Financave në vitin 2009 jetonin ende 3200 ish të dënuar politikë,
numër që në fund të vitit 2011 zbriti në 2400. Të tjerët ishin shuar. Nga këta,
gjithmonë sipas këtyre të dhënave, 400 ishin të moshës mbi 85 vjeç.
Ka më
tëpër se një vit që Qeveria Demokratike përpiloi një projekt-ligj që
parashikonte këto pika:
1. Shpërblimin financiar me
një këst të vetëm të
atyre që kanë mbushur moshën 85 vjeç.
2. Shpërblimin financiar
të atyre që
në dëshminë e dënimit politik kanë edhe nenin
që i konsideronte veprimet e tyre
terroriste.
3. Ndryshimin e
afatit të periudhës së vrasjes pa
gjyq nga 30
nëntori 1944, në
25 tetor 1944 deri më 31 tetor
1991.
4. Zgjatjen e
afatit të dorëzimit
të kërkesave që
kishte përfunduar më
30 qershor 2009.
Të
përndjekurit politikë e përshëndetën këtë projekt-ligj të qeverisë duke e
konsideruar si një zbatim të detyrimit që Shqipëria i ka këtyre korifejve të
luftës për liri dhe demokraci. Projekt-ligji kaloi edhe në Komisionet e
Ekonomisë dhe të Ligjeve. Por, në diskutimet
e bëra atje, doli në skenë
demagogjia e socialistëve që, duke derdhur lot krokodili, filluan t’u qajnë
hallin ish të përndjekurve, madje të propozojnë ndryshime të tilla si shlyerja
e dëmshpërblimit financiar për një periudhë prej katër vitesh, në një kohë kur
vetëm para pak vitesh nuk kishin pranuar të merrnin pjesë në miratimin e këtij
ligji. Në këtë kuadër ata propozuan që mosha e atyre që do dëmshpërbleheshin me
një këst të vetëm të zbriste në 75 vjeç. Megjithatë, pas diskutimesh të gjata,
shumica e pranoi propozimin e pakicës dhe komisionet e miratuan. Projekt- ligji
kaloi në seancë plenare.
Qysh prej
asaj kohe ka kaluar më shumë se një vit dhe projekt-ligjit nuk po i hapet ende
drita jeshile e miratimit. Përse? Asnjë përgjigje. Sipas shtypit, herë pas
here, kemi mësuar se do të miratohej në Shtator, dhjetor 2012 apo janar 2013.
Por të gjitha kanë qenë supozime të shtypit. Asgjë më tepër.
Në fillim
të këtij shkrimi përmenda tre raste të martirëve mbi 85 vjeç që janë shuar. Kam
rreth vetes disa të tjerë si këta që presin miratimin e ligjit për marrjen e
dëmshpërblimit. Nuk po i përmend emrat e tyre sepse më duket sikur i fyej, pasi
ata nuk u burgosën me shpresën për të marrë një ditë prej ditësh një grusht të
hollash si dëmshpërblim. Ata u sakrifikuan për idealet e tyre, për Liri, për
Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi. Natyrisht ata sot nuk janë në gjendjen që
ishin në kohën e diktaturës. Jo vetëm moralisht por edhe financiarisht ata janë
sot shumë herë më mirë se më parë. Por, midis tyre për një arsye apo një
tjetër, ka edhe nga ata që janë mjaft nevojtarë për këtë dëmshpërblim. Është
detyrë e shtetit shqiptar të shlyejë detyrimet që ka ndaj kësaj shtrese. Ka
zëra që thonë se pengesë për këtë është mundësia financiare e shtetit shqiptar.
Atëherë dua të pyes:
- Si ka
mundësi që gati për çdo ditë lexojmë në shtypin e përditshëm për pensionet e
posaçme që u akordohen ish ushtarakëve dhe për dëmshpërblimin e të përndjekurve
politikë nuk paska mundësi? Përse ky diferencim ndërmjet këtyre dy
shtresave të popullsisë
shqiptare? Cila prej tyre
e pësoi më shumë nga periudha totalitare?
Të gjitha
këto pyetje kanë
nevojë për përgjigje.
Personalisht mendoj se
mundësitë financiare për dëmshpërblimin, të paktën të atyre që janë mbi
85 vjeç, ekziston. Madje do të shtoja se ekziston mundësia financiare për
dëmshpërblimin e të gjithë atyre të përndjekurve politikë që jetojnë ende. Për
këtë le të bëjmë arsyetimin e mëposhtëm.
Sipas të
dhënave zyrtare numri
i të përndjekurve
politikë që jetojnë ende, sikurse
thamë edhe më lart, është 2400 persona (në fakt shifra është më e vogël pasi,
qysh prej deklarimit të saj, një pjesë e tyre kanë ndërruar jetë), ndërsa
periudha mesatare e kohës së vuajtjes së dënimit është tetë vjet. Një gjë e tillë është
pranuar qysh në vitin 1993 kur dikutohej ligji i atëhershëm për dëmshpërblimin
dhe kur periudha e dëshmpërblimit të të pushkatuarve u konsiderua e barabartë
me tetë vjet, domethënë me mesataren e kryerjes së dënimit të të burgosurve
politikë. Një gjë e tillë u la edhe në ligjin e vitit 2008 pikërisht në bazë të
këtij fakti. Deri më sot janë marrë dy këste dhe mbeten edhe gjashtë të tjerë.
Le të bëjmë llogaritjet:
Persona
2400 X 6 vjet X 365 ditë X 2000 lekë/dita = 10.512.000.000 lekë. Të kthyera në
dollarë këto lekë janë të barabartë me:
10.512.000.000 : 105 = 100.114.286 dollar ose në Euro: 10.512.000.000 :
140 = 75.085.714 Euro.
Sikurse
shihet nuk është një shumë e papërballueshme. Nëqoftëse do të marrim parasysh
se jetojmë në një vit zgjedhjesh, kur sapo është dhënë, madje vazhdon të jepet
ende kësti i dytë, dhe duke marrë parasysh gjëndjen financiare të shtetit sikur
kjo shumë të ndahet në dy këste do të rezultonte: 75.085.714 Euro : 2 =
37.542.857 Euro për një këst.
Mendoj se
vetëm me 1/3 e fondeve të fituara nga privatizimi i katër hidrocentraleve
(atyre të Ulzës, Shkopetit dhe Bistricës), ku kanë dhënë kontributin e tyre
edhe ish të burgosurit politikë, mund të shlyheshin të gjithë të përndjekurit
që jetojnë për dy vite.
Përveç
problemit të dëmshpërblimit një rëndësi po kaq të madhe kanë edhe tre pikat e
tjera të projekt-ligjit në fjalë. Le t’i analizojmë njera pas tjetrës.
Çështja e
nenit mbi terrorizmin. Është i njohur fakti që regjimi komunist për t’i dënuar
më shumë të burgosurit politikë, u shtonte edhe këtë nen. Çfarë terrorizmi kanë
zhvilluar ata? Kë kanë vrarë? Kë kanë masakruar apo terrorizuar? Asnjë. Për më
tepër, në këtë kategori kanë futur edhe ata që tentonin për t’u arratisur si
për shembull ata të burgut të Burrelit, revoltës së Spaçit apo asaj të Qafës së
Barit. Edhe në vende
të tjera të
botës të burgosurit
tentojnë të arratisen
por, ata që
kapen, nuk
ridënohen.
Ndryshimi
i periudhës së vrasjes pa gjyq. Projekt-ligji parashikon 25 tetorin, ditën e
fillimit të luftës së Tiranës. Ne kemi qenë dakord dhe kemi propozuar që kjo
datë të jetë 1 gushti i vitit 1943, viti i Konferencës së Mukjes, pasojë e së
cilës ishte hapja e luftës vëllavrasëse. Për këtë kemi bërë edhe propozimet
përkatëse. Deri më sot nuk janë miratuar. Sidoqoftë propozimi për të caktuar si
datë fillestare 25 tetorin 1944 duhet miratuar sa më parë.
Edhe
zgjatja afatit të dorëzimit të dokumentave duhet të miratohet. Në Ministrinë e
Drejtësisë janë grumbulluar një sasi e madhe të tilla kërkesash që janë në
pritje. Ne jemi të mendimit që për këtë çështje të mos ketë fare afat. Një
personi që përfiton dëmshpërblimin nuk ka pse t’i vihet afat për të bërë
kërkesën.
Këto ishin çështjet për të cilat doja të diskutoja, Ky është një fakt i hidhur që duhet të shqetësojë këdo në Shqipëri, aq më tepër ata politikanë që i kanë hequr mbi shpatullat e tyre pasojat e regjimit totalitar. U bëj thirrje Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë dhe deputetëve të përndjekur politikë: Lexojeni këtë shkrim, shikoni bashkëvuajtësit tuaj që po shuhen dita-ditës, ktheni vështrimin prapa, te paraardhësit tuaj që e kanë provuar këtë diskriminim dhe miratoni projekt-ligjin në fjalë i cili, megjithëse nuk është i plotë, bënë një hap para drejt rehabilitimit të kësaj shtrese. Në rast se miratimi i tre ligjeve që opozita në mënyrë absurde, kundërshton t’i miratojë, është vendimtar për të ardhmen e gjithë popullit shqiptar, miratimi i këtij projekt-ligji është vendimtar për të gjithë shtresën e të përndjekurve politikë. Atëherë miratoheni.
Botuar në
gazetën “Metropol” Nr. 2931 datë 26 mars 2013. Dërguar edhe gazetave “Mapo” dhe
“Panorama” që nuk e botuan, madje nuk morën as mundimin për të njoftuar shkakun
e mosbotimit. Kjo nuk është hera e parë që ndodh me këto gazeta. Përse? Këtë e
dinë më mirë drejtuesit e tyre. Dëshiroj t’i pyes: A është kjo etika e një medie të lirë dhe të
pavarur?